Kultura e polemikës, debatit dhe dialogut në artin e thirrjes islame

Kultura e polemikës, debatit dhe dialogut në fushën e daves duhet të karakterizohet me nivel të lartë të karakteristikave kulturore dhe dëshirës për të ardhur deri te përfitimi me debatuesin dhe pjesëmarrësit e tjerë në këtë tryezë debati, në mënyrë që të arrihet deri tek e vërteta dhe çdo gjë që sillet rreth saj, duke flakur tutje çdo gjë që shëmton debatin dhe që paraqet mendjemadhësi.
Prej elementeve qenësore për një besimtar që duhet të zotëroj në kulturën e debatit mbetet fakti se ajo duhet të jetë e ndërtuar mbi fjalën e bukur dhe udhërrëfyese në shërbim të së vërtetës dhe sqarimit të saj dhe heqjen e gjitha të kotave.
“A nuk ke kuptuar se si Allahu bëri shembull fjalën e mirë si pema e mirë që rrënjët e saj janë thellë (në tokë) e degët e saj janë lart. E që me vullnetin e Zotit, ajo e jep frytin e vet në çdo kohë. Allahu, pra u parashtron njerëzve shembuj ashtu që ata të mendojnë. Dhe shembulli i fjalës së keqe si një pemë e keqe që është shkulur mbi tokë e që nuk ka të qëndruar.” (Ibrahim, 24-26).
Fjala e mirë te besimtari dhe thirrësi në komunikimin e Islamit është atribut që e shoqëron dhe nuk shmanget nga ajo assesi. Ja se si e paraqet Allahu këtë aspekt në Kuranin famëlartë: “(Robërit e Zotit janë) Edhe ata që nuk dëshmojnë rrejshëm dhe kur (rastësisht) kalojnë pranë së keqes, kalojnë duke e ruajtur karakterin e vet.” (El-Furkan, 72).
Po ashtu në kuadër të dialogut, është edhe të folurit me saktësi dhe precizitet, duke u mbështetur dhe ofruar argumente të qarta dhe të qëndrueshme, siç na rikujton edhe Allahu xh.sh.: “Mos iu qas asaj për të cilën nuk ke njohuri, pse të dëgjuarit, të parët dhe zemra, për të gjitha këto ka përgjegjësi.” (El-Isra, 36).
Po ashtu, si pjesë përbërëse e debatit, polemikës është edhe qartësia dhe respekti ndaj pjesëmarrësve në debat si edhe dëgjuesve (masës), siç na e kujton edhe Muhamedi a.s.: “Të folurit e Muhamedit a.s. ishte i
qartë, kushdo që e dëgjonte e kuptonte.”(1)
Po ashtu, gjatë zhvillimit të debatit, polemikës etj., opinionet duhet të kenë mbështetje në tekstet fetare (Kuran dhe hadith), sepse kjo do të krijonte një ekuilibër të çështjeve, siç thotë i Lartësuari: “O besimtarë, mos bëni asgjë para (se të orientoheni në udhëzimet e) Zotit dhe të dërguarit të Tij, keni kujdes Allahun, se me të vërtetë Allahu i dëgjon të gjitha dhe i di të gjitha." (El-Huxhurat, 1); “O ju që besuat, nënshtrojuni Allahut, dhe nënshtrojuni të dërguarit dhe përgjegjësve nga ju. Nëse nuk pajtoheni për ndonjë çështje, drejtojuni Allahut dhe të Dërguarit po qe se i besoni Allahut dhe ditës së fundit. Kjo është më e dobishmja dhe përfundimi më i mirë.” (En-Nisa, 59).
Po ashtu, mësimet islame na mësojnë që gjatë zhvillimit të debateve e polemikave të ndryshme të reflektojmë dhe të rrezatojmë pjekuri e mos të shfaqim ndjenja zemërimi e hidhërimi. Në Kuran thuhet: “Ti ishe i butë ndaj atyre, ngase Allahu të dhuroi mëshirë, e sikur të ishe i vrazhdë e zemër fortë, ata do shkapërderdheshin prej teje, andaj ti falu atyre dhe kërko ndjesë për ta, e konsultohu me ta në të gjitha çështjet, e kur të vendosësh, atëherë mbështetu në Allahun, se Allahu i do ata që mbështeten.” (Ali
Imran158–159); “..dhe polemizo me ata (kundërshtarët) me atë mënyrë që është më e mira.” (En-Nahl, 125).
Po ashtu në këtë kuadër duhet të krijohet edhe atmosfera për diskutim, ku duhet të zotërojë siguria dhe qetësia, që të zhvillohet në atmosferë të përshtatshme e assesi nën formën e kërcënimit e dhunimit.(2)
Të pranosh gabimin dhe t’i kthehesh së vërtetës, është më e mirë tek Allahu dhe te njerëzit, sesa të vazhdosh në të shtrembëtën. Shumë prej njerëzve mendojnë se po të zmbrapsesh nga një qëndrim i gabuar është mangësi dhe ulje e pozitës, të ulet autoriteti dhe të humbet besimin te njerëzit! Në të vërtetë, e kundërta është e saktë. Çdo njeri që kthehet tek e vërteta, Allahu e ngre dhe ia lartëson vlerën. Në polemika e debate mos të jetë për qëllim thjesht triumfi ndaj kundërshtarit si njeri, por qëllimi duhet të jetë udhëzimi i tij.
Nëse është e pamundur, atëherë është e lejueshme që qëllimi të jetë thyerja e kundërshtarit, që njerëzit të mos bien pre e tij dhe të pavërtetës që mbart. Duhet të mbizotërojë butësia dhe dashamirësia në stil edhe nëse kemi të bëjmë me një debat, edhe nëse kemi të bëjmë me kundërshtarin më armiqësor. Debatuesi duhet të jetë i ditur në përgjithësi dhe në veçanti për temën e debatit. Të ketë dhuntinë e debatit dhe të arrijë të perceptojë psikologjinë e kundërshtarit dhe të njerëzve që e dëgjojnë.
Debati është një nga artet më madhështore në thirrjen për tek Allahu dhe kërkon një specifikë më të lartë sesa dija. Jo çdo dijetar është i aftë për debat, sepse debati ka mënyra hyrjeje dhe daljeje, përshkallëzime, tërheqje dhe situata nga më të vështirat.

Brezat e parë u ruajtën nga polemikat devijuese

Dy janë arsyet kryesore se pse tre brezat e parë u ruajtën nga devijimi në besim, ndërsa jo pak nga aktorët e brezave të mëvonshëm ranë pre e polemikave dhe debateve devijante:
1- Ata e kuptuan se besimi është rruga e tyre drejt Allahut dhe se kjo rrugë duhet të ndriçohet domosdoshmërish me anë të njohjes së drejtë të Tij. Për sakaq nuk e panë besimin si temë polemikash dhe debatesh akademike, siç theksuam edhe më sipër.
2- Përqendrimi te mesazhi i argumenteve kuranore dhe profetike, që flasin për cilësitë dhe emrat e Allahut të Madhëruar, dhe jo te domethëniet e tyre sipërfaqësore.
Ata, veç njohjes së drejtë të Allahut të Madhëruar si Qenie pa fund dhe i Përsosur, kishin kuptuar mirë se Allahut nuk i ngjason askush e asgjë. Ajeti kuranor: “Si Allahu nuk është asgjë dhe Ai është Dëgjues dhe Shikues”(23), ishte orientuesi kryesor i qasjes së tyre ndaj ajeteve dhe haditheve që flasin rreth emrave dhe cilësive të Allahut të Madhërishëm. E kështu ata nuk e patën fare të nevojshme të ndalen te hijet kuptimore që mund të lëshonte domethënia sipërfaqësore e termave të këtyre ajeteve dhe haditheve por shkuan menjëherë te mesazhi që këto ajete dhe hadithe mbartnin për këta breza dhe për të gjithë brezat deri në Ditën e Kiametit.(3)
Debati i ngjan një beteje, ka sulme, manovra, tërheqje taktike dhe në fund ngadhënjim dhe fitore ose humbje e dështim. Për asnjë çast debatuesi nuk duhet ta largojë vëmendjen nga ata që e dëgjojnë, sepse ata janë pikësynimi. Ai duhet ta dijë se çdo fjalë, shenjë apo lëvizje është në llogari të tij. Prandaj, debatin nuk janë në gjendje ta zhvillojnë, veçse njerëzit që Allahu u ka dhuruar këtë art, ua ka bërë të lehtë. Kushdo që vihet para tij dhe nuk është i kualifikuar, të mos hyjë në të.
Debatuesi duhet të këshillohet me vëllezërit e tij besimtarë dhe ata duhet t’i thonë të vërtetën. Nëse e këshillojnë që të mos hyjë në debat, ai duhet ta pranojë dhe të mos bëjë çfarë i thotë koka e vet. Të tërhiqesh, është më mirë sesa të dështosh, sepse kjo ka një ndikim të madh në thirrjen islame. Po ashtu pikë interesante në debate është edhe fakti që mos dalë nga pika e diskutimit dhe as nga referimi i tij, sado që kundërshtari të mundohet ta tërheqë apo ta nxjerrë prej andej. Fitimi i zemrave është më parësor sesa fitimi ndaj kundërshtarit, veçse nëse ka të bëjë me të vërtetën dhe të shtrembëtën.(4)
Prej gjërave që mund të konsiderohen nga ky lloj debati, është edhe marrja me çështjet e diskutueshme mes dijetarëve për të cilat nuk ka pasur një mendim të prerë asnjëherë, ngushtimi i zemrave për shkak të tyre, duke mbajtur anën e ndonjë mendimi dhe duke u përpjekur që të hedhë poshtë mendimet e tjera, duke u shpallur luftë, duke ndërmarrë sulme dhe duke zhvilluar “beteja” rreth tyre edhe pse dihet se një gjë e tillë ka ekzistuar që në kohën e brezave të parë, që kanë qenë edhe brezat më të mirë të këtij ymeti.
Mendjet dhe zemrat e tyre u treguan të gjera për t’i pranuar këto ndryshime dhe nuk kanë ndjerë ngushtim për njëri-tjetrin dhe as që janë përpjekur ndonjëherë që ta shuajnë këtë debat, ashtu siç mundohen të bëjnë sot disa besimtarë të kohës tonë. Ata jo vetëm që e pranuan njëri-tjetrin, por edhe faleshin pas njëri-tjetrit dhe jetuan me mirësinë e Allahut xh.sh., si vëllezër, siç i kishte urdhëruar Allahu xh.sh..
Në qoftë se Allahu xh.sh., do të kishte dëshiruar që njerëzit të bashkoheshin në një mendim të vetëm, atëherë do t’i kishte zbritur të gjitha ajetet e Kuranit të qarta dhe që të pranonin një komentim të vetëm. Po kështu do të kishte bërë që të gjitha argumentet e fesë të ishin të prera si në sigurinë e transmetimit dhe në domethënie dhe nuk do të kishte vend për ixhtihad dhe ndryshim mendimesh. Pikërisht për këtë, njerëzit do të vazhdojnë që të kenë mendime të ndryshme për çdo gjë që nuk është e prerë në çështjet e fesë, që nuk është pak, por shumica e saj. Po ashtu edhe dijetarët e thelluar në dituri do të vazhdojnë të marrin mendime që i konsiderojnë si më të arsyeshme, pa mohuar mendimet e të tjerëve që kanë përzgjedhur, mendime që bien në kundërshtim me atë që kanë zgjedhur ata, pasi kanë të njëjtën të drejtë.
Kështu, nuk i lejohet një myslimani që të braktisë mendimin e tij për të cilin është i bindur se është i saktë, për mendimin e dikujt tjetër kushdo qoftë, sepse ai është përgjegjës paraAllahut xh.sh., për mendimin dhe përpjekjen e tij me të cilin e adhuron Allahun xh.sh.. Askush prej nesh nukduhet që të përpiqet, edhe sikur të jetë i sinqertë për atë që kërkon të bëjë, të heqë mendimet e ndryshme në shkencë dhe në jurisprudencën islame, sepse përpjekja e tij vetëm se do ta shtojë debatin dhe do ta zgjerojë rrethin e tij. Atyre që përpiqen të pengojnë qe njerëzit të ndjekin medhhebet në të gjitha nivelet u kam thënë se ata nuk po bëjnë gjë tjetër vetëm se po u shtojnë methhebeve të vjetër edhe një tjetër të ri.(5)
Që debati dhe dialogu të japin frytin e tyre në mënyrën më pozitive dhe që dialogu të mos jetë një bisedë e shurdhër, duhet që të respektohen kushtet dhe etika e mëposhtme. Disa prej tyre kanë të bëjnë me boshtet e dialogut dhe disa për të mbajtur nën kontroll polemikën. E para, boshti kryesor i polemikës duhet të jetë mbrojtja e fesë dhe e bazave të saj të përgjithshme përballë jomyslimanëve dhe jo futja nëpër degëzime e hollësira. Po ashtu, qëllimi përballë myslimanëve të devijuar duhet të jetë mbrojtja e udhës së Kuranit, Sunetit dhe metodologjisë së të parëve dhe jo mbrojtja e klaneve, partive të lindura dje apo sot, e sekteve dhe tarikateve të shpikura apo e çështjeve personale.
Po ashtu myslimani nuk duhet të debatojë me jomyslimanët për çështje delikate e të paqarta, por vetëm për çka është e domosdoshme dhe e pashmangshme, madje edhe kjo kur provokohet, e prish imazhin e Islamit ose bëhet pengesë për futjen në të. Me grupet e humbura nuk debatohet për çështje dytësore të fesë apo për çështje opinionesh, por për çështje madhore, për bazat dhe themelet e fesë. Nuk debatohet me jomyslimanët për numrin e faljeve, të divorceve, të gurëve në haxh, mbulesën e gruas, etj.. Është një gafë e madhe të polemizosh me dikë që nuk beson tek Allahu për ligjet e Tij.
Po në këtë rrafsh, debati nuk duhet zhvillohet në prani të njerëzve të thjeshtë, që të mos u futen dyshime apo të dobësohet në sytë e tyre e vërteta. Debati përpara njerëzve të thjeshtë ka shumë anë negative, për shembull, ata mund të dëgjojnë gjëra të paqarta, dilema për ato që besojnë apo mund të sprovohen nga të pavërtetat dhe besimet e të tjerëve. Njerëzit e thjeshtë janë emocionalë dhe ndikohen nga fjalët e bukura. Ata nuk janë njerëz të meditimit, argumenteve dhe mund të rastisë që mbrojtësi i së vërtetës të jetë i dobët, nuk di të përgjigjet ose edhe i fortë, por nuk di të sqarojë gjërat dhe kështu njerëzit bien në dilema, u lëkundet besimi dhe i lënë terren të pavërtetës.
Po ashtu duhet të përcaktohet pika e diskutimit para se të fillojë debati, të përcaktohet referimi para se të fillojë debati si dhe koha. Kurse për debatuesin janë disa këshilla që duhet ndjekur dhe përmbajtur:
1. Sinqeriteti - Qëllimi duhet të jetë vetëm për hir të Zotit, mbërritja tek e vërteta dhe thirrja për tek ajo. Tregohet se imam Shafiu ka thënë: “Sa herë që kam debatuar me ndonjë, gjithmonë kam dëshiruar që Allahu ta shfaqë të vërtetën në duart e tij.” Dhe urtësia e kësaj fjale, siç thotë El-Bejheki, është: “Të mos e përbuz pranimin e së vërtetës qoftë edhe nga kundërshtari...”
2. Të mos e shtyjë pozicioni në të cilin ndodhet, në refuzimin e së vërtetës apo në mospranimin e gabimit dhe në thënien e gënjeshtrës.
3. Të zotëroj dije të mjaftueshme nga lëmi fetar dhe ai shkencor në përballje me debatet e ndryshme.
4. Për çdo mospajtim rreth ndonjë çështje, patjetër që duhet referuar Librit të Zotit si dhe Sunetit të Muhamedit a.s.. Në lidhje me këtë duhet t’i kujtoj fjalën e Krijuesit tonë që thotë: “Nëse nuk pajtoheni për ndonjë çështje, drejtojuni Allahut dhe të Dërguarit.” (En-Nisa, 59).
5. T’iu japë përparësi teksteve dhe argumenteve fetare para atyre shkencore.
6. Të shfaqë sjellje dhe etikë të lartë islame gjatë debatit, duke respektuar të tjerët dhe mendimin ndryshe, si dhe duke mos akuzuar e ofenduar askënd duke përfshirë edhe talljen me të tjerët dhe nderin e tyre.
7. Objektivi yt duhet të jetë të shfaqsh të vërtetën dhe t’i bindësh të tjerët për të duke u larguar nga e kota (batili) dhe devijimi i njerëzve.
8. T’u jepet përparësi argumenteve më të rëndësishme në fillim përballë kundërshtarit.
9. Shmangu sa të mundesh nga stërzgjatja në të shprehur dhe përdorimi i zhargonit të panjohur fjalësh apo devijimit nga tema bosht.
10. Mos të kesh kundërthënie në fjalët tua apo argumentet që ofron si dëshmi.
11. Mos poshtërimi i palës kundërshtare në aspektin e ofrimit të argumenteve dhe gjithmonë duke respektuar kornizën e shëndosh në këtë fushë.
12. Të pranosh dhe të pajtohesh mbi çështjet që ka një ujdi për to dhe ta pranojnë rezultatin e debatit, përndryshe fryma e debatit ka kaluar si e kotë dhe është humbur energji e kohë kotë, dhe fetarisht e kemi të ndaluar të humbin kohën. Siç i ka kërkuar edhe Ibrahimi, mbretit Nemrud që ta sjell diellin nga perëndimi, pasi që Zoti vetëm se e sjell atë nga lindja, edhe pse ai nuk mundte të bënte një gjë të tillë. Shembuj të shumtë ka regjistruar Kurani me histori të Pejgamberëve që ua sollën argumentet e qarta por
popujt dhe paria i refuzonte ato.
13. Të ndalosh nga debati nëse ai shpien në sprovë, shkatërrim apo dëm që mund të prodhoj për thirrjen islame
14. T’i kushtosh rëndësi kushteve që ndërlidhen me debatin, duke patur parasysh personat, temën, kohën dhe vendin.(6)
15. Debatuesi të jetë psiqikisht i qetë dhe stabil.
16. Mos ta neglizhojë kundërshtarin duke e konsideruar atë të dobët dhe të ulët e pa ndikim, përndryshe do t’i dalë situata jashtë kontrollit në debat dhe të mundet.
17. Mos të mendon se kundërshtari është më i fortë se ai, ku si pasojë do t’i lidhej gjuha e dobësohej.
Megjithatë duke u kthyer në perspektiv të karakteristikave të kulturës së dialogut në periudhën e pejgamberisë nga ajo që u cek më parë, mund t’i përcaktojmë këto karakteristika të kulturës së dialogut që zhvillohej në periudhën e pejgamberisë:
1. Sahabët bënin përpjekje me mish me shpirt që të mos përçahen dhe nuk krijonin shumë probleme e definicione, por zgjidhnin çdo gjë brenda suazave të udhëzimit të Pejgamberit a.s., dhe zgjidhja e kontekstit, si zakonisht, pengonte shkaktimin e konfliktit apo përçarjes.
2. Në rast të paraqitjes së ndonjë mosmarrëveshjeje, shpejt i ktheheshin Kuranit dhe Pejgamberit a.s. dhe kështu gjendja menjëherë qetë- sohej.
3. Të gjithë ata menjëherë im nënshtroheshin dhe e respektonin vendimin e Zotit e të Pejgamberit a.s..
4. Muhamedi a.s. i korrigjonte në shumë raste që mund të komentoheshin, por paraprakisht çdonjëri pranonte se mendimi i tjetrit mund të jetë i vërtetë ashtu siç mund të jetë edhe i veti dhe kjo tolerancë mendimesh garantonte respektin e njeri-tjetrit dhe anulonte fanatizmin e njëanshëm.
5. Ata mbështeteshin në devotshmëri dhe i shmangeshin pasionit. Qëllimi i tyre i vetëm ishte e vërteta dhe askush nuk prekej se nga cila gojë do të thuhet ajo.
6. Të frymëzuar nga morali islam, ata përdornin fjalë të bukura, largoheshin nga fjalori arrogant dhe me vëmendje dëgjonin njëri-tjetrin.
7. Ata orvateshin që me përqendrim të plotë ta shqyrtojnë çështjen dhe kështu, ndaj çdo mendimi tregonin kujdes dhe respekt të posaçëm, gjë që e obligonte tjetrin ta pranojë mendimin apo të pranohej ai që ishte më i logjikshëm. Këto ishin karakteristikat me të cilat karakterizohej periudha e zbritjes së Mesazhit hyjnor.



1. Ebu Davudi.
2. Hamed Rekijt, Kadaja muasire fi mizani-l- islam,Dar ibn Hazm, Bejrut,1997, f.99- 100.
3. Sabaudin Jashari, Hartë e ligjërimit islam bashkëkohor tek shqiptarët, Ardhmëria, Tiranë, 2020, f. 7-58.
4. Adnan Alaaraur, Metodologjia e thirrjes islame në dritën e realitetit bashkëkohor, Tiranë, 2009, Tradita, f.273.
5. Jusuf Kardavi, Rizgjimi islam nga adoleshenca drejt pjekurisë, Shkup, 2007, Furkan, 63.
6. Abdurahim El-Magdavi, El usus el ilmije li menhexhi edda’veti el islmaije, Daru-l hadare lin-neshr vet-tevzi, bot.3, Riad,2018,f.732.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi