Një nga mirësitë e shumta të Ramazanit është edhe mundësia e amnistisë së besimtarëve nga zjarri i Xhehennemit çdo natë.
Pejgamberi (alejhis salatu ves selam) duke numëruar mirësitë e këtij muaji të madh, ndër tjera veçon edhe amnistinë, madje si mundësi të përnatshme. “...dhe Allahu ka të amnistuar nga zjarri, dhe këtë çdo natë.”(1)
Në të vërtetë, siç thotë Ibn el-Arabiu, lirimi nuk është i veçantë për netët e Ramazanit, por edhe për ditët. Çdo çast i Ramazanit është mundësi.(2)
Kush ka nevojë për amnistinë?
Të gjithë ne, pa dallim, kemi nevojë për tu amnistuar. Askush nuk e ka të garantuar Xhenentin sepse askush nuk mund ta arrijë atë me veprat e tij. Pejgamberi (alejhis salatu ves selam) ka thënë: “Askënd veprat e veta nuk o ta fusin në Xhennet. As ty o i Dërguari i Allahut? –e pyetën. As mua, përveç nëse Allahu më mëshiron.”(3)
Pra, të gjithë kemi nevojë për të shfrytëzuar këto kohë të begatshme, këto mundësi të arta, në mënyrë që të shpëtojmë. Ramazani është kohë e amnistisë, kohë e shpëtimit, dhe para se të përmendim disa mundësi të arritjes së kësaj mirësie, do të mundohemi të zbulojmë një imazh të rëndësisë së kësaj amnistie.
Përjetoje peshën e amnistisë në këtë hadith
Për të kuptuar se për çfarë bëhet fjalë, do të doja të përmend vetëm një hadith, në të cilin portretizohet në një farë mënyre rëndësia e kësaj amnistie. Thotë Pejgamberi (alejhis salatu ves selam): “Në Ditën e Kiametit do të sillet banori i Xhehennemit qe ishte dëfryer më së shumti në dynja, do të zhytet një herë në zjarre e pastaj i thuhet: O njeri, a ke përjetuar ndonjëherë ndonjë të mire? A ka patur ndonjëherë ndonjë te mire? Thotë: Jo, pasha Allahun o Zoti im kurrë nuk kam patur të mira! Pastaj sillet banori i Xhennetit që në dynja kishte përjetuar më së shumti fatkeqësi, zhytet një herë në Xhennet e i thuhet: O njeri, a ke vuajtur ndonjëherë? A ke patur ndonjë bela ndonjëherë? Thotë: Jo, pasha Allahun o Zoti im kurre nuk kam vuajtur dhe kurrë nuk me ka ardhur asnjë bela.” (4)
Si të amnistohesh?
1. Çdokush liron veten nga zjarri
Është mundësi e secilit besimtar të vendosë për veten e tij nëse dëshiron apo jo të lirojë vetën nga zjarri. Ibn el-Arabiu mendon se mundësitë e lirimit janë të shumta ndërsa në Ramazan sigurisht se agjërimi është mundësia më e madhe. Ai konsideron se kjo çështje i është lënë besimtarit në dispozicion. Pra, ai vendosë për veten e tij se a do të lirohet nga zjarri i Xhehennemit apo jo? Për këtë dëshmon me hadithin e Muslimit: "Namazi është dritë, sadakaja është dëshmi, durimi është ndriçim ndërsa Kur’ani është argument për ose kundër teje. Çdokush e fillon ditën e tij dhe çdonjëri është tregtar i shpirtit të tij; mund ta çlirojë apo ta shkatërrojë atë." (5)
Pra, veprat që ti përzgjedh për të bërë, janë ato që flasin për vendosmërinë dhe qëllimin tënd se a je i interesuar të amnistohesh apo jo.
2. Pendohu
Por, agjërimi nuk fshin të gjitha mëkatet. Agjërimi fshin vetëm ato të voglat ndërsa për të mëdhatë ka nevojë për pendim. Kështu, pendohu tek Allahu që të të shlyhen mëkatet.
3. Sinqeriteti si kusht
Që të amnistohesh, doemos duhet të jesh i sinqertë. Mungesa e këtij elementi pamundëson amnistinë. Bëhu i sinqertë. Agjëro, falu, lutu, lexo Kur’an vetëm për Allahun. Nëse mbaron agjërimin kështu, atëherë mundësia e amnistisë sate është shumë e madhe. Ibn el-Arabiu përmend se Ramazani është si një lloj testi, që nëse e kalon, atëherë arrin shpëtimin përgjithmonë. (6)
4. Shumo veprat e mira
Një nga mënyrat e fshirjes së veprave të këqija është bërja e veprave të mira. Allahu ka thënë: "...S'ka dyshim se veprat e mira i shlyejnë ato të këqijat...“ (Hud, 114)
5. Lutu
Lutja është një nga ato veprat e mira, por që për shkak të rëndësisë së saj, veçohet. Lutu. Dijetarët kanë përmendur se të amnistuarit janë ata që kanë lutje të pranuar. Kjo mundësi e lutjes së pranuar është për çdo besimtar. Pejgamberi (alejhis salatu ves selam) ka thënë: “”Allahu ka të amnistuar çdo ditë dhe natë. Për çdo njërin prej tyre ka një lutje të pranuar.”(7)
Por, kujdes për lutjen tënde dhe gjendjen shpirtërore kur lutesh. Lutja që nuk buron nga vigjilenca, nga pastërtia shpirtërore, rrezikon të mos pranohet fare. El-Hakimi këtë domethënie e portretizon në formë të dritës. Thotë: Ka lutje që ka fuqi të madhe drite, sikur dielli kur lind. Ka lutje tjetër që ka fuqinë e hënës kur të del dhe tjetër që ka fuqinë e dritës së planetëve tjerë.(8) Ajo që kuptohet nga kjo thënie e urtë e Hakimit është se ka dua që kanë fuqi pranuese dhe të tjera që janë të varura. Andaj, kujdesu për duanë tënd që të del nga zemra jote sikur drita e diellit që ndriçon çdo gjë. Ka thënë Pejgamberi (alejhis salatu ves selam): “Luteni Allahun duke qenë të bindur në përgjigje dhe dijeni se Allahu nuk i përgjigjet një lutjeje, e cila buron nga një zemër e shkujdesur dhe harrestare.”(9)
Përmbyllje
6. Amnistia nuk është komoditet
Ibn el-Arabiu përmend një nga mendimet se për të realizuar lirimin duhet vazhduar me të njëjtën gjendjen të pastërtisë shpirtërore dhe adhurimit edhe pas Ramazanit. (10)
Andaj, të vazhdojmë të bëjmë agjërimin sipas rregullave, të mundohemi të mëshirohemi me të, të shkrihemi në të, të përvetësojmë shprehitë e tij, ngase kështu e arrijmë shpëtimin.
________________________________________
(1) Transmetojnë Tirmidhiu dhe Ibni Maxheh.
(2) Ibn el-Arabi, Muhammed ibn Abdullah. (2007) El-Mesalik fi sherhi Muvettai Malik. Bejrut: Dar el-Garb el-Islamijj. 4/243.
(3) Transmeton Muslimi.
(4) Transmeton Muslimi.
(5) Shih: Ibn el-Arabi. (2007) El-Mesalik fi sherhi Muvettai Malik. 4/243.
(6) Shih: Ibn el-Arabi. (2007) El-Mesalik fi sherhi Muvettai Malik. 4/251.
(7) Albani në Sahihu-l-xhami, nr.2169, e vlerëson për të saktë.
(8) Shih: El-Munavi, Zejnuddin Muhammed. (1356 h.) Fejdul Kadir sherhu-l-xhamii-s-sagir. Egjipt: El-mektebetu et-tixharijjetu el-kubra. 2/476.
(9) Transmeton Tirmidhiu ndërsa Albani e vlerëson për të mirë –hasen.
(10) Shih: Ibn el-Arabi. (2007) El-Mesalik fi sherhi Muvettai Malik. 4/250.