Dost Mohammad Khan, guvernator i Kabulit, u sulmua nga mbreti kundërshtar. Ai dërgoi përballë armikut ushtrinë të cilën e komandonte biri i tij, për ta zmbrapsur armikun.
Së shpejti, i erdhi lajmi se ushtria e tij ka pësuar disfatë, ndërsa biri i tij që udhëhiqte ushtrinë e tij kishte ikur nga fushëbeteja dhe armiku po e ndiqte. Emir Dost Muhammedi ishte i hutuar, në njërën anë disfata e ushtrisë e në anën tjetër sjellja e turpshme e djalit të tij dhe poshtërimi i popullit të tij.
Erdhi në shtëpi i zemëruar e i shqetësuar dhe i tregoi gruas së tij.
Gruaja menjëherë iu përgjigj: “Lajmet të cilat i ke marrë janë të rrejshme.”
I hutuar e pyet gruan: “Si mund të jenë të rrejshme? M’i kanë sjell personat e veçantë të shërbimit tim sekret.”
Por, ajo me vendosmëri iu përgjigj: “Ai nuk mund të pësojë disfatë në këtë mënyrë kurrsesi.”
“Kjo është kokëfortësia femërore dhe insiston në këtë”, - mendoi Emiri në vete.
Por, ditën tjetër erdhi lajmi se ushtria e tij ka triumfuar me djalin e tij dhe lajmet e mëparshme kanë qenë të rrejshme.
Emiri erdhi në shtëpi dhe ia tregoi lajmin gruas, e cila e falënderoi Allahun. Por, Emiri e pyeti: “Grua, si e ke ditur që ushtria jonë nuk do të pësojë disfatë dhe djali nuk ka ikur, dhe kështu i hodhe poshtë lajmet e shërbimit tim sekret?”
Ajo u përgjigj: “Allahu e mbrojti nderin tim. Kjo është fshehtësi e imja dhe nuk dëshiroj ta zbuloj.”
Por, me insistimin e Emirit, ajo i tha: “Që nga fillimi i shtatzënisë, jam betuar që asnjëherë nuk do të ha ushqim haram, sepse e kam ditur që ushqimi hallall krijon karakter të mirë, ndërsa ushqimi haram krijon karakter të keq. Kam vazhduar kështu edhe pas lindjes së djalit duke u larguar nga gjërat e dyshimta që qumështi im mos të ndikojë në karakterin e tij. Nuk e kam mëkuar asnjëherë pa marrë abdes dhe pa falur dy rekate nafile. Nga kjo arsye, isha e bindur se karakteri i tij do të jetë i bukur. Në fushëbetejë ka mundur të bjerë shehid se ky është virtyt i karakterit të mirë, por asnjëherë nuk do të ikte nga fushëbeteja e cila është karakteristikë e njerëzve të ligë. Për këtë, i hodha poshtë lajmet e shërbimit tënd sekret si të pavërteta.”
Përktheu dhe përshtati:
Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi