Hyrje
Në botëkuptimin religjioz islam, Islami është feja të cilën e shpalli Allahu i Madhërishëm për mbarë njerëzimin. Për muslimanët, Islami nuk është thjesht një sistem besimi dhe kulti, ose si të themi një sferë e jetës që dallon nga sferat e tjera të cilat kanë të bëjnë me autoritetet jofetare që administrojnë ligje jofetare. Ai është vetë jeta në tërësinë e saj, dhe normat e tij përfshijnë elemente të së drejtës civile, penale, madje dhe atë që do ta quanim e drejtë kushtetuese.
Personaliteti i njeriut dhe ndërtimi i tij i shëndoshë, paraqesin boshtin qendror të mësimit islam, për atë, që të realizohen synimet parësore të këtij mësimi dhe platforme homogjene, Islami i caktoi objektiva të veta prioritare, lirimin e njeriut nga të gjitha prangat dhe ankthet që e katandisin të ardhmen e tij konform botëkuptimit burimor Islam. Së këndejmi, besimi Islam për njëshmërinë e Allahut-Teuhid dhe koncepti i robërimit dhe nënshtrimit të plotë vetëm Krijuesit të Madhërishëm, është tulla e parë thelbësore dhe më qenësore drejt ndërtimit të personalitetit të shëndoshë të njeriut, të lirë nga ankthet dhe nënshtrimi ndaj njerëzores përmes robërimit ndaj Krijuesit. Kjo, dhe mësimi islam këtë koncept të qartë dhe konstruktiv për prestigjin e njeriut, dinjitetin e tij dhe mbrojtjen e autoritetit të tij si qenie më të dalluar në sipërfaqen e tokës, e plotësoi përmes platformës së të drejtave të njeriut në Islam, të cilat burojnë pikërisht nga besimi i pastër mbi Njëshmërinë e Krijuesit-Teuhid, që në fakt është revolucion në planin intelektual, dhe largimin nga të këqijat e mos dorëzimin para epshit dhe pasioneve e lakmive të kësaj bote, që në fakt paraqesin revolucion në planin moral.
Termi “të drejtat e njeriut” nuk duket në asnjë shkrim të shenjtë. Kjo nuk është e çuditshme, sepse nga një pikëpamje fetare individët shihen si të krijuar, dhe të varur tërësisht nga Zoti. Çfarëdo të drejtash që kanë njerëzit ato janë akorduar nga Krijuesi i tyre… Është e lehtë që të provohet se të gjitha të drejtat e njeriut siç janë shprehur në marrëveshjet ndërkombëtare tashmë kanë qenë të garantuara nga Kur’ani 1400 vjet më parë. Kjo është e vërtetë si për Marrëveshjet e të drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara ashtu edhe për Këshillin e Evropës.
Po ashtu, mos theksimi i këtij nocioni në Kur’an, është kompatibil edhe me vetë natyrën e Kur’anit që gjërat t’i përmend të përgjithësuara pa u ndalur në detaje, ndërkaq të drejtat e njeriut, në raport me shpalljen hyjnore, janë një detaj i mbrojtjes së prestigjit dhe pozitës së njeriut, gjegjësisht mund të thuhet se janë një nga segmentet e udhëzimit të njeriut në atë që është e dobishme në këtë botë dhe në botën e ardhshme. Kur’ani për çështjet e ndryshme që e tangojnë njeriun, ka një qasje të përgjithshme dhe flet me metodën e formulave të përgjithshme të cilat shërbejnë për çdo kohë, vend dhe rrethana, për t’i zgjidhur problemet. Kjo qasje është prezente edhe për të drejtat e njeriut.
Teknikisht, Kur’ani i mbron të drejtat e njeriut me anë të deklarimeve vetvetore: Ndalimi i përgjithshëm për të vrarë mund të tregohet si të dhënit dikujt një të drejtë për të jetuar. E njëjta gjë është e vërtetë për nxjerrjen e të drejtave të pronës nga të ndaluarit e vjedhjes, dhe të drejtës të pjesëmarrjes politike nga urdhri i këshillimit.Shkollari i shquar musliman Adnan el-Hatib thotë: “Të drejtat e njeriut, të cilat sot janë të kërcënuara dhe për të cilat bëhet thirrje që të mbrohen dhe të respektohen, Islami i ka miratuar dhe promovuar që para 14 shekujsh, e me këtë ua ka tejkaluar qysh herët atyre të cilët folën për këtë çështje në shek. XVIII, shekull i cili u cilësua si shekull i të drejtave të njeriut. Islami i mbështeti, i konfirmoi dhe i ngriti mbi baza të fuqishme morale, shpirtërore dhe legjislative”.
Kur flitet për të drejtat e njeriut në Islam, duhet potencuar tre elemente qenësore të filozofisë së Islamit për të drejtat e njeriut, edhe atë si vijon:
1. BURIMI: Të drejtat e njeriut në botëkuptimin islam, nuk rrjedhin nga marrëveshjet e grupacioneve të ndryshme të njerëzve në kohë dhe rrethana të caktuara, e që si zakonisht janë rezultat i një kompromisi pas debateve të shumta në këtë fushë, por burimi i tyre është dituria e Allahut të madhërishëm, pra burimi i tyre është absolut, e jo relativ spekulativ. Burimet relevante Islame, Kur’ani dhe Suneti e shtruan në opinion platformën e të drejtave të njeriut karshi tentimeve tjera në këtë plan, e me këtë shihet qartë konstruktiviteti, gjithpërfshishmëria dhe stabiliteti i kësaj platforme karshi platformave tjera.
Burimi hyjnor i të drejtave të njeriut në islam, nënkupton edhe respektimin serioz të këtyre të drejtave, mosderogimin e tyre, sepse një veprim i këtillë do të thoshte derogim edhe i shpalljes së Allahut, gjë që nuk është në kompetenca të njeriut, garancia e plotë nga të gjitha faktorët për respektimin e tyre, e në veçanti nga pushteti, sepse shkelja e tyre do të thotë shkelje e fjalës Hyjnore dhe prekje në ingerencat e Allahut xh.sh. dhe sigurimin e një rrjedhe normale të tyre pa ndërhyrje dhe intervenime deformuese nga faktori njeri.
2. KORNIZAT LIGJORE: Bota bashkëkohore në të shumtën rasteve në emër të të drejtave të njeriut është duke bërë kërdi dhe krim të madh mbi njeriun dhe ardhmërinë e tij. Me fjalë tjera, në shumë shoqëri hasim thirrje për anarki dhe rrezikim serioz moral dhe biologjik të qenies njerëzore në emër të të drejtave të njeriut. Sot vërehet se kërkohet të legalizohet prostitucioni në emër të të drejtave t njeriut, të legalizohet dhuna, krimi apo të thënë shkurt të trashet e keqja dhe e liga që e injoron edhe natyra e pastër dhe e shëndoshë njerëzore, në emër të të drejtave të njeriut.
Nisur nga kjo, Islami nuk e la këtë çështje të hapur, të pa definuar dhe me boshllëqe për manipulime të natyrave të ndryshme të kobshme për vetë njeriut, por ai vuri korniza të qarta ligjore për fushën e të drejtave të njeriut dhe e definoi qartë këtë fushë duke mos konfuzion në përmbajtjen, zbatimin dhe fushën e shtrirjes së tyre. Mosprecizimi i këtillë i të drejtave të njeriut, shkakton dy të këqija të mëdha:anarkinë dhe despotizmin, që islamikisht janë të urryera dhe të papranueshme.
Për ta kuptuar më mirë, këtë fakt do ta ilustrojmë me një shembull:Islami ia njohu njeriut të drejtën e pronësisë, mirëpo këtë nuk e la absolutisht të lirë, por caktoi rregulla dhe dispozita përkitazi me fitimin dhe harxhimin e pasurisë. Pra, njeriu nuk mund të fut në pronë të vetë çdo pasuri, por ka pasuri të cilat ia ka të ndaluara t’i posedojë, si derri, alkooli, droga etj, po ashtu nuk është krejt i lirë edhe në mënyrën e fitimit të pasurisë, pra nuk mund të fitojë pasuri përmes mashtrimit në tregti, kamatës, ryshfetit apo më mirë thënë në mënyrë jo të ndershme. Po ashtu, Islami caktoi rregulla edhe për atë se ku harxhohet pasuria. Kështu, muslimani nuk mund ta harxhojë pasurinë e vetë si të donë ai vetë, por duhet ta harxhoj vetëm në gjëra të cilat janë të lejuara. Po ashtu, Islami caktoi edhe një pjesë që duhet ta jep muslimani detyrimisht nga pasuria e tij për hir të Allahut në fondet e caktuara nga vetë Ligjvënësi, që do të thotë se nuk është i lirë që vetëm për vete ta mbanë gjithë pasurinë e vet, por në pasurinë e tij ka hise edhe për të varfrit dhe disa kategori tjera njerëzish. Shembuj të këtillë ka shumë, por mendoj se mjafton nji në një punim të këtillë të shkurtër, për t’u kuptuar kjo çështje ma mirë.
3. UNIVERSALITETI: Të drejtat e njeriut në Islam janë universale me plotë kuptimin e fjalës. Kjo, ngase këto të drejta nuk janë të koncentruara vetëm në një segment të jetës së njeriut, si p.sh., të përfshinë fushën sociale, por i përfshinë të gjitha fushat e jetës dhe aktivitetit të njeriut. Këto të drejta, janë të inkorporuara në fushën sociale, ekonomike, politike, fetare, ndërkombëtare etj., gjë që është kompatibile edhe me vetë natyrën e Islamit, ngase “Islami nuk është vetëm fe e devocionit-përkushtimit, por është ligj dhe sistem i cili rregullon të gjitha çështjet e shoqërisë, është ligj i jetës, kushtetutë e pjesëtarëve të shtetit dhe udhëzim për ta, është ligj i udhëheqësit musliman dhe burim i orientimit të tij, është e drejta në mesin e njerëzve që përfshinë çdo lëmi të marrëdhënieve të tyre ndërnjerëzore, ai është fe e Allahut në këtë botë, është fe dhe shtet, akide dhe sheriat”.
Po ashtu, këtë të drejta janë universale edhe në kuptim të objektit të cilit i referohen, gjegjësisht nuk janë të destinuara për një shtresë të caktuar njerëzish, por i përfshinë të gjithë njerëzit, pa dallim feje, kombi, gjuhe, race apo përqindje, sepse shpesh herë gjatë historisë, në shtetin Islam kanë jetuar pakica fetare apo nacionale-jo arab apo jo turq, por të gjithë këta i kanë gëzuar të drejtat e veta elementare pa u cunguar as gjëja më e vogël.
Këto të drejta nuk influencohen nga koha, vendi, rrethanat dhe ndryshimet e çfarëdo natyre që ndodhin në periudha të ndryshme kohore, sepse këto kanë bazament të fortë të ngritur mbi shpalljen e Allahut të Madhërishëm.
Po qe se tentojmë të shkruajmë për llojet e këtyre të drejtave dhe ndarjen e tyre, me të vërtetë do të na duhej mjaft kohë dhe hapësirë, ndërkaq ky shkrim nuk e ka për synim trajtimin e detajizuar të lëndës në fjalë, por thjesht mëton që të japë një pasqyrë gjenerale për këtë term duke i prekur disa nga çështjet më të rëndësishme për temën në fjalë, për atë, në vazhdim do të themi disa fjalë për disa nga premisat Islame të cilat i gjenerojnë këto të drejta dhe e thirrin njeriun që më tepër të thellohet në mesazhin e tyre, ndërkaq kalimthi do t’i përmendim në mënyrë të përgjithësuar titujt e të drejtave të njeriut të miratuara në mësimet Islame, e ato janë: E drejta e jetës, e drejta e lirisë, e drejta e shkollimit, e drejta e nderit, e drejta e posedimit të pasurisë.
Megjithatë, në këtë kontekst, nuk bën pa u përmendur në mënyrë telegrafike edhe pesë gjërat e domosdoshme që janë në interes të njeriut, e që Islami i mbrojti. Islami i mbron pesë dobitë e domosdoshme për jetën e njeriut, edhe atë:feja, jeta, mendja, nderi apo gjeneza dhe pasuria. Së këtejmi, dispozitat e të drejtës islame kanë ardhur kompatibile me: mbrojtjen e fesë; mbrojtjen e jetës; mbrojtjen e mendjes; mbrojtjen e gjenezës; mbrojtjen e pasurisë.Është më se evidente se këto pesë dobi të domosdoshme për jetën e njeriut, janë të lidhura edhe me të drejtat e njeriut, gjegjësisht, mbrojtja e këtyre pesë dobive të domosdoshme impenjohet edhe në mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Këtë punim konciz, do ta përmbylli me fjalët e shkollarit musliman Ibrahim Esh-Shihabi i cili thotë: “Islami i ofroi njerëzimit një ligj ideal për të drejtat e njeriut, që para katërmbëdhjetë shekujsh. Ky ligj, synon ta mbrojë prestigjin dhe vlerën e njerëzimit, thirr në eliminimin e shfrytëzimit të njeriut, shtypjen e dhunës. Kjo, ngase të drejtat e njeriut në Islam burojnë nga bindja dhe besimi në Zotin Një, të vetëm e të pashoq i Cili është burim i të drejtave, dispozitave dhe ligjeve, Ai është Ligjvënësi i të gjitha të drejtave njerëzore. Kjo pikëpamje imponon faktin që asnjë individ, bile edhe nëse është kalif-president i shtetit islam, lider politik, po bile asnjë qeveri, këshill konsultativ (parlament B.A.) apo organizëm tjetër, t’i rrudhë, të intervenojë diçka në to apo t’i anulojë këto të drejta dhe ligje të cilat ia fali Allahu xh.sh. njeriut”.
Literatura:
Kur’ani dhe përkthimi me komentim në gjuhën shqipe nga Sherif Ahmeti. Botues: Kompleksi i Shërbyesit të Dy Haremeve, Mbretit Fehd për shtypin e Kur’anit të ndershëm. Medine, 1413h.
El-Hatib, Adnan. 1992. Hukuku-l-insani fi-l-islam. Damask: Daru Talas.
Hofmann, Murad. 2007. Islami. Përktheu nga anglishtja:Ermal Bega. Tiranë: Organizata Kulturore:”Rinia e Së Ardhmes”.
Fet’hi-Rifai, Muhamed. 2003. Mendimi Islam. Përktheu:Sadush Tahiri. Shkup: Furkan ISM.
El-Gazali, Ebu Hamid. 1322h. El-Mustesfa min ilmi-l-usul. Bulak: El-Matba’atu-l-emirijje.
Lewis, Bernard. 1993. Islami dhe perëndimi. E përktheu:Haki Shtalbi. Tiranë: Instituti i Dialogut&Komunikimit.
El Maududi, Ebul-Aëla. 1995. Parimet e Islamizmit. Përkthyer prej:Vehbi Sylejman Gavoçit. Rijad: I.I.F.S.O.
Medkur, Ibrahim. 1992. Hukuku-l-insani fi-l-islam. Damask: Daru Talas.
el-Muëxhemu-l-mufehres li elfadhi-l-hadithin-nebevijj. 1988. Istanbul: Çagri Yayinlari.
en-Nedvij, Ebu-l-Hasen Ali. 2000. Islami, ndikimi i tij në civilizim dhe merita e tij për njerëzimin. Nga arabishtja:Bashkim Aliu. Shkup: Furkan ISM.
Esh-Shihabi, Ibrahim. 1990. El-Kur‘an harrere el-insan. Bejrut: Menshuratu xhem‘ijjeti-d-daëve el-islamijje.
Topoljak, Sulejman. 2010. Socijalne kategorije ljudi u svijetlu islamskog ucenja i pedagogije. Novi Pazar: El-Kelimeh.