Ardhja e muajit të bekuar Ramazan, bartë me vete vlera shumëdimensionale, duke përmbushur kështu nevojat shpirtërore të besimtarëve përmes plotësimit të një shtylle të Islamit, që sfidon dhe parandalon çdo gjë negative, si dhe ngrit dhe motivon besimtarët për avantazhe shpirtërore, morale dhe sociale. Edhe pse urdhri për dhënien e zekatit vjen i pandarë me urdhrin për faljen e namazit, e që është motivim dhe stimulim i besimtarit, Ramazani është koha kur besimtari plotësohet shpirtërisht dhe energjinë e akumuluar me urdhrin e dhënies së zekatit të ripërsëritur në Kuranin famëlartë e shkarkon pikërisht gjatë muajit të agjërimit, edhe pse nuk është e detyrueshme koha e zekatit në Ramazan. Meqë aspekti financiar është celulë e zhvillimit, nuk mendoj që ndonjë sistem, qoftë shoqëror apo edhe fetar, e ka integruar më mirë se feja islame. Integrimi i zekatit në shtyllat e fesë islame është argument i pa kontestueshëm se sa i rëndësishëm është individi dhe mirëqenia e tij.(1)
Mos përmbushja e kësaj shtylle paraqet besimtarin e paqëndrueshëm dhe të pa sigurt, sepse nuk mund të ketë qetësi dhe siguri në një objekt që nuk plotëson shtyllat e parapara për ekzistencën e tij. Varfëria është një segment që paraqet vështirësi në jetën e njeriut, e që realisht mund të krijojë pasiguri, depresion e mund të çojë edhe deri te veprat e shëmtuara dhe kriminale, gjë të cilën e përshkruan edhe i Dërguari i Allahut kur thotë: "Varfëria është gati pabesim". Për këtë arsye, feja islame e lufton varfërinë përmes tre instrumenteve të rëndësishme dhe domethënëse: Zekatit obligativ njëherë në vit, sadakatul fitrit po ashtu obligativ në muajin Ramazan dhe sadakasë vullnetare në çdo kohë dhe sipas mundësive.
Për shkak të peshës që ka ky faktor financiar, parimisht është e paraparë sipas kornizve të fesë islame, që institucioni kompetent të merret profesionalisht me marktingun, udhëzimet, organizimet, ruajtjen dhe shpërndarjen e mjeteve të tubuara. Këtë e argumenton ajeti kuranor, i cili derjtohet Muhamedit a.s., në formë urdhërore: “Merr prej pasurisë së tyre (të atyre që pranuan gabimin) lëmoshë që t'i pastrosh me të dhe t'u shtosh (të mirat) dhe njëkohësisht lutu për ta, se lutja jote është qetësim për ta. All-llahu dëgjon e sheh.” (Teube, 103.
Edhe caktimi i punëtorëve institucional të zekatit argumenton për peshën e kësaj çështje që nuk guxon të kryhet shkel e shko, por me njerëz kompetent me ekzistencë financiare të garantuar.
"Allahu caktoi obligim që lëmoshat (zekati etj.) t'ju takojnë vetëm: të varfërve (nevojtarëve), të ngratëve (që s’kan fare), punonjësve (që tubojnë) ... " (Teube, 60). Përdorimi i fjalës sadaka në Kuran në tri ajete (Teube 58, 60, dhe 103), si dhe në disa hadithe edhe nëse nganjëherë përkthehet si lëmoshë, ai është synonim i fjalës zekat.(2) Po ashtu, zotimi të cilin e bëri Ebu Bekri r.a., se do t'i luftojë të gjithë ata që bëjnë dallim në mes namazit dhe zekatit, nëse edhe një litar (kafshësh) do ta ndalojnë,(3) si dhe miratimi i këtij qëndrimi nga sahabët argumenton për përgjegjësinë institucionale të zekatit.
Nga aspekti tjetër, edhe besimtari i ngarkuar me këtë obligim, detyrohet të ndjek udhëzimet e organit kompetent, ngase kryerja e këtij obligimi është ibadet i drejtpërdrejtë dhe plotësim i shtyllave të Islamit.
Sadakatul fitri
Sadakatul fitri është obligim material që besimtari ngarkohet në përmbushjen e tij gjatë muajit Ramazan, konkretisht deri para faljes së namazit të Bajramit, bazuar në transmetimin e Ibni Abasit, i cili thote: "I Derguari i Allahut ka obliguar sadakatul fitrin, si pastrim për agjëruesin nga përgojimet dhe leshimet, si dhe furnizim për nevojtarët. Kush e kryen ate para faljes së namazit (të Bajramit) llogaritet sadakatul fitr i pranuar, e kush e kryen pas namazit, atëhere ajo është sadaka e rëndomtë.”(4)
Kujdestari i familjes obligohet për pagesen e sadakatul fitrit për vete dhe gjithe anëtarët e familjes për të cilët ai kujdeset financiarisht: qoftë edhe për fëmijën që lind para faljes se namazit të Bajramit, bazuar në transmetimin e Ibni Omerit ku thuhet: "I Dërguari i Allahut ka obliguar sadakatul fitrin për çdo të lirë, të robëruar, qoftë mashkull apo femër nga myslimanët”, apo edhe sipas transmetumt të Ebu Hurejres: "... çdo të lirë apo të robëruar, mashkull apo femër, i madh apo i vogël, i varfër apo i pasur"(5) Disa nga dijetarët preferojnë dhënien e sadaleatul fitrit edhe për fëmijën në barkun e nënës.(6)
Urtësia e obligueshmërisë së sadakatul fitrit, bazuar në thënien e Pejgamberit a.s., të transmetuar nga Ibni Omeri ka dy dimensione, atë individual, pra të agjëruesit, ngase llogaritet si pastrim i agjërimit të tij nga ndonjë përgojim apo lëshim i mundshëm, dhe atë shoqëror, me të cilin janë në konsideratë nevojtarët që së paku ata, në ditën e festës ta kenë të garantuar sofrën e Bajramit. Kjo e fundit përforcohet më tepër nga thënia e Pejgamberit a.s, ku thuhet: "Furnizoni ata (nevojtarët) që të paktën në këtë ditë të mos bredhin (duke lypur)”(7), si dhe nevojat e tjera shoqërore që janë në interes specifik apo edhe të përgjithshëm, bazuar në ajetin e 60-të sures Teube, që përcakton grupet me të drejtë pranimi të fondeve të obligimeve financiare fetare.
Gjithashtu urtësi e kësaj çështje llogaritet edhe sasia e vogël (minimale), gjë që ua lehtëson njerëzve ta ndajnë atë me mjetet e tyre që posedojnë, e që shumica e ymetit mund të participojnë në këtë ofertë fisnike dhe në këtë rast të bekuar.(8)
Sasia e shumës që duhet dhënë si sadakatul fitr llogaritet në vlerën e dy shujtave ditore në kuzhina publike, duke u bazuar në sasinë e masës së gjërave ushqimore që janë transmetuar nga Pejgamberi a.s . Transmetohet nga Ibën Omeri r.a. të ketë thënë: "I Dërguari i Allahut ka obliguar sadakatul fitrin në Ramazan një sa’a(9) nga hurmat apo një sa’a nga elbi ...”(10) Pra, shuma e sadakatul fitrit me valuta bashkëkohore është e ndryshme në çdo shtet dhe llogaritet me çmimet e vendit. Në vende ku gjendja ekonomike e besimtarëve është e ndryshme, atëherë edhe sasia e pagesës së këtij obligimi material është i ndryshëm dhe llogaritet në bazë të standardit të të ushqyerit të familjes. Çmimi për sadakatul fitrin do të caktohet nga organi kompetent për çështje fetare, kurse standardi i të ushqyerit duhet të caktohet nga vetë paguesit e sadakatul fitrit.
Forma e tubimit dhe destinimit të zekatit dhe sadakatul fitrit
Edhe pse forma e tubimit dhe destinimit të zekatit dhe sadakatul fitrit parimisht duhet të jenë të institucionalizuar, çuditërisht në pjesën më të madhe të myslimanëve, kjo gjë është lënë nën mëshirën e vetë besimtarëve, dhe ata me kapacitetin e vetëdijes së tyre fetare vendosin dhe përzgjedhin kategoritë ku i derdhin ibadetet e tyre materiale. Se sa ato janë të qëlluara, Allahu e dinë më së miri. Por, nuk duhet të harrojmë se sipas parimeve islame, po të jetë i informuar zekatpaguesi se vendi ku e ka dhënë zekatin apo sadakatul fitrin është i gabuar, obligohet të paguajë atë edhe njëherë. Meqë kategoritë e pranimit të zekatit dhe sadakatul fitrit, bazuar në ajetin e 60 të sures Teube, janë më shumë se një, më konkretisht ato janë tetë, automatikisht lënë të kuptohet se këtu duhet të shikohen prioritetet, dhe për të caktuar prioritetet duhet patur organ kompetent religjioz. Meqë jetojmë në një sistem demokratik dhe aspekti fetar është i organizuar brenda secilit shtet në formë të pavarur nga shtetet e tjera, dhe se secili shtet ka bartësit e përgjegjësive fetare, pra ai institucion njeh më së miri rrethanat e shtetit të vet, nevojat e popullit të vet, dhe parashikon edhe të ardhmen e popullatës në përgjithësi dhe myslimanëve në veçanti. Prandaj, parimisht këtij institucioni i takon edhe trajtimi i çështjeve fetare e konkretisht edhe menaxhimi i tubimit dhe destinimit të mjeteve materiale fetare, siç është zekati dhe sadakatul fitri. E kjo gjë është më se e nevojshme në vendet ku nuk ka varfëri të skajshme dhe ku njerëzit nuk janë të rrezikuar me kafshatën e gojës. Bazuar në këtë, mendoj se Bashkësia Islame e ishJugosllavisë ka qenë largpamëse dhe duke u mbështetur në parimet fetare dhe gjendjen e popullatës ka rikthyer institucionalizimin e tubimit dhe destinimit të ibadeteve materiale fetare dhe ka përzgjedhur kategoritë prioritare, konkretisht "ve ji sebili lah" për ngritjen e fjalës së Allahut. Dhe ky institucionalizim ka sjell frytet e veta në atë kohë dhe ka trashëguar këtë traditë deri në ditët e sodit në të gjitha rajonet e ish-Jugosllavisë ku jetojnë myslimanët, e konkretisht edhe në trojet shqiptare.
Roli i ibadeteve materiale në ngritjen e fjalës së allahut në trojet shqiptare
Forma e tubimit dhe destinimit të zekatit dhe sadakatul fitrit në trojet shqiptare, jo që ka qenë vetëm vepër bamirësie, por është shndërruar në vepër riprodhuese. Pra, jo vetëm material harxhues, por është rikthyer në riprodhim shpirtërore-edukativ. Kështu që ky realitet nuk duhet neglizhuar, por duhet thellësisht të analizohet dhe të nxirren modele që do t'i shërbejnë avancimit të jetës fetare edhe në kohën moderne, por edhe në të ardhmen. Themelimi i Medresesë së Ulët në Prishtinë më 1952, zhvillimi i saj dhe marrja e statusit të Medresesë së Mesme në vitet e 60-ta, hapja e Medresesë Isa Beu në vitet e 80-ta në Shkup, hapja e Medresesë në Novi Pazar në vitin 1990, hapja e paraleleve në Prizren dhe Gjilan, hapja e Fakultetit të Studimeve Islame në vitin 1992 në Prishtinë dhe hapja e paraleleve të vajzave në vitin 1997, rangimi i Medresesë në shkollë të Mesme e Lartë publike pas viteve 2000, hapja e Fakultetit të Shkencave Islame në RMV; me gjithë paralelet e Medresesë anembanë Maqedonisë, Malit të Zi e Preshevës, nuk janë gjëra që kanë pikë nga qielli, por janë riprodhim i zekatit, sadakatul fitrit dhe sadakave vullnetare të njerëzve të devotshëm, që tashmë nuk jetojnë, por jam shumë i bindur se çdo lutje që bëhet në këto vatra të diturisë, në xhami pas namazeve, në mevlude e tribuna, ata do të përfitojnë nga ajo që kanë kontribuar derisa kanë qenë gjallë.
Për ta argumentuar efektivitetin e zekatit dhe sadakatul fitrit institucional, po e rikujtoj gjendjen kur unë isha në Medrese, në vitet 1993-1989. Të gjithë nxënësit e Medresesë shpërndaheshin në të gjitha hapësirat shqiptare dhe nuk mbuloheshin nevojat për imam, kurse tash të gjitha fshatrat kanë më shumë se një imam, të gjitha xhamitë janë me imam, e gjithë diaspora është e mbuluar me imam.
Efekt tjetër që nuk duhet lënë anash është forma e interpretimit autoktonë të fesë islame dhe ruajtja e traditave fetare, ngase institucionet tona fetare janë financuar nga vetë qytetaret dhe nuk kanë pas nevojë të domosdoshme të financohen dhe ndikohen nga jashtë. Për ta kuptuar këtë, më së afërmi mund të bëjmë një krahasim me shtetin amë, pra Shqipërinë, ku fatkeqësish për shkak të rrethanave politike komuniste është çrrënjosur kjo traditë institucionale dhe për këtë arsye edhe sot Medresetë e Shqipërisë nuk e kanë fatin të funksionojnë të pavarura dhe të financuara nga mjetet e veta, por menaxhohen nga shoqata të ndryshme, gjë për të cilën mund të themi se kemi edhe laramani interpretuese dhe ideologjike.
Është për keqardhje se si shumë njerëz e nganjëherë besa edhe imamë e teologë nuk e shohin rezultatin e ibadeteve materiale fetare në fushën e ngritjes së fjalës së Allahut të Lartësuar dhe bëjnë përpjekje për de kanalizimin e zekatit dhe sadakatul fitrit në materiale harxhuese në vend të atij riprodhues. Mendoj se kjo është përgjegjësi e madhe dhe se është e rëndë për ta arsyetuar para Allahut të Gjithëfuqishëm.
Edhe pse në trojet tona varfëria është e theksuar, megjithatë nuk është e skajshme dhe anembanë trojeve shqiptare ekzistojnë zyrat sociale që janë përgjegjëse për nevojtarët, po ashtu shoqatat humanitare, aksionet e Ramazanit, të cilat përmbushin sadopak nevojat e nevojtarëve, prandaj, apelojmë që ibadetet materiale-fetare të derdhën në fondin shpirtëror-edukativ për mbarëvajtjen dhe zhvillimin e jetës fetare në trojet tona.
Apel të veçantë u dërgojmë bizneseve që obligohen me zekat, ashtu sikurse që mundohen që kapitalin e tyre ta vënë në shërbim profiti të vazhdueshëm, që të kujdesën edhe për obligimet fetare materiale, t'i destinojnë aty ku janë me profit riprodhues, me qëllim të mbarëvajtjes së punës së tyre dhe përfitimit të vlerave shpirtërore në këtë botë dhe në botën tjetër. Këtë po e potencoj nga njohurit teorike lidhur me këtë temë, si dhe nga përvojat praktike, ngase e shoh se sa dëm u bëhet institucioneve kompetente me de kanalizimin e derdhjes së ibadeteve materiale fetare, në interesa të ngushta e nganjëherë edhe banale.
____________________________________
1. Më gjerësisht për rolin e zekatit tek individi dhe shoqëria shih. Vahidin Beluli, Takvimi 2004, fq.133.
2. Shih, Vahidin Beluli, Zekati në të mbjella dhe fruta fë. 10-12.
3. Transmeton Buhariu nr, 7284 si dhe Muslimi nr. 20.
4. Ebu Davudi hadithi nr. 1609 dhe Ibën Maxheh hadith i nr. 1827.
5. Transmetojnë Buhariu, Muslimi, Nesaiu dhe Ahmedi, hadithi nr, 186.
6. Shih dr, Jusuf Kardavi, Fikhu Zekat, vol. 2. fq. 928.
7. Dare Kutni, vol. 4 hadithi nr. 628 , Bejhekiu, vol. 4 fq. 175.
8. Shih dr. Jusuf Kardavi, Fikhu Zekat, vol. 2 fq. 923.
9 Sa'a është njësi matëse për drithëra që përputhet me 2. 176 kg.
10. Rewahul Xhemaatu
Dituria Islame 389