Besimtari kur vendos t'i drejtohet Allahut për falje, ai në kërkesën e tij duhet të jetë maksimalisht i vendosur, i sinqertë. Pendimin e sinqertë assesi nuk duhet kuptuar vetëm si veprim mekanik, veprim që mund të bëhet vetëm sa për sy e faqe.
Atë nuk duhet bërë me maje të gjuhës kinse po pendohesh. Ai duhet të bëhet si rezultat i ndjesisë shpirtërore, kur shpirtërisht ke nevojë t'i lutësh Zotit, Krijues për falje dhe moskthim në atë mëkat. Këtu rol të rëndësishëm ka ndërgjegjja e njeriut, e cila e ndjenë nevojën për pendesë. Ndjenja e fajësisë, ndjenja e mangësisë dhe e pafuqisë, të shtyjnë që t'i drejtohesh të Gjithëmëshirshmit për falje sepse je penduar sinqerisht. Pastaj, pendimi i sinqertë duhet të shoqërohet me vepra të mira sa më shumë që është e mundur: "Dhe vërtet që Unë jam Falës i Madh për atë që pendohet, beson (bindshëm në Allahun) dhe bënë vepra të mira e pastaj iu qëndron këtyre (deri në vdekje)."(1)
Veprat e mira të përmendura në këtë ajet të Kuranit, shkojnë përtej obligimeve themelore si namazi, agjërimi, zeqati, etj .. Ndër to hyjnë edhe: largimi nga të ndaluarat, përmendja e shpeshtë e Zotit, sjelljet e moralshme, durimi në vështirësi, kërkimfalja e shpeshtë, ndihma ndaj atyre që kanë nevojë, mirësjellja me atë që e njeh dhe atë që nuk e njeh, respektimi i më të vjetërve dhe mëshirimi ndaj fëmijëve e të ngjashme. Pas një gabimi të bërë, duhet nxituar për të bërë më shumë vepra të mira sepse veprat e mira i shlyejnë të këqijat. Në Kuran, është thënë: "Me të vërtetë që veprat e mira i largojnë veprat e këqija. Kjo është këshillë par ata që këshillë marrin. Dhe bënë durim se Allahu kurrë nuk e humb shpërblimin për mirëbërësit.”(2)
Lidhur me sa u tha më sipër, transmetojnë Ebu Dherr Xhundub bin Xhunadete dhe Ebu Abdurrahman Muadh bin Xhebeli r.a. se Pejgamberi a.s. kishte thënë: "Ke frikë Allahun kudo që të jesh, të keqën pasoje me të mirë se e fshinë atë, ndërkaq ndaj njerëzve sillu me edukatë."(3) Prandaj, Pejgamberi a.s. me një rast ka konstatuar: "Besimi-imani më i mirë është kur ta di se Allahu është me ty kah do që të shkon.”(4)
Kërkim falja dhe pendimi duhet t'i drejtohen Zotit të Gjithëmëshirshëm kur atë e ndjenë shpirtërisht. Kjo ka mundësi të bëhet në çdo kohë dhe jo se ka ndonjë rregull të posaçëm ose procedurë të veçantë. Megjithatë, edhe me këtë rast, si në çdo rast tjetër, e kemi obligim të përfillim udhëzimet e Pejgamberit a.s., i cili edhe për "teubei-istigfar'' na udhëzon:
Tregon Esmae bin Hakemi el, Fezarij(5) se ka thënë: kam dëgjuar Aliun se kishte thënë: kam qenë goxha burrë kur, nëse dëgjoja nga Pejgamberi a.s. ndonjë hadith, Allahu më bënte dobi aq sa më bënte, e nëse ndonjë hadith ma tregonte ndokush nga shokët e Pejgamberit a.s., i kërkoja të më betohej, e nëse betohej i besoja, një herë Ebu Bekri - i cili gjithmonë flet të drejtën, më dëftoi një hadith se e kishte dëgjuar Pejgamberin duke thënë: "Nëse dikush bënë ndonjë mëkat dhe pastaj merr abdes bukur, ngritët dhe i fal dy rekate namaz dhe kërkon falje nga Allahu, Allahu me siguri do ta falë atë", - pastaj lexoi këtë ajet të Kuranit: ajetin e 135 të sures Ali-Imran.(6)
Pra, një nga shenjat e imanit-besimit është edhe kërkim falja, pendimi, pishmanllëku, braktisja e mëkatit dhe vendosmëria për mos me e përsërit atë gabim.
Aliu r.a. tregon se nga Ebu Bekri r.a. kishte dëgjuar, e nga Ebu Bekri nuk ka kërkuar të betohet për saktësinë e hadithit sepse ai ka qenë i besueshëm, megjithëse kërkesën për betim e ka pas me qëllim bindjeje akoma më të madhe në saktësinë e hadithin e jo për t'i përgënjeshtruar as'habët e Pejgamberit, se Pejgamberi kishte thënë se nëse ndokush bënë një mëkat, të madh ose të vogël, ai duhet të merr mirë abdes, të çohet e t'i falë dy rekate namaz me nijet të pendimit nga mëkati i bërë, pastaj i kërkon falje Allahut për atë gabim, dhe është shpresë e madhe tek Allahu se pendesa e tij do të pranohet sepse "kush mund t'i falë gjynahet përveç Allahut?!" Kur njeriu pendohet duke i kërkuar falje Allahut dhe më nuk e përsërit atë gabim, kjo mbase është sinjal i pranimit të pendimit.
Mbështetur në parimet fondamentale të fesë islame mund të konstatojmë se nuk ka ndonjë mëkat që Allahu nuk e falë, e as mëkatar që Allahu t'ia mbyllë derën e pendimit për shkak të madhësisë së mëkatit të tij, sepse falja dhe amnistia e Allahut është shumë e gjerë dhe e madhe. Porta e pendimit është e hapur edhe për ata të cilët kanë bërë ndonjë mëkat që shkatërron nderin dhe dinjitetin njerëzor, të gjitha deri te pirja e alkoolit që konsiderohet nëna e të gjitha të këqijave. Portën e pendimit nuk mund ta mbyllë askush. Megjithatë, këtu e shoh të arsyeshme të bëjmë një dallim. Ata të cilët dhunojnë të drejtën e të tjerëve, ose edhe iu shkaktojnë dëm material të tjerëve, nëse do të pendohen nga ky mëkat, së pari duhet t'ua kthejnë të drejtën atyre që u takon dhe pastaj të kërkojnë falje. Kjo për faktin se këtu kemi të bëjmë me të drejtën e njeriut dhe kompetencën për faljen e saj Allahu ia ka dhënë vetë zotit të së drejtës. Pendimet do të pranohen, sepse Allahu sikur i çliron mëkatarët nga pesimizmi dhe humbja e shpresës kur thotë: "Kur ata të cilët besojnë në argumentet tona vinë te ti, thuaju: "Paqja qoftë mbi ju! Zoti juaj ia ka obliguar vetës Mëshirën. Nëse ndokush nga ju bënë ndonjë vepër të keqe pa e ditur e pastaj pendohet e përmirësohet, ai do ta gjejë Allahun Falës të Madh dhe Mëshirëplotë!"(7)
Prandaj, për gabimet karshi Krijuesit të Gjithëmëshirshëm, duhet drejtuar Atij për falje, gjithmonë duke shpresuar në pranimin nga ana e Krijuesit. Ndërkaq, për gabimet ndaj njerëzve, për shkaktimin e dëmeve ndaj njerëzve, për zullumin e shkaktuar ndaj tyre, ai duhet së pari t'ua mundësojë të njëjtëve që ta marrin hakun e tyre, e pastaj të kërkojë hallallëk nga ta. Kërkim falja, me këtë rast, duhet të jetë e çartë dhe konkrete, duke e theksuar qartë se përse bëhet fjalë dhe përse kërkon falje - hallallëk.
Si përfundim
Në përmbyllje të sa u tha më sipër, do ta përmendim faktin se pendimi jo se është i kushtëzuar me ndonjë kohë, vend apo ndonjë kusht tjetër. Po, Allahu i lavdëron ata që pendohen në kohën e agimit (Ali Imran, 17). Pejgamberi a.s. na ka njoftuar edhe me këtë: "Allahu xh.sh. çdo natë, pasi të kalojë një e treta e parë e natës, zbret në qiellin e dynjasë (pra e sheh me syrin e mëshirës) dhe thërret: “A ka ndonjë që më lutet e t'ia pranojë lutjen? A ka ndonjë që kërkon prej Meje e t'i përgjigjem kërkesës së tij? A ka ndonjë që më kërkon falje e Unë ta falë!”(8) Prandaj, mirë është që të shfrytëzohet çdo moment për t'u penduar, sepse vjen një moment tjetër kur edhe po të pendohesh, gjithçka është vonë. Kur njeriut i vjen shpirti në fyt, kur njeriut i afrohet vdekja, pendimi dhe kërkimfalja nuk pranohen, sepse është tepër vonë. Gjithashtu, "porta e teubes" do të jetë krejtësisht e mbyllur kur kiameti të jetë fare afër, atëherë kur dielli të lind nga perëndimi.
O njeri! Ti prore duhet ta kesh në hatër dhe kurrë të mos harrosh se sot, në këtë botë ke për të bërë punë e mbase mund të mos jep llogari, kurse nesër do japësh llogari ndonëse punë më nuk ke për të bërë. Prandaj, afrohu te Zoti me vepra të mira, kërko falje nga Ai dhe pendohu pareshtur, dhe kurrë mos harro se Zoti është Falës i Madh.
Pse, ti, o njeri nuk pendohesh sot sa nuk të është bërë vonë?!!!
Krejt në fund, siç e thamë edhe më sipër, për kërkimfaljen dhe pendesën nuk ka formë të caktuar. Mjafton që ti në shpirt me e ndje ndjenjën e pishmanllëkut, ndërgjegjja jote me ta kërkuar pendesën. Megjithatë, nëse dëshiron formë të përkryer të kërkimfaljes dhe pendesës, zgjidhe më të bukuren, më të mirën, atë që na ka mësuar më i dashuri i Allahut, zgjidhe formën më të lartë:
Bismil-lahirr-Rrahmanirr-Rrabim
Estagfirull-llahel- 'adhim.
All-llahumme ente rabbi la ilahe il-la ente halakteni ve ene 'abduke ve ene ala ahdike ve ve'adike mestet'atu. E'udhu bike min sherr-rri ma sanatu ebu-u leke binimetike alejje ve ebu-u leke fagfirli fe innehu la jagfirudh-dhunube il-la ente. Subhaneke inni kuntu minedh-dhalimin ve ente erhamurr-rrdhimin.
Me emrin e Allahut, të Gjithëmë-shirshmit, Mëshirëplotit!
Kërkoj falje nga Allahu i Madhërishëm. O Allah, Ti je Zoti im, nuk ka Zot përveç Teje, Ti më krijove e unë jam robi yt; do t'i qëndroj besnik besës dhe premtimit që të kam dhënë për aq sa do të mundem. Kërkoj mbrojtjen Tënde nga e keqja që kam bërë, unë jam mirënjohës për dhuntitë e Tua, i pranoj mëkatet e mia, prandaj më fal mua, sepse mëkatet nuk i fal askush përveç Teje. I lartësuar qofsh, unë vërtet kam qenë nga keqbërësit, e Ti je më Mëshiruesi i mëshiruesve.
Vëlla i dashur, përkujtoje sa ma shpesh edhe këtë udhëzim të Pejgamberit tonë - Muhamedit a.s.: "Zoti ynë gëzohet shumë më tepër për pendesën tuaj, se ç' gëzohet dikush që ka humbur diçka me vlerë dhe e gjen atë pikërisht atëherë kur e ka humbur shpresën se do ta gjejë."
Prandaj, nxito edhe ti e gëzoje Zotin!
_________
1. Taha, 82,
2. Hud, 114,
3. Transmeton Tlrmidhiu.
4. Transmetojnë Taberaniu dhe Ebu Nuajmi.
5. Në origjinalin në arabisht është El-Fezazij, ndonëse në shumë vende e hasa si El-Fezarij.
6. Transmeton Ebu Davudi.
7. EI-En'am, 54.
8. Transmeton Buhariu, kreu "Deavat-lutjet", nr. 14.