Të jesh prind është kënaqësi e madhe dhe një privilegj i madh, por padyshim edhe një përgjegjësi shumë e madhe, sepse nuk mjafton vetëm t’i duash fëmijët, por përgjegjësia më e madhe është rritja dhe edukimi i tyre. Ngase edukimi i fëmijëve është një sfidë e vështirë, por jo e pamundur. Përgjegjësia e rritjes dhe edukimit të fëmijëve është një obligim i madh i cili bie mbi supet e prindërve, ata janë djepi dhe shkolla e parë ku fëmijët marrin mësimet e para të edukimit dhe moralit, si dhe ditën kur do të dalim para Zotit të Madhëruar, do të japim llogari për këtë.
All-llahu i Lartësuar thotë: “O ju që besuat, ruajeni veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë (zjarrin) e mbikëqyrin engjëjt e rreptë e të ashpër që nuk e kundërshtojnë All-llahun për asgjë që Ai i urdhëron dhe punojnë atë që janë të urdhëruar”. (Et- Tahrim, 6).
Andaj duhet ta kujtojmë vazhdimisht që fëmijët janë dhuratë dhe bekim nga Zoti i Madhëruar për çdo prind, si dhe janë stolia dhe zbukurimi i kësaj bote, siç ka thënë Zoti ynë Fuqiplotë në Kuranin Famëlartë: “Pasuria dhe djemtë janë stoli e jetës së kësaj bote.” (El- Kehf, 46).
Zemra gëzohet kur i shohim, syri kënaqet duke i parë dhe shpirti lumturohet me gëzimin e tyre. Mirëpo si t'i edukoni fëmijët tuaj me një edukatë të mirë, edukatë me të cilën ata bëhen një shtyllë ndërtimi në shoqërinë muslimane?
Të gjithë e dimë se Profeti jonë bujar, Muhamedi, alejhi selam, në të gjitha etapat e jetës, ka reflektuar dashuri dhe dhembshuri të thellë për fëmijët, i ka trajtuar me seriozitet dhe ka zbritur në nivelin e tyre, duke ua zgjidhur problemet, ua ka fituar zemrat e tyre dhe çdoherë i ka orientuar kah e drejta. Faza e fëmijërisë është etapa e artë për edukim dhe ndikim tek fëmija, prandaj, ne gjejmë se Islami i udhëzon prindërit që t'i trajnojnë fëmijët e tyre në përmbajtjen e bindjes ndaj Zotit Fuqiplotë, si dhe në kryerjen e detyrave dhe obligimeve fetare gjatë fëmijërisë së tyre.
Ja pra, na ka trokitur muaji Ramazan, muaji i pendimit dhe i faljes, muaji i edukimit dhe i përpjekjes, është muaji në të cilin manifestohet edukimi i sinqertë dhe orientimi i drejtë, i cili reflekton në kujdesin ndaj fëmijëve. Qoftë ky muaj një pikënisje me të gjitha të mirat për fëmijët kudo që janë, ndërsa shumë fëmijë kanë dalur nga shkolla (akademia) e Ramazanit, kështu që ata ishin fëmijët më të bekuar dhe më dobiprurësit për prindërit dhe popullin e tyre.
Profeti i Zotit, Muhamedi, alejhi selam, në një hadith thotë: “...Fëmija i dobishëm i cili bën lutje për të.” (Muslimi).
Prindërit patjetër duhet të kenë një pjesë të mjaftueshme të vëmendjes, dhe të përfitojnë nga kjo atmosferë besimi në mbjelljen e shumë virtyteve të larta dhe largimin e shumë sjelljeve të ulëta dhe të gabuara, nëse gjenden tek ata (fëmijët).
Ajo që na ndihmon për të arritur këtë është:
- Përgatitja psikologjike e fëmijës para ardhjes së muajit të Ramazanit, kjo, duke rrëfyer për ditët dhe netët e Ramazanit dhe duke treguar për kujtimet dhe të kaluarën e tij. Tregojuni atyre se si keni agjëruar dhe çfarë keni bërë gjatë ditës në Ramazan, si dhe për momentet e pritjes së iftarit dhe takimit në tryezë së bashku me familjen.
- Inkurajimi dhe motivimi i fëmijëve për të agjëruar, sepse ata do të mësohen nga kjo dhe do të rriten e zhvillohen me njohjen e adhurimit të agjërimit sikur që duhet të dinë edhe për faljen e namazit, ngaqë kjo e fundit është thelbi i fesë.
- Inkurajimi për agjërim, e bën fëmijën të kuptojë se agjërimi është një obligim dhe detyrim i prerë nga Zoti, detyrim i cili ka qenë edhe për popujt e tjerë të cilët ishin para nesh. Kjo dëshmon në bindjen e fëmijës se tani ai është rritur dhe kjo kërkon që ai ta bëjë agjërimin si të rriturit, sepse ai u bë si ata.
- Kujdesi ndaj faljes së namazit, sidomos prezantimi në xhami, me theks të veçantë shoqërimi i babait për në xhami si dhe motivimi i fëmijëve duke shkuar herët në xhami, veçanërisht për namazet e teravive.
Të nderuar besimtarë dhe besimtare!
- Një nga veprat më të mëdha dhe më të mira me të cilat rritet një fëmijë i vogël, padyshim që është libri i Zotit të Madhëruar, dhe kjo arrihet duke e motivuar atë që ta mësojë dhe të kujdeset për të. Pejgamberi, alejhi selam, i nxiste besimtarët që të edukonin fëmijët e tyre në leximin e Kuranit, për këtë u thoshte se me mësimin e tij ngritet popujt, dhe se me braktisjen tij, shkatërrohen popujt.
Omer ibën Hattabi, radijAllahu anhu, thotë se i Dërguari i Allahut, alejhi selam, ka thënë: “Vërtet Allahu me këtë Libër do t’i ngrejë disa popuj, ndërsa disa të tjerë do t’i degradojë.” (Muslimi).
Rëndësinë e mësimit të Kuranit për vete dhe mësimin e tij të tjerëve, e kuptojmë më mirë në hadithin e Profetit, alejhi selam, ku thotë: “Më i miri prej jush është ai që e mëson Kuranin dhe ua mëson të tjerëve.” (Buhariu).
Bazuar në këtë, çdo musliman dhe muslimane duket t’i kushtojë vëmendje dhe rëndësi mësimit, përvetësimit dhe përsosjes së Kuranit, e më pas të marrë pjesë në mësimin e tij të tjerëve.
- Motivimi dhe inkurajimi si dhe mbjellja e kuptimeve të lëmoshës dhe solidaritetit tek fëmijët, këtë na e tregon më së miri edhe hadithi i Ibnu Abasit, radijAllahu anhuma, ku thotë: “I Dërguari i Allahut ishte njeriu më bujar. Akoma më bujar bëhej në muajin ramazan kur e takonte Xhibrili dhe ia mësonte Kuranin. Ai ishte më i bekuar se sa era e mirë dhe e bereqetshme e dërguar nga Allahu.” (Buhariu).
- Edukimi i fëmijëve mbi njohjen dhe kuptimin e plotë të ritualeve të Zotit, thotë Zoti Fuqiplotë në Kuranin Fisnik: “Po, kështu është! Ndërsa kush madhëron shenjat e fesë së Allahut, tregon përkushtimin e zemrës së tij.” (El- Haxh, 32).
- Edukimi i fëmijëve për të respektuar Zotin e Plotëfuqishëm, duke u rikujtuar atyre se në çdo moment dhe veprim janë të monitoruar nga Zoti Fuqiplotë. Kjo arrihet duke u kujtuar atyre ajetet dhe hadithet që mbështesin këtë aspekt. Thotë Allahu Fuqiplotë në Kuranin Fisnik: “Vërtet, dëgjimi, shikimi dhe zemra, të gjithë këta do të merren në përgjegjësi.” (El- Isra, 36).
- Edukimi i fëmijëve në menaxhimin e kohës së lirë, duke e shfrytëzuar atë në adhurimin dhe madhërimin e Zotit Fuqiplotë, si dhe nxitja e tyre që të marrin pjesë në tubimet ku përmendet Zoti, në mënyrë që të jenë të shpëtuar dhe që zemrat e tyre t'i nënshtrohen vetëm se Zotit të Madhëruar.
- Zgjoni ata për në syfyr edhe pse nuk agjërojnë, njashtu ulini në sofrën e iftarit, mësojuani lutjet që duhet bërë gjatë iftarit dhe le të ndjejnë edhe ata kënaqësinë dhe gëzimin e iftarit.
Zoti na pranoftë agjërimin tonë, veprat tona dhe na bëftë nga ata që i edukojnë fëmijët e tyre në atë që Zoti dhe Pejgamberi i Tij janë të kënaqur!