Agjërimi dhe disa nga dobitë e tij


“O ju që besuat, agjërimi ju është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm!” (El Bekare: 183)

Të nderuar besimtarë, çdo obligim nga adhurimet që na ka obliguar Allahu i Madhërishëm, si fal ja e namazit, agjërimi, Zeqati dhe Haxhi, kanë - të mirat dhe dobitë e tyre të shumta shpirtërore, edukative dhe shoqërore. Ramazani është muaj i zgjedhur dhe i bekuar. Është muaj i Kuranit, agjërimit, ibadetit, amnistisë dhe faljes. Ky muaj tashmë po troket në dyert tona. Ramazani do të bëjë që gëzimi i besimtarëve myslimanë, te ne dhe në mbarë botën, të jetë shumë i madh.
E si të mos jetë kur të gjithë së bashku, për një muaj rresht, do të çohemi në syfyr, do të ulemi në iftar, do të falim teravitë, dhe do të bëjmë gara se cili nga ne do t’i kryejë më mirë obligimet ndaj Allahut të Madhëruar; kush më shumë do të bëjë punë të mira; dhe cili do t’i ndihmojë të tjerët më shumë. E si të mos e bëjmë këtë kur e dimë që Allahu xh.sh. këtë muaj e dalloi nga të tjerët, e bëri të veçantë. Në këtë muaj, Allahu xh.sh. njerëzve u ka dhuruar begatinë dhe mëshirën më të madhe. Në këtë muaj filloi shpallja e Kuranit, e që është: “…udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë, dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra)…” (El Bekare, 185)
Pikërisht për shkak të shpalljes së Kuranit, që shënon fillimin e një epokë të re në historinë e njerëzimit, muaji Ramazan ka rëndësi dhe vlerë të madhe.

Një nga begatitë e muajit Ramazan është agjërimi

Agjërimi është ibadet kulmor me të cilin besimtari shpreh imanin-besimin e tij, dhe mundohet të meritojë mëshirën dhe kënaqësinë e Allahut xh.sh. Agjërimi nuk është vetëm përmbajtja e thjeshtë nga ngrënia dhe pirja, por është angazhim i tërë qenies së njeriut; sytë nuk shikojnë atë që është haram, veshët nuk dëgjojnë të folurit e përbuzur, duart nuk shtrihen drejt haramit, mendimet janë të drejtuara për madhërim të Allahut xh.sh. Gjuha i thur falënderimet më të larta për të mirat e Zotit, me anë të dhikrit, duave dhe leximit të Kuranit... (1)

Vlera e agjërimit

Rëndësinë dhe vlerën e ibadetit të agjërimit njeriu nuk është në gjendje që ta kuptojë plotësisht. Rëndësia dhe vlera e këtij adhurimi qëndron në atë se Allahu xh.sh. për agjëruesin ka përgatitur shpërblim të veçantë. Ebu Hurejre r.a. transmeton një hadith të Muhamedit a.s., i cili thotë se: “Allahu i Lartësuar ka thënë: “Çdo vepër e njeriut i takon atij, përveç agjërimit. Ai më takon Mua, dhe Unë për të shpërblej (posaçërisht)...”.(2)
Ky hadith dëshmon për vlerën e agjërimit në disa aspekte:
Një: në mesin e shumë veprave Allahu xh.sh. për Vete e zgjodhi pikërisht agjërimin. Këtë e ka bërë për ta treguar rëndësinë që ka ky ibadet, dhe dashurinë që Allahu ka ndaj agjëruesit. Agjërimi është sekreti në mes robit dhe Zotit të tij, dhe këtë sekret nuk mund ta dijë dhe sqarojë askush pos Allahut të Madhëruar. Ngase agjëruesi, edhe sikur të ndodhej në një vend të shkretë e pa asnjë njeri afër, nuk do të bënte atë që i është ndaluar me agjërim. Agjëruesi e di fare mirë se Zoti e shikon edhe kur është vetëm, andaj nuk bën asgjë që është e ndaluar, e kjo nga frikërespekti ndaj Allahut, si dhe duke shpresuar në shpërblimin e Tij. Për hir të këtij ibadeti të sinqertë Allahu xh.sh., e ka zgjedhur pikërisht agjërimin për Vete, pra nga mesi i shumë veprave të tjera të mira.
Dy: lidhur me agjërimin Allahu xh.sh., në hadith kudsij thotë: “ …atë do ta shpërblejë…” kështu që i ka dhënë vetes detyrë se do ta shpërblejë agjëruesin me shpërblim që vetëm Ai e di. Çdo shpërblim dhe dhuratë është në harmoni me mundësitë e atij që e jep. Prandaj, shpërblimi i agjëruesit është shumë i madh dhe i pa fund, ngase Allahu, Krijuesi i gjithësisë, është Ai që jep këtë shpërblim. Agjërimi është durim në bindje ndaj Allahut xh.sh., durim në heqje dorë nga gjërat e ndaluara, dhe durim për të mos ngrënë dhe pirë, e nganjëherë edhe dobësim i fuqisë fizike.(3)
Pra, në agjërim gërshetohen këto tri durime, andaj është fare normale që agjëruesi të futet në mesin e durimtarëve, e Allahu për ta thotë: “…ndërsa durimtarëve u jepet shpërblimi i tyre pa masë!” (Ez Zumer, 10)

Arsyeja e shumëfishimit të veprave

Në një transmetim thuhet: “Çdo vepër e njeriut shumëfishohet: një e mirë dhjetëfish deri në 700 fish. Allahu xh.sh. ka thënë: “Përveç agjërimit, sepse ai është për Mua, dhe Unë për të shpërblej, ngase agjëruesi lë epshin dhe ushqimin e tij për hir Timin…”(4)
Agjëruesi që ia ndalon vetes kënaqësitë e jetës pa asnjë imponim, presion apo ndonjë shkak tjetër e zbaton urdhrin e Zotit, e kjo dëshmon nënshtrimin ndaj Tij.
Na transmeton Selman El Farisiu r.a., i cili thotë: “Na thoshte Pejgamberi s.a.v.s. në natën e fundit të Shabanit: “O njerëz, po ju vjen muaji madhështor, muaji përplot begati, në të cilin është një natë më e vlefshme se një mijë muaj. Allahu xh.sh. e ka bërë borxh agjërimin e ditëve të tij, ndërsa faljen (e teravive) netëve të tij sunet. Kush i afrohet Allahut të Madhërishëm me ndonjë sunet, trajtohet sikur ta ketë kryer një farz jashtë këtij muaji. Kush kryen një farz, vlerësohet sikur të ketë kryer 70 farze jashtë këtij muaji. Ky është muaj i durimit, kurse shpërblimi i durimit është Xheneti. Kush në te përgatit iftar dhe ushqen agjëruesin, do të fitojë shpërblimin si të agjëruesit, pa zvogëlim të shpërblimit të tij…”(5)

Shumëfishimi i veprave bëhet për disa arsye, e ndër to mund të përmendim:

Për shkak të pozitës që gëzon vendi ku kryhet një vepër e caktuar si, për shembull: haremi. Për shkak të pozitës që gëzojnë Meka dhe Medina, namazi në to shumëfishohet, siç është vërtetuar edhe me një hadith të Pejgamberit a.s.: “Një namaz këtu, në xhaminë time, është më i vlefshëm se një mijë namaze në xhamitë tjera, përveç Xhamisë së Shenjtë (Qabesë).” (Buhariu, 1990)
Për shkak të pozitës që gëzon një kohë e caktuar si, për shembull: muaji Ramazan, dhe dhjetë ditët e Dhulhixhes. Në dy sahihët përcillet se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Një umre e kryer në Ramazan vlen sa një haxh.” (Buhariu 1863 dhe Muslimi 1256)
Duke qenë se vetë shpërblimi i agjërimit shumëfishohet në krahasim me të gjitha veprat tjera, shpërblimi i agjërimit të Ramazanit shumëfishohet më shumë se çdo agjërim tjetër, për shkak të vlerës dhe pozitës që gëzon koha e këtij muaji, por edhe për faktin se agjërimin e këtij muaji Allahu xh.sh. e ka bërë detyrim për robërit e Tij, dhe një nga shtyllat e Islamit.(6)
Agjërimi në Islam është disiplinë shpirtërore edukative dhe trupore, mirëpo qëllimi i tij parësor dhe final, siç e thotë Kurani, është devotshmëria. “…kështu që të bëheni të devotshëm.” Devotshmëria, pra është qëllimi i vërtetë i agjërimit, dhe nëse këtë e kupton dhe e pranon si qëllim kryesor të agjërimit, atëherë pas do t’i gjesh të gjitha frytet dhe dobitë e tjera dytësore.
Devotshmëria është cilësi që e largon besimtarin nga epshet djallëzore, është veçori në të cilën Allahu xh.sh. i thirri të gjithë popujt e mëparshëm, sepse qëllimi i adhurimit të të gjithëve ishte pajisja me këtë sifat (cilë- si), e cila edhe garanton shpëtimin në të dyja botët.
Në Kuran thuhet: “O njerëz, adhurojeni Zotin tuaj, I Cili ju krijoi juve edhe ata që ishin para jush, ashtu që të jeni të devotshëm (të shpëtuar)!” (El Bekare, 21)
Devotshmëria është shoqëruese e njerëzve të mirë e të dashur të Allahut të Gjithëmëshirshëm, që t’i ruajë ata nga çdo e ligë. Dhe, sa herë që vjen Ramazani, kjo cilësi e besimtarëve ripërtërihet dhe forcohet që t’i ruajë ata deri në vitin e ardhshëm.(7)
Por, në qoftë se gjatë agjërimit të shpëton devotshmëria, atëherë tërë angazhimi dhe mundi yt do të humbë. Shkurt, agjërimi është akti më (intim) i ngushtë
i devotshmërisë.

Ramazani largon nga Xhehenemi

Ramazani është rasti më i mirë që besimtari, duke agjëruar, të shpëtojë nga zjarri i Xhehenemit, pra duke u larguar nga influenca e shejtanit. Nga kjo pikëpamje do ta kemi më lehtë ta kuptojmë hadithin që e transmeton Ebu Hurejre r.a. nga Muhamedit a.s., i cili thotë: “Kur të fillojë muaji Ramazan, do të hapen dyert e qiellit, do të mbyllen dyert e Xhehenemit, dhe do të pengohen shejtanët.” (Buhariu dhe Muslimi)
Duke e komentuar këtë hadith, Kadi Ijadi tregon se këtu bëhet fjalë për një lloj të marrëdhënies së vetëdijshme të besimtarit ndaj veprave të tij, kështu që në këtë muaj besimtarët bëjnë vepra të mira, që automatikisht kontribuojnë në zvogëlimin e të keqes, ndërsa me zvogëlimin e dëshirave, pasioneve dhe epsheve të ndryshme shejtanit i pamundësohet afrimi, dhe në këtë mënyrë ata duken të lidhur.(8)
Një person që agjëron s’ka dyshim se gjatë asaj kohe do të jetë shumë afër mëshirës së Allahut, sepse ky ibadet e bën të jetë i qetë në të menduar, i kujdesshëm në sjellje, dhe i qartë në kërkesa.
Një hadith që e transmeton Ebu Seid El Huduri r.a. thotë se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Ai që agjëron një ditë në rrugë të Zotit, Zoti do t’ia largojë fytyrën nga zjarri për shtatëdhjetë vjet.” (Muslimi,1153)
Kur për një ditë Allahu xh.sh., e largon fytyrën e robit të tij nga zjarri i Xhehenemit për shtatëdhjetë vjet, atëherë sa do të jetë shpërblimi i atij që agjëron gjithë muajin Ramazan. Prandaj, edhe ndikimet e agjërimit janë të shumta, e për këtë besimtari duhet të gëzohet.
Për fund, të jemi të kujdesshëm e të mos jemi në atë kategori të njerëzve që, siç na transmeton Ebu Hurejre r.a. se Pejgamberi a.s. tha: “Sa janë prej atyre që agjërojnë ndërsa nga agjërimi i tyre kanë vetëm urinë dhe etjen.”(9)
Le të përpiqemi që këtë ibadet ta kryejmë sipas dispozitave të tij, dhe të ruhemi nga gjithçka që e dëmton dhe e prish agjërimin! Le të jetë ky muaj i mirësisë dhe bereqetit, muaj i faljeve të mëkateve tona, dhe muaj i mëshirës, ndihmës e solidaritetit ndër ne! Zoti na e pranoftë agjërimin tonë! Amin!


___________________
1) Doc. Dr. Shefik Kurdiq. Ramazani dhe namazi i Teravive në dritën e medhhebit hanefi. Shtëpia botuese, Sira, Prishtinë, 2004, f. 8.
2) Transmetojnë pesë përmbledhësit e librave të Hadithit.
3) Ilaz Mustafa. Hytbet e Xhumasë. Shtëpia botuese “Drita e Jetës”, Gjilan, 2006, f. 123.
4) Buhariu, 1904 dhe Muslimi, 1151.
5) Vehbi Sulejman Gavoçi. Dispozitat e agjërimit. Shtëpia botuese “Dituria Islame”, Prishtinë, 2008, f. 16.
6) Ibn Rexheb. Letaif El Mearif. Përktheu: Blerim Krasniqi, botimi i parë, 2013, f. 106. (7) Ramiz Zekaj. Ramazani muaji i mirë- sive. Tiranë, 1998, f. 47.
8) Doc. Dr. Shefik Kurdiq. Ramazani dhe namazi i Teravive në dritën e medhhebit hanefi. Shtëpia botuese, Sira, Prishtinë, 2004, f. 75.
9) Ibni Maxhe, Sunen:7-Kitabus sijam. Nr.1690.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi