Si e prisnin të parët Ramazanin?

 


Ramazni është një muaj i veçantë. Karakterizohet për nga ngjarje dhe adhurime të cilat na bëjnë te kuptoj me se trajtimi i tij duhet të jetë serioz. Për këtë shkak, edhe pse agjërimi përkufizohet formalisht si abstenim nga ushqimi e pija, në psikikën e besimtarëve është e ngulitur thellë se manifestimi i tij duhet bërë përtej këtyre dimensioneve. Pra, duhet agjëruar jo vetëm me trup. Agjërimi, po gjurmuam në thellësi të tij, gjejmë se synon nivelin më të përkryer të fetarisë, atë të nënshtrimit dhe bindjes absolute të robit ndaj Zotit. Por, për të arritur te ky synim, ka një rrugë që duhet bërë, e të cilën jo të gjithë arrijnë ta përshkojnë. Prandaj, për besimtarin që synon kënaqësinë e Allahut, jetike në këtë rrugë mbetet gjetja e një modeli të cilin do ta ndjek, këshillat e të cilit do t'i përfillë, mësimet e të cilit do t'i zbatojë. Është kjo çfarë ky artikull ka marrë mundin për ta bërë.


Cili është modeli ynë?


Në jetë, shpeshherë lind nevoja që t'u kthehemi referencave për të gjetur përgjigjen e saktë dhe të besueshme. Jemi duke kërkuar një referencë, të cilën për fat të mirë e kemi në fenë tonë, pra se kë duhet të marrim për model, kë duhet të konsultojmë e sidomos në rastin tonë se si të përgatitemi për Rarnazanin. Ramazani është rast ideal për ndryshim personal dhe kolektiv në rrafshin e imanit, ibadetit dhe moralit, sepse është sezonë adhurimesh dhe shans për të fituar shumëfishin e sevapeve, prandaj patjetër duhet t'i kthehemi referencës sonë, që janë i dashuri ynë, Muhamedi, alejhi selam dhe gjeneratat e para të arta, të cilët ishin shembulli më i mirë për t'u ndjekur në rrugën e të qenit robër të Allahut.(1)
Besimtari arrin në përfundimin se muaji Ramazan është rasti më i favorshëm për të garuar për vepra të mira, sepse mundësitë që Ramazani u jep besimtarëve për të vepruar, ndryshuar dhe fituar shpërblime nuk mund të gjendet në muajt e tjerë. Kjo shihej edhe në jetën e myslimanëve të parë, kur garonin për vepra të mira si individë apo edhe si shoqëri. Nëse do të tërheqim një paralele mes tyre dhe nesh, do të shohim se sa e largët është kjo distancë. Kjo më mirë të mbetet një test individual për ta kuptuar se mos vallë ne e kemi përkufizuar Ramazanin gabim kur menduam se ishte thjesht një abstenim.
Të parët tanë gëzoheshin nga sihariqi profetik "Ju erdhi Ramazani, muaji i bekuar ... " sepse qysh herët preokupoheshin me ardhjen e Ramazanit, duke e lutur Zotin t'u dhuronte shëndet e jetë që ta agjëronin. Në jetën e të parëve tanë, do të shohim një vetëdije dhe gatishmëri të lartë për t'u përgatitur për sezonet e adhurimeve. Ata kishin kuptime të qarta për agjërimin dhe ibadetet e tjera. Këtë na e pasqyrojnë mendimet dhe qasjet e tyre, si për shembull: "Agjërimi nuk është vetëm privim nga ushqimi dhe pija, por agjërim është ta pastrosh gjuhën tënde nga rrena, e kota dhe fjalët e ndyra." Kështu thoshte Omer bin Hatabi, Allahu qoftë i kënaqur me të!(2)
Hafsa bint Siriin, Allahu e mëshiroftë!, ka thënë: "Kur shokët e Pejgamberit agjëronin, qëndronin në xhami dhe thoshin se agjërimi ishte mburojë, derisa të mos digjej. Djegia e tij ishte përgojimi"
Ndërsa në transmetimin e Muslimit thuhet: "Hapen dyert e mëshirës, mbyllen dyert e Xhehenemit dhe lidhen shejtanët." (Sahihul Muslim).
Ibën Rexhepi ka thënë: "E si të mos gëzohet besimtari për hapjen e dyerve të Xhenetit!" Vërtet Ramazani kërkon angazhim dhe energji në rrafshin e adhurimit. Më poshtë do të shohim disa nga përgatitjet e gjeneratave të para, ku ata merrnin energji për t’u përgatitur për muajin Ramazan.


Energjia e adhurimit tek ata


Përgatitja psikike është më se e nevojshme para Ramazanit, sepse ç’do sukses në jetë është i lidhur me përgatitjet paraprake, prandaj themi përgatitje bazike, esenciale apo përgatitje përfundimtare.
Gjeneratat e para të myslimanëve ishin kureshtarë që çdo herë të ndriçoheshin nga kandili profetik i Ramazanit, sepse vetëm kështu ngjalleshin ambiciet e tyre për adhurime.
Ata e përjetonin bukur hadithin që e kishte transmetuar Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të!, i cili ka thënë: "Kur vjen Ramazani, hapen dyert e Xhenetit, mbyllen dyert e Xhehenemit dhe lidhen (prangohen) shejtanët." (Buhariu, Muslimi).
Nijeti ose qëllimi, i cili është boshti kryesor që na mëson dhe na kujton se për kë dhe pse agjërojmë. Ai duhet të jetë i pranishëm në zemrën e secilit para Ramazanit, se unë do të agjëroj. Kështu myslimanët e parë e rregullonin nijetin e tyre. Kjo mbështetet nëhadithin e Pejgamberit, alejhi selam, të cilin e transmeton Ibën Omeri: “Nuk agjëron vetëm se ai që ka bërë nijet para agimit". (Maliku dhe Nesaiu).


Kontrollimi i pulsit të imanit për ta parë se ku jemi


Ata tregonin përkushtim në adhurime, edhe pse përkushtimi duhet të ekzistojë gjatë tërë jetës, por para dhe gjatë Ramazanit duhet të jemi edhe më të kujdesshëm. Por, kjo sjell edhe përmirësim të adhurimit në cilësi, sepse do të shohim më vonë se Ramazani synon që të mos kufizohemi në numër, por në kualitet. Të parët tanë bënin agjërim vullnetar, lexonin Kuran, jepnin sadaka dhe luteshin që imani i tyre të ishte në nivelin e duhur kur të vinte Ramazani.(3)
Ramazani për të parët tanë ishte një shkollë, energjia e së cilës përpos adhurimeve gjatë tij, do t'u duhej edhe pas tij. Kjo shkollë u jepte mësimet e duhura se si duhet të agjëronin edhe vullnetarisht pas Ramazanit, apo si duhet të falnin namaz vullnetar pas Ramazanit. Ata, nga kjo shkollë e kuptonin se Kurani duhej lexuar, medituar e jetësuar në jetën e përditshme. Mësimet e Ramazanit i mësonin që të garonin në punë të hairit, në adhurime e vepra të mira, që të arrinin kënaqësinë e Allahut dhe të hynin në Xhenet.(4)
Hasen el Basriu ka thënë: "Allahu e bëri Ramazanin një arenë për krijesat e Tij, në të cilën ata garojnë për kënaqësinë e Tij, kështu që disa prej tyre paraprinë dhe fituan, e të tjerët mbetën prapa dhe u zhgënjyen (sepse dështuan).”


Po ne, si po e presim?


Kur ne, besimtarët e kësaj kohe, bëjmë krahasime me të kaluarën, ndoshta në raste të caktuara edhe e nënvlerësojmë veten dhe veprat tona, sepse jemi dëshmitarë se një pjesë prej nesh e ka përkufizuar Ramazanin gabimisht. Nuk duhet të vazhdojmë në rrugën e gabuar, por duhet të vetëdijesohemi dhe të zgjohemi nga gafleti, nga pakujdesia që shpeshherë na mbulon sytë, për ta parë udhëzimin e Zotit dhe thirrjen që t'i bashkohemi karvanit.
Ne duhet ta lexojmë drejt jetën e të parëve tanë, ta përkthejmë në praktikë dhe ta reflektoj më sidomos në adhurim, sepse ata ishin dhe mbeten referenca më e besueshme, ata që këtë test e kaluan me sukses. Një pjesë e tyre ishin edhe bartës të shpalljes, pjesa tjetër ishin të kujdesshëm që mësimet e Zotit dhe të Profetit Muhamed t'i praktikonin pa u larguar nga koncepti dhe praktika e saktë.
Ne duhet të fillojmë që ta presim Ramazanin duke ndjekur fillimisht këta hapa:
Thyerja e zakoneve,(5) pasi dihet që gjatë udhëtimeve të jetës kemi përvetësuar disa të tilla, që na pengojnë t'i përkushtohemi adhurimit. Kjo thyerje duhet të jetë para përgatitjes, që ta kemi më të lehtë bërjen e përgatitjeve të nevojshme për Ramazan.
Përcaktimi i objektivave, që është një vepër tejet fisnike, sepse vetëm kështu do të kemi mundësi të arrijmë te caku e të korrim sukses duke arritur faljen e Allahut dhe hyrjen në Xhenet.(6)
Neve sot na mungojnë standardet e adhurimit, sepse fokusi ynë më shumë është si ta kryejmë sa më shpejt adhurimin. Kjo shihet qartë edhe gjatë namazit të teravive, ku foleusi ynë më shumë është te numri, sesa cilësia e adhurimit që bëjmë.
Para Ramazanit ne duhet të bëjmë një parapërgatitje për adhurim, duke e përgatitur veten që kemi nevojë për adhurim dhe se adhurimi është ushqimi i vetëm për ta mbajtur shpirtin të gjallëruar dhe që të ruajmë objektivin pse erdhëm në këtë botë. Nëse nuk fillojmë të bëjmë përgatitje në këto dy rrafshe, ekziston frika që do të hyjmë në Ramazan dhe disa vepra së bashku me agjërimin do t'i bëjmë në mënyrë mekanike, nuk do të ndiejmë nevojën shpirtërore për to dhe as shijen e tyre.
Më shumë se kurrë para Ramazanit kemi nevojë të krahasojmë veten me gjeneratat e para, se si ata përgatiteshin për Ramazan dhe si përgatitemi ne. Ata i kushtonin vëmendje anës shpirtërore dhe pothuajse aspak asaj materiale, kurse ne më shumë po i kushtojmë vëmendje anës materiale sesa shpirtërore.
Ne kemi nevojë për përgatitje shpirtërore që ta rrisim energjinë dhe të bëjmë sa më shumë vepra të mira, por nuk duhet të harrojmë se për përgatitjet para, gjatë dhe pas Ramazanit duhet të ndjekim modelin e të parëve tanë.
Ibën Mesudi thoshte: "Cili prej nesh është i pranuar, që ta përgëzojmë? E cili prej nesh është i privuar, që ta ngushëllojmë?
Urime për ty që je pranuar! Ndërsa ti që je privuar, Allahu të ndihmoftë në fatkeqësinë që të ka rëne!"(7)



_______________________
1. Fejsal Bedani, Heketha Kane Ennebij fi Rmadan, Riad, 2007, fq, 23.
2. Rashit Zylfiu, Kandili i Ramazanit, Gjilan, Këshilli i Bashkësisë Islame,
2017,26.
3. Dr. Sedat Islami, Si të përfitojmë nga Ramazani, Prishtinë, 2019, 14.
4 https://www.alukah.net/sharia/0/44211
5. Dr. Omer Mudejfir, Kejfe tenxhah fi Rmadan, Riad, 1428h, 17.
6. Po aty.
7. Rashit Zylfiu, Kandili i Ramazanit, Gjilan, Këshilli i Bashkësisë Islame, 2017, 35.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi