Për çdo vit muslimanët janë dëshmitarë të manifestimeve madhështore dhe gëzimit kolektiv, dëshmitar të gjallërisë e vizitave të ndërsjella që bëhen në këto ditë gëzimi e feste dhe disponimi mbarëpopullor që mbretëron me rastin e festës së Bajramit.
Muhamedi a.s, ka thënë:“Çdo popull i ka festat e veta, e festat e muslimanëve janë dy: Fitër Bajrami dhe Kurban Bajrami”.
Pasi që jemi pranë një feste madhështore të Fitër Bajramit, vlen që t’i themi disa fjalë rreth kësaj feste.
Festa e Fiter Bajramit, vjen pas një muaji të tërë adhurimi dhe kontributi, pas një muaji sfidues për trupin dhe shpirtin, ajo vjen pas muaji madhështor të Ramazanit.
Fitër Bajrami ndërlidhet me fillimin e shpalljes së Kuranit, mision i të cilit është të udhëzoj, të drejtoj, të shpëtoj. Të na nxjerrë nga errësirat e mosbesimeve në horizontin e dritës së besimit. Pra, e falënderojmë Allahun ngase na udhëzoi dhe na drejtoi.
Në këtë ditë besimtarët falenderojnë Zotin Fuqiplotë, shprehin ndaj Tij mirënjohjet më të thella dhe më të sinqerta.
Gjatë këtij muaji flijuam shumë gjëra, në shenjë respekti e adhurimi ndaj Krijuesit të Gjithësisë.
Miliona besimtarë nga mbarë bota u drejtohen xhamive për ta kurorëzuar këtë adhurim me faljen e namazit të Fitër-Bajramit. Fytyrat e besimtarëve janë të buzëqeshura, ngase me përkushtim e ndershmëri gjatë tërë këtij muaji ishin në adhurim të vazhdueshëm.
I Madhi Zot nuk e humb mundin e askujt. Ai do të shpërblej për të gjitha ibadetet. Derisa besimtari e ka këtë bindje, ai edhe në këtë ditë feste, pas agjërimit të këtij muaji të bekuar reflekton: dashuri, respekt, kooperim, unitet, ndihmë e bamirësi, solidaritet, me shpresën e madhe se Allahu Fuqiplotë do ta shpërblejë atë.
Në momentet festive kudo shtrihet dora e mëshirës, kjo festë mbjellë gëzimin e harenë në shtëpitë dhe zemrat tona, forcon dashurinë njerëzore dhe na rikujton kujdesin që duhet të kemi për varfanjakët, të paaftit për punë, të sëmurët, që edhe zemrat e tyre t'i mbushim me gëzim e hare.
Nisur nga ky parim një muaj të plotë e kaluam në agjërim, nëpërmjet të cilit u munduam që në vazhdimësi të jemi në kryerjen e të gjitha obligimeve që sjell agjërimi, dhe me të drejtë gëzohemi ngase i Madhi Zot na bëri të mundur ti kryejmë adhurime të shumta që kanë të bëjnë me agjërimin. Muhamedi a.s. thotë: “Kush agjëron Ramazanin me besim dhe vetë llogaritje të sinqertë do t’i falen gabimet atij”.
Festa e fitër Bajramit është një falënderim për kryerjen e suksesshëm të Muajit të Ramazanit.
Ramazani dhe agjërimi nuk janë adhurim i thjeshtë, ato në vete ngërthejnë një thesar të çmueshëm mirësish.

Për këtë është e nevojshme që të dëgjohen qartë dhe fuqishëm këto mesazhe të Bajramit:
-Vëre veten si peshojë të marrëdhënies me tjetrin!
-Dëshiroj vëllait atë që dëshiron për vete!
-Mos mendo për vëllanë atë që nuk mendon për vete!
-Mos e fshehë të mirën e vëllait tënd, sepse as ai nuk do ta fshehë tënden!
-Bëhu mbrojtës i vëllait tënd dhe ai do të bëhet mbrojtësi yt!
-Përveç obligimeve, vepra më e dashur te Allahu është ta gëzojë vëllanë e vet!
-Nëse mendon të flasësh për të metat e tjetrit, përkujto të metat tuaja!
-Cilësitë më të mira janë të përsëritësh lidhjet e ndërprera farefisnore, ti dhurosh atij që të ka lënduar, ta falësh atë që të ka bërë padrejtësi! Besnikëria pasuron, tradhtia varfëron!
Zot i Mëshirshëm,
Na bën që vetëm Ty të shërbejmë!
Të largohemi nga mëkatet!
Të flasim të vërtetën!
Të mendojmë mirë!
Të bëjmë vepra të mira!
Të ruhemi nga haku i juaj!
Zot i Mëshirshëm!
Na jep dituri të dobishme!
Mos na lejo të na mashtrojë suksesi!
Por, as suksesi të na dëshpërojë!
Zot i Plotfuqishëm!
Nëse na merr pasurinë, na lërë shpresën!
Nëse na jep sukses, na jep fuqi dhe dëshirë ta mposhtim humbjen!
Nëse na merr begatinë e shëndetit, jepna begatinë e besimit!
Zot i Gjithëdijshëm!
Na mëso që toleranca është shkalla më e lartë e fuqisë, ndërsa dëshira
e hakmarrjes, shenja e parë e dobësisë!
Zot i Drejtë!
Kur gabojmë ndaj njerëzve, jepna fuqinë e kërkimfaljes!
Ndërsa kur njerëzit gabojnë ndaj nesh, jepna fuqinë e faljes!
Zot i Mëshirshëm!
Nëse ne të harrojmë Ty,
Mos na harro Ti, neve!
Festa e Fitër Bajramit, le të na kthejë vetëbesimin, shpresën dhe besimin e ndërsjellë, në mesin tonë të zhduket frika, xhelozia dhe zilia, shoqëria le të kthejë vetëbesimin, secili të punojë punën e tij me ndërgjegje dhe përgjegjësi, dhe le të kuptojmë që fshehtësia e suksesit në këtë botë, është besimi i sinqertë dhe veprat fisnike!
E lus Allahun e Lartësuar që të na mëshirojë në këto ditë feste, na pronoftë çdo adhurim që kryejmë për hirë të Tij, na forcoftë besimin, na përforcoftë gjithmonë në rrugën e drejtë.

Me fat dhe urime ju qoftë festa e Fiter Bajramit!


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi