Kurani, shkenca dhe gjithësia


Me emrin e Allahut, të Gjithmëshirshmit, Mëshirëplotit! “Lexo në emrin e Zotit tënd, i Cili të ka krijuar. Krijoi njeriun prej një rrecke. Lexo! Se Zoti yt është Fisnik. I cili e mësoi me pendë, e mësoi njeriun çka nuk e kishte ditur.” (El Alak, 1-5)

Allahu e veçoi njeriun nga krijesat e tjera duke i dhënë mendjen. Atij i dhuroi edhe shqisat për ta njohur botën. Kështu, nëpërmjet mendjes njeriu merr perceptimet, kupton, mediton dhe nxjerr konkluzione. Mirëpo, krahas kësaj, Allahu i Madhërishëm, njeriut, nëpërmjet pejgamberëve i dërgoi shpallje, duke i furnizuar ata me dije mbi qëllimin e jetës, vlerat dhe kualitetet etike, si dhe ua besoj detyrën që Shpalljen Hyjnore t’ua komunikojnë njerëzve, duke ua treguar rrugën e vërtetë.1 Kështu, përmes pesë shqisave (shikimit, dëgjimit, nuhatjes, shijimit dhe prekjes), që i ka si pesë dritare që i janë hapur për të parë botën lëndore, njeriu merr ndijimet. Njeriu përdor edhe teknika të ndryshme shkencore për të njohur më shumë botën lëndore. Me përparimin e shkencave, njeriu e kupton më mirë natyrën, e studion atë dhe e njeh më shumë ndërtimin dhe funksionimin e ligjeve në të.
Mirëpo, përkufizimi i njohjes vetëm në atë që është materiale, duke e privuar nga pranimi i botës së shpirtit, shpalljes, si dhe të parit përtej botës fizike, është një përkufizim i gjymtë dhe jo i drejtë. Të deklarohet se s’mund të njihet diçka, veçse ajo që mund të kapet përmes shqisave (nëse shihet, preket, dëgjohet etj.), është një pretendim jo i saktë. Bota mund të kuptohet në saje të burimeve diturore shumëdimensionale. Dituria nuk mund të reduktohet në një burim të vetëm. “Mendja, pesë shqisat dhe vrojtimi janë konsideruar burime të dijes që nuk konfrontohen me burimin epistemologjik hyjnor - revelatën (vahj).”(2)
Dijetarët myslimanë konstatojnë se njeriu mund të arrijë të dijë dhe të njohë edhe nëpërmjet të njohurit dhe fitres (natyrës së pastër), nëpërmjet mendjes dhe të menduarit e të logjikuarit, nëpërmjet fuqisë së brendshme shpirtërore, inspirimit dhe shpalljes.(3)
Përkrahësit e shkollës pragmatike janë racionalë, kur pohojnë në pafuqinë e mendjes për të kuptuar të vërtetën, por ata e reduktojnë fuqinë e mendjes vetëm në njohjen e mjeteve për të arritur qëllimet.(4)
Ndërkaq, aftësia e mendjes së njeriut ndonëse është më shumë se kaq, megjithatë ajo është e limituar dhe nuk mund ta kuptojë të vërtetën rreth botës metafizike.
Njeriu arrin të mësojë të vërtetën për Zotin vetëm nëpërmjet shpalljes, duke e përdorur mendjen. Me metodat shkencore nuk mund të fiksohet as ekzistenca e as mos-ekzistenca e Zotit. Ndërmjet shkencës dhe fesë, midis racionales dhe besimit nuk ekziston fërkim ose konflikt, por përkundrazi mund të bëhet fjalë. Për tema studimi, shkenca merr vetëm fenomenet e observueshme, ndërsa subjektet, të cilat nuk mund të vrojtohen i lë jashtë fokusit të hulumtimit. Disa sisteme mendimore, të cilat nuk bazohen në shkencë, si darvinizmi, bihejviorizmi, psiko-analiza frojdiane, materializimi, pozitivizmi etj., të cilat kanë dhënë kontributin e tyre në formimin e modernizmit, janë refuzimi i fesë me burim nga revelata, si dhe i urdhëresave dhe i ndalesave të Zotit.(5)
Dialogu tolerant ndërmjet shkencës dhe religjionit duhet bërë patjetër, pra, duhet zënë fill në supozimin themelor, edhe shkenca, por edhe religjioni. Ato duhet të vihen në pozitë të barabartë dhe paraprakisht, asnjërës nuk guxon t’i mohohet racionaliteti dhe funksionaliteti. Shkenca si zëvendësim i religjionit, dhe arsyeja si zëvendësim i fesë, gjithnjë janë shkatërruar.(6)
Forca Absolute e ka sjellë në ekzistencë një botë të tillë, kaq të përsosur
e të llogaritur mirë, ka ditur e ka mundur të fus në të mekanizmin i cili shpie në organizimin e rregullt dhe në zhvillimin automatik të saktë. Është e çuditshme se pjesa dërmuese e shkencëtarëve laikë tregohen mospërfillës dhe skeptikë ndaj çdo gjëje që ka të bëjë me botën përtej botës lëndore.
Sipas tyre, e gjithë ajo që nuk mund të studiohet nëpërmjet shkencës bashkëkohore, është jo ekzistente dhe ekzistenca e saj mohohet në mënyrë objektive. Kjo do të ishte sikur një audiencë e njerëzve të shurdhër në një koncert, të pohonin se ata nuk kanë dëgjuar kurrfarë muzike, kurse unanimitetin e opinionit të tyre ta marrin si vërtetim të objektivitetit. Duhet të tregohemi të vëmendshëm, ngase shumë teori, vlerat e të cilave nuk janë vënë në diskutim në epokën tonë, kanë dalë të gabuara në të ardhmen.

Qëndrimi i dijetarëve rreth ajeteve kuranore që flasin për fenomenet natyrore

Sa i përket kësaj teme, kemi qëndrime të dy palëve diametralisht të kundërta. Njëra palë thotë: Meqenëse Kurani është libër fetar dhe qëllimi i tij është që njeriut t’ia tregoi të vërtetën për Krijuesin, ai nuk ka të bëjë aspak me shkencë. Sipas këtyre, duke bërë interpretim shkencor të disa vargjeve kuranore, me zhvillimin e mëtutjeshëm të shkencave natyrore, mund të vjen deri te vërtetimi i pasaktësisë së shumë teorive shkencore dhe rrjedhimisht hedhja poshtë e tyre. Kështu që, nëpërmjet një interpretimi të tillë të vargjeve kuranore, do të ishim shkaktar për një gabim të pafalshëm ndaj njollosjes së Kuranit, duke vënë në pikëpyetje autenticitetin e Kuranit të shenjtë. Ndërkaq, pala tjetër thotë: Çdo gjë që zbulohet nga shkenca bashkëkohore mund të gjendet në Kuran, madje pohon se Kurani është libër shkencor. Padyshim, Kurani është fjala e Zotit, është libër adhurimi, program dhe sistem jete. Ai nuk është libër shkencor, që të ketë nevojë për ta vërtetuar shkenca.(7)
Sa i përket kësaj çështje, e vërteta qëndron aty diku në mes, ngase Kurani edhe pse është libër hyjnor dhe ka për qëllim udhëzimin e njerëzve, kjo s’do të thotë që Kurani të mos ketë vargje të cilat përmbajnë të vërteta rreth botës lëndore. Por, është gabim të pretendojmë se Kurani është një vepër - enciklopedi shkencore. Madje, sipas Garodit, do të ishte një punë fëmijërore të konsiderohej Kurani si enciklopedi që na liron nga mundimet e rënda gjatë gjurmimeve shkencore dhe teknike, të cilat botën islame e bënë qendër të kulturës botërore në kohën e Universitetit të Kordovës.(8)
Nuk është qëllimi që nëpërmjet zbulimeve moderne shkencore, të cilat shumë shpejt mund të tregohen të pavërteta, të vërtetohet madhështia e ajeteve kuranore në parashikimin e këtij apo atij zbulimi të fizikës ose të biologjisë. Nuk duhet pretenduar që të vërtetohet saktësia e vargjeve kuranore nëpërmjet të arriturave shkencore, ngase një gjë e tillë është jashtë çdo diskutimi. Por, të mundohemi që të kuptojmë më mirë vargjet kuranore që flasin rreth dukurive natyrore dhe të bëjmë të qartë, ashtu siç kanë konstatuar dijetarët islam, se shpallja hyjnore nuk mund të bie ndesh me të vërtetat e pakontestueshme shkencore,(9) e as të vërtetat shkencore nuk mund të bien ndesh me vargjet kuranore të cilat kanë të bëjnë me dukuritë natyrore. Njeriu është i lidhur me natyrën, kurse kjo lidhje, duke pasur parasysh mundësitë që ofron dhe meqë lejon kontrollimin e fuqive të natyrës, atëherë duhet të shfrytëzohet, jo në interes të dëshirës së padrejtë për të sunduar, por në interesin më fisnik, për përparim dhe zhvillim të lirë të jetës shpirtërore. Që të arrihet deri te vizioni i plotë i realitetit, duhet që vrojtimet ndijore të përcillen me vrojtimin e asaj që Kurani e quan fuad ose kalb,(10) d.m.th. me vrojtimin e zemrës:
“Ai është që përsosi krijimin e çdo sendi, e krijimin e njeriut e filloi nga balta. Pastaj bëri që pasardhësit e tij të rrjedhin prej një pike uji të dobët. Madje, Ai e formëson atë dhe nga ana e vet i jep shpirtin atij dhe Ai është që juve ju pajis edhe me dëgjim, me të parit e me zemër, e pak send është ajo që ju falënderoni.” (Es Sexhde, 7-9
Një “shkencë” e cila është në kundërshtim me Kuranin fisnik është jo e saktë dhe e papranueshme. Shumë dijetarë me famë kanë shkruar dhe vazhdojnë të shkruajnë për mrekullitë shkencore në Kuran. Ata Kuranin e marrin si argument dhe masë për vërtetësinë dhe pavërtetësinë e shkencës. Ndarja e qartë që është bërë ndërmjet tekstit të shenjtë nga njëra anë dhe ekzegjezës (tefsir) e përpjekjes shkencore (ixhtihad) në anën tjetër, ka penguar që devijimet dhe gabimet e mundshme në komentim, të konsiderohen për pjesë të dijes hyjnore. Në këtë mënyrë, në kuadër të mendimit islam, nuk ka lindur ndonjë konflikt ndërmjet dijes hyjnore dhe dijes shkencore të shkencëtarit, por përkundrazi, në plan të parë kanë dalë përpjekjet për homogjenizim, kohezion vertikal që mbështetet në dallimin e rrafshit epistemologji.(11)
Të frymëzuar nga mësimet e Kuranit, dijetarët myslimanë arritën që të bëjnë mrekulli në shkencë. Sipas Moris Bukait, shkenca për herë të parë mori karakter ndërkombëtar në fakultetet islamike të mesjetës. Myslimanëve nuk u ka penguar që të jenë në të njëjtën kohë edhe besimtarë edhe shkencëtarë. Shkenca është binjake e fesë islame. Ajo nuk duhet të pushojë të jetë e tillë.(12)
Madje, shkencëtarët e ndryshëm gjatë studimeve të tyre të natyrës, edhe sot mund të gjejnë frymëzim dhe mbështetje te fjala e Krijuesit, te Kurani i shenjtë. Gjatë gjithë kohës, që nga fillimi i shpalljes hyjnore, dijetarët dhe shkencëtarët myslimanë gjejnë frymëzim dhe inspirohen nga fryma e Kuranit. Shkencëtari i madh pakistanez, njëherësh fituesi i çmimit Nobel për kimi, Abduselami, thotë se gjatë studimit të tij ai ishte i frymëzuar nga Kurani. Kjo ndodhi edhe anëtarin e Akademisë së Shkencave Franceze, Moris Bukain, e po ndodhë gjithnjë e më shumë edhe me shkencëtarë të ndryshëm myslimanë. Bukai shprehet: “Kur e ballafaqojmë Kuranin me njohuritë bashkëkohore, si të mos impresionohemi me saktësitë për të cilat nuk mund të supozojmë se janë rezultat i mendjes së një njeriu, i cili ka jetuar para 14 shekujsh.”(13)
Këto fjalë Bukai i kishte shkruar në librin e tij para se ta pranonte Islamin. Është e dhimbshme kur sheh shumë shkencëtarë jomyslimanë që janë në konfuzion dhe që nuk arrijnë ta kuptojnë të vërtetën e amshueshme, Islamin. Kjo ngase, citoj fjalët e Didatit: “Ata në nën dijen e tyre janë të bindur se Muhamedi a.s. e ka trilluar fenë islame, dhe se ai e ka shkruar Kuranin.”(14)

Mosha e gjithësisë

“... Allahu me plotë arsye krijoi qiejt e Tokën dhe çka ka ndërmjet tyre në kohë të caktuar...” (Er Rum, 8)
Është menduar më herët se gjithësia është e pa krijuar dhe se ka ekzistuar gjithmonë. Ideja mbi “ekzistencën në infinit” (pafundësi) ka hyrë në Perëndim së bashku me filozofinë materialiste, e cila rrënjët i ka te grekët e lashtë. Ata besonin se gjithësia është statike, e pandryshueshme dhe përhershme, ndërkaq kohëve të fundit, shkencëtarët, pas studimeve dhe konkluzioneve të rëndësishme flasin për një moshë të gjithësisë. Sipas tyre, mosha e saj sillet diku në 15 miliardë vjet. Pra, sikurse çdo njeri që kalon nëpër faza të ndryshme, që nga ajo embrionale dhe faza të tjera pas lindjes, ku pas një kohe të caktuar edhe vdes, ashtu edhe gjithësia po kalon në fazat e saj. Çdo gjë në këtë ekzistencë të dukshme e të padukshme, i tërë universi, ka lindjen-fillimin, zhvillimin, plakjen dhe në fund, vdekjen-zhdukjen e tij. Çdo gjë i nënshtrohet lindjes dhe vdekjes së paracaktuar nga Allahu, Krijuesi i çdo gjëje. Pra, ekzistenca lëndore ka një fillim dhe ne kemi ndjesinë e këtij fillimi, të cilin e kuptojmë me gjithë qenien tonë. Ndërkaq, ekzistenca e Krijuesit, Allahut, Zotit Një e të Vetëm, në asnjë mënyrë nuk mund të ketë fillim.(15)
Të gjitha llojet e ekzistencës që janë në Tokë e në qiej, të gjitha janë shfaqje e vullnetit të Allahut. Çdo gjë, si në qetësi ashtu edhe në lëvizje, është shenjë e fuqisë së Krijuesit: “Ai është që krijoi (pa kurrfarë shembulli) qiejt dhe Tokën...” (El Enam, 101); “Ne, me forcën tonë e ngritëm qiellin dhe Ne e zgjerojmë atë.” (Dharijat, 47).
Duhet pasur parasysh, ashtu siç thotë Asad, se shkenca do të jetë në gjendje t’i kuptojë fragmentet individuale të jetës, të cilat mund të rriten në numër e qartësi, shpejt apo ngadalë, në harmoni me rritjen e dijes njerëzore mbi natyrën, por megjithatë, ato do të mbesin vetëm fragment, perceptimet e vetë tërësisë do të mbesin jashtë pajisjes metodologjike të arsyes njerëzore. Kjo është rruga, nëpër të cilën ecin shkencat natyrore.(16)
Është pranuar se shkenca e cila është e kundërt me fenë, është e mangët dhe e paaftë kur para saj shtrohen çështjet e kuptimit të jetës.(17)
Njeriu duhet të bëhet i vetëdijshëm për dimensionin e brendshëm brenda vetes dhe gjithësisë mbi të. Dija fragmentare nuk mund të bëjë tjetër pos të mbetet fragmentare. Meqenëse shkenca merret me studimin e botës lëndore, atëherë nuk mund të presim që ajo të na ofroj përgjigje rreth pyetjes se çfarë ishte para krijimit të gjithësisë, si dhe si të do të jetë e ardhmja, apo çfarë ka përtej botës lëndore. Këto pyetje nuk i përkasin domenit të saj. Këtu pushon shkenca dhe dija empirike, tani vjen në shprehje dija dhe shpallja e Krijuesit të ekzistencës lëndore. Rreth universit, materialistët kishin dy nocione:
1. Universi ekziston që nga pafundësia, pra, nuk ka as fillim e as fund, ai nuk është i krijuar.
2. Çdo gjë në univers është thjesht fryt i rastësisë dhe jo një plan apo projektim me një vizion të qëllimtë
Ndërkaq, që nga viti 1920, kishte një mori faktesh që ekzistenca e universit që në infinit (pafundësi) ishte një e pavërtetë. Shkencëtarët tashmë ishin të sigurt për krijimin e tij nga mos ekzistenca e shkaktuar prej një “shpërthimi të madh”. Me fjalë të tjera, universi nuk ka ekzistuar në pafundësi, por është krijuar nga Zoti: “Mjafton urdhri i tij, kur do diçka, vetëm t’i thotë “bëhu”, dhe ajo do të bëhet.” (Jasin, 82)

Rendi në gjithësi

“I Cili i krijoi shtatë qiejt në kate dhe nuk ka kurrfarë kontrastesh nëm krijimin e të Gjithëmëshirshmit, pa shiko edhe një herë: sheh ndonjë plasaritje.” (El Mulk, 3
Në gjithësi sundon rendi i përkryer. Aty çdo gjë funksionon me precizitet dhe çdo gjë është caktuar dhe vendosur çuditërisht në vendin e vet. Ky qiell i lartë me yjet e tij të mrekullueshëm, duke filluar që nga galaktika, e gjer te përbërja e atomeve, çdo gjë dëshmon për një pamje mahnitëse dhe një sistem të përsosur rregulli. Çdo njeri i ndërgjegjshëm kupton se në çdo dukuri të natyrës ka një rregull, gjë që dëshmon për intelekt, plan dhe një qëllim. Pra, kudo në ekzistencë është i dukshëm rregulli, qëllimi dhe se nuk ka rastësi.
Çdo atom, ne njerëzve na bën thirrje me gjuhën e vet specifike. Nuk ka, as në tokë e as në qiell, qoftë edhe një atom që ekziston vetvetiu. Asgjë, madje as thërrmijat më të imëta nuk ekzistojnë vetvetiu. Është Allahu, Ai që e solli në ekzistencë çdo gjë dhe që ka vendosur forcën e balancimit, madje edhe në mesin e bërthamave të atomit: “A nuk vështruan ata me vëmendje pushtetin e madh në qiej e në tokë dhe çka krijoi Allahu prej sendeve...” (Araf, 185)
Kur njeriu fillon të meditoj rreth kësaj, në mendje shkreptinë pyetja: Kush e solli jetën në gjithësi? Cili është burimi i milionave veprimtarive jetësore që vihen re te njerëzit, kafshët dhe bimët? Materialistët do të përgjigjeshin se është materia. Ndërkaq, jobesimtarët do të thonë se çdo gjë ka rrjedhë rastësisht. E ne, do të pyesnim, si ka mundësi që materia të bëj një gjë të tillë kur vetë ajo është e pajetë. Si mund ta siguroi materia e pavetëdijshme, krahas gjithë këtij procesi ndryshimesh, këtë harmoni, këtë precizitet dhe këtë përsosmëri të jashtëzakonshme? Shumë pyetje dhe shumë hamendje për një mendje ateiste. Mirëpo, hamendja zhduket para besimit, mendja gjen prehje dhe zemra gjen kënaqësi kur lexon fjalët e Krijuesit: “Allahut i takon shembulli më i lartë...” (Nahl, 60)
Kush është ai që zotëron sistemin e këtyre trupave gjigant dhe kush është ai që i shtynë këta trupa të lëvizin me këtë forcë dhe me këtë shpejtësi marramendëse? A nuk janë këto forca manifestim i forcës së Allahut, ndërkaq të verbrit nuk shohin, të shurdhrit nuk dëgjojnë dhe të marrët nuk logjikojnë. “Me të vërtetë, Allahu ruan qiejt dhe Tokën që të mos shkatërrohen - çrregullohen. Po nëse çrregullohen, askush tjetër përveç Atij nuk do t’i ndalte...” (Fatir, 41)
Me këtë rast, është me rëndësi të theksojmë se energjitë pozitive, negative e neutrale të atomit ekzistojnë dhe kanë vlerë vetëm të lidhura me njëra tjetrën. Pra, nuk ekziston ndonjë element, ndonjë esencë materiale absolute dhe pandryshueshme që do të mund të konsiderohej si themel.(18)
A ka mundësi që një natyrë e verbër, e shurdhër dhe e pavetëdijshme të ketë sjellë këtë balancim magjepsë ndërmjet grimcave? A nuk është Allahu, Ai që udhëheq me të gjitha ligjet e ekzistencës, fuqinë atomike dhe me të gjitha forcat që sundojnë gjithësinë? “Allahu është Krijues i çdo sendi dhe Ai është mbikëqyrës ndaj çdo gjëje. Në duart të Tij janë çelësat e qiejve dhe të Tokës...” (Zumer, 62-63)

Gjithësia nuk është koincidencë

“Ne nuk e krijuam qiellin e as Tokën dhe çka ka në mes tyre pa qëllim (shkel e shko), ai është mendim i atyre që nuk besuan...” (Sad, 27)
Kjo gjithësi me gjithçka që ka në të, nuk është tjetër veçse një letër e bardhë - e pastër, në të cilën janë gdhendur cilësitë e këtij Krijuesi të Madhërishëm.(19)
Sikurse e thamë edhe më lartë, kohëve të fundit, të gjithë shkencëtarët janë të mendimit se ekzistenca lëndore ka një fillim. Pra, krijimi, jeta, ekzistenca, gjithësia, nuk janë koincidencë - rastësi. Madje, shkencëtarët tashmë i kanë caktuar një moshë gjithësisë, sikurse përmendëm më lartë. Ndonëse mund të ketë lëvizje sa i përket kësaj moshe, ajo që është me rëndësi të theksohet në këtë rast është se shkencëtarët pajtohet me faktin se gjithësia ka një fillim dhe rrjedhimisht ka edhe një mbarim. Ata më herët kishte besuar se atomi është i pandashëm, për pasojë ai ishte i përhershëm, që nuk ka një fillim. Madje vetë fjala “atom” që rrjedh nga gjuha greke do të thotë i pandashëm. Meqë atomi është i pandashëm dhe i pandryshueshëm, pohuan se edhe bota, meqë përbëhet prej tyre, nuk është e krijuar. Dhe meqenëse bota është e përhershme, atëherë nuk ka Krijues. Prandaj, materialistët duke e pandehur atomin si të tillë (që nuk ndryshon e nuk asgjësohet), atë e vunë në vendin e fuqisë krijuese (Zotit).(20)
“Ata thanë: Nuk ka tjetër veç jetës sonë në këtë tonë, këtu lindemi e këtu vdesim. Asgjë nuk na shkatërron tjetër përveç kohës. Mirëpo, ata nuk kanë asnjë njohuri për këtë përveç një dyshimi e pandehmë.” (Xhathije, 24)
Këta njerëz, me bindjet e tyre të palogjikshme, të shtyrë nga kryeneçësia, arritën në një përfundim të tillë dhe në një gabim më shumë se foshnjarak. Përkundër bindjes që ekzistonte rreth atomit gjatë një periudhe të gjatë kohore, madje deri në kohët e vona, ne në Kuranin Fisnik, i shpallur para katërmbëdhjetë shekujve, lexojmë: “... Atij nuk mund t’i shmanget asgjë, as sa grimca (dherr’rre - atomi), as në qiej, as në tokë, dhe se nuk ka kurrgjë, as më e madhe e as më e vogël se ai, e të mos jetë në Librin e qartë.” (Sebe, 3)
Ajeti kuranor (fjala dherr’rre - arabisht do të thotë atom, e përmendur në këtë ajet është përkthyer në gjuhën shqipe si grimcë) tregon se ka grimca edhe më të vockla se atomi, gjë që aludon në faktin se atomi është i zbërthyeshëm. Padyshim se kjo është një prej mrekullive në oqeanin e pafund të mrekullive kuranore.
Me zbërthimin e atomit, tezat e materialistëve dolën boshe: “Veprat e atyre që nuk besojnë janë si një brakë në rrafshinë, në të cilën i etshmi kujton se ka ujë, derisa të vjen aty e nuk gjen gjë, por do të gjejë atje Allahun dhe Ai do t’ia paguaj plotësisht llogarinë e tij, sepse Allahu është shumë i shpejtë në llogaritje.” (En Nur, 39)
Kështu që, për njeriun i cili posedon logjikë të shëndoshë s’ka rrugë tjetër veçse të pranojë se ekzistenca me tërësinë e saj është manifestim i një Krijuesi të Gjithëfuqishëm, që posedon dije, inteligjencë, urtësi, vullnet, fuqi dhe të gjitha cilësitë më të përkryera në mënyrën absolute. Çdo gjë në gjithësi i nënshtrohet një procesi të vazhdueshëm ndryshimesh lindje vdekje, ekzistencë-asgjësim. Jofrymorët, bimët, kafshët dhe njerëzit, trupat e ngurtë e të lëngtë si gurët, malet, lumenjtë e kodrat janë të përcaktuara për ndryshim. As yjet, kontelacionet yjore e galaktika nuk mund të dalin jashtë ligjit të lindje-vdekjes. Kjo do të thotë se gjithësia është e krijuar dhe krijohet vazhdimisht.(21)
Nëse do të bënim një krahasim, atëherë do të mund të thoshim se gjithësia është sikurse hija e diçkaje, e cila ekziston në tokë sa ka diell në kupën qiellore. Kur dielli perëndon, edhe hija shuhet. Ekzistenca e universit e ndien nevojën për një ekzistencë tjetër. Gjithësia ekziston me ndihmën e Zotit xh.sh., i Cili furnizon ekzistencën e saj, e kur ky furnizim ndërpritet, atëherë ekzistenca e saj merr fund. Madje edhe grimcat më të imëta, në çdo sekondë, e edhe për më pak se sekonda kanë nevojë për Krijuesin e saj.
Në këtë, aludon ajeti kuranor: “Atij i luten ata që janë në qiej dhe në tokë, në çdo kohë, çast, Ai është i angazhuar me diçka.” (Er Rrahman, 29)
Islami qorton pasivitetin e aftësisë mendore, të cilën Allahu ia fali njeriut për të medituar rreth dy librave të Tij, Kuranit dhe universit. Kurani është gjithësia, ku suret – kaptinat e tij janë galaktika, kurse çdo ajet - varg i tij është një yll. Sikurse universi që ka një pamje të mrekullueshme nga galaktikat dhe yjet të cilët natën duken si kandila të ndezur, ashtu edhe kaptinat dhe vargjet bëjnë që Kurani i shenjtë të jetë një libër i përkryer dhe fascionues.

Dëshmitë e dijetarëve rreth besimit në Zotin xh.sh.

Padyshim se sa më shumë që të zhvillohen shkencat pozitive, të cilat studiojnë natyrën, aq më mirë kuptohet mrekullia e ndërtimit dhe funksionimit të universit, madje, aq më tepër shtohet mahnitja e dijetarëve para fuqisë së Zotit xh.sh.
Prandaj, çdo mendje e shëndosh pyet, citoj Gazaliun, se a mund të konsiderohet mendim i drejtë se vetëm rastësitë janë ato që rregullojnë gjithësinë? Natyrisht se kjo s’është gjë tjetër veçse fjalë boshe e marrëzi. Ateizmi që qarkullon në mesin e një grupimi llafazanësh kryeneçë që vetëm godasin, nuk është bazuar, qoftë edhe në grimcën më të vogël të dijes e të
mendimit të shëndoshë.(22)
Në vazhdim do të sjell mendimet e disa shkencëtarëve rreth besimit të tyre në Zot:
- Ajnshtajni ka thënë: “Brendësia e bërthamës së ndjenjës fetare është ta kuptojmë se ai që s’kemi mundësi ta dimë esencën e tij, ekziston vërtet dhe na shfaqet me shenjat më të larta të urtësisë dhe me shkëlqimin më të bukur të dritave. Unë nuk e përfytyroj dot, se ka një dijetar të vërtetë që të mos kuptojë se parimet e shëndosha të një bote, e cila ekziston e ndërtuar mbi një urtësi të veçantë, të mos jenë të kuptueshme për mendjen. Shkenca pa besim, çalon në ecjen e saj, por edhe besimi pa dije, i kërkon sendet, ashtu siç i kërkon i verbëri.”(23)
- Dijetari i njohur anglez, Lordi Klifen, duke u tallur me ata që mbështesin rastësinë thotë: “Njeriu e ka të pamundur të përfytyrojë fillimin e jetës ose vazhdimësinë e saj pa pasur në të një forcë krijuese e mbizotëruese. Në thellësi të shpirtit tim, unë besoj se disa dijetarë, në studimet e tyre filozofike për kafshët, kanë mbyllur sytë aq shumë, sa të mos kenë konstatuar në këtë gjithësi argumente të pakundërshtueshme. Rreth nesh kemi shumë fakte e argumente shumë të forta dhe tepër të prera, të cilat vërtetojnë për ekzistencën e një sistemi të rregulluar dhe që jep kaq mirësi të mëdha. Këto fakte e argumente na tregojnë me anë të natyrës se në të ka shenja dalluese të një vullneti të lirë dhe na mësojnë se të gjitha gjallesat mbështeten mbi një Krijues të vetëm dhe të përhershëm dhe se nuk ka të dytë që t’i ngjajë Atij.”(24)
- Filozofi i shekullit XVIII, Hersheli thotë: “Sa më tepër që të zgjerohet kuadri i dijeve, aq më tepër do të shtohen argumentet që vërtetojnë ekzistencën e urtësisë krijuese dhe fuqiplote, absolute. Dijetarët që merren me astronomi, dituri natyrore, matematikë etj., me punën dhe zbulimet e tyre përgatitin gjithçka që duhet për të ndërtuar tempullin e dijeve, për lartësimin e fjalës së Krijuesit.”(25)
- Sokrati, fjalët e të cilit na janë përcjellë sipas Platonit ka thënë: “Bota na shfaqet në atë formë që e përjashton rastësinë në çdo objekt të sajin, madje edhe çdo pjesëz nga pjesëzat e botës është e orientuar drejt një qëllimi dhe ky qëllim është i orientuar drejt një qëllimi më të lartë se qëllimi i parë, ja pra kështu, arrihet në qëllimin e fundit, të vetëm dhe unik.”(26)
- Muhamed Ali Ajni Bek thotë: “... Natyra është një shenjë në të cilën dallohet ai bashkim që tregon se Ky, Ndërtuesi, nuk ka ortak dhe se urdhrat e Tij zbatohen menjëherë dhe pa defekt. Ai është prezent, vullneti i Tij zbatohet gjithmonë, di gjithçka, e megjithatë nuk perceptohet me shqisa, ashtu sikurse Dielli, që megjithëse e prekin shikimet tona, nuk mund të vështrohet me vëmendje.”(27)
- Laplasi, duke shpjeguar argumentin e lëvizjes kozmike thotë: “Forca krijuese nxori madhësinë dhe dendësinë e trupave qiellorë që ndodhen në sistemin tonë diellor, vendosi një herë e mirë ekliptikat e tyre, sistemoi lëvizjet e tyre me ligje të thjeshta, por që janë ligje të mbushura me urtësi. Në bazë të këtyre ligjeve janë caktuar koha e rrotullimit të planetëve rreth diellit, gjithashtu është caktuar koha e rrotullimit të satelitëve të planetëve me llogarinë më të përpiktë, si dhe në atë formë që ky sistem do të vazhdojë deri kur Zoti të mos e prekë me ndonjë diçka, e që do të shkaktonte largimin e distancës ndërmjet tyre.”(28)
- Kamil Flamerion, mohoi judaizmin dhe krishterimin, por, megjithatë nuk arriti që të njoh Islamin, ai arriti ta njoh Zotin Një e të Vetëm (Allahun), në saje të studimit të vazhdueshëm në fushat e shkencave e të trupave. Në librin e tij “Zoti në natyrë”, shkruan: “Kur kalojmë nga fushat e ndijimeve në fushën shpirtërore, Zoti na shfaqet si një shpirt që gjendet në të vërtetën e të gjitha sendeve. Nuk është fuqi që sundon përmbi qiejt, por është një sistem i vazhdueshëm mbizotërues mbi të gjitha qeniet e gjalla e të ngurta, nuk është një lulishte e mbushur plot e përplot me njerëz të mëdhenj, e me engjëj. Jo, hapësira është e pafundme, është e mbushur me Të. Ai gjendet në çdo pikë të hapësirës dhe në çdo fragment të kohës, ose thënë më saktë: Ai është i Përjetshmi që nuk ka fund, i Pastërti që nuk ka nevojë të ketë vend dhe kohë, ose që të nxirret prej diçkaje dhe të ketë qarkullim, pas të cilit të vjen diçka. Kjo fjalë e imja nuk është shprehje doktrinash që lënë vend për dyshime në saktësinë e tyre, lidhur me sendet që ka mbrapa natyrës. Në të kundërtën, është një nga rezultatet e paluajtshme që i kam nxjerr nga ligjet e mirëqena të shkencës, siç janë proporcionaliteti i lëvizjes dhe përhershmëria e ligjeve. Sistemi i përgjithshëm sundues në natyrë, shenjat e urtësisë famëmadhe në të gjitha sendet dhe të shpërndara kudo, si drita e agimit dhe shkëlqimi pas perëndimit, sendet e arsyeshme dhe sendet që ndjehen, sidomos ai unitet që shfaqet me tërë shkëlqimin e tij në ligjin e zhvillimit të përhershëm, të gjitha këto tregojnë se fuqia e Zotit është ruajtësi i vazhdueshëm i gjithësisë, është sistemi i vërtetë, është burimi bazë për të gjitha ligjet e natyrës, me të gjitha format e shfaqjes së saj.”(29)
Shkenca e vërtetë nuk ka të bëjë asgjë me mashtrimet e ateizmit. Ajo është kundër ligjeve dhe rregullave shterpe të shpikura nga imagjinata e dobët ateiste. Ndërmjet moçalit të hutisë dhe tollovisë së botës mendore dhe fizike, ajo që i duhet njeriut bashkëkohor është porosia Hyjnore dhe ajo mund të sillet në botën e Perëndimit.

Edhe pse dielli në lindje lind,
Dhe dëfton trimërisht shkëlqimin e vet, pa tis,
Ai bëhet flakë e dritë nga zjarri i brendshëm, vetëm kur,
U ikën verigave të Lindjes e të Perëndimit,
I dehur nga shkëlqimi, ai shfaqet në lindjen e vet,
Që t’i pushojë të gjitha horizontet,
Qenia e tij s’i përket as Lindjes, e as Perëndimit,
Edhe pse nga lindja është. (Muhamed Ikball, Xhavid Nama.)

Kjo porosi islame, që del nga qendra, që nuk është as e Lindjes e as e Perëndimit, është thirrje drejtuar njeriut për ta kuptuar kush është ai, si dhe për t’u bërë i vetëdijshëm për atë shkëndijë të amshimit, të cilën ai e ka brenda vetes. Për shkak se jemi mësuar me botën e mrekullueshme të krijimit, ne jemi të pavetëdijshëm për shumë gjëra. Ne, zakonisht i marrim për gjëra të mrekullueshme ato gjëra që nuk është mësuar syri ynë t’i shohë. Por, ç’ është e vërteta, çdo krijesë është mrekulli në vete dhe shenjë - ajet prej shenjave të Allahut, sikurse edhe vargjet - ajetet kuranore. Kurani bën thirrje që njeriu t’i vështrojë ajetet - shenjat e Zotit në natyrë. Edhe fjalët e Zotit janë ajete - shenja. Siç thamë edhe më lartë, Zoti na i ka dhënë dy libra, një libër që vërtetohet nga libri tjetër dhe një libër që dëshmohet nga libri tjetër, e këta janë Kurani, fjala e Zotit dhe Universi, krijimi i Zotit. Për fund, mund të thuhet se ka po aq arsye dhe argumente për ekzistencën e Zotit, sa janë edhe atomet në gjithësi. Mrekullitë e krijimit të Allahut janë të pakufishme. Prandaj, Allahu i Madhërishëm në Kuranin Fisnik thotë: “Sikur të gjithë lisat në tokë të jenë lapsa, kurse detit t’i shtohen edhe shtatë dete, nuk do të përmblidheshin dot fjalët e Allahut, Allahu është pa dyshim i Fuqishëm dhe i Urtë.” (Llukman, 27)


_________________
1. Ebul Ala el Mevdudi, Muhamedi alejhi selam dhe Kurani i Shenjtë, Prizren,
1409/1989, f.16.
2. Ahmet Davutogllu, Vetpërceptimet e qytetërimeve, Prishtinë, 2002, f. 87.
3. Dr. Jusuf Kardavi, Të ekzistuarit e Allahut, Prishtinë, 2002, f. 88, 89.
4. Muhamed Gazali, Besimi i Muslimanit, Shkup, 1421/2001, f. 56.
5. Jillmaz Ozakpinar, Kultura dhe qytetërimi, Shkup, 2003., shih f.141 & f.142.
6. Gjuro Shushnjiq, Fuqia dhe pafuqia e shkencës në kritikën e religjionit, Prizren, 2000, f. 9-10 & f. 34.
7. Muhamed Mureveli esh Sharavi, Mrekullitë e Kuranit, Prishtinë, 2001, f. 94.
8. Rozhe Garodi, Gjallërimi Islamik, Gjakovë, 1991, f. 7.
9. Abdul Mexhid ez Zendani, Mrekullitë shkencore në Kuran, 2002, f. 10. Takvim 1442-1443 / Kalendar 2021 130
10. Muhamed Ikball, Ripërtëritja e mendimit në islam, Shkup, 2018, f. 30.
11. Ahmed Davutogllu, Vetëperceptimet e Qytetërimeve, Logos, Prishtinë,
2002, f. 87.
12. Dr. Maurice Bucaille, Bibla, Kurani dhe shkenca, Gjakovë, 2002, f. 135.
13. Dr. Maurice Bucaille, Bibla, Kurani dhe shkenca, op. cit., f. 187.
Takvim 1442-1443 / Kalendar 2021 132
14 Ahmed Deedat, Kurani Mrekullia më e Përsosur, Prishtinë, 2001, f. 34.
15. Muhamed Gazali, op. cit., f. 41.
16. Muhamed Asad, Muhamed Asad, Islami në udhëkryq, Prizren, 2002, f. 17-18.
17. Murad Hoffman, I shtrirë nga të gjitha anët, Asr, Tetovë, 2003, f. 17.18. Prof. dr. Bekir Topaloglu, prof. dr. Jusuf Shevki Javuz dhe doç. Iljas Çelebi, Bazat e Besimit në Islam, Prishtinë, 2002, f. 40.
19. Dr. Muhamed Seid el Buti, Evropa prej teknologjisë drejt spiritualizmit, Shkup, 1421/2000, f. 37.
20. Prof. dr. Bekir Topaloglu, prof. dr. Jusuf Shevki Javuz dhe doç. Iljas Çelebi, Bazat e Besimit në Islam, Prishtinë, 2002, f. 40.
21. Prof. dr. Bekir Topaloglu, prof. dr. Jusuf Shevki Javuz dhe doç. Iljas Çelebi, po aty, f. 53.
22. Muhamed Gazali, po aty, f. 33.
23. Muhamed Gazali, po aty, f. 29-30.
24. Muhamed Gazali, po aty, f. 29.
25. Muhamed Gazali, po aty, f. 27.
26. Muhamed Gazali, po aty, f. 27.
27. Muhamed Gazali, po aty, f. 27-28.
28. Muhamed Gazali, po aty, f. 28.
29. Muhamed Gazali, po aty, f. 30-31.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi