Transmetohet nga Omeri r.a., kalifi besimtarëve, se e kishte dëgjuar Pejgamberin s.a.v.s. të ketë thënë: "Vërtet veprat çmohen vetëm sipas qëllimeve, dhe çdonjërit i takon ajo që ka për qëllim. Andaj, kush shpërngulet për Allahun dhe për të Dërguarin e Tíj, shpërngulja e tij (shpërblimi) është tek Allahu dhe tek i Dërguari i Tij. Por, kush shpërngulet për qëllime të kësaj bate, ose për t`u martuar me ndonjë femër, shpërngulja e tij është ajo për çka është shpërngulur."(1)

Të dhëna për transmetuesin:
Transmetuesi është emiri i besimtarëve, Ebu Hafsa, Omer bin El Hattabi r.a. El Kureshij el Adevij. Fenë islame e pranoi në vitin e gjashtë të dërgimit të Pejgamberit s.a.v.s., kur numri i besimtarëve ishte tridhjetë e më tepër, e që tuboheshin në shtëpinë e Erkamit.
Kalimi i tij në Islam ishte fitore e madhe për myslimanët, ndihmë e madhe për misionin e vërtetë, përforcim për fenë islame. Ishte i njohur për fuqinë dhe për rreptësinë që kishte. Ibën Mes`udi thotë: "Kalimi i Omerit në fenë islame ishte zgjerim i fesë, shpërngulja e tij ishte ndihmë, kurse sundimi i tij ishte mëshirë. Derisa nuk e pati pranuar fenë islame, nuk mund ta falnim namazin në Qabe, por kur e pranoi Islamin i detyroi kurejshët të tërhiqeshin dhe ne të faleshim. Vazhdimisht e mbronte Muhamedin s.a.v.s. E mbrojti dhe e përkrahu madje edhe kur u shpërngul në Medinë. Të gjithë myslimanët u shpërngulën fshehurazi, kurse Omeri u shpërngul haptazi, në prani të parisë së kurejshëve.”
Personaliteti i Omerit ishte i gjithanshëm. Vlen të theksohet se ishte mendjemprehtë në mendime, ishte shumë largpamës, preciz dhe i matur në vlerësimin e njerëzve. Mendimet e tij përputheshin me normat e Kuranit në tri raste: Thuhet se nga Pejgamberi s.a.v.s. kishte propozuar që vendqëndrimi i Ibrahimit të shërbente si vend ku do të vendosej imami për ta falur namazin. Në pajtim me mendimin e tij zbriti ajeti: "Merreni vendqëndrimin e Ibrahimit për vend në të cilin falet namazi!”. (El Bekare, 125).
Gjithashtu i tha të Dërguarit s.a.v.s. që t`i urdhëronte gratë e veta të mbuloheshin, se shumë njerëz po i shihnin (pa mbulesë islame). Në përputhje me propozimin e tij zbriti ajeti i mbulesës, në të cilin Allahu xh.sh. thotë: "O Pejgamber, thuaju grave të tua, bijave të tua dhe grave të besimtarëve, le t`i vënë shamitë (mbulojat) e veta mbi trupin e tyre, sepse kjo është rnë afër që ato të njihen (se nuk janë rrugaçe) e të mos ofendohen. Allahu i fal gabimet e kaluara. Ai është Mëshirues.". (El Ahzabë, 59).
Omeri r.a. kishte dëgjuar se nganjëherë gratë e Pejgamberit s.a.v.s. e ngacmonin atë (Pejgamberin s.a.v.s. ), prandaj u tha grave të tij të mos silleshin ashtu me të Dërguarin e Zotit, sepse mund të marrë të tjera, edhe më të mira se ato. Në përputhje me këtë mendim zbriti ajeti: "Nëse ju lëshon, Zoti i tij mund t`ju zëvendësojë tek ai me gra më të mira se ju." (Et Tahrimë, 5).
Gjithashtu është e njohur shkresa që Omeri ia dërgoi Musa El Esh`ariut, në gjykatë. Ky shkrim është i vetmi në këtë kapitull, e që përmban shumë rregulla të Usulit, Fikhut dhe të Drejtës së sheriatit.(2) Omeri r.a., nga i Dërguari s.a.v.s. ka transmetuar 573 hadithe.

Kuptimi i përgjithshëm i hadithit dhe rëndësia e tij

Ky hadith është një nga hadithet më të rëndësishëm. Vë në pah sinqeritetin, që është bazë e veprave. Zoti nuk i pranon veprat pa të. Sqaron se qëllimi është gjëja më e rëndësishme, dhe çdonjëri duhet ta ruajë dhe të ketë kujdes për veprat e tij.
Pra, thelbi i çdo Vepre është qëllimi. Nëse qëllimi është i sinqertë, edhe vepra e bërë nga besimtari është e pranuar tek Allahu dhe do të shpërblehet. Vlera e veprës është e lidhur ngushtë me qëllimin që fshihet prapa. Se sa rëndësi ka qëllimi flet përqendrimi i hadithit në të. Kjo më së miri shihet te pjesëza innema – që është pjesëz përcaktuese - kufizuese. Pra shpërblimi për veprat varet kryekëput nga qëllimi. Shumë dijetarë i dhanë rëndësi të madhe këtij hadithi, si në komentim ashtu edhe në përdorim. Imam Shafiu thotë: "Ky hadith zë vend në shtatëdhjetë kapituj të fikhut (jurisprudencës islame)."
Imam Ahmedi thotë se në këtë hadith fshihet një e treta e diturisë (fesë). Imam El Bejhekiju thotë se shkaku i numërimit të një të tretës është se njeriu e bën mëkatin ose e fiton shpërblimin me një prej tri gjërave: ose me zemrën e tij, ose me gjuhën e tij, ose me gjymtyrët e tij.(3)
Disa dijetarë thonë se ky hadith është i barabartë me gjysmën e fesë. Sipas tyre, Islami është dy pjesësh: veprat e fshehta, që i takojnë zemrës; dhe veprat e hapëta që manifestohen me gjuhë dhe me gjymtyrë. Vërejtëm se ky hadith është përqendruar në veprat e fshehta, që i takojnë zemrës dhe janë një nga dy pjesët e Islamit.
Shumica e dijetarëve të hadithit ishin të mendimit që ky hadith të vendosej në fillim të çdo koleksioni të tyre.
Kështu bëri edhe Buhariu, i cili e citoi në tetë kapituj të librit të tij "Es-Sahih” (autentik).(4) Këtë e bëri si kujtim për dijetarët dhe studentët, se qëllimi fisnik është i patjetërsueshëm në ?llim të çdo vepre.
"Vërtet veprat çmohen Vetëm sipas qëllimeve". Kuptimi është se veprat nuk janë të vlefshme dhe nuk pranohen tek Allahu xh.sh. përveç me qëllim të mirë. Ky është mendim kompakt i dijetarëve. Këtë e kundërshtuan vetëm hanefinjtë, lidhur me mjetet që çojnë deri te qëllimi (objektivi). Hanefinjtë thanëse qëllimi (nijeti) nuk është bazë e domosdoshme në mjetet që çojnë drejt synimit. Ata i ndanë veprat në:
a - Synime (el mekasidu), siç janë: namazi, agjërimi, haxhi, zekati etj.
b - Mjete (el-vesailu) që çojnë drejt synimit (qëllimit), e këto janë p.sh.: abdesi dhe larja e trupit, që shërbejnë si kushte që prijnë për namaz.
Duke u mbështetur në këtë ndarje, hanefinjtë thanë se mjetet janë të vlefshme edhe pa pasur qëllim në to. P.sh.: nëse një njeri pastrohet jo për ta larguar ndyrësinë, te hanefinjtë do të konsiderohej i pastër dhe më nuk do të ketë nevojë të lahet përsëri. Neveviu thotë: "Veprat vlerësohen në mbështetje të qëllimit, dhe nuk do të vlerësohen nëse nuk kanë qëllim." Kjo merret si argument se pastërtia dhe të gjitha ibadetet e tjera nuk janë të vlefshme pa pasur qëllim (nijet).
El Hatabi thotë: "Innemel eamalu binnijat”, se nuk e ka për qëllim veprën, ngase ajo ndodh vetvetiu, pa qëllim,por kuptimi i saj është që vlefshmëria e normave të veprave në peshojën fetare të krijohet Vetëm me qëllim, si dallim i vlerës kundrejt jovlerës, që është Vetë qëllimi që dallon adetin nga ibadeti.
Gazaliu, duke u mbështetur në atë që nxit të punohet, thotë: "Nëse në vepër qëllimi i kësaj bote mbizotëron më tepër, ai nuk ka shpërblim për të. Por, nëse qëllimi i fesë mbizotëron, shpërblimi i tij është aq sa ka pasur qëllim fetar. Nëse barazohen qëllimi jetësor me atë fetar, nuk ka shpërblim.”(5)
Fjala: ”eamal”, e përdorur në hadith, nuk përfshin veprat e ndaluara, por nënkupton Vetëm veprat e mira e të urdhëruara dhe të lejuara (el-meshruatu). Kur nijeti i pastër është i pranishëm në detyrime ose pëlqime (farze ose mendube), ato kanë shpërblim të dyfishtë.
Gjithashtu, nëse nijeti i sinqertë, e shoqëron veprën e lejuar el mubah, atë e trajton si ibadet të shpërblyer, p.sh.: ai që ha ushqim ose ?e me qëllim që të forcohet për kryerjen e detyrimeve.
Nëse nijeti i mirë i shoqëron ose është i pranishëm në vepra të ndaluara, ose të papëlqyera, ky nijet nuk e ndryshon vendimin që e ka vepra. E ndaluara mbetet e ndaluar, e urryera mbetet e urryer. Nuk i lejohet individit të vjedhë me qëllim që t`u japë lëmoshë të varfërve. Ose nuk lejohet ta bësh ndonjë mëkat me qëllim që të jesh i afërt me mëkatarët, ashtu sikur nuk lejohet ta orientosh shikimin në ndalesa, me arsyetimin për t`i shijuar bukuritë që ka krijuar Allahu xh.sh. Të gjitha këto janë rrugë të djallit, të ngulitura në kokat e injorantëve dhe të të devijuarve.
Që një vepër a punë të jetë e pranuar tek Allahu xh.sh., dhe që ta fitojë simpatinë e Tij, duhet plotësuar dy kushte, të ndërlidhura mes vete, sepse mungesa e njërit ose e tjetrit veprën e bën të papranueshme. Këto janë:

1. Vepra të jetë urdhër, farz, sunet, mendub, në harmoni me normat e ligjit islam.
2. Nijeti të jetë i pastër, i sinqertë, i sigurt, vetëm për Allahun xh.sh. Ky është kuptimi i hadithit: "Me të vërtetë Allahu nuk shikon fizionominë dhe pasurinë tuaj, por shikon zemrat dhe Veprat tuaja.”(6)
Duke u bazuar në këtë hadith, disa dijetarë thonë se fjala "eamal" - veprat, ka synime që veprat të bëhen me anë të gjymtyrëve të trupit, si dhe gjuhës. Hadithi nuk i përfshin punët e zemrës, që janë peshojë e punëve të brendshme; ato janë për botën njerëzore, por jo edhe për Allahun xh.sh., që është: "Njohës i botës së fshehtë dhe i së dukshmes." (El Hashr, 22).
Kjo shihet edhe në fjalën tonë: "fare nuk janë të vlefshme punët, përveçse ato me nijet." Por as nuk mund të themi se Veprat e brendshme janë të pavlefshme për shkak se duhet të jenë me nijet (La tesihu ennijjatu il-la binnijjat), ngase ne këtu kemi vënë kusht për vetveten. Për Veprat e jashtme,- të gjymtyrëve dhe të fjalëve, ndodh që vepruesi ndonjëherë të ketë qëllim tjetër, mirëpo veprat e brendshme e kanë një mbështetje (qëllim), ngase njerëzit nuk i shohin ato, prandaj mbeten vetëm të zemrës.
Nijeti shërben si mjet ndarjeje ndërmjet adhurimit (el-ibadetu) dhe traditës (el-adetu). P.sh.: ndokush do të ulej në xhami për pushim, dhe për këtë pushim nuk do të ketë shpërblim, ndërsa ai që ulet në xhami dhe pret ta falë namazin ose me qëllim që të jetë vetëm (izolimi - el-iëtikafu), ai është në adhurim dhe pret shpërblimin. Pra, që të dy rastet janë të njëjtë për nga forma, por dallimi është vetëm te qëllimi. (vijon)


________________
(1) "Buhariu" kitab bed`ul vahji, nr.1, "Sahihu Muslim", kitabul imare, nr. 1907.
(2) El Ealamul muvek-ki ijn li ?bën El Kajjum El Xhevzij, vëll.1. f. 10. Et-teshriau vel fikhu fil islami, Menaul Kat-tan, f. 179.
(3) El muhtesirat en-nafia, f. 5; El-Bejhekij, Es-Sunen es-sugra, vëll. I, f. 20, nr. 4.
(4) Sherh El erbeijn en-nevevije, f. 19.
(5) Dirasat fil hadith en-nebevij, f. 6.
(6) Sahihu Muslim, Kitabul birri, vëll. IV, f. 1986, nr. 2564.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi