“Thuaj: “Unë nuk ju them juve, se i kam në kompetencë depot e Allahut (e t’ju sjell mrekulli), as nuk pretendoj se i di fshehtësitë (e t’ju tregoj, se kur do t’ju vijë dënimi), as nuk ju them se unë jam engjëll. Unë ndjek vetëm atë që më shpallet mua. Thuaj: “A janë baras i verbri dhe ai që sheh?” A nuk mendoni?” (El-Enam, 50).
Në mesin e tregimeve që e kanë habitur dr. Gary Millerin(1), është edhe historia e Pejgamberit a.s. me Ebu Lehebin.
Milleri ka thënë: “Ebu Lehebi e urrente aq shumë Islamin, sa që shkonte kudo pas Pejgamberit a.s. për ta fyer atë. Nëse e shihte Pejgamberin a.s. duke folur me njerëz të panjohur, Ebu Lehebi priste deri sa të përfundonte dhe pastaj i pyeste ata: “Çfarë ju tha Muhamedi?
Nëse Muhamedi ju thotë për një gjë se është e bardhë, në realitet ajo është e zezë, e nëse ju thotë se është natë ajo është ditë!” Qëllimi i tij ishte që ta kundërshtonte çdo gjë që e thoshte Pejgamberi a.s. dhe t’i bënte njerëzit
të dyshonin lidhur me të.(2)
Shtëpia e bekuar e Muhamedit a.s.ndodhej mes shtëpive të dy njerëzve të varfër shpirtërisht e të humbur në jetën tjetër, Ebu Lehebit dhe Ukbe bin ebi Muajtit. Ata mblidhnin çdo ndyrësi dhe e lëshonin para portës së të Dërguarit të Allahut a.s.. Zemra e pastër dhe e ndjeshme e Pejgamberit prekej nga ky veprim i shëmtuar i fqinjëve, e ai i qortonte ata duke u thënë: ”O bijtë e Abdi Menafit, çfarë fqinjësie është kjo?” Dhe pastaj i largonte ndyrësitë nga para derës.(3)
Edhe gruaja e Ebu Lehebit, Ummu Xhemilja, nuk mbetej pas të shoqit në veprimet për t’i shkaktuar mundime të Dërguarit të Allahut. Çdo natë bënte një barrë me gjemba, i ngarkonte në shpinë dhe i shpërndante nëpër rrugët nga kalonte Pejgamberi a.s.. Mirëpo, i Dërguari i Allahut kalonte mbi to duke shkelur si të shkelte mbi mëndafsh.(4)
Për shkak të këtyre mizorive të tyre, Pejgamberit a.s. i shpallet në Kuran surja El-Mesed: “Qoftë i shkatërruar Ebi Lehebi, e ai më është shkatërruar! Atij nuk i bëri dobi pasuria e vet, as ajo çka fitoi! Ai do të hyjë në një zjarr të ndezur flakë. E edhe gruaja e tij, ajo që barti dru (ferra), e në qafën e saj ajo ka një litar të përdredhur.” (El Mesed, 1-5). Sapo e dëgjoi këtë, Ummu Xhemilja rrëmbeu një gur të madh në dorë dhe doli ta kërkonte Pejga mberin. Në atë mes, i Dërguari i Allahut ndodhej në Qabe bashkë me hazreti Ebu Bekrin. Me të vënë re ardhjen e saj, Ebu Bekri r.a. i tha Pejgamberit a.s.: “O i Dërguari i Allahut! Kjo është Ummu Xhemilja. Është një grua e tërbuar! Kam frikë se do të të shohë dhe do të të mundojë! Sikur të ngriheshe e të largoheshe pa ardhur ende, e pa të bërë ndonjë të keqe kjo grua!” Pejgamberi a.s. iu përgjigj: “Ajo nuk më sheh dot mua!” Me të vërtetë, megjithëse u afrua pranë tyre, Ummu Xhemilja nuk e pa dot të Dërguarin e Allahut. Ajo vetëm sa lëshoi ca përçartje pranë Ebu Bekrit r.a. dhe u largua.(5)
Në kaptinën El-Mesed tregohet se Ebu Lehebi nuk do ta pranonte Islamin. Ashtu edhe ndodhi dhe Ebu Lehebi vdiq jobesimtar, përkundër faktit se koha ndërmjet zbritjes së sures El Mesed dhe vdekjes së Ebu Lehebi ishte më shumë se dhjetë vjet. Madje, si e dinte Muhamedi a.s. se Ebu Lehebi do të vdiste si jobesimtar? Si mund të ishte i sigurt se gjatë 10 vjetëve pikërisht Ebu Lehebi nuk do të hynte në Islam? Aq më shumë kur një numër i madh i armiqve të tij, më vonë hynë në Islam, siç ishte Ebu Sufjani, i cili ishte udhëheqësi i politeistëve në betejën e Uhudit dhe të Hendekut dhe megjithatë ai e pranoi Islamin,(6) apo Halid b. Velidi dhe shumë e shumë të tjerë.
Gjatë një dekade, Ebu Lehebi mund të kishte thënë: “Muhamedi ka thënë se unë nuk do të bëhem mysliman, se unë do të shkoj në ferr, por ja unë tani ju them se dua të hyj në Islam dhe të bëhem një mysliman! Çfarë mendoni rreth Muhamedit tani? A është ai duke e thënë të vërtetën apo jo? A është frymëzimi i tij nga Zoti?”
Por, Ebu Lehebi nuk e bëri këtë, pavarësisht nga fakti se të gjitha veprimet e tij ishin në kundërshtim me atë që thoshte Muhamedi a.s.. Mirëpo, ai nuk e kundërshtoi dhe e luftoi Pejgamberin a.s. në këtë çështje. Me fjalë të tjera, kjo ishte sikur Pejgamberi a.s t’i kishte dhënë Ebu Lehebit një shans për ta nxjerrë dhe provuar atë të gabuar. Por, Ebu Lehebi nuk e bëri, ai nuk u konvertua në Islam dhe as nuk pretendoi madje të shtirej si mysliman. Gjatë 10 vjetëve, ai e kishte mundësinë për të shkatërruar Islamin në një minutë.
Dhe ndodhi pikërisht ashtu sikurse u tha në kaptinën El-Mesed, ngase ato nuk janë fjalët e Muhamedit a.s., por janë fjalët e Zotit. Allahu, njohësi i së padukshmes, e dinte se Ebu Lehebi nuk do të ndërronte mendje dhe të bëhej mysliman. Kështu, Allahu e kishte vendosur që ai do të qëndronte i dënuar përgjithmonë në zjarrin e Xhehenemit.
Përndryshe çfarë e shtyri Muhamedin a.s. që të fliste për një çështje që i përkiste të ardhmes? Pse të rrezikonte kur mund të dilte parashikimi i tij i pasaktë dhe kjo do të kishte pasoja të pallogaritshme sepse njerëzit nuk do t’i besonin thirrjes dhe misionit të tij?!
Një sure e tillë tregon kthjelltësish edhe për urtësinë hyjnore të Allahut të Madhëruar, dhe njëkohësisht është edhe një paralajmërim i vazhdueshëm për ata që janë si Ebu Lehebi.(7)
E ardhmja nuk është e ditur për njerëzit. Gjithsesi kjo është një provë e qartë se Kurani është nga Ai që e njeh të fshehtën, nga Allahu i Madhëruar dhe nuk është nga njeriu.
___________________
1. Misionar i madh kanadez që pranoi Islamin.
2. Matematicienti Gary Miller u përpoq të argumentoj “gabime” në Kuran, përfundoi duke pranuar Islamin!, shih: https://ekuiliber.com/2020/01/17/ matematicienti-gary-miller-u-perpoq-te-argumentojgabime-ne-kuran perfundoi-duke-pranuar-islamin/
3. Ibni Sad, I, 201, sipas, Osman Nuri Topbash, Vargu i profetëve nën dritën e Kuranit, Hazreti Muhamed Mustafa, Shkodër, 2012, f. 241.
4. Shih. Ibni Hisham, I, 376; Kurtubi, XX, 240., sipas Osman Nuri Topbash, po aty, f. 241.
5. Shih. Ibni Hisham, I, 378-379; Kurtubi, XX, 234., sipas Osman Nuri Topbash, Vargu i profetëve nën dritën e Kuranit, Hasreti Muhamed Mustafa, Shkodër, 2012, f. 242.
6. Akva mevdu fi edileti nubuveti Muhamedin s.a.v.s., er redu alel mulhidin, shih: https://www.facebook. com/omarvip520/posts/478029342326021.
7. Gary Miller, “Kurani i Mrekullueshëm”, shih: folderi Deshmite Gary Miller Kurani i Mrekullueshëm?.