(Fjala e myftiu të Kosovës, Naim ef. Tërnava në promovimin e librit “Shekuj drite në Deçan” të autorit Harun Shabanaj, të mbajtur më 3 mars në Deçan)
I nderuar, z. Bashkim Ramosaj - kryetar i Deçanit
I nderuar z. Ekrem Kastrati – kryetar i Malishevës
I nderuar Rsiam ef. Bytyqi - kryetar i KBI në Deçan me bashkëpunëtorë
Të nderuar efendilerë
Ju të nderuar referues
I nderuar Haruan efendi- autor i librit “Shekuj drite në Deçan”
Të nderuar dashamirë të fjalës së shkruan
Të nderuar të pranishëm!
Kam nderin që sot gjendem në mesin tuaj, me kënaqësi i jam përgjigjur ftesës që të jem këtu, për të promovuar veprën e imamit të vyer e të çmuar Haruan ef. Shabanaj, vepër kjo që për trajtesë ka historikun e shtrirjes së kulturës, trashëgimisë, fesë e kulturës islame në rrethin e Deçanit.
Fillimisht përgëzoj e uroj autorin, imamin Harun efendiun për angazhimin e tij të palodhur, angazhim ky që po kurorëzohet me veprat e tij që kanë parë dritën deri tash duke përfshirë këtu edhe veprën që sot po promovojmë “Shekuj drite në Deçan”.
Të nderuar të pranishëm!
Misioni i imamit është i një rëndësie të veçantë në fenë tonë, imami është prijës i xhematit, mësues e interpretues i mësimeve bazike të fesë dhe mund të them se lidhja e xhematit me imamin është shumë e ngushtë që besimtarin e përcjell nga lindja e tij e deri kur rikthehet në ahiret.
Në historinë e popullit tonë në mënyrën më të mirë është dëshmuar roli i imamit në komunitet aty ku e ka kërkuar nevoja, gjithherë me xhematin, me popullin, në ballë të tij për t’i mësuar rrugën e drejtë, për t’ia interpretuar mësimet e Krijuesit të gjithësisë, porositë e Muhamed Mustafasë, për ti shpjeguar në mënyrën më të mirë kujdesin që duhet dhënë kësaj dynjaje, obligimet që ka ndaj atdheut e kombit si dhe duke kontribuar me laps në hapjen e horizonteve në edukimin dhe fisnikërimin e popullatës sonë në kohë e ditë të vështira.
Me punën e aktivitetet e tyre në shërbim të popullit e vendit, imamët tanë shkruan historinë, duke bërë detyrën e misionit ashtu siç ka kërkuar Krijuesi i gjithësisë, e duke krijuar për besimtarët kushte e premisa për jetë me dinjitet në këtë botë po edhe duke siguruar ahiretin siç na ka premtuar i Gjithëfuqishmi.
Në këtë rrafsh, në kohën që po jetojmë, kemi edhe angazhimin dhe kontributin e Harun efendiut të cilin gjatë veprimtarisë së tij e gjejmë imam të përkushtuar në disa lokalitete e xhemate ku u dallua për përkushtimin në detyrën e prijësit të xhematit. Efendiun, gjatë viteve të ’90 të shekullit të shkuar imamin Harun efendiun e gjejmë pjesë të Aksionit për Pajtimin e Gjaqeve, pastaj mbështetës e veprimtar i Lëvizjes gjithë popullore për çlirimin e vendit, por gjithherë pa lanë pas dore misionin e tij prej imamit.
Harun efendiun detyrën prej imamit e vazhdoi edhe pas Lirisë së vendit, por tani e tutje, efendiun e gjejmë me kontribute edhe në periodikun e Bashkësisë Islame nga fushat e disiplina të kulturës, trashëgimisë e historisë sonë të lavdishme të të parëve tanë.
Angazhimi i imamit tonë të nderuar në këtë rrafsh ka shënuar rezultate të çmuara të cilat janë kurorëzuar me tri vepra të botuara që na sjellin të dhëna, fakte, ngjarje e dëshmi me interes për trashëgiminë e kulturën islame të popullit tonë që në vete ngërthen vlera të shumanshme.
I tillë është edhe libri që po promovojmë sot, i cili për lexuesit sjell një historik të shkuar të filleve të depërtimit të islamit te ne, pastaj ndërtimit të xhamive që kanë një histori të lavdishme për këtë territor, një segment i rëndësishëm i trajtuar në këtë libër, është bindja e vendosmëria e besimtarëve tanë për ta ruajtur besimin islam në kohë e ditë të vështira kur me dhunë e terror serbet e malazezet provuan që t’ua ndërronin fenë. Po ashtu autori në këtë libër na sjell edhe objektet e trashëgimisë materiale islame që kanë një rëndësi të veçanet për të kaluarën tonë, pa lënë anash këtu edhe gurët mbivarror deshifrimi i të cilave ka rëndësi të veçantë, sidomos për brezat e rijnë që tani nuk njohin gjuhën dhe grafinë osmane.
Mirëpo, pjesën kryesore të librit që kemi sot në dorë autori ia ka kushtuar personaliteteve – prijësve të besimit islamë pra imamëve që kanë shërbyer e kanë kontribuar në rritën dhe zhvillimin e jetës fetare ndër shekuj në Deçan dhe rrethinë.
Me këtë rast duhet konstatuar se imami i nderuar- autori i librit Harun ef. Shabanaj në përgatitjen e këtij libri ka sjellë jo vetëm biografitë por edhe kontributet e imamëve të kësaj ane ndër shekuj brenda kopertinave të libri që kemi tash në dispozicion, gjë që është një punë që duhet përshëndetur, çmuar e mbështetur.
Të nderuar të pranishëm!
Me lejoni të them edhe këtë, librin që sot po promovojmë është një kontribut i çmuar për njohjen, ndriçimin dhe shkrimin e së kaluarës sonë që për shkaqe e rrethana të ndryshme nuk është trajtuar sa e si duhet.
Meqenëse për librin do flasin më me kompetencë referuesit e nderuar, mua më lejoni edhe njëherë të përgëzoj autorin, dhe të shpreh mbështetjen time për punë e projekte të tilla. Autorit shëndet e suksese e për të gjithë ne, e posaçërisht për imamët tjerë që i kemi në terren të merret si një shembull e model që duhet ndjekur.
Edhe një herë uroj me shpresë te i Madhi Zot që do kemi edhe kontributet tjera nga imami i nderuar.
E selamu alejkum!
Deçan, 3 mars 2022
Myftiu i Kosovës
Naim ef. Tërnava