Vlera e muajit Ramazan dhe të mirat që sjell ky muaj


Ardhja e muajit Ramazan, e këtij mysafiri të nderuar, është një sihariq i shkëlqyeshëm për të gjithë besimtarët myslimanë, të cilët me gëzim e presin këtë muaj të bekuar. Gëzimi nuk është vetëm për ata që e kanë obligim agjërimin e tij, por njësoj i përfshinë edhe të rinjtë që ende nuk e kanë obligim agjërimin e këtij muaji.

Muaj i Ramazan është stinë e mëshirës hyjnore, që besimtarët i pajis me virtyte të larta. Është muaj që dallohet me zbritjen e Kuranit, librin e përkryer dhe plot dritë, udhëzuesin e qartë për gjithë njerëzit, dhuratën dhe ligjin qiellor për mbarë njerëzimin.
Agjërimi i muajit Ramazan është ndër 5 shtyllat themelore mbi të cilat ndërtohet Islami. Vlera e këtij muaji të madhërishëm është shumë e madhe, kurse dobitë e agjërimit janë të panumërta. E themi këtë duke u bazuar në një numër të madh të ajeteve kuranore dhe transmetimeve të haditheve që flasin për agjërimin e këtij muaji dhe të mirat që ka me vete Ramazani.
Agjërimi i këtij muaji mundëson pastrimin shpirtëror dhe faljen e gabimeve të vogla, duke marrë parasysh fjalët e Pejgamberit a.s., i cili thotë : “5 kohët e namazit, xhumaja deri në xhuma, dhe Ramazani deri në Ramazan, nëse respektohen, i shlyejnë mëkatet e vogla në mes tyre.” Këto janë vetëm disa vlera të larta që ka Ramazani, e të cilat i mundësojnë besimtarit ngritjen morale dhe shpirtërore duke e pastruar atë nga mëkatet e dëshirat egoiste, dhe duke e bërë nga të shpëtuarit në botën e ardhshme.

Agjërimi si detyrim islam

Allahu i Lartmadhërishëm në librin e Tij fisnik thotë: “O ju që keni besuar, agjërimi është bërë obligim për ju sikurse ka qenë obligim edhe për ata që ishin para jush, që të jeni më të devotshëm (më të përkushtuar)”. (El Bekare, 183)
Në ajetin tjetër Allahu xh.sh., thotë: “Muaji Ramazan është ai që në të filloi të shpallet Kurani, që është udhë- rrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra). E kush prej jush e përjeton këtë muaj, le të agjërojë!” (El Bekare, 185)
Ky ajet kuranor, sipas shumicës së dijetarëve islamë, e bën të detyrueshëm agjërimin e muajit Ramazan. Ndërsa nga hadithet e shumta kemi edhe këtë thënie të Pejgamberit a.s: “Islami ngrihet mbi pesë shtylla, që janë: të dëshmuarit se Zoti është Një dhe se Muhamedi është i dërguar i Tij, falja e namazit, Zeqati, agjërimi i Ramazanit, dhe Haxhi në Mekë.” (Sejid Sabik, Fik-hussunneh, Bejrut, 1985-1405 h)
Zakonisht në prag të fillimit të muajit Ramazan Pejgamberi a.s. u drejtohej besimtarëve me këtë këshillë: “O njerëz, ju e keni aq afër muajin e madhërishëm të mëshirës, të shpresës e të përparimit, muajin në të cilin është Nata e Kadrit, e cila është më e vlefshme se një mijë muaj! Allahu ju ka urdhëruar që të agjëroni Ramazanin (ditën), ndërsa netët e Ramazanit t’i kaloni në ibadet (lutje) vullnetare. Kush fal nafile gjatë Ramazanit i njihet sikur të ketë kryer farzin në ndonjë muaj tjetër, e kush e ka kryer farzin në Ramazan, i njihet sikur të ketë kryer shtatëdhjetë farze jashtë Ramazanit.
Ramazani është muaj i durimit, ndërsa shpërblimi për durimin është Xheneti. Ky është muaji i ndihmës dhe i solidaritetit të ndërsjellë në mes të myslimanëve, muaj në të cilin shtohen begatitë dhe pasuria për besimtarët e përkushtuar. Kush i shtron iftar një agjëruesi, për këtë do të ketë shpërblim sikur të kishte liruar një rob, e do t`i falen të gjitha mëkatet e vogla.” (Abdurrahman Isa, El-hutubat ed-Dinije fi ed-dave el-islamije, Damask, 1405 h)
Mbështetur në ajetet kuranore dhe porositë e thëniet pejgamberike, shohim se muaji Ramazan është një stinë e mëshirës hyjnore, që besimtarët i pajis me virtyte të larta bujare, muaj të cilin Allahu e dalloi me zbritjen e Kuranit, libër i përkryer dhe plot dritë, udhëzues i qartë për të gjithë njerëzit, si dhe ligj qiellor e dhuratë për mbarë njerëzit në hapësirën tokësore.

Si ta begatojmë këtë muaj?

Para se të përgjigjemi në këtë pyetje, duhet që secili t`i bëjë vetes një pyetje: Nëse e kemi një shok shumë të dashur apo një të afërm, apo një mik a dashamirë që na ka munguar për njëmbëdhjetë muaj me radhë, pa u çmallur asnjëherë me të, cila do të ishte kënaqësia dhe mikpritja për të, nëse ai do të rikthehej pas njëmbëdhjetë muajve mungesë? Me siguri se gëzimi, mikpritja e kënaqësia do të ishte e papërshkrueshme.
Prandaj, këtu shtrohet pyetja se si duhet të gëzohemi, dhe si duhet ta respektojmë në rast se mysafiri i rikthyer pas njëmbëdhjetë muajve është muaji i madhërishëm Ramazan?
Sigurisht se ardhja e këtij mysafiri të nderuar duhet të jetë një gëzim i madh dhe një sihariq i mirë për të gjithë myslimanët. Madje këtij muaji i gëzohen edhe të rinjtë, për të cilët akoma nuk është obligim agjërimi.
Këtë muaj nuk e begatojnë ata që e injorojnë Ramazanin, duke shprehur shqetësimin e tyre për arritjen e
këtij muaji, siç ndodh jo rrallëherë.
Muaji Ramazan është i nënti me radhë, nga dymbëdhjetë muaj, sipas kalendarit hënor. Allahu xh.sh. në Kuran thotë: “Te Allahu numri i muajve është dymbëdhjetë (sipas Hënës), ashtu si është në librin e Allahut prej ditës kur krijoi qiejt dhe Tokën. Prej tyre katër janë të shenjtë. Kjo është fe e drejtë. Pra, mos e ngarkoni (me mëkat) veten tuaj, në ata (katër muaj)”. (Et Tevbe, 36)
Sipas këtij ajeti kuranor kuptojmë se katër nga dymbëdhjetë muajt e vitit janë të shenjtë. Nëpërmjet këtij ajeti kuranor Allahu xh.sh., na e tërheq vërejtjen që të mos e ngarkojmë veten me mëkate në ata katër muaj. Në veçanti myslimanët duhet të ruhen nga mëkatet në muajin Ramazan, sepse nuk është qëllimi kryesor i këtij muaji vetëm agjërimi i tij, duke u tërhequr nga ngrënia dhe pirja, por Ramazani ka për synim që të bëhemi të kujdesshëm edhe për gjuhën tonë, që ajo të mos e thotë të pavërtetën, për syrin tonë, që ai të mos shikojë të ndaluarën, për duart, këmbët dhe veshët tanë, që këto gjymtyrë të jenë larg veprimeve të liga dhe të këqija...
Ai që e pret Ramazanin me gjuhën e tij përplot me përgojime dhe bartje të fjalëve, ai që nuk respekton prindërit, nuk i përfillë raportet familjare, nuk u flet vëllezërve të vet, ai e ka shumë vështirë të përfitojë nga begatitë e këtij muaji fisnik.

Vlera e agjërimit

Vepra që më së shumti e begaton muajin Ramazan është agjërimi i këtij muaji, që ishte detyrim edhe te popujt tjerë para nesh. Nga lashtësia e këtij ibadeti vetvetiu nënkuptohet vlera e lartë e tij, si lutje apo adhurim specifik që shpie nga vlerat e larta të moralit e të sakrificës në rrugën e Allahut të Madhërishëm.
Allahu xh.sh., në Kuran thotë: “Unë nuk i krijova xhindet dhe njerëzit për asgjë tjetër, përveç që të më adhurojnë.” (Edh-Dhariat, 56)
Agjërimi i muajit Ramazan është bërë farz për myslimanët kah fundi i muajit Shaban, në vitin e dytë të hixhretit, për t’i pastruar shpirtrat dhe zemrat e tyre për çdo vit.
Ebu Hurejre transmeton se Muhamedi a.s. ka thënë: “Po vjen një muaj i bekuar, në të cilin Allahu jua ka bërë detyrim agjërimin. Gjatë këtij muaji hapen dyert e Parajsës, mbyllen dyert e Ferrit, dhe shejtanët lidhen me zinxhirë. Në të është një natë më e mirë se një mijë muaj. Kush prihet nga ajo, do të jetë i prirë nga diçka e madhe.” (Hadithin e transmeton Ahmedi, Nesaiu dhe Bejhakiu)
Nga transmetimi i Ebu Emames tregohet se ai kishte shkuar te i Dërguari i Allahut dhe i kishte thënë që ta urdhëronte për një punë që do ta çonte në Xhenet. Pejgamberi a.s. kishte thënë: “Agjëro, se ai është i pakrahasueshëm.” Pastaj shkon përsëri te Pejgamberi a.s. dhe i bënë të njëjtën pyetje. Pejgamberi a.s. prapë i përgjigjet: “Agjëro” (do të hysh në Xhenet).” (Ngjarja transmetohet nga Ahmedi, Nesaiu dhe Hakimi, i cili e konsideron të vërtetë)
Në një hadith tjetër, të cilin e transmeton Ebu Seid El Hudri, Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kush e agjëron muajin Ramazan duke iu bindur Allahut dhe duke iu larguar haramit, do të pastrohet nga gabimet që ka bërë më parë.” (Hadithi transmetohet nga Ahmedi dhe Bejhakiu)
Ndërsa në lidhje me lëshimin e agjërimit pa ndonjë shkak të justifikueshëm e të mbështetur në ligjin e sheriatit islam, në një hadith që e transmeton Ebu Hurejre, Muhamedi a.s. ka thënë: “Nëse dikush e ndërpret agjërimin gjatë muajit Ramazan, pa pasur ndonjë arsye për të cilën Allahu do ta falë, nuk do të mund ta zëvendësojë atë ditë edhe nëse agjëron gjithë jetën e tij.” (Hadithin e transmeton Ebu Davudi, Ibën Maxhe dhe Tirmidhiu)
Mund të themi se ky është vetëm një prej shumë haditheve që flasin për pasojat e mosagjërimit të muajit Ramazan.

Leximi i Kuranit

Muajin Ramazan besimtarët mund ta begatojnë edhe më shumë duke i falur namazet farze, duke i falur sunetet, namazin e teravisë, duke dhënë sadaka dhe ndihma tjera solidare. Veçanërisht këtë muaj e begatojmë duke lexuar Kuran, sepse pikërisht në këtë muaj ka filluar zbritja e tij. Allahu xh.sh. në muajin Ramazan e ka dekoruar umetin islam me dhuratën më të madhe, duke ua zbritur librin madhështor, Kuranin famëlartë, në natën më madhështore, Natën e Kadrit, për umetin më të zgjedhur, umetin islam, dhe për Pejgamberin më të madh, Muhamedin a.s., - vulën e pejgamberisë dhe udhëzuesin e dritës hyjnore që solli shpresë në zemrat e thyera e të dëshpëruara të idhujtarëve kurejshë dhe të mbarë njerëzve në botë.
Duke pasur parasysh se muaji Ramazan është muaj i Kuranit, muaj i diturisë, muaj i leximit dhe i qytetërimit, besimtarët islamë duhet që ta respektojnë këtë muaj duke lexuar Kuran, dhe duke i nxitur edhe familjet e tyre që të mobilizohen në kryerjen e veprave të mira, sepse kështu ka vepruar Pejgamberi a.s., dhe gjithë myslimanët e mirë gjatë gjithë këtij muaji.
Në një hadith që e transmeton Abdullah bin Amër, i Dërguari i Allahut ka thënë: “Agjërimi dhe Kurani janë dy ndërmjetësues të robit tek Allahu Ditën e Gjykimit. Agjërimi do të thotë: “O Zot, unë e ndalova nga ushqimi dhe dëshirat e tij gjatë ditës, e më lejo të ndërmjetësoj për të!” Kurani do të thotë: “Unë e ndalova nga gjumi i natës. Më lejo të ndërmjetësoj për të!” Kështu, ndërmjetësimi i tyre do të pranohet.” (Hadithi transmetohet nga Ahmedi)
Nga Kurani besimtarët përfitojnë shpërblime të shumta. Ata shpërblehen për leximin e tij, për dëgjimin e tij, shpërblehen për mësimin dhe studimin e tij, dhe për zbatimin e tij, si dhe për programimin e jetës së tyre konform udhëzimeve të tij. Muhamedi a.s. në një hadith tjetër ka thënë: “Kush flet me Kuran, e flet të vërtetën. Kush punon sipas tij, do të jetë i shpërblyer.
Kush gjykon sipas tij, gjykon drejt. Kush thërret për të besuar, ai është i udhëzuar në rrugë të drejtë.” (Hadithin e transmeton Termidhiu)
Ndërsa për këtë shpallje (libër) Allahu xh.sh., ka thënë: “Ky libër, në të cilin nuk ka aspak dyshim, është udhëzim për të devotshmit”. (El-Bekare, 2)
Kurani pra është fjalë e Allahut xh.sh., mrekulli dhe libër i përjetshëm, materie e Islamit, bazë dhe sistem i jetës. Myslimanët e parë kështu e kishin kuptuar librin e Allahut, dhe duke pasur konsideratë të lartë për të e kishin pranuar si udhërrëfyes të përhershëm në jetën e tyre. Kurani arriti t`i çlirojë mendjet e tyre dhe të avancojë idetë e tyre, si dhe të plotësojë moralin e tyre.

Rëndësia e namazit

Përveç me agjërim dhe lexim të Kuranit, besimtarët islamë muajin Ramazan e begatojnë dhe e respektojnë edhe me faljen e namazeve farze me xhemat, me faljen e namazit të teravive me imam, si dhe të nafileve të tjera.
Pejgamberi a.s. në një hadith thotë: “Allahu ju ka urdhëruar që të agjëroni Ramazanin (ditën), ndërsa netët e Ramazanit t`i kaloni në ibadet vullnetar. Kush fal nafile gjatë Ramazanit, i njihet sikur të ketë kryer farzin në ndonjë muaj tjetër, e kush e ka kryer farzin në Ramazan, i njihet sikur të ketë kryer shtatëdhjetë farze jashtë Ramazanit.”
Nga ky hadith kuptojmë se fadileti i ibadeteve në muajin Ramazan ka rëndësi të veçantë, dhe besimtari shpërblehet me shpërblime të shumëfishta. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se përkushtimi i myslimanit, sidomos në çështjen e namazit, duhet të jetë vetëm në muajin Ramazan, sepse Allahu i muajit Ramazan është po Ai edhe i muajve të tjerë.
Duhet ditur se namazi është shtyllë themelore e Islamit, dhe pa të Islami as që mund të paramendohet. Në lidhje me temën e namazit si një nga kushtet kryesore të fesë islame, Allahu xh.sh., në Kuranin famëlartë thotë: “Me të vërtetë namazi largon nga të shëmtuarat dhe të pështirat, e përmendja e Allahut është më e madhja (e adhurimeve).” (El Ankebut, 45)
Ndërsa në ajetin tjetër thuhet: “Kanë shpëtuar besimtarët që janë të përulur në namazet e tyre.” (El Muminun,1-2)
Nuk ka dyshim se namazi është vepra e parë për të cilën çdo njeri do të japë llogari. Abdullah bin Karti transmeton se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Vepra e parë për të cilën do të japë llogari njeriu Ditën e Gjykimit është namazi. Nëse llogaria e kësaj vepre del mirë atëherë edhe pjesa tjetër do të jetë mirë. Dhe nëse në namaz llogaria nuk është e mirë, atëherë edhe veprat tjera të tij do të jenë të këqija.” (Transmeton Tabaraniu)
Rëndësia e namazit është aq e madhe saqë ai nuk guxon të lëshohet as në Ramazan e as jashtë tij, as në shtëpi e as në udhëtim, as kur është i sigurt e as kur nuk është i sigurt. Gjithashtu namazi është këshilla e fundit që Pejgamberi a.s. e la për umetin e tij, si porosi (mesazh) në momentin e ndarjes së tij nga kjo botë. Ai, para se të vdiste, kishte lënë këtë porosi: “Të keni kujdes namazin, namazin, dhe ajo çka posedoni (robërit).”

Vlera e Zekatul Fitrit

Obligimet e besimtarit islam në muajin Ramazan përmbyllen me kryerjen e Zekatul Fitrit, i cili duhet të paguhet në fund të muaji Ramazan. Zekatul Fitri u bë obligim në muajin Shaban të vitit të dytë hixhri. Nëpërmjet kësaj takse fetare synohet pastrimi i agjëruesit nga veprat dhe fjalët e pahijshme, e njëkohësisht ndihmohet i varfri dhe nevojtari, të cilët mund të jenë në gjendje të rëndë ekonomike. Agjërimi i muajit Ramazan gjithsesi duhet të përcillet me dhënien e Zekatul Fitrit, sepse pa dhënien e kësaj sadakaje pranimi i agjërimit mbetet pezull mes qiellit dhe Tokës - në mes pranimit dhe mospranimit tek Allahu xh.sh. Në lidhje me këtë Pejgamberi a.s. ka thënë: “Agjërimi i agjëruesit mbetet pezull mes qiellit dhe Tokës, dhe nuk ngrihet tek Allahu i Lartmadhërishëm përveçse me dhënien e Zekatul Fitrit.”
Në përfundim të kësaj teme, duke pasur parasysh rëndësinë dhe vlerat shumëdimensionale të muajit Ramazan, si stinë e mëshirës hyjnore dhe e shumëfishimit të shpërblimeve, buron edhe kjo porosi: Që ditët, e sidomos netët e muajit Ramazan, të mos i shndërrojmë në ditë dhe net të shejtanit, duke e humbur kohën në haram - nëpër klube dhe kafene të ndryshme, në alkool, në prostitucion, në bilardo, në internet, në koncerte, pranë ekraneve televizive, duke përcjellë programe të ndaluara (haram). Në vend të kësaj duhet t`i udhëzojmë fëmijët dhe rininë tonë, pra në punë dhe në vepra të dobishme si: Mësim të parimeve të fesë, mësim-lexim të Kuranit, pastaj t’ua mësojmë agjërimin e Ramazanit, faljen e namazeve të rregullta farz, faljen e suneteve, faljen e teravisë me xhemat, faljen e namazeve vullnetare gjatë netëve të Ramazanit, dëgjimin e ligjëratave fetare, pjesëmarrjen në garat e diturisë, pjesëmarrjen në tribunat e ndryshme fetare si dhe në aktivitete tjera islame. Vetëm kështu ditët dhe netët e Ramazanit kanë vlerë të vërtetë dhe shpërblim të sigurt nga Krijuesi i gjithësisë.


________________________
1. Abdurrahman Isa, El-hutubat ed-Dinije fie d-dave-islamije, Damask, 1405 h.
2. Sejid Sabik, Fik-hus-sunneh, Bejrut, 1985- 1405 h.
3. Mustafa El Meragi “Hadithu Ramadan: “Darurul Hilal, Egjipt, 1952.
4.Atijetu Muhamed Salim “Me`a Rresuli Ramadan” Daru Turath, 1987.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi