Aroma e këndshme e muajit që ngjallë shpresën për ndryshim

Si një erë e lehtë, e cila na sihariqon shi për të gjithë të përvuajturit e të rraskapiturit nga thatësia e tejzgjatur e përcëlluese, na vjen neve mysafiri fisnik, i cili me vete sjellë ofertën rigjallëruese dhe shumë bujare për besimdrejtit zemërdëlirë. Zoti yt, nga bujaria e Tij, m'u në këtë muaj na fton që ta shfrytëzojmë. shansin e artë, që t'i heqim qafe kthetrat e manisë e varshmërisë ndaj të gjitha atyre gjërave që na rënduan jetën tënde e s’arritëm t'i braktisim kurrë.
Ramazan, është emri i muajit që na thërret për abstenim nga kërkesat e trupit, dhe për rikthim të vëmendjes te kërkesat e shpirtit tonë të paepur për udhëzim.
Muaj ky që shpirtin tënd të së mirës e kalit, e pastaj bëhet edhe mbizotërues ndaj të gjitha llojeve të cytjeve të egra që të kanë molisur në jetë. Ai është që fton për frenim të egos, dëlirësi të shpirtit dhe gdhendje të karakterit me vlerat më sublime e më humane.
E motoja e besimtarit që ka pikësynim ndryshimin në këtë muaj është gravuar qartazi e më së miri nga Muhamedi a.s., i cili tha: 'Nuk është agjërimi thjesht një ndërprerje e ushqimit e pijes, por agjërimi është ai që të largon nga kotësitë dhe fjalët e pahijshme. Madje edhe nëse ty të ka fyer apo lënduar dikush, ti vetëm thuaj: unë jam duke agjëruar... "
"Unë jam duke agjëruar", duket të jetë parulla më fisnike profetike e ndryshimit në këtë muaj. Të tillës, nëse i përmbahesh, të është premtuar se nuk do të mbetesh duarthatë, por je afër për të fituar "trofeun e devocionit". Këtë trofe nuk e fiton e as nuk e ngrit dot ai i cili agjërimin e ka kuptuar si adhurim të ngujuar vetëm brenda dimensioneve të abstenimit nga ushqimi e pija apo intimiteti bashkëshortor. Këtë trofe e fitojnë ata që në këtë muaj kanë bërë ndërrim të kahjes e orientimit të jetës së tyre të lajthitur. Ata që veset e tyre të mbrapshta vendosën t'i edukojnë e t'i korrigjojnë, vetëm për hir të Allahut.
Në këtë periudhë dëlirësi e, që u bekua edhe me zbritjen e Librit fisnik - Kuranit, mundësohet realizimi i atij devocionit të aspiruar, e i cili jashtë kësaj periudhe për shumë kë është vetëm i ëndërruar. Ti, tashmë duhet t'i thuash egos se ke një Zot, se ndaj Tij nenshtrohesh, e me urdhrat e Tij je i gatshëm të jetosh e të krijosh shprehi. Ky është lajmi më ogurzi që mund ta marrë prej teje pasioni yt i shthurur. Ai i cili të dha teposhtën e mëkateve që po vazhdon të tërhiqesh rrëmbyeshëm po sikur me litar, nga armiku yt i njohur - djalli.
Vëri mendjen kësaj porosie hyjnore të Zotit tënd, ku Ai të tha: “A e ke parë atë, që kënaqësinë - egon e vet e ka marrë për zot, dhe Allahu, e ka lënë në humbje duke e ditur (të keqen e tij) dhe ia ka vulosur të dëgjuarit e tij dhe zemrën e tij, e para syve të tij ka vënë perde? Kush do ta udhëzojë atë, pos Allahut? A nuk po kuptoni? (El Xhathije, 23). E pra Kurani, që është zbritur në këtë muaj dhe vetë agjërimi si kryeadhurimi i këtij muaji e ngulitin në kokën e secilit besimtar se egoja e njeriut nuk bën t'i bëhet kurrë zot atij. Andaj, ti përpiqu që ta mposhtësh lakminë dhe pangopësinë tënde, që shpesh të bëri të flesh e të gdhihesn me belbëzimet e numrave e shifrave të xhirollogarive tuaja që s'të lanë të prehesh e të jetosh rehat asnjëherë. Gjeje forcën që t'iu buzëqeshësh m'u në këtë muaj, të gjithë atyre që te ti kishin parë vetëm valët e rrudhave në ballin tënd të vrenjtur, dhe nga ti prisnin vetëm lëndime, ofendime e fjalë poshtëruese.
Thuaj mjaft më koprracisë sate, e lëshoje grushtin tënd të fisnikërisë ndaj atyre që do t'i bësh të lumtur edhe me një kafshatë buke të thatë më të cilën ua mbanë shpresat gjallë se ende paska mbetur diku njerëzi.
Mësoja ballit tënd rrugën e shkurtër deri te sexhdeja, ajo adresë fisnike e tij që ai kurrë deri më tani nuk e ka ditur. Ramazani po të troket në derën tënde që ti të shmangesh nga gjithçka e ligë e mbrapsht, dhe të rifillosh jetën e mbarë e fisnike, në rrugën e dëlirtë të Krijuesit tënd.
E ti, mirëprite atë!



Editorial
Dituria Islame 388


Artikulli i kaluar
Po të presim me mall

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi