Prijësi i besimtarëve, Ebu Hafs Omer ibni Hatabi r.a., transmeton se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut të thotë: "Veprat vlerësohen sipas qëllimit dhe çdo person do të shpërblehet sipas qëllimit. Kush bën hixhret për Allahun dhe të Dërguarin e Tij, emigrimi i tij do të konsiderohet i tillë. Por, kush bën hixhret për të përfituar ndonjë mirësi të kësaj bote, apo për t'u martuar me ndonjë grua, emigrimi i tij do të vlerësohet sipas qëllimit që ka pasur."
Disa dijetarë preferuan që veprat e tyre t'i fillonin me këtë hadith. Një nga ata që e ka filluar librin me këtë hadith ka qenë edhe Imam el-Buhariu. Këta dijetarë i kanë këshilluar dijetarët e tjerë që librat e tyre t'i fillonin me këtë hadith, për t’i paralajmëruar studiuesit që ta kishin parasysh nijetin.
Dijetarë të mëdhenj, si Ahmed ibën Hanbeli, Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe Darekutni, kanë thënë se nga ky hadith mund të mësojmë një të tretën e fesë. Ndërsa Imam Shafiu ka theksuar se ky hadith ka lidhje me shtatëdhjetë tema të ndryshme të fesë dhe, për këtë arsye, ai vlerëson se duhet të konsiderohet si gjysma e diturisë fetare.
Në hadith na tregohet se nëse një person emigron vetëm për të fituar kënaqësinë e Allahut dhe të Pejgamberit a.s., pa pasur asnjë qëllim tjetër përfitimi, hixhreti i atij personi është i pranuar. Mirëpo, kush bën hixhret jo për hir të Allahut, por me qëllimin qëtë arrijë përfitime materiale, ose të martohet me ndonjë grua, migrimi i tij nuk pranohet dhe ai nuk fiton asnjë shpërblim.
Veprat bëhen ose me zemër, ose me gjuhë, ose me gjymtyrë të tjera. Vepra të zemrës janë qëllimet dhe mendimet tona. Te gjuhës janë fjalët, kurse veprat që i bëjmë me pjesët e tjera të trupit janë punët dhe sjelljet tona.
Hadithi i lartpërmendur ngërthen veprat e zemrës, ngaqë qëllimi i përket zemrës. Fjalët dhe sjelljet shpesh janë të lidhura me qëllimin. Qëllimi i mirë edhe veprën e rëndomtë e shndërron në vepër adhurimi.
Hadithi sqaron se, për t'u pranuar dhe për të fiuar shpërblimin nga Allahu një ibadet apo vepër e mirë dhe e dobishme, është kusht që ai adhurim dhe shërbim i mirë të bëhet sinqerisht dhe me qëllim për të fituar kënaqësinë e Tij.
Ajo që i jep vlerë veprave tona tek Allahu është qëllimi ynë, pra bërja e tyre me emrin e Tij dhe për të fituar kënaqësinë e Tij. Edhe ibadetet, sikurse janë falja e namazit, agjërimi etj:, nëse kryhen sa për sy e faqe, pra për të marrë lavdërime nga njerëzit, jo vetëm që nuk pranohen te Zoti, por një gjë e tillë është mëkat i madh.
Punët dhe adhurimet që bëhen për të fituar vlerësimin dhe admirimin e njerëzve nuk kanë asnjë vlerë tele Allahu. Pejgamberi a.s. ka treguar se në Ditën e Gjykimit, në filtim do të merret në gjykim shehidi. Kur Allahu e pyet atë se çfarë ka bërë, ai do të përgjigjet: "Kam luftuar dhe kam rënë dëshmor për Ty o Zot!" Allahu i Madhëruar do t'i thotë: "Gënjen. 'Ti luftove që njerëzit të thonë sa trim që je!" Pastaj personi hidhet me fyltyrë përmbys në Xhehenem. Më pas, do të sillet një person që ka marrë dije, ua ka mësuar ato të tjerëve dhe ka lexuar shumë Kuran. Edhe ky do të pyetet se çfarë ka bërë, e ai do të përgjigjet: "Mora dituri, ia mësova atë të tjerëve dhe lexova Kuran për të fituar kënaqësinë Tënde, o Zot!” Mirëpo, Allahu i Madhëruar do t'i thotë: "Gënjen! Ti mësove dituri që njerëzit të të thonë dijetar dhe lexove Kuran që njerëzit të thonë sa bukur lexon! E në fakt, ashtu thanë." Pastaj, edhe ky hidhet me fytyrë përmbys në Xhehenem. Në vazhdim të hadithit tregohet se para Allahut do të sillet edhe një i pasur, i cili do të thotë se e ka shpenzuar pasurinë për hir të Allahut. Por, edhe atij do t’i thuhet: "Ti e ke shpenzuar pasurinë që njerëzit të thonë se je bujar!" Prandaj, edhe ai do të hidhet me fytyrë përmbys në Xhehenem. (Muslimi)
Nga ky hadith dhe nga hadithi i mësipërm kuptojmë se veprat që janë ibadet nëse nuk bëhen për hir të Allahut nuk kanë kurrfarë vlere. Ndërkaq vepra të tjera, ndonëse nuk janë vepra adhurimi, mund të shndërrohen në ibadete dhe të shpërblehen në saje të qëllimit të mirë.
Allahu thotë: "Atij që dëshiron shpërblim në jetën tjetër; Ne do t'ia shtojmë atë. Ndërsa atij që dëshiron shpërblim në këtë jetë, Ne do t'i japim pjesë prej saj, por ai nuk do të ketë pjesë në jetën tjetër. " (Esh-Shura, 20).
Pra, për të fituar sevape nga veprat duhet që ato të bëhen për hir të Allahut. Uroj që puna ime si kryeredaktor i revistës "Diturisë Islame" përgjatë gjashtë vjetëve të jetë sebep i fitimit të razisë së Allahut xh.sh ..