Plani jetësorë i skicuar me lajmet e Israsë dhe Miraxhit

(Udhëtimi kozmik i Muhammedit s.a.v.s.)

All-llahu i Madhërishëm në Kur’anin famëmadh urdhëron e thotë:
“Pa të meta është Lartmadhëria e Atij që robin e Vet e kaloi në një pjesë të natës prej Mesxhidi Haramit (prej Qabes) gjer në Mesxhidi Aksa (Bejti Mukaddes), rrethinën e të cilës Ne e kemi bekuar, (ia bëmë këtë udhëtim) për t'ia treguar atij disa nga argumentet Tona. Vërtet, Ai është dëgjuesi (i fjalëve të Muhammedit), parësi (i punëve të Muhammedit)(1)”.
Në natën e 27 të muajit Rexheb, muslimanët e shënojnë në mënyrë tradicionale si Lejlei-Miraxh, të cilën sipas mendimit të shumicës së dijetarëve islam, Muhammedi s.a.v.s. u transferua brenda natës prej Mekkës deri në Jerusalem. Këtu Muhammedi a.s. ishte imam (prijës) në namazin me pejgamberët e tjerë. Pas namazit Muhammedi s.a.v.s. me Burak bartet prej tokës deri te sferat më të larta jo materiale, të cilat Kur’ani i përshkruan me fjalët:
“E ishte afër sa dy harqe (dy kut) apo edhe më afër. Dhe i shpalli robit të Tij atë që ia shpalli. Zemra nuk mohoi atë që pa (me sy)(2)”.
Kjo ngritje në sferat më të larta quhet Mi’raxh.
Sipas Muhammedit s.a.v.s. namazi është “miraxhul mu’min” (miraxhi i besimtarit). Sikurse Muhammedi a.s. edhe ne duhet të jemi të përgatitur, me pastërtinë trupore, të zemrës dhe pastërtinë e qëllimit, ndërsa ngritja shpirtërore e mëtejmë e jona varet nga All-llahu xh.sh.
Për të qenë mik i All-llahut, duhet mund dhe sakrificë. Mundi dhe sakrifica më e vlefshme padyshim është namazi, ndarja e kohës kryesisht kushtuar All-llahut të dashur.
Asgjë në botë nuk mund ta zëvendësoj namazin. Ai është nevojë, domosdoshmëri dhe ushqimi ynë shpirtëror. Është imperativ i All-llahut xh.sh.:
“Vërtet, vetëm Unë jam All-llahu, nuk ka zot tjetër pos Meje, pra Mua më adhuro dhe fal namazin për të më kujtuar Mua(3)”.
Në hadithet të cilat i transmetojnë El Buhariu dhe të tjerët, ndodhia për Isranë dhe Miraxhin fillon me hapjen e gjoksit të Muhammedit s.a.v.s. Një prej transmetimeve të cilat i përmend Imam Ahmedi nga Enes ibn Maliku i cili thotë:
“Ubejj ibn Ka’b ka treguar që i dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: «U hap trari i shtëpisë sime-u lëshua Xhibrili a.s., hapi gjoksin tim. Më pas e pastroi me ujë të zemzemit, solli një enë të artë të mbushur me urtësi dhe iman dhe përbërjen e tyre ma hodhi në gjoksin tim, e më pastaj e mbylli».
Kjo ndodhi në marrëdhënie me ne paraqet pendimin (teube). Pra, ajo që për Pejgamberin s.a.v.s. ishte pastrim gjoksi, për ithtarët e tij kjo paraqet pendimin. Dhe është fakt që jeta e një muslimani në rrugën kah All-llahu xh.sh. fillon me pendim. Nuk ka shkallë (derexhe) e cila i paraprinë pendimit.
Por, kur flasim për pendimin me këtë kuptojmë pendimin e sinqertë (teube nesuh).
All-llahu i Madhërishëm thotë:
“O ju që keni besuar, pendohuni tek All-llahu me një pendim të sinqertë(4)....”
Por, për të qenë pendimi i sinqertë duhet plotësuar disa kushte:
1. të ndërpritet me mëkatet;
2. të pendohesh për mëkatin e bërë;
3. fuqimisht të vendosësh që mos ta përsëris kurrë mëkatin e tillë.
Nëse mungon njëra prej këtyre kushteve, pendimi nuk është i vërtetë (kjo vlen për mëkatet në mes robit dhe All-llahut xh.sh).
Nëse mëkati është në lidhje me të drejtën e ndonjë njeriu atëherë për pendim nevojiten përveç tri kushteve të para të përmendura, edhe kushti i katërt, të rregulloj të drejtën e personit të dëmtuar.
Kështu nëse është në pyetje pasuria apo diç e ngjashme duhet kthyer pronarit, nëse e ka përgojuar duhet kërkuar hallall.
Nga Ibn Abbasi r.a. transmetohet se një njeri ia kishte lënduar nderin dhe erdhi duke i kërkuar hallall, për çfarë Ibn Abbasi i tha: “Ruana Zot që unë të bëjë një gjë të tillë hallall atë që All-llahu e ka bërë haram! All-llahu e ka ndaluar që të lëndohet nderi i muslimanit dhe unë nuk mund ta bëjë këtë hallall, por All-llahu le të falë”.
Shejh Ali el Havvas, All-llahu e mëshiroftë ka thënë: “Besimtari në ngritjen e tij shpirtërore e ndalë vetëm nëse përgojon ndonjërin prej muslimanëve. Kush bie në këtë sprovë le të lexoj El Fatiha, El Ihlas, El Felek, En Nas dhe thevabin e kësaj le t’ia dhuroj personit që e ka përgojuar.”
All-llahu i Madhërishëm duke na urdhëruar pendimin thotë:
“...Pendohuni të gjithë te All-llahu, o besimtarë, në mënyrë që të gjeni shpëtim(5).”
Duke i hapur të dy krahët e dyerve të pendimit të sinqertë, me stilin plot mëshirë dhe butësi, i Lartëmadhëruari thotë:
“Thuaj: "O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së All-llahut, pse vërtetë All-llahu i falë të gjitha mëkatet, Ai është që shumë falë dhe është mëshirues(6)!"
Këtu ndërlidhet edhe hadithi kudsi ku All-llahu xh.sh. thotë:
“O robërit e Mi, ju gaboni natën dhe ditën, ndërsa Unë i fali të gjitha gabimet, andaj lutuni Mua për falje se Unë i fali.”
Pejgamberi s.a.v.s. pranon se mëkati është një fakt i pamohueshëm, andaj thotë:
“Secili bir i Ademit, gabon...” – mirëpo ai udhëzohet në mjetin i cili falë gabimet: “....mëkatarët më të mirë janë ata që pendohen”.
Imam Kushejriu ka thënë: “Një finesë në lidhje me miraxhin është pastërtia e Pejgamberit s.a.v.s. me hapjen dy herë të gjoksit të tij (herën e parë si fëmijë te Halimeja). Ajo që nga tërë trupi i Pejgamberit s.a.v.s. është pastruar vetëm zemra d.m.th.:
- zemra është organ i njohjes
- është organ i trupit të njeriut, që nëse është i shëndoshë i tërë trupi është i shëndoshë.
- Është organ i dëshmisë, sipas versetit kuranor:
- “A nuk udhëtuan ata nëpër tokë e të kenë zemra me të cilat do të kuptojnë, dhe veshë me të cilat do të dëgjojnë? Pse në të vërtetë sytë nuk verbërohen, por verbërohen zemrat në kraharor(7).”
për të tërhequr vërejtjen Ummetit në rëndësinë e pastrimit të zemrës.

Qëllimi i planit jetësor

Dikush, menjëherë mund të pyet: “Nëse fillimi i rrugës së islamit është pendimi, atëherë çka është qëllimi (caku) i fundit?”
Pa mëdyshje, përgjigjemi: “Përveç All-llahut nuk ka cak përfundimtar!” ngase edhe vetë Ai thotë:
“Dhe se kthimi i fundit do të jetë te Zoti yt(8).”
Kur emigron (hixhret), besimtari emigron tek Ai:
“..."Unë po shkoj aty ku më urdhëroi Zoti im, e Ai më udhëzon(9)!"
Kur ikë, besimtari ikë kah Ai, sepse All-llahu xh.sh. urdhëron ikjen tek Ai:
“Pra, ikni e mbështetuni tek All-llahu(10),....”
Kur ecë besimtari ecë nga Ai:
““..."Unë po shkoj aty ku më urdhëroi Zoti im, e Ai më udhëzon(11)!”
Dhe sa më tepër që besimtari përparon në rrugën kah All-llahu xh.sh., ndaj tij gjithnjë e më shumë rritet kujdesi dhe mbrojtja Hyjnore. Dhe kur në fund arrin tek Ai, atëherë fiton kujdesin përkatës dhe mbrojtjen e merituar në dynja dhe Ahiret:
“Ta keni të ditur se të dashurit e All-llahut (evliatë) nuk kanë frikë (në botën tjetër) e as kurrfarë brengosje? (Ata janë ata) Të cilët besuan dhe ishin të ruajtur. Atyre u jepet myzhde në jetën e Dynjasë (në çastin e vdekjes) dhe në jetën tjetër (për shpëtim dhe xhenet). Premtimet e All-llahut nuk mund të pësojnë ndryshim. E, ai është sukses i madh(12).”
Ardhja tek ky cak përfundimtar, tek All-llahu i madhërishëm, nuk do të thotë arritjen e stabilitetit shpirtëror, por në anën tjetër do të thotë eliminimin e shqetësimeve shpirtërore, eliminimin e brengës për furnizim, eliminimin e frikës nga vdekja, eliminimin e çdo gjëje që e largon njeriun nga All-llahu. Edhe pse kishte arritur te caku i përmendur Pejgamberi s.a.v.s. i urdhërohet të kërkoj:
“Thuaj: «Zoti im më shto dituri(13)»”
Tek të dashurit e All-llahut (evliatë) rritja e diturisë nënkupton rritjen e lumturisë. Në këtë kuptim njëri prej atyre që kishte njohur All-llahun kishte thënë: “Ne jemi në aso lumturie për të cilën sikur të dinin pushtetarët do të na sulmonin me shpatat e tyre”.
Ngjyra e lumturisë, merr këtu ngjyrën e njohjes. Secila derë e njohurisë ka shije të veçantë, ëmbëlsi të veçantë. Të dashurit e All-llahut, pasuria nuk i pengon nga All-llahu.
Ndonjëherë mund të kenë pasuri si Sulejmani a.s. dhe pushteti i madh i tij nuk e pengoi nga All-llahu xh.sh. Ndonjëherë mund t’u ofrohet pasuri e pafund, por ata mos t’i japin rëndësi të veçantë.
Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë:
“Mu është ofruar të zgjedhë ose të bëhem sundues-pejgamber ose rob-pejgamber dhe unë zgjodha të jem rob-pejgamber”.
Të dashurit e All-llahut nuk i interesojnë kënaqësitë trupore, sepse kënaqësia dhe lumturia e zemrave të tyre është në përjetimin e afërsisë me All-llahun xh.sh. dhe tek i Cili ata gjejnë gëzim, stabilitet, qetësi dhe siguri.
All-llahu na bëftë prej tyre!


_______________________
1. El Isra’ë, 1.
2. En Nexhm, 9-11.
3. Ta Ha, 14.
4. Et Tahrim, 8.
5. En Nur, 31.
6. Ez Zumer, 53.
7. El Haxhxh, 46.
8. En Nexhm, 42.
9. Es Safat, 99.
10. Dharijatë, 50.
11. Es Safat, 99.
12. Junus, 62-64.
13. Ta Ha, 114.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi