Lavd-falënderimet, frikë-rrespektet i takojnë vetëm Allahut xh.sh, Ai është Krijues i kënaqësive të përhershme të Xhenetit, dhe Krijues i dënimeve të përkohshme e të përhershme Xhehenemit.
Përshëndetjet, salavatet, selamet, paqja dhe bekimet e qofshin mbi me të nderuarin e të Dërguarve, Muhamedin a.s , mbi familjen e tij të ndershme dhe mbi shokët e tij të zgjedhur.
Allahu xh.sh thotë: “ Zoti yt, krijon çka të dojë dhe zgjedh çka të donë“ (Kasas 68)
Muaji Shaban është muaji i tetë sipas kalendarit të Hënës, muaj ky i cili i paraprinë muajit të agjërimit, dhe Kur’anit që është muaji i Ramazanit.
Muaji i Shabanit është muaji i begative madhështore, që i nxitë myslimanët që të shfrytëzojnë nga rasti për të përfituar shpërblime të mëdha si dhuratë nga Allahu xh.sh. për veprimet e mira dhe produktive gjatë këtij muaji.
Muaji Shaban për dallim nga muajt e tjerë, karakterizohet me dy ngjarje të mëdha dhe të rëndësishme:
- Nata e katërmbëdhjetë e muajit Shaban që njihet si nata e Beratit, dhe
- Ndërrimi i Kiblesë së muslimanëve prej Mesxhidi Aksasë në drejtim të Qabës.
I Dërguari i Allahut s.a.v.s e madhëronte këtë muaj me shtimin e adhurimeve dhe veprimeve të mira, si agjërimi dhe format e tjera të adhurimeve. Për këtë Allahu xh.sh. në Kur’anin Famëlartë thotë:
“… Kurse veprat e mira (fryti i të cilave është i përjetshëm) janë shpërblimi më i mirë te Zoti yt dhe janë shpresa më e mirë.” (Kehf 46)
Përmes këtyre adhurimeve (ibadeteve) të shtuara gjatë këtij muaji, siç është agjërimi, njeriu afrohet te Krijuesi i tij, dhe shtonë dashurinë ndaj Allahut xh.sh.
Agjërimi i Pejgamberit a.s. gjatë muajit Shaban
Më së shumti që agjëronte Pejgamberi s.a.v.s. ishte në muajin Shaban, respektivisht e agjëronte shumicën e muajit.
I Dërguari i Allahut s.a.v.s. këtë muaj e shoqëronte me shtim të ibadetit e veçanërisht me agjërim gjatë ditës dhe me namaz nafile gjatë natës. Në një hadith të transmetuar nga Ajsheja r.a. e cila ka thënë: “Pejgamberin a.s. nuk e kam parë që ka agjëruar ndonjë muaj të plotë, përveç Ramazanit, e as nuk e kam parë Pejgamberin a.s. se ka agjëruar ndonjë muaj më shumë, se sa në muajin Shaban.“ (Buhariu 1833)
Është pyetur i Dërguari i Allahut s.a.v.s.: Cili agjërim është më i vlefshëm pas agjërimit të Ramazanit? Ai u përgjigj: “(Agjërimi) Muaji Shaban për shkak të madhërimit të Ramazanit” (Tirmidhiu). E kjo bëhej me qëllim që besimtarët islam të presin muajin e agjërimit me gjoks të hapur dhe të pastër.
Transmetohet nga Usame b. Zejdi ku thuhet: “I thash: O i dërguari i Allahut s.a.v.s., nuk të kam parë që ke agjëruar ndonjë muaj prej muajve sa agjëron në muajin Shaban! Ai tha: “Ky muaj është muaji që njerëzit janë në gaflet në të, i cili gjendet mes muajin Rexhep dhe Ramazan. Ky muaj (Shabani) është muaji që ngriten punët tona te Allahu i Madhërishëm, andaj unë dëshiroj që kur të ngritën punët e mia të jem agjërueshëm.”
(Nesaiu dhe Ebu Davudi)
Ngritja e veprave tona
Në mesin e muajit Shaban, respektivisht në natën e katërmbëdhjetë gjendet nata e Beratit. Kjo natë është nata që Allahu xh.sh. i hapë dyert e qiejve dhe e zbret mëshirën e tij përmes melaqeve, duke i pranuar lutjet dhe pendimet e robërve të Tij. Kjo natë pra është nata që ngriten punët e besimtarëve Islam te Allahu xh.sh., ashtu siç e theksoi hadithi i sipërpërmendur. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. në një hadith të transmetuar nga Enes b. Maliku thotë: “Secili besimtarë në qiell ka nga dy dyer, për njërën derë i zbret furnizimi i tij, kurse për derën tjetër hynë – ngriten fjalët dhe veprat e tij.”
Ngritja e menjëhershme e veprave tona
Në një hadith tregohet se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte falur katër rekate të namazeve nafile menjëherë pas namazit-farzit të drekës dhe tha: “Në këtë orë hapen dyert e qiellit, dhe unë dëshiroj që në këtë kohë të ngritën punët e mia të mira.”
(Tirmidhiu dhe Imam Ahmedi)
Ngritja e veprave natën dhe ditën
Transmetohet nga Ebu Musa r.a. i cili ka thënë: Na ka mësuar i Dërguari i Allahut s.a.v.s pesë fjalë (mësime) dhe tha: “Vërtetë Allahu xh.sh. nuk flenë dhe nuk ka nevojë për të fjetur, Ai e zbret drejtësinë dhe e ngritë atë, te Allahu ngriten veprat e natës para veprave të ditës (para se të fillohet me punët e ditës), dhe veprat e ditës para veprave të natës. Mbulesa e Allahut xh.sh. është drita, e nëse e shpalosë Shkëlqesia e Tij do ti kishte djegur krijesat e Tij gjithkund ku arrin Drita e Tij.”
Ngritja e veprimeve javore
Transmetohet nga Ebu Hurejra r.a. i cili ka thënë: i Dërguari i Allahut s.a.v.s ka thënë: “Veprat ngriten te Allahu xh.sh. ditën e enjte dhe të hënën, dhe Allahu i Madhërishëm falë çdo njeri i cili nuk i ka përshkruar shok Allahut (nuk ka bërë shirk) me përjashtim të atyre që mes tij dhe vëllait të tij ka zënkë – ngatërresë, e Allahu xh.sh. thotë: “Lëni këta dy ashtu si janë derisa të pajtohen!” (Muslimi dhe Tirmidhiu).
Transmetohet nga Ebu Hurejra r.a. ku thuhet: I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: ”Veprat ngriten te Allahu ditën e hënë dhe të enjte, e unë dëshiroj që kur të ngriten veprat e mia të jem agjërueshëm.” (Tirmidhiu)
Ngritja vjetore e veprave
Transmetohet nga Usame b. Zejdi ku thuhet: I thash: O i Dërguari i Allahut s.a.v.s. nuk të kam parë që ke agjëruar ndonjë muaj prej muajve sa agjëron në muajin Shaban. Ai tha: “Ky muaj është muaji që njerëzit janë në gaflet në të, i cili gjendet mes muajin Rexhep dhe Ramazan. Ky muaj (Shabani) është muaji që ngriten punët tona te Allahu i Madhërishëm, andaj unë dëshiroj që kur të ngritën punët e mia të jem agjërueshëm.”
(Nesaiu dhe Ebu Davud)
Dijetari i Famshëm El-Mennavi në sqarimin e këtyre haditheve thotë se veprat ngriten te Allahu xh.sh. natën e gjysmës së muajit Shaban, pra natën e katërmbëdhjetë të muajit Shaban dhe natën e Kadrit, natën e njëzet e shtatë të muajit Ramazan. Ngritja e veprave për çdo të hënë dhe të enjte është ngritje e përgjithshme javore, kurse ngritja e veprave natën e katërmbëdhjetë të muajit Shaban dhe natën e Kadrit, është ngritje e detajizuar vjetore. Urtësia e ngritjes së veprave të njerëzve te Allahu xh.sh. është nxjerrja në shesh e nderit dhe vlerës së realizuesit të këtyre veprave.
Ngritja e veprave në natën e Beratit
Në natën e katërmbëdhjetë të muajit Shaban, që njihet si nata e Beratit, hapen dyert e qiejve dhe pranohen lutjet e atyre që luten dhe zbret magfireti i Allahut xh.sh. Melaqet zbresin në tokë me rahmetin e Allahut xh.sh. Këtë natë Allahu xh.sh. bënë faljen e madhe për robërit e tij duke i larguar nga zjarri i xhehenemit, pastaj Allahu xh.sh. lëshon shikimin e Tij (mëshirën e Tij) mbi robërit, duke i falur ata që kërkojnë falje, i mëshiron ata që kërkojnë mëshirën dhe i shlyen të këqijat e atyre që bëjnë pendim – Teube.
Në një transmetim nga Aisheja r.a., bashkëshortja e Pejgamberit s.a.v.s. thuhet se ajo ka thënë: Një natë u ngrit i Dërguari i Allahut s.a.v.s. nga shtrati për t’u falur, dhe gjatë namazit qëndroi aq gjatë në sexhde, saqë mendove se ka vdekur. Kur vërejta qëndrimin e gjatë në sexhde, pa lëvizur, u ngrita dhe e kapa për gishtin e dorës dhe ai lëvizi, e unë e dëgjova duke thënë në sexhde: “O Zot, kërkoj mbrojtje me faljen Tënde prej dënimit Tënd, kërkoj mbrojtje me kënaqësinë Tënde ndaj hidhërimit Tënd, kërkoj mbrojtjen Tënde nga Ti, nuk di si të të lavdëroj Ty, përveç se ashtu si Ti e ke lavdëruar veten Tënde.”
Pasi e ngriti kokën nga sexhdeja dhe përfundoi me namazin, atëherë më tha: Oj Aishe, ose oj Kuqaloshe, a mendove se shkova te tjetra? I thash (thotë Aishja): Jo pasha Allahun o i Dërguari i Allahut, nuk mendova ashtu, por mendova se ke vdekur për shkak të sexhdesë tënde të gjatë! Atëherë Pejgamberi s.a.v.s. tha: A e din se çfarë nate është kjo? Aisheja r.a. i tha: Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më mirë! Pejgamberi a.s. tha: “Kjo është nata e gjysmës së muajit Shaban, vërtetë këtë natë Allahu i Madhërishëm paraqitet para robërve të Tij, i falë ata që kërkojnë falje prej Tij, i mëshiron ata që kërkojnë mëshirë, kurse ziliqarët i len të tillë si janë, të armiqësuarit, të pa falur dhe të pa mëshiruar.” (Imam Bejhekiu)
Në një transmetim nga Abdullah b. Arri thuhet se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë:
“Allahu xh.sh. natën e gjysmës së muajit Shaban paraqitet para të gjitha krijesave të Tij dhe i falë robërit e Tij, me përjashtim të dy kategorive që janë: hipokriti që bënë përçarje dhe vrasësi i njeriut (me pa të drejtë).” (Imam Ahmedi)
Në një hadith tjetër të transmetuar nga Aisheja r.a. thuhet se i dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: “Më erdhi Xhibrili a.s. dhe më tha: Kjo është nata e gjysmës së muajit Shaban. Allahu në këtë natë liron nga zjarri i Xhehenemit sa numri i qimeve të deleve të fisit Beni Kelb, dhe këtë natë Allahu nuk e mëshiron vetëm atë që ka bë shirk (që i ka përshkruar Allahut shok), atë që bënë përçarje mes myslimanëve, atë në nuk i viziton të afërmit e tij (ka shkëputur lidhjet familjare), atë që nuk nderon – respekton prindërit, atë që rrobat i lëshon për toke kur ecën, alkooloçarët që përdorin alkoolin, dhe atë që ka mbytur njeri.” (Imam Bejhekiu)
Në një transmetim nga Enes b. Maliku tregohet se si myslimanët e pritnin muajin Shaban dhe thotë: “Kur prezantonte muaji Shabanit, myslimanët e rritnin gatishmërinë e punëve të mira, lexonin Kur’an, shpërndanin lëmosha dhe sadaka duke u solidarizuar me të varfëritë dhe nevojtarët, me qëllim që edhe ata të ndihmohen për pritjen e muajit të Ramazanit. Ata e kuptuan se ngritja e punëve të tyre te Allahu xh.sh. në natën e katërmbëdhjetë të Muajit Shaban, duke e përcjellë me agjërim dhe ibadete të shtuara, është përfundimi i veprimit vjetor, kurse fillimin e muajt të Ramazanit e konsideronin si fillimi i vitit të ri shkollor, me një e lan të mirë, të përgatitur, të pastër dhe të bashkuar. Kështu fillonte viti i tyre dhe kështu mbaronte.”
Sa i përket agjërimit të muajit Shaban si agjërim nafile dijetarët kanë tërhequr paralele analitike mes namazit dhe agjërimit, duke thënë, ashtu si i paraprinë namazeve farze namazi sunet, ashtu edhe agjërimit farz i paraprinë agjërimi sunet. Në realitet sunetet na përkujtojnë në farzet, ose i kompletojnë ata në rast të ndonjë mangësie të pa qëllimtë dhe konsiderohet mbrojtëse të farzit.
Agjërimi i këtyre ditëve, për ata të cilët eventualisht kanë pa agjëruar ndonjë ditë të Ramazanit me arsyetime juridike islame, preferohet që për agjërimin e tyre të bëhet nijet agjërim kaza. Këto ditë mund të agjërohen edhe agjërim të premtuar (nedhr) që dispozita e tyre është vaxhib, e nëse nuk është i ngarkuar me këto lloje të agjërimit, atëherë agjëron edhe agjërim nafile.