Mundësia e të menduarit e dallon njeriun nga qeniet e tjera, dhe kjo ka një efekt të thellë në jetën e tij. Të menduarit është një zotësi dhe një aktivitet i mendjes njerëzore.
Mendimi pozitiv ndaj vetes dhe shoqërisë është i rëndësishëm, sepse ai mundëson arritjen e qëllimeve të mëdha, që kanë një ndikim të fortë në modifikimin e sjelljes së individit.
Mendimi i mirë është një nga themelet e moralit Islam. Besimtari duhet të besojë në rezultate pozitive edhe në situata, kriza dhe sfida të vështira.
Islami nuk pranon që personi në lidhje me njerëzit e tjerë në shoqëri të ketë qëndrim dhe mendim negativ.
Hazreti Aliu thotë: “Mendimi i mirë është një nga cilësitë më të mira njerëzore dhe një nga dhuratat më të frytshme të Zotit”.
Në strukturën e personalitetit tonë si njerëz, mendimet kanë aq shumë fuqi saqë ato mund ta ndërtojnë ose ta rrënojnë atë. Prandaj, ne duhet të mësojmë që të kontrollojmë mendimet tona në mënyrë inteligjente, në mënyrë që të arrijmë suksese të mëdha në jetën tonë.
Psikologët thonë: “Njerëzit optimistë, që kanë një pamje pozitive për veten, për njerëzit e tjerë dhe të ardhmen, kanë më shumë qëllime, një motivim më të madh për avancimin. Ndjenjat e tyre pozitive zhvillojnë motivimin. Individët pesimistë, që kanë ndjenja negative për veten dhe botën rreth tyre, shohin vetëm dobësi dhe neglizhojnë anën pozitive. Ata zakonisht kanë një motivim të dobët, dhe pikërisht për këtë arsye ata nuk janë të suksesshëm në jetë.”
E keqja më e madhe që mund ta godasë njeriun është dëshpërimi dhe humbja e shpresës në raport me Zotin e tij. Allahu i madhërishëm i fton robërit e Tij që të mos humbin shpresën, duke thënë: “Thuaj: O robërit e mi që i keni bërë keq vetvetes, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i fal të gjitha mëkatet. Ai, me të vërtetë, është falës dhe mëshirues.” (Ez Zumer, 52).
Me zemërim dhe me mendim negativ nuk përfitohet dashuria. Pejgamberi a.s. na tregon se Allahu ka thënë: “Unë jam (bëj) siç më mendon robi Im Mua (se bëj)”.
Në mësimet islame, njerëzit që janë pesimistë, të dëshpëruar dhe mendojnë se jeta e tyre është e kotë, janë si ata që kanë mirësinë e shikimit dhe të dëgjimit, por nuk kanë syrin e brendshëm për të parë dhe për të njohur të vërtetën.
Nëse jemi të ngazëllyer, entuziastë, të mbushur me pasion, të lumtur, të kënaqur me caktimin e Zotit, mirënjohës dhe falënderues ndaj Tij, atëherë rrezatojmë energji pozitive. Nga ana tjetër, nëse jemi të mërzitur, të pakënaqur, mohues, të mbushur me ankth e stres, të zemëruar apo të trishtuar, atëherë rrezatojmë energji negative.
Nëse duam të jemi besimtarë të mirë, duhet ta dimë se duhet të harmonizojmë veprimet dhe mendimet tona me atë që kërkon feja jonë nga ne.
Ne nuk do të ndiejmë plotësisht kënaqësinë derisa të mos përmbushim atë që kërkon feja jonë në veprimet tona. Pakënaqësia e besimtarit me veten e tij është për aq sa veprimet e tij nuk janë në përputhje me besimin dhe fenë e tij.
Një besimtar i mirë do të thotë një person i dobishëm dhe me pozitivitet.