Allahu e zgjodhi këtë muaj që ta shpallë librin e Tij më të mirë te krijesa e Tij më e zgjedhur, dhe që ky muaj, me agjërim, të jetë adhurim i detyruar vjetor. “O ju që besuat, u është bërë obligim agjërimi, sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.”
E falënderojmë të Madhin Allah xh.sh., që na ka bërë pjesëtarë të fesë islame, na ka dhënë jetë dhe shëndet që ta presim edhe këtë muaj të bekuar Ramazan me gëzim të madh dhe me zemër të hapur, si dhe me shpresë për faljen e mëkateve. E mirëpresim duke qenë të bindur se Ramazani dhe agjërimi janë një dhunti e Allahut dedikuar besimtarëve në mbarë botën.
Muaji i madhërishëm Ramazan ka qenë dhe mbetet inspirim i përhershëm i të gjitha gjeneratave të myslimanëve, që prej kohërave të para e deri sot, ashtu do të jetë deri në Ditën e Gjykimit. Subteliteti-ruhanijeti i tij pushton çdo besimtar, ndërsa atmosfera e veçantë dhe e papërshkrueshme shtrihet mbi çdo rrugë dhe shtëpi.
Muaji Ramazan bëhet i shenjtë dhe merr famë më të madhe, ngase Zoti Fuqiplotë e zgjodhi dhe e caktoi këtë muaj për zbritjen e Kuranit, i cili duke shtruar fakte të sakta mbi të vërtetën, ndihmoi njerëzimin që të dallojë se çka është mirë e çka është keq, të dallojë të vërtetën prej asaj që është e kotë dhe gënjeshtër dhe të dallojë dritën prej errësirës.
Kurani sikur që na është e njohur, i zbriti të dërguarit të fundit, Muhamedit a.s., më të zgjedhurit nga të gjithë të dërguarit e tjerë të mëparshëm. Për Kuranin mund të thuhet se është kushtetutë e përsosur dhe ideale, gjersa dispozitat e tij shumë lehtë mund të praktikohen në çdo kohë dhe vend. Është libër i cili ka përmbledhur të gjitha të mirat e dynjasë dhe Ahiretit, duke mos lënë asgjë pa përmendur e sqaruar lidhur me çështjet e fesë e jetës. Pasi që është i zbritur prej të Madhit Zot, saktësia e tij është e garantuar, andaj edhe është i ruajtur si burim origjinal. Duke i praktikuar rregullat dhe dispozitat e tij, njerëzisë gjithnjë iu ka bë e mundur zhvillimi i jetës së lumtur në këtë rruzull tokësor.
Ramazani, muaj i mëshirës
Kurani është libër mëshire, i zbritur tek i Dërguari i mëshirës, në muajin e mëshirës më të madhe, Allahu xh.sh. në Kuran ka thënë: “Ne të shpallëm Kuranin që është shërim dhe mëshirë për besimtarët…” ; “E Ne të dërguam ty (Muhamed) vetëm si mëshirë për të gjitha krijesat.”
Kurani u zgjodh që të zbriste në muajin e mëshirës, e për këtë, Muhamedi a.s. ka thënë: “ …Ai është muaji, fillimi i të cilit është mëshirë, mesi i tij falje dhe fundi i tij është shpëtim nga zjarri ...”
Nuk është habi, duke u mbështetur në vlerën e madhe të këtij libri të shenjtë, kur Zoti xh.sh., e vlerëson ibadet edhe leximin e tij, qoftë edhe nga ai, i cili nuk e kupton domethënien e tij, e të mos flasim për vlerën e tij si ibadet, te lexuesi, i cili e njeh edhe domethënien e tij dhe e orienton jetën sipas udhëzimeve të tij. Andaj për rëndësinë që i është dhënë mësimit dhe leximit të Kuranit, po përmendim vetëm dy hadithe edhe pse ka shumë rreth kësaj tematike. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Më i miri prej jush është ai i cili mëson Kuranin dhe ua mëson atë të tjerëve” , si dhe “Agjërimi dhe Kurani do të ndërmjetësojnë në Ditën e Gjykimit…”
Sigurisht, për rëndësinë që pati zbritja e Kuranit në këtë muaj në mbarëvajtjen e jetës së njerëzimit, Zoti xh.sh., e përmendi me emër në Kuran vetëm këtë muaj të vitit, e jo edhe muajt e tjerë, ku thotë: “Muaji Ramazan, që në te (filloi të) shpallet Kurani…”
Madje, në shenjë të madhërimit të fillimit të zbritjes së Kuranit, bëhet obligim edhe agjërimi i këtij muaji, e që është një nga pesë shtyllat e fesë Islame.
Agjërimi
Agjërimi është një nga pesë shtyllat e fesë islame. Ai është bërë farz-detyrim në vitin e dytë të Hixhretit, para betejës së Bedrit. Myslimanët e shpalljes së fundit u obliguan me agjërim në muajin Ramazan, e jo në ndonjë muaj tjetër, edhe pse ditët, muajt dhe vitet janë të njëjta. Këtë më së miri e di Zoti xh.sh., por është e ditur edhe kjo se, ngjarjet historike bëjnë që të dallohet njëra ditë prej tjetrës. Kjo është praktikë e rëndomtë tek të gjithë popujt, pra edhe këtu kemi një ndodhi të pashembullt. Në të vërtetë, Zoti Fuqiplotë, mu në këtë muaj, nga mëshira e Tij, ia zgjati dorën e mëshirës njerëzimit, e tërhoqi prej injorancës, ia hapi dyert e arsimimit dhe të përparimit në çdo pikëpamje, i dha mundësi ngritjes së tij shpirtërore e morale, ashtu që atyre të mos u kthehet kurrë më ndonjë errësirë e ngjashme në jetë. Pra, për herë të parë, pas një periudhe bukur të gjatë, krijohet lidhja ndërmjet tokës dhe qiellit, ndërmjet Krijuesit dhe krijesave. Xhibrili a.s. për herë të parë i sjell Muhamedit a.s. këshillat e para prej Zotit xh.sh..
Nga të gjitha këto të mira, që filluan të na lajmërohen pikërisht në muajin Ramazan, Zoti xh.sh. na shpërblen edhe me një vepër të lartë ndaj Tij, me agjërim, dhe shih si fillon ajeti në fjalë: “O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim…” (El-Bekare, 183).
O ju të cilët keni arritur të njihni Zotin e vërtetë dhe vetveten, duke ditur se të tillët do të nguten t’i përgjigjen thirrjes së Tij duke i thënë: “Urdhëro, o Zoti ynë, prej teje është urdhri, kurse prej nesh zbatimi.”
Të gjitha këto në shenjë kënaqësie me Zotin xh.sh., ngase myslimani e di fare mirë se në legjislacionin e Allahut të Madhërishëm pa dyshim ka fshehtësi, në dispozitat e Tij ka urtësi dhe në krijesat e Tij ka qëllime. Andaj disa prej këtyre fshehtësive, urtësive, qëllimeve e arsyeve janë të njohura për mendjen e njeriut dhe mund të arrihet të kuptuarit e tyre, e disa të tjera janë të pakapshme dhe të paarritshme për mendjen e tij, qoftë kjo për një kohë të caktuar apo përfundimisht.
Rëndësinë dhe vlerën e ibadetit të agjërimit njeriu nuk është në gjendje që ta kuptoj plotësisht. Rëndësia dhe vlera e këtij adhurimi qëndron tek Allahu i Madhëruar, edhe agjërimi ka fshehtësitë, urtësitë dhe qëllimet e tij, e që për disa prej tyre na i ka treguar vetë Allahu xh.sh. në Kuranin Fisnik dhe Muhamedi a.s., në hadithet e tij. Allahu xh.sh. në Kuran ka thënë: “O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim… kështu që të bëheni të devotshëm.” (El-Bekare, 183). Pra, agjërimi është një prej rrugëve drejt devotshmërisë ndaj Allahut të Madhëruar dhe agjëruesi është personi më i afërt me Zotin xh.sh..
Pejgamberi a.s. na ka treguar se Allahu xh.sh. për agjëruesin ka përgatitur shpërblim të veçantë. Ebu Hurejre r.a. transmeton një hadith të Muhamedit a.s., në të cilin thuhet: “Allahu i Lartësuar ka thënë: Çdo vepër e njeriut i takon atij-përveç agjërimit, sepse atë e bën vetëm për Mua dhe Unë do ta shpërblej për atë (posaçërisht)…”
Me agjërim nuk duhet kuptuar vetëm të ndalurit nga ushqimi dhe pija, por diç më shumë, më tepër. Të ndalurit nga ushqimi etj., është vetëm hyrje në agjërimin e vërtetë, e ai është të ndalurit, abstenimi nga çdo punë, sjellje, fjalë e keqe e dëmshme, nga çdo gjynah, i cili është i inspiruar prej shejtanit, si dhe tërë qëllimin e ka, që ta përputhë jetën me mësimet e Zotit të shpallura në Kuran. Nëse agjërimi nuk kuptohet në këtë mënyrë, ai nuk do t’i sjell njeriut atë shpresë, atë shpërblim dhe atë sevap aq të madh, të cilin e dëshiron dhe të cilin e shpreson.
Dimensionet e agjërimit
Ky ibadet-adhurim, gjegjësisht agjërimi, jo vetëm që është rehabilitim dhe shërim për trupin, por është rehabilitim dhe shërim edhe për shpirtin e myslimanit, i cili pikërisht në urinë që e karakterizon juridikisht agjërimin, i ushqen ndjenjat, dëshirat dhe pretendimet e veta për ngritje kah piedestalet më të larta dhe kah përsosmëria. Në këtë muaj, besimtari bënë humanizmin e shpirtit të vet, dhe si të thuash në një mënyrë paraqitet në shoqëri si personalitet i ri, i cili ka bërë ndryshime rrënjësore.
Ai, agjëruesi, është më i kujdesshëm në fjalët dhe veprimet e veta, është më i ndjeshëm dhe interesohet më tepër për vëllezërit e tij të varfër dhe hallexhinj, forcohen edhe lidhjet, sepse në Ramazan, ashtu siç predikojnë hoxhallarët tanë të nderuar nga mësimet islame, duhet të shuhen zënkat dhe konfliktet në shoqëri. Ramazani-agjërimi, krahas ibadeteve të tjera që thirrin në këtë parim, paraqet thirrjen më të madhe vjetore për pajtim mbarë njerëzor, sepse Ramazani-agjërimi dhe hidhërimi nuk kanë asgjë të përbashkët, dhe duhet patjetër të theksojmë se kjo nuk vlen vetëm për myslimanët, por thirrja e Ramazanit për mirësi, zemërgjerësi, humanitet, devotshmëri, vetëkontroll, vlen edhe për jomyslimanët, të cilët nuk na luftojnë, dhe me këtë Islami na mëson se në vend të konfliktit në mes civilizimeve, ofron dialogun në mes tyre dhe sjelljen e mirë.
Pejgamberi a.s., ashtu si për të gjitha adhurimet, vë në dukje edhe dimensionet e agjërimit që ndikojnë mbi sjelljen e njeriut dhe e rregullojnë atë. Ebu Hurejre r.a. transmeton nga Muhamedi a.s., i cili ka thënë: “Agjërimi është një mburojë. Agjëruesi të mos sillet keq, të mos flas keq. Nëse dikush niset të përleshet ose të shahet me të, le t’i thotë dy herë: “Unë jam agjërueshëm.” Betohem në Allahun i cili e mban këtë shpirt në trup, aroma e gojës së agjëruesit (që vjen si pasojë e urisë) është më e këndshme te Allahu se aroma e miskut…”
Në këtë hadith, i Dërguari i Allahut a.s., e krahason agjërimin me mburojën. Ashtu si mburoja që mbron nga sulmet, shigjetat dhe shpatat e armiqve në luftë, njashtu agjërimi e mbron agjëruesin. Madje jo vetëm nga sulmet që mund të vijnë nga jashtë, por edhe nga sulmet që mund të vijnë nga egoja e tij, nga dëshirat epshore apo nga cytjet e shejtanit. Personi i cili agjëron me këtë vetëdije dhe ndjeshmëri, në këtë botë do të mbrohet nga mëkatet dhe të këqijat, ndërsa në botën tjetër do të jetë i mbrojtur nga zjarri i Xhehenemit.
Agjëruesi, mburojën në radhë të parë do ta përdorë ndaj sjelljeve dhe qëndrimeve të gabuara që mund të burojnë nga vetë gjuha dhe dora e tij. Prandaj ndaj askujt nuk do të sillet vrazhdë, kurrë nuk do të mbaj qëndrime injorante dhe të dhunshme. Në qoftë se dikush e provokon, kërkon të zihet e të përleshet me të, atëherë mburojën e agjërimit do ta përdorë kundër tij. Sepse, edhe pse e vështirë, kjo mënyrë sjelljeje është një mënyrë për të ngadhënjyer mbi zemërimin dhe për t’iu përgjigjur së keqes me të mirë. Nuk i ka hije besimtarit lëndimi i njerëzve, aq më pak myslimanit që agjëron. Fytyra e qeshur dhe goja e ëmbël, duke u bashkuar me qetësinë që i fal shpirtit agjërimi, i lejon njeriut të përkapë flladin e mëshirës hyjnore.
Rëndësia e agjërimit është edhe nga pikëpamja e ngulitjes së bukurive morale te personi i cili agjëron, duke qenë se agjërimi e mëson njeriun të bëhet durimtar, i devotshëm dhe falënderues. Agjërimi është një sprovë e durimit. Gjatë agjërimit, njeriu nuk e zgjatë dorën drejt ushqimit që ka përpara, nuk flet fjalë të këqija, nuk shikon me sy të keq dhe çdo të keqe që i ndodh e përballon me maturi. Për sa kohë që është agjërueshëm, ai është i durueshëm përballë urisë e etjes dhe ndaj çdo lloj mëkati apo vepre të shëmtuar. Prandaj edhe i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: “Agjërimi është gjysma e durimit.”
Agjërimi është rruga më e efektshme për ta mbajtur veten nën kontroll, sepse detyrimet fetare i kryen me kënaqësi e sinqeritet dhe nga ana tjetër e ndalon veten nga fjalët dhe veprimet e këqija. Lidhur me këtë Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kush nuk e braktis gënjeshtrën dhe të vepruarit me të, ta dijë se Allahu nuk ka nevojë që ai të lë ngrënien dhe pijen.”
Kjo do të thotë se largimi i agjëruesit nga gënjeshtra, dëshmimi i rremë, shpifjet, thashethemet, fjalët e sjelljet e këqija, përbënë një nga parimet më të rëndësishme etike të agjërimit. Në fakt, veprime si thashetheme e përgojimi kurrë nuk i kanë hije myslimanit.
Agjërimi është manifestim i besës ndaj Allahut xh.sh., ngase ai është adhurimi më i sinqertë, tek i cili shfaqet ndjenja e besnikërisë mes Allahut dhe robit të Tij. Njeriu, duke hequr dorë në kohë të caktuar nga gjëra e veprime të caktuara, më së miri e tregon se e respekton premtimin e dhënë. Kështu që, besnikëria, përmes agjërimit bëhet pjesë e pandashme e karakterit të njeriut, përkatësisht agjëruesit.



Autori është Imam në Xhaminë e vjetër në Shtime)


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi