Kurani zbulon edhe të ardhmen, e jo vetëm të shkuarën

Kurani nuk mund t'i atribuohet kujt tjetër veç Allahut. I gjithë informacioni në Kuran ka origjinë hyjnore. Informacioni në Kuranin fisnik është një problem për jomyslimanët. Ai kërkon që ata ta studiojnë atë. Natyrisht që jomyslimanët do të kërkonin të gjenin prova kundër tij, por ata nuk mund të gjejnë(1)

Kurani kur flet nuk zbulon vetëm të kaluarën, por edhe të ardhmen. Një shembull befasues i asaj që zbulon Kurani i shenjtë për të ardhmen gjendet në vargjet e para të Sures Err-Rrum:
"1. Elif, Lam, Mim. 2, Bizantinët (rumët) u mundën, 3. në tokën më afër (tokës së arabëve), por pas disfatës së tyre, ata do të ngadhënjejnë, 4. brenda pak viteve (bid'i sinin). Çështja, është vendimi i Allahut, fillim e mbarim (për disfatë dhe për fitore). Dhe, atë ditë, (kur do të fitojnë bizantinët) besimtarët do të gëzohen, 5. për ndihmën e Allahut. Ai ndihmon atë që do dhe Ai është i Plotfuqishëm, Mëshirues. 6. (Ky është) Premtimi i Allahut, Allahu nuk e thyen premtimin e vet, por shumica e njerëzve nuk e dinë." (Err Rrum, 1-6)
Këto ajete u shpallën rreth vitit 620 e.s., pas humbjes së Perandorisë Bizantine nga persianët paganë. Ajetet tregojnë se bizantinët do të triumfonin mbi rivalin e tyre në një betejë tjetër të afërt me persët.(2)
Në vitin e tetë të dërgesës profetike, në afërsi të tokës arabe, iranianët i mundën bizantinët. Ua shembën qytetet, përparuan gjer në Konsantinopojë (Stamboll) dhe e detyruan perandorin bizantin t’ua paguante dëmshpërblim të rëndë.(3)
Persianët ishin adhurues të zjarrit, kurse bizantinët edhe pse me devijime ishin monotesit. Idhujtarët arabë ua mbanin krahun persianëve ngase ata nuk besonin në Një Zot e i urrenin si myslimanët ashtu edhe bizantinët e krishterë të asaj kohe. Ndërkaq, myslimanët i përkrahnin bizantinët si monoteistë.(4)
Idhujtarët mekas u gëzuan për disfatën e bizantinëve dhe rënien e Jerusalemit nën sundimin e iranianëve e konsideruan si një shenjë e mirë në luftën e tyre kundër myslimanëve, duke parashikuar fitore dhe triumf të tyre kundër myslimanëve. Ky ngadhënjim i iranianëve idhujtarë ishte i hidhët për myslimanët dhe i brengosi ata në lidhje me rrjedhën e ardhshme të ngjarjeve. Humbja e bizantinëve e mërziti edhe Pejgamberin a.s ..
Lidhur me këtë çështje, Allahu i Lartë zbriti ajetet në suren Err-Rrum. Kurani solli lajmin e gëzuar se bizantinët së shpejti do të korrnin fitore së cilës do t'i gazoheshin myslimanët. Pas kësaj i Dërguari i Allahut tha: "Pa dyshim, persët do të munden!”(5)
Ebu Bekri r.a., i cili e mësoi këtë lajm, vuri bast me idhujtarin Ubej bin Halefi me dhjetë deve, se, brenda tri vjetëve, bizantinët do t'i mundnin persët. Kjo ngjarje kishte ndodhur para se basti të ndalohej. Kur hz. Ebu Bekri r.a. e njoftoi Pejgamberin a.s. për këtë bast, ai i tha: "Fjala "bid'i" në ajet shpreh numrat mes treshit dhe nëntës. Prandaj shko dhe shtoje numrin e deveve dhe zgjate afatin!" Hz. Ebu Bekri r.a. shkoi dhe e zgjati afatin në nëntë vjet, kurse numrin e deveve e shtoi në njëqind. Premtimi u realizua. Bizantinët u shkaktuan iranianëve një disfatë të rëndë.(6)
Ajeti kuranor paralajmëronte diçka që ishte shumë vështirë të realizohej. Në fakt, duke parë disfatën e rëndë të bizantinëve, dukej gati e pamundur që shteti bizantin do të mbijetonte, jo më të fitonte. Jo vetëm persët, por edhe avarët, sllavët e lombardianët përbënin një kërcënim serioz për Perandorinë Bizantine, Avarët kishin arritur deri në muret e Kostandinopojës. Perandori bizantin, Herakliu, urdhëroi që ari dhe argjendi që gjendej në kisha të shkrihej dhe me to të bëheshin para për të përballuar shpenzimet e ushtrisë. Kur këto nuk mjaftuan, edhe statujat e bronzit u shkrinë për t'u kthyer në para.(7) Sikur të gjithë pritnin nga çasti në çast shkatërrimin e Perandorisë Bizantine. Pikërisht në ato momente u shpallën ajetet e para të sures Err- Rrum, të cilat thoshin se bizantinët do të triumfonin pas pak vitesh.
Shtatë vjet pas shpalljes së ajeteve të para të sures Er-Rum, në dhjetor të vitit 627 e.s., një betejë e përgjakshme u zhvillua ndërmjet ushtrisë bizantine dhe asaj perse në Niniveh. Ndodhi ajo që s'prirej; ushtria bizantine triumfoi mbi ushtrinë perse. Më në fund, "fitorja e bizantinëve" e shpallur në Kuran u bë realitet. Me ta marrë këtë lajm, Ebu Bekri r.a. mori nga Ubej bin Halefi njëqind devetë dhe ia çoi Pejgamberit a.s.. I Dërguari i Allahut i tha: "Këto ndajua të varfërve!" Dhe ai ua ndau të varfërve. Shumë nga politeistët mekas që e panë këtë mrekulli të Kuranit, u bënë myslimanë.(8)
Prandaj, kush i tha Muhamedit a.s. për betejën e Bizantit!? Ku e mori Muhamedi a.s. këtë guxim, prej nga ky vetëbesim?! A mund të jetë guxim i një njeriu të paditur, apo i një njeriu që zotëronte burim hyjnor?!
Sikur ky lajmërim i Kuranit të tregohej jo i saktë, pa kurrfarë dyshimi do të ishte lëkundur besimi në Kuranin dhe në Muhamedin a.s. dhe shumë do të kishin hequr dorë dhe do të humbnin besimin në fenë islame. Pse të rrezikonte Muhamedi a.s. gjithë mesazhin e tij me një lajm të tillë?! Nëse lajmi do të dilte jo i vërtetë, Pejgamberi a.s. do të humbte më shumë sesa që do të fitonte nëse lajmi tregohej i vërtetë.(9)
Si mund të shpjegoj më parashikimin kategorik dhe të besuar të fitores së popullit që kishte pësuar disfatë nga një popull fitues? Gjendja reale e thoshte të kundërtën. Muhamedi a.s, kishte parathënë një fitore definitive ushtarake, si ka mundur të dijë se do të ndodhë një gjë e tillë? A do të ishte e drejtë ta vendosnim në kuadër të parashikimeve që bëhen nga ana e strategëve dhe analistëve politikë? Shumë faktorë luajnë rol në fitoren ushtarake dhe edhe gabimi më i vogël në taktikë apo në llogaritje, mund të ndryshoj tërë kursin e betejës.
Prandaj nuk është reale që këtë parashikim ta analizojmë sipas pikëpamjeve materialiste apo të rastësisë. Filozofi En-Nadham mendon se mbinatyraliteti i Kuranit qëndron në të zbuluarit e të panjohurës nga ana e tij, p.sh. sikurse është rasti edhe me luftën e Bizantit.(10)
Kjo ishte një mrekulli tjetër e Kuranit dhe dëshmi e shpalljes dhe provë se Muhamedi a.s. është vërtet i Dërguari i Zotit.


______________________________
1. Gary Miller, Kurani i Mrekullueshëm (I), Dituria Islame, nr. 367, viti 34, Prishtinë, qershor 2021, Dhul Ka'de 1442, f. 42.
2. Muxhizatul El Kuranil Kerim El Ihbar anil mustekbel lntisar Er Rum El Bizantinijine alel Furs. https://article-2011.blogspot.com/2011/04/14523.html
3. Ahmed, I, 276, sipas Osman Nuri Topbash, Vargu i profetëve nën dritën e Kuranit, Hazreti Muhamed Mustafa, Shkodër, 2012, f. 328.
4. Kurani përkthim me komentim në gjuhën shqipe, shih komentin në f. 464 nga Sherif ef. Ahmeti.
5. Ahmedi, I, 276, sipas Osman Nuri Topbash, op. Cit. f. 328.
6. Osman Nuri Topbash, op. cit., f. 328.
7. https://kohaislame.com/fitorja-e-blzantit-ja-cfare-thote-kurani/(nuk ka autor).
8. Osman Nuri Topbash, Vargu i profetëve nën dritën e Kuranit, Hazreti Muhamed Mustafa, Shkodër, 2012, f. 328.
9. (Pa autor) Fitorja e romakëve, shih: http://www.quranmiracles.com/2011/03/fitorja-e-romakëve/
10. Malik ibën Nebih, Fenomeni kuranor, Prishtinë, 1419/1990, f. 6.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi