Të gjithë myslimanët në zemrat e tyre kultivojnë dashurinë ndaj Mekës, dhe ëndërrojnë të shkojnë në gjirin e saj mikpritës, Nënës së qyteteve. Ata, nga të gjitha skajet e botës, ia mësyjnë asaj, sepse shkuarja atje është qëllimi, destinimi dhe fundi i të gjitha udhëtimeve. Meka është zemra e universit islam, ngase në qendrën e saj është Qabeja, faltorja e parë e ndërtuar në Tokë, në të cilën madhërohet e adhurohet Allahu, Zoti i vetëm dhe i vërtetë: “Shtëpia (xhamia) e parë e ndërtuar për njerëz është ajo në Bekë (Meke), e dobishme, udhërrëfyese për mbarë njerëzimin.” (Ali Imran, 96)
Qabeja, me brendinë e saj të zbrazët nga çfarëdolloj idhujtarie, pa figura, statuja, afreske apo piktura murale, ofron një atmosferë dhe ambient shpirtëror që besimtarit ia mundëson të zbrazë zemrën e tij nga çdo gjë tjetër, dhe të kujtojë e adhurojë vetëm Zotin, të Padukshmin. Aty nuk dëgjohet asgjë tjetër pos lutjeve të besimtarëve, që gumëzhijnë si bletët.
Duke shkuar në Qabe, ne kthehemi drejt Zotit. Dëshmimin dhe pranimin që ia kanë bërë shpirtrat tanë Allahut për Zot, me “kalu bela”, ne e shprehim dhe e manifestojmë me forma të ndryshme. Prandaj, shkuarja në Qabe do të thotë lirim nga prangat që e ngushtojnë shpirtin tonë, dhe me këtë ia mundësojmë atij që pa pengesë të përkujtojë premtiminfmithakun e dhënë.
Qabeja ka formën e kubit, prandaj ajo edhe quhet me emrin Kaba, që në gjuhën arabe do të thotë kub. Ajo ka dimensione që, sipas konceptit pitagorian të harmonisë, janë reciprokisht në lidhje harmonike.
Qabeja ka domethënie me rëndësi kozmike, e madje edhe metakozmike. Ajo mban harmoninë kozmike. Katër qoshet e saj tregojnë për katër drejtimet kryesore që paraqesin katër shtyllat e kozmosit tradicional. Prandaj të jesh aty do të thotë të jesh në qendër.
Qabeja është qendra e aspiratave dhe dëshirave tona. Të gjitha mihrabet e xhamive të botës janë të drejtuara në drejtim të saj, dhe janë të lidhura me një linjë të padukshme me të. Qabeja në tokë gjendet nën Qabenë (Bejtul Mamur) që gjendet në qiell, pra ajo qëndron në boshtin që bashkon qiellin dhe Tokën.
Sipas një transmetimi, Allahu i Madhërishëm ka ndërtuar Bejtul Mamur nën Arsh, dhe ika urdhëruar melaqet që të bëjnë tavaf rreth saj. Pastaj, Allahu i ka urdhëruar melaqet që gjendeshin në tokë që të ndërtojnë një faltore të ngjashme me faltoren e qiellit, dhe të bëjnë tavaf rreth saj, sikurse bënin tavaf banorët e qiellit rreth Bejtul Mamurit.
Meleqet kanë ndërtuar Qabenë me mijëra vjet para se të krijohej Ademi a.s. Kur Ademi, pas një kohe që ka kaluar në xhenet, është zbritur në Tokë, meleqet i kanë thënë: “Bëj tavaf rreth kësaj faltore, sepse ne jemi duke bërë tavaf në të qe 2000 vjet. Ademi i ka dëgjuar melaqet, dhe ka filluar të bëjë tavaf. Këtë e kanë bërë edhe pasardhësit e tij, deri në kohën e Nuhut a.s.
Në kohën e Nuhut a.s., kur është përmbytur toka, Qabeja është ngritur në qiell. Ajo është ruajtur nga përmbytja. Më pas është rindërtuar nga Ibrahimi - babai i besimit, ndërsa me ardhjen e Muhamedit a.s., është pastruar përfundimisht nga të gjithë idhujt.
Në një rast Pejgamberi i pyeti sahabët: “A e dini ç'është El Bejtul Mamur (faltorja qiellore e banuar dendësisht)?” Sahabët u përgjigjen: “Këtë e di më mirë Allahu dhe Pejgamberi i Tij”. Pejgamberi a.s. u tha: “Ajo është shtëpia në qiellin e shtatë (nën Arsh), e cila gjendet saktësisht përmbi Qabe. Çdo ditë në të hyjnë 70 mijë melaqe, dhe nuk kthehen më.”
Në drejtim të Qabesë lirohen energji të mëdha shpirtërore nga miliona besimtarë, ditë e natë, gjatë faljes në namaz. Prandaj, ajo është qendër tërheqjeje, ku graviton e gjithë forca shpirtërore e besimtarëve, dhe më pas ajo e shpërndan atë energji në formë të valëve magnetike në të gjitha anët, fuqia e së cilës ndihet deri në skajet më të largëta të botës myslimane.
Qabeja është epiqendra shpirtërore, morale, fetare e hapësinore e fesë islame, dhe atdheu shpirtëror i çdo myslimani. Në drejtim të saj ndërtohen mihrabët e të gjitha xhamive, dhe gjatë faljes kthehen fytyrat e gjithë myslimanëve të botës. Në drejtim të saj kthehen jo vetëm fytyrat dhe kraharorët, por edhe zemrat, shpirtrat, mendjet dhe mendimet tona.
“Shtëpia (xhamia) e parë e ndërtuar për njerëz është ajo në Bekë (Meke), e dobishme, udhërrëfyese për mbarë njerëzimin.” (Ali Imran, 96)