Selami është simbol i myslimanëve i trashëguar nga Pejgamberi s.a.v.s. dhe do të jetë përshëndetje e banorëve të Xhenetit
El-Bera bin Azib r.a. tregon dhe thotë: “Na ka urdhëruar Resulullahu s.a.v.s. për shtatë gjëra dhe na ka ndaluar nga shtatë të tjera. Na ka urdhëruar për përcjelljen e kufomës – xhenazes, vizitën e të sëmurit, përgjigjen ndaj ftesës, ndihmën ndaj viktimës, përmbushjen e betimit, kthimin e selamit, lutjen për atë që teshtin dhe na ka ndaluar nga enët e argjendta, nga bartja e arit (unaza), nga mëndafshi me llojet e tij (qofshin rroba, mbulesa, shtroje, këmisha).” Transmetuesi nuk e ka përmendur të shtatën e ajo është mbulesa prej mëndafshi e shalës së devesë.(1)
Kthimi i selamit (përshëndetjes)
Përshëndetja me selam krijon afërsi dhe dashuri ndaj njëri-tjetrit. Gjithashtu përshëndetja është shenjë e vëllazërisë dhe bashkëjetesës ndër komunitete. Shumica absolute e dijetarëve mendojnë se të filluarit me përshëndetjen e selamit është prej konditave të Sunetit, ndërsa kthimi i tij është prej konditave të vaxhibit (obligueshmërisë). Allahu xh.sh. thotë: “Kur ju përshëndetin me ndonjë përshëndetje, përgjigjuni me më të mirën prej saj ose kthejeni atë përshëndetje.” (En-Nisa, 86)
Forma më e mirë e kthimit të selamit është ve alejkumus-selamu
ve rahmetull-llahi ve berekatuhu (edhe me ju qofshin paqja, mëshira
dhe bereqeti i Allahut). Ibn Abdil Berri thotë se për këtë ka konsensus të dijetarëve. Kuptimi i vërtetë i kësaj është se ai që jep selam, bën lutje për atë që takon, kurse ai që e kthen dëshiron që edhe me të të jetë kujdesi dhe ruajtja e Allahut xh.sh.. Kush fillon i pari me selam është më i vlefshëm sipas hadithit: “Më i miri prej të dyve është ai që fillon i pari me selam.(2)
Duhet të jemi të kujdesshëm që gjithnjë para çdo fjale dhe shprehjeje të fillojmë me selam. Kjo shprehje nuk mund të zëvendësohet me shprehjet mirëdita, tungjatjeta, mirupafshim etj.. Selami nuk mund të kufizohet për vende të veçanta e as për njerëz të veçantë, siç është bërë traditë te ne vetëm në oborr të xhamisë dhe vetëm për njerëz të moshuar dhe të fesë. Ajo shprehje vlen për çdo vend dhe për të gjitha strukturat e shoqërisë. Selami është simbol i myslimanëve i trashëguar nga Pejgamberi s.a.v.s. dhe do të jetë përshëndetje e banorëve të Xhenetit. Allahu xh.sh. thotë: “Përshëndetja e tyre atje (në Xhenet) është selami.” (Junus, 10)
Duhet të jemi të vetëdijshëm për vlerën dhe pozitën e selamit, ndaj duhet ta ruajmë me fanatizëm dhe përkushtim.
Lutja për atë që teshtin
Ky është urdhri i fundit nga shtatë urdhrat që pasuan në porosinë e Resulullahut s.a.v.s..
Nga Enesi r.a. transmetohet se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: “Kur Ademit iu frymëzua shpirti (kur Allahu xh.sh. e krijoi) dhe kur i erdhi gjer te koka, teshtiu e tha: “Falënderimi i qoftë Allahut, Sunduesit të të gjitha botëve!”, për çka i Lartmadhërishmi tha: “Allahu të mëshiroftë!”(3)
Teshtitja është njëra prej mirësive të Allahut xh.sh., ndaj e meriton të thuhet falënderimi i takon vetëm Allahut. Teshtitja ndodh kur organizmi i
njeriut e në veçanti zemra, ka bllokadë funksionimi e me teshtije fillon riaktivizimi i organizmit dhe largimi i pasojave eventuale të mundshme për organizmin dhe jetën e njeriut.
Formulimin e tregoi Pejgamberi s.a.v.s. kur tha: “Vërtet personi që teshtin thotë: -El-hamdulilah, ndërsa personi që e dëgjon thotë: -Allahu të mëshiroftë. Personi që teshtin i përgjigjet: -Allahu të udhëzoftë dhe ta përmirësoftë gjendjen.”(4)
Kjo vlen për teshtitjen e besimtarit, ndërsa për jomyslimanin nuk kërkohet mëshirë, por vetëm udhëzim. Hebrenjtë vinin tek Resulullahu s.a.v.s. dhe teshtinin vetëm e vetëm që të përfitonin lutjen e tij për mëshirë tek Allahu xh.sh., por ai ia kthente vetëm me shprehjen jehdikumullah – “Allahu ju udhëzoftë”.
Tri herë është teshtitje, ndërsa më tepër se tri herë është flamë. Sipas malikive dhe dhahirive vendimi i lutjes ndaj atij që teshtin është vaxhib. Hanefitë dhe shumica e fukahave hanabilë thonë se është farz kifaje (nëse dikush e kryen, të tjerët shkarkohen nga ky vendim). Shafitë thonë se vendimi i saj është sunet kifaje. Sidoqoftë, lutja për
atë që teshtin është prej kulturës, edukatës dhe Traditës Profetike. Është edukatë e kuvendit (mexhlisit), që nuk duhet të anashkalohet.
Ndalesat në hadith
Pasi Resulullahu s.a.v.s. theksoi urdhëresat, ai vazhdoi duke përmendur edhe disa ndalesa. Në aspektin e numrit aq sa kishte cekur urdhëresa, po aq kishte cekur edhe ndalesa. “... na urdhëroi për shtatë gjëra dhe na ka ndaluar nga shtatë të tjera...”
Nga shtatë ndalesat tri janë kryesore: enët e argjendit, unaza e arit për meshkuj dhe mëndafshi me tri llojet e tij. Gjithashtu transmetuesi i hadithit kishte harruar një ndalesë, që në versionet e tjera përmendet të jetë mbulesa e mëndafshtë e shalës së devesë. Ndalesa është përqendruar tek mëndafshi natyral. Theksimi i tre llojeve të mëndafshit kuptohet si theksim i të veçantës pas asaj të përgjithshmes, që tregon për rëndësinë e madhe të vendimit të saj.
Enët e argjendta
Ndalesa për enët e argjendta ka ardhur në këtë hadith dhe në disa hadithe të tjera autentike. Ndalesa përfshin pirjen, ngrënien dhe përdorimin e enëve prej ari dhe argjendi, ngase përdorimi i tyre nënkupton luks të tepruar dhe shpie në mendjemadhësi. Resulullahu s.a.v.s. thotë: “Mos pini në enët e arit dhe të argjendit, e as mos hani ushqim në to, se vërtet ato enë në këtë botë janë për ata (jomyslimanët)(5) e për ne janë në botën e ahiretit.”(6)
Shumica absolute e dijetarëve bien dakord për ndalimin e enëve, lugëve thikave, tiganëve, tepsive dhe gjërave të tjera të ngjashme me to të cilat janë prej ari apo argjendi. Arin dhe argjendin nuk duhet ta fokusojmë në këto gjëra, pasi ato mund të përdoren për interes të përgjithshëm shoqëror, p.sh. për ndërtimin e shkollave, instituteve shkencore, spitaleve, ambulancave, rrugëve etj.. Në të njëjtën kohë luftojmë edhe varfërinë dhe ndërtojmë ardhmërinë e jetës së umetit tonë apo të shtetit ku jetojmë.
Unaza prej ari
Unaza prej ari është e ndaluar për meshkujt dhe jo për femrat. Këtë e bazojmë në hadithin: “Arin dhe mëndafshin e ka lejuar për femrat e umetit, ndërsa për meshkujt e saj e ka ndaluar.”(7)
Pejgamberi a.s. në gishtin e tij kishte vendosur një unazë prej argjendi dhe kishte gdhendur fjalët Muhamed Resulullah. Pas tij këtë unazë e kishin vendosur kalifët Ebu Bekri, pastaj Omeri, pastaj Othmani. Këtij të fundit i kishte rënë në pusin Urejs në Medinë, afër xhamisë Kuba. Pra, mbajtja e unazës prej argjendi është sunet i konfirmuar nga Pejgamberi s.a.v.s..
Mëndafshi
Kjo pjesë e hadithit tregon për ndalimin e mëndafshit me të gjitha llojet e tij dhe përzierjet e mundshme me lloje të tjera tekstili. Pra, është e ndaluar veshja e mëndafshit, shtroja, mbulesa, jastëku, jorgani e të ngjashme me to.
Resulullahu s.a.v.s. thotë: “Mos vishni gjëra të mëndafshta, kush e vesh në këtë botë, nuk ka për ta veshur në ahiret.”(8)
Edhe mëndafshi është mall luksi dhe i kushtueshëm, kështu që nuk duhet të përdoret për veshje, por për shitblerje në mënyrë që paraja e tij të jetë në qarkullim dhe të mbulojë nevojat e njerëzve. Për nevoja ekstreme mëndafshi mund të lejohet, ashtu siç ia kishte lejuar Pejgamberi s.a.v.s. Abdurrahman bin Avfit dhe Zubejrit për shkak të sëmundjes së lëkurës. Gjithashtu mund të lejohet me sasi të vogël, në masën e dy, tre dhe katër gishtërinjve. Ky hadith mund të konsiderohet prej haditheve enciklopedike për nga përmbajtja e gjërave shoqërore, udhëzimeve, normave dhe sjelljeve njerëzore në shoqëri.
______________
(1) “Sahihul Buhari”, vëll. III, fq. 112, nr. 1239; vëll. XI, fq. 18, nr. 6235; Muslimi nr. 5356. Ndalesën e shtatë, të cilën e ka harruar transmetuesi “el mithere – mbulesa e mëndafshtë e shalës së devesë” gjendet tek “Musnedi” i Ahmedit nga i njëjti transmetues, vëll. 37, fq. 488, nr. 17801.
(2) “Sahihul Buhari”, vëll. 19, fq. 253, nr. 5768; “Muvettau Malik”, vëll. V, fq. 394, nr. 1410.
(3) Ibni Sa’di, “Et-Tabekatul-kubra”, përmes Ibni Abbasit, vëll. I, fq. 9.
(4) “Sahihul Buhari”, nr. 6224.
(5) “Sahihul Buhari”, vëll. IX, fq. 554, nr. 5426.
(6) Theksimi në hadith se ari dhe argjendi për gjërat e pijes dhe ngrënies janë për jomyslimanët nuk tregon se ata e kanë të lejuar, por hadithi është informatë që tregon për gjendjen dhe veprimet e tyre në këtë botë, se ata i përdorin pa i pasur të lejuara.
(7) “Sunen En-Nesaij”, vëll. 15, fq. 396, nr. 5057.
(8) “Sahihul Buhari”, nr. 5834.