Ramazani është muaji më i veçantë i vitit. Myslimanët në çdo vend e presin me ngazëllim ardhjen e tij. Ai është dhuratë e madhe e Allahut për ata që agjërojnë. Në këtë muaj të bekuar hapen dyert e xhenetit dhe mbyllen dyert e xhehenemit, prangosen shejtanët dhe në të është nata e Kadrit, më e mirë se një mijë muaj. Muhamedi a.s. i përgëzoi shokët e tij duke iu thënë: “Ju erdhi muaji i Ramazanit, muaji i bekuar. Allahu ju ka urdhëruar të agjëroni në të. Në këtë muaj hapen dyert e xhenetit, kurse mbyllen dyert e xhehenemit. Në këtë muaj shejtanët mbyllen. Në këtë muaj është nata e cila është më e mirë se një mijë muaj. Kush privohet nga kjo e mirë, ai është vërtet i privuar.” (En-Neasiu).
Agjërimi i muajit të Ramazanit është sa ushtrim mendor, po aq edhe fizik që fisnikëron zemrën dhe forcon vullnetin. Ai e kalit agjëruesin për t’u ballafaquar me sprovat e jetës. Ai është ibadet me të cilin fitohet kënaqësia e Allahut. Agjërimi është vepër e cila nuk mund të barazohet me asgjë. Ebu Umame El-Bahili r.a., tregon: “I thashë: - O i Dërguar i Allahut, më urdhëro për një vepër që më shpie në xhenet. Më tha: - Agjëro, sepse me agjërimin nuk ka të barabartë.” (En-Nesaiu).
Muaji i bekuar i Ramazanit është muaji i agjërimit, i bindjes, i adhurimeve dhe i bekimeve, i veprave të mira dhe i mirësive, i qëndrimit në këmbë dhe i leximit të Kuranit. Është muaji i dhikrit, i kërkimit të faljes, i dëlirësisë, i lutjes dhe i pendimit, muaji i bujarisë, i sakrificës dhe i solidaritetit.
Ai është muaji i dashurisë së zemrave dhe i përafrimit të myslimanëve, që siguron shpëtim dhe lumturi në botën e pasosur. Në të shpirtrat gjejnë prehje, zemrat gëzohen, gjokset hapen dhe veprat e drejta dhe të mira shtohen, duke u larguar nga ligësia dhe e keqja. Dhe nëse shpirtrat nuk pendohen dhe nuk kërkojnë falje te Zoti për mëkatet gjatë këtij sezoni të shenjtë dhe të bekuar, atëherë kur do të pendohen? Prandaj, ardhja e Ramazanit është një mundësi e dhuruar për të fisnikëruar shpirtrat, për të pastruar zemrat dhe për të bashkuar besimtarët për t'iu bindur Zotit të Lartësuar.
Është detyra jonë të gëzohemi dhe të jemi jashtëzakonisht të lumtur për ardhjen e këtij muaji të shenjtë, për mirësitë dhe bekimet e shumta që Zoti na ka dhuruar në të: “Thuaj: “Vetëm mirësisë së Allahut dhe mëshirës së Tij le t’i gëzohen, se është shumë më e dobishme se ajo që grumbullojnë ata.” (Junus, 58)
Agjëruesi, duke mos ngrënë e mos pirë nga mëngjesi në mbrëmje, duke zotëruar epshin e duke u shmangur nga mëkatimi dhe padrejtësia ndaj të tjerëve, mund të ngrihet mbi engjëjt. Agjërimi është gjysma e durimit. Te agjërimi një aspekt është ndërprerja e epsheve duke duruar kundrejt tundimit, kurse aspekti tjetër i tij është përballimi i urisë dhe i etjes duke duruar në adhurim. Agjërimi është braktisje e përkohshme e të mirave materiale dhe shprehje e afrimit ndaj Allahut. Besimtari tregon besnikërinë e tij ndaj fesë duke zbatuar urdhrat dhe duke iu shmangur veprave të ndalura.
Vlera e Ramazanit e kapërcen vlerën e muajve të tjerë. Bereqeti i këtij muaji është i pamatshëm dhe i papërshkrueshëm. Ibadetet në të janë më të vlefshme se në muajt e tjerë. Ai është muaji i mirësive dhe i begative, muaji i shpërblimeve dhe i dhuratave të pamasa: “Kush e kalon muajin e Ramazanit duke u falur gjatë natës, duke besuar fort dhe duke shpresuar shpërblim të mirë (vetëm nga Allahu), atij do t’i falen mëkatet e mëhershme.” (trans. Buhariu dhe Muslimi)
Ramazani është pranvera e zemrës. Është muaj i madhështisë dhe i bekimit të Zotit. Ditët dhe netët mbushen me aromën e adhurimit. Jeta merr një atmosferë dhe ngjyrë tjetër. Mëshira hyjnore zgjon zemrat e zhytura në gjumin e pakujdesisë.
Gjatë Ramazanit kalitet shpirti dhe trupi prandaj ai konsiderohet një shkollë hyjnore ku individi dhe shoqëria pajisen me mësimet e tij të vlefshme sikurse janë: bindja, vullneti, këmbëngulja, qëllimi fisnik, pastrimi i vetes dhe sinqeriteti. Agjërimi mënjanon brengat e zemrës dhe ndikon në shpirtin dhe psikikën e njeriut.
Ramazani është muaji i ditëve dhe i netëve përplot adhurim dhe lutje. Ai është një gosti hyjnore. Agjëruesi i përzgjedhur në rrethin e të nderuarve të Zotit është i ftuar për t’u ulur në sofrën e faljes dhe të mëshirës.