Shamia – obligim, liri dhe sfidë

 


Nisur nga emërtimi, temën do ta shtjelloj duke u përgjigjur në obligueshmërinë e mbulesës edhe në kohët moderne, dhe duke arsyetuar se pse shamia në kohën tonë është liri, por edhe një sfidë.


Pyetja e parë:


Pse mbulesa vazhdon të jetë obligim edhe në kohen bashkëkohore?


Islami nuk merr në konsideratë vetëm të vërtetën epistemologjike, as vetëm të drejtën ose vetëm etikën, ai bën fjalë edhe për estetikën. Të gjitha këto i vë në një cikël vlerash. Veshja në suaza të besimit islam, si për meshkujt ashtu edhe për femrat, paraqet një obligim fetar me konsensus të të gjithë dijetarëve të hershëm myslimanë. E meqenëse te gjinia femërore është më e theksuar prirja për zbukurim, saqë mund të llogaritet ndër veçoritë psikologjike që kanë femrat, krahasuar me meshkujt, përveç aspekteve të tjera funksionale, ajo që thekson feja është domosdoshmëria e balancimit të animit kah kjo prirje, duke e plotësuar me prirjet tjera psiko-fizike të personalitetit femëror, Prandaj, mbulesa hyn te dispozitat estetike, si aparencë, që luan rolin e saj në etikën e devotshmërisë.
Dëshira për t'u dukur bukur është krejtësisht e natyrshme, megjithatë edukimi që marrim, si dhe kultura e vendit dhe kohës ku jetojmë, kanë rol në zmadhimin e këtij aspekti, aq sa mund ta nxjerrin njeriun nga të mbajturit e vetes me elegancë deri te të shfaqurit me ekstravagancë.
Nisur nga ky realitet, veshja islame, në radhë të parë, është petk i modestisë dhe privatësisë, që i përgjigjet të gjitha kohërave. Femra në moshë të rritur veshë pjesën më të madhe të trupit, përveç fytyrës dhe duarve, në bindje ndaj Zotit. Lidhur me obligueshmërinë e mbulimit të trupit, duke përfshirë edhe shaminë e kokës, Kurani thotë: "Thuaju besimtareve që të ulin shikimet e tyre (nga e ndaluara), ta ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme) dhe të mos i shfaqin bukuritë e tyre qëllimshëm, përveç atyre që janë të dukshme vetvetiu (fytyra dhe duart), andaj le t'i mbulojnë kraharorët me mbulesat e tyre (të kokës)" (En Nur, 31).
Ky ajet nënkupton se mbulimi i trupit me veshje dhe i kokës me shami është pjesë integrale dhe obligative e besimit islam. Është një mburojë e intimitetit të femrës nga syri i publikut. Sjellja dhe veshja e saj modeste por elegante, shërben si një pengesë e pakalueshme që frenon shikimin e shthurur të meshkujve, i cili tenton të bredhë lirshëm mbi trupin femëror në kërkim të ëndjes.
Lidhur me këtë, Kurani famëlartë thotë: "O Profet, thuaju grave dhe vajzave tua, si dhe grave të besimtarëve, që të lëshojnë mbulesën e tyre (të kokës) përreth trupit. Kjo është mënyra më e përshtatshme që ato të njihen e të mos ngacmohen nga të tjerët. Me të vërtetë, Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë." (El Ahzab, 59).


Pyetja e dytë:


Çka paraqet mbulesa për një grua myslimane?


Nisur nga pjesa e ajetit të sipërpërmendur, ku u tha se "kjo është mënyra më e përshtatshme që ato të njihen e të mos ngacmohen nga të tjerët" mund të nënkuptojmë se veshja flet shumë edhe për vlerat identitare të një individi. Veshja, në suaza të vlerave morale që ka një grua, i kujton asaj vlerat e besimit që ajo praktikon, i lë tjetrit përshtypjen se çfarë ajo mund të pranojë apo refuzojë, si dhe jep një mesazh të qartë se nuk toleron ngacmime imorale apo sjellje të pahijshme nga të tjerët, duke i paralajmëruar që të sillen në mënyrë të përgjegjshme ndaj saj. Pra, veshja dinjitoze e një gruaje, reflekton llojin e personalitetit dhe vlerat personale, neutralizon ndikimin e pjesëve femërore atraktive kur është në publik, duke stabilizuar elementet që theksojnë feminitetin vetëm si trup tërheqës dhe nxjerr në pah njerëzoren e gruas se është mendje krijuese e aftë për të punuar, pa u kufizuar nga meshkujt në suaza të pritshmërive biologjike.
Kjo që themi, edhe pse është e vërtetë, në asnjë mënyrë nuk do të thotë se një femër e pa shami dëshmon për të kundërtën, as nuk është e drejtë të mendojmë apo ta themi këtë, sepse njeriun e dallojnë në radhë të parë qëllimet dhe punët e mira, dashuria për Krijuesin dhe krijesat, solidariteti ndaj njerëzimit dhe bashkatdhetarëve, përkushtimi për të kontribuar në mjedisin ku jeton, veçanërisht në familje. Edhe vetë të mbuluarat me veshje islame mund të kenë qenë pa këtë veshje një kohë të gjatë dhe vazhdojnë të kenë farefis, mikesha, kolege dhe shoqe që janë ende ashtu. Veshja thjesht reflekton në të jashtmen bindjen që mban zemra për këtë mësim të veçantë të besimit, e nuk nënkupton kurrsesi mos prezencë të vetë besimit dhe të moralit.


Pyetja e tretë:


A është mbajtja e mbulesës sfidë në kohën bashkëkohore?


Mund të themi se është sfidë, edhe pse do të duhej të ishte diçka krejtësisht normale në një shoqëri pluraliste, si shoqëria e jonë e pasluftës. Mendoj se mbajtjen e mbulesës e bëjnë sfidë dy gjëra kryesore: a) praktika shtetërore dhe b) qasja mediale paragjykuese (islamofobia).
Praktika shtetërore: Fakti që sot, në shekullin XXI, ende ka shtete që adoptoj në sjellje përjashtuese, rasti konkret në vendin tonë, duke i penguar vajzat e mbuluara nga e drejta e vijimit të mësimit të mesëm, apo e punësimit shkaku i veshjes së tyre modeste, është një akt i ulët e diskriminues, që nuk përkon aspak me realitetin e kohës dhe të instancave drejt të cilave Kosova synon të integrohet. Kushtetuta e Republikës së Kosovës, bën pjesë te kushtetutat demokratike. Në preambulën e saj, ajo ndërmerr një zotim për ndërtimin e një shteti demokratik të së drejtës, që do të thotë se qeveriset mbi parimin e sovranitetit të popullit, që në thelb ka pluralizmin e ideve dhe se bazë e kufij të veprimtarisë së tij ka të drejtën, në zemër të së cilës qëndrojnë disa vlera universale të pandashme, të patjetërsueshme dhe të padhunueshme.
Këto vlera janë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, arsyeja e vetë ekzistencës së kushtetutës, të cilat përbëjnë bërthamën dhe frymën e saj. Në mënyrë të veçantë theksohet liria e besimit dhe e manifestimit të tij si një prej elementëve më thelbësorë në sendërtimin e personalitetit njerëzor.
Të kujtojmë këtu treshen e lirisë fetare: të drejtat, përgjegjësitë dhe respektin:
Të drejtat: Liria fetare është një e drejtë themelore dhe e patjetërsueshme, e bazuar në dinjitetin e paprekshëm të personit.
Përgjegjësitë: Liria fetare nuk është vetëm një e drejtë universale, por edhe një përgjegjësi universale për të respektuar këtë të drejtë për të tjerët, duke i trajtuar të tjerët ashtu si dëshirojmë të trajtohemi vetë. Të gjithë qytetarët duhet të njohin lidhjen e pandashme midis ruajtjes së të drejtave të tyre dhe përgjegjësisë për të mbrojtur ato të drejta për të gjithë të tjerët.
Respekti: Mendimet ndryshe janë pikënisje për të zhvilluar një debat, megjithatë nëse duam të jetojmë me dallimet tona, mënyra se si debatojmë dhe jo vetëm ajo që debatojmë, ka një rëndësi kritike. Në zemër të një qytetarie të mirëfilltë, është një angazhim i fortë ndaj vlerave qytetare që u mundësojnë njerëzve me perspektiva të ndryshme fetare dhe filozofike të trajtojnë njëri-tjetrin me respekt dhe civilizim.
Prandaj, bazuar në këto tri parime, duhet shqyrtuar shamia apo shalli i kokës. Tek e fundja, secili kundërshtues mund të pyes veten se çfarë ndryshimi të papranueshëm përbën shalli i kokës prej shallit të hedhur rreth qafës që ai e pranon.
Qasja mediatike paragjykuese (që për fat të mirë është në zbutje)


Mbulesa mundëson shtypjen e gruas?


Nisur prapë nga pjesa e ajetit të sipërpërmendur "kjo është mënyra më e përshtatshme që ato të njihen e të mos ngacmohen nga të tjerët”, del në pah se një grua nuk e vë mbulesën për të qëndruar brenda shtëpisë, sepse në familje të ngushtë nuk ka nevojë të mbahet fare mbulesa, por e vë në publik me qëllim që të vazhdoj ndërtimin e karrierës dhe përmbushjen e synimeve të saja.
Karakteristikë e mbulesës është vetëm mbajtja e elegancës në atë mënyrë veshjeje që reflekton dinjitet dhe shmang ngacmim in dhe provokimin. Kjo tregon qartë se gratë myslimane nuk duhet të ndihen të penguara apo të paafta në punën e tyre të përditshme dhe të kontribuojnë denjësisht në zhvillimin e shoqërisë dhe vendit, ngase Islami vë theksin te njeriu si qenie humane, e jo te diçka tjetër e lindur si gjinia, ngjyra apo etnia. Femrës i lejohet të ushtrojë detyra edhe jashtë shtëpisë, të punojë dhe të fitojë për nevojat e veta, të manifestojë publikisht bindjet, të zgjedhë dhe të ushtrojë profesionin që do, në mënyrë që të jetë pjesëmarrëse aktive në jetën publike të shoqërisë.
Islami jep udhëzime të hollësishme që u nevojiten femrave për të ndërtuar karakterin dhe për të zhvilluar aftësitë e tyre. Diku mbi 300 thënie profetike flasin për ndikimin e faktorit grua në sfera të ndryshme të jetës në kohën e Pejgamberit a.s .. Kjo do të thotë se gruaja që trason rrugën e Profetit a.s. duhet të jetë aktive dhe efektive në çka i shërben zhvillimit shoqëror.
Pra, mënyra se si vishemi, duhet të shërbejë për çlirimin e gruas nga zakonet kufizuese dhe për fuqizimin e rolit të saj në shoqëri.
Shamia u përket shumë kombeve, kohërave dhe feve. Ajo nuk ishte as nuk duhet të jetë simbol i përuljes së femrës ndaj mashkullit, por thjesht manifestim i hapur i përkushtimit.
Në shqiptari, si kudo në botë, shamia është mbajtur me mijëra vjet. Ajo është mbajtur nga pellazgët, nga ilirët, nga arbëreshët, mbahet edhe nga ne sot. Në tërë historinë e popullit tonë, ka qenë pjesë e kostumit kombëtar. Në sheshet e qyteteve tona shohim bustin e Nënës Terezë me shami, në kishat e bashkëkombësve tonë gjejmë portretin e të devotshmes Mari me shami. Në muzeun kombëtar, në të gjitha fotografitë e vjetra, si dhe në ekzemplarët e veshjeve tradicionale kombëtare, të të gjitha krahinave dhe besimeve, e gjen shaminë. Nënën Zahide, heroinën tonë që rriti heronjtë e lirisë dhe çlirimit nga okupimi, e kishim me shami. Kjo, ngase populli ynë ka besim të rrënjosur mirë, i njeh dhe çmon vlerat dhe frytet e besimit.


Për fund


Për të rrumbullakuar botëkuptimin për mbulesën, them se ky petk i përkushtimit dhe devocionit e ndihmon gruan të mbajë në harmoni bukurinë dhe elegancën me thjeshtësinë dhe modestinë, i jep lirinë dhe komoditetin e nevojshëm për të mbajtur komunikim korrekt me të tjerët, si një qenie e barabartë me të gjithë njerëzit që kanë trup, mendje dhe shpirt, pa patur nevojë të nxjerr në pah më shumë se gjithçka tjetër feminitetin.
Kjo nuk do të thotë se femrat me shami nuk gabojnë si gjithë të tjerat, nuk janë ndryshe prej si motrave të tyre pa shami, as më pak e as më shumë. Një shami që gruaja e vë në kokë nuk e bën më perfektë, e as doemos njeri më të drejtë, por, është një rikujtuese e mirë e vlerave të besimit që praktikon dhe njëherësh e mbanë të vetëdijshme për karakterin që mbanë dhe shembullin moral që konkretizon.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi