Dispozitat e qirasë sipas jurisprudencës islame


Në jurisprudencën islame, qirasë i është kushtuar kujdesi veçantë, duke shpjeguar dhe vendosur norma qe kanë të bëjnë me të, ngase dihet qartë se qiraja është një kontratë e rëndësishme, por që dallon nga shitblerja sepse kontrata e saj është e afatizuar ne kohë.(1)

Qiraja në kuptimin gjuhësor nënkupton dhënien e ndonjë malli-sendi që është i dobishëm për një kohë të caktuar me pagesë, ndërsa në kuptimin terminologjik sipas medhhebit hanefi, qiraja është një marrëveshje për shfrytëzimin ë gjërave te dobishme me kompensim.(2)

Legalitetin e qirasë e hasim në Kuran dhe në Sunetin e Pejgamberi a.s .. Allahu i Lartësuar thotë: "E nëse ato u japin gji fëmijëve tuaj, atëherë jepuani atyre shpërblimin që u takon(3), po ashtu në Kuran përmendet tregimi i Musait a.s, me bijat e Shuajbit a.s, ku thotë: "O babai im, - tha njëra nga ato të dyja - merre këtë njeri në shërbim! Sigurisht që njerëzit e fortë dhe të besueshëm janë më të mirët, që dikush mund të marrë në shërbim.”(4)
Po ashtu, qiraja është përmendur edhe në Sunetin e Pejgamberi a.s. si: "Jepini mëditësit pagën e tij para se t'i thahet djersa e tij”(5) "Kush punëson një punëtor, le t'ia paguajë atij rrogën e tij të plotë.”(6)

Kontrata-marrëveshja e qirasë

Kontrata e qirasë është e njëjtë sikur të gjitha kontratat e tjera. Për të qenë kjo kontratë në rregull, duhet të plotësohen doemos dy elementet kryesore(7)

1. Oferta.
2. Pranimi i ofertës.


Oferta e qirasë realizohet në atë mënyrë duke shprehur me fjalë se po kërkon të marrë diçka me qira ose po ofron me dhënë diçka me qira. E me pranimin e ofertës nënkuptohet se personi është i pajtimit me ofertën e dhënë. Pra, të thotë qiradhënësi apo qiramarrësi, e jap me qira, dhe marrësi të thotë, e pranojë atë.

Në rastin e kontratës së qirasë obligohen disa kushte, thuajse kushte të përgjithshme sikurse me kontratat në përgjithësi. Këto kushte janë:

1. Që kontraktuesi të jetë i mençur.
2. Që të jetë në moshën madhore.
3. Që kontrata të jetë e qartë dhe t'i dihej qëllimi.

Për të qenë kontrata legale kushtëzohet këto kushtet.(8)

- Kushtet për mallin e dhënë me qira,
- Kushtet në vlerën e qirasë.


Kushtet për mallin e dhënë me qira janë:

1. Që malli i dhënë me qira të jetë pre gjërave të lejuara në aspektin e sheriatit islam, ngase nuk lejohet të jepet me qira ajo qi është e ndaluar në fenë tonë.(9)
2. Që malli i dhënë apo i marrë me qira duhet të jetë njohur nga ana e kontraktueseve në atë nivel sa që të mos kenë paqartësi rreth mallit. Malli bëhet i njohur me këto mënyra.(10)

a. Te caktohet koha e qirasë. P.sh. kur i jepet dikujt vetura me qira, i caktohet koha e përdorimit etj.
b. Që të përcaktohet se çfarë lloji do të jepet apo merret me qira, si p.sh, të caktohet lloji i punës në ndërtimi e murit, të caktohet lloji i pambukut që do të jepet me qira etj.
c. Që të sinjalizohet në mënyrën e veprimit, si p.sh. të jepet shenjë se në çfarë modeli të qepen rrobat etj.

Kushtet e dhënies së shpërblimit-pagës(11)

Dihet qartë se shpërblimi-pagesa bëhet për kryerjen e ndonjë punë apo për shfrytëzimin e ndonjë gjëje të dobishme. Kushtëzohet që në pagesën që duhet bërë, të jetë precizuar mirë nga të dyja palët në kontratë. Në parim që pagesa jepet pasi të kryhet puna ose pasi të jetë arritur përfitimi. Po ashtu mund të paguhet gjatë punës, pas përfundimit të punës dhe para fillimit të punës nëse për këtë janë të pajtimit të dy palët.(12)

Shënim: për disa llojet të pagesave nuk ka në nevojë të kihet njohuri paraprake se sa duhet të paguhet, ngase konsiderohen punë të lehta dhe se veprohet sipas traditës si p.sh., nëse i dërgojmë këpucët për t'iriparuar ato, apo e riparojmë ndonjë mbajtës të orës e të ngjashëm. Pra, në këtë rast, pagesa bëhet sipas zakonit të atij vendi.

Me çka realizohet pagesa?

Zakonisht në kohën tonë është e njohur që pagesa të realizohet gjithmonë me monedha dhe se sasia dhe vlera e tyre janë të njohura nga të dy palët. Po ashtu ka mundësi të paguhet paga edhe me forma të tjera me ndonjë lloji të mallit apo me ndonjë gjë që ka vlerë.(13)

Shpërblimi në mall mund të jetë p.sh. rroba, grurë, vaj etj. Në kohët e hershme në këtë mënyrë ka qenë zakon pagesa. Kur ndodh që të paguhet paga me mall nuk lejohet të jetë pjesë e kontratës si p.sh. nëse e ka punësuar kasapin për të therur lopën me kusht që lëkura e saj të jetë pagë; ose t'i caktohet atij qe e bluan miellin të marrë si një pjesë të grurit etj.. Kjo nuk lejohet për shkak se lëkura nuk dihet se a do të jetë e padëmtuar, a do të jetë e trashë apo e hollë, ndërsa te gruri nuk dihet sa e ka peshën. Pra, pagesa në këtë mënyrë nuk lejohet ngase vlera e pagës është e panjohur. Pagesa me diçka që është përfitim si p.sh. t'i jepet vetura për shfrytëzim si pagesë e qirasë së shtëpisë ku banon.(14) Në këtë rast, sipas hanefitëve, kur të bëhet pagesë me diçka që është përfitim nuk lejohet të jetë me të njëjtin mall si p.sh. të bëhet pagesa e qirasë së shtëpisë duke i dhënë atij ndonjë shtëpi tjetër me qira. Kjo ndalesë është e atillë me qëllim që të mos bëhet kamat me vonesë për shkak të pagesës me lloj të njëjtë.

Kushtet e qirasë në mallra(15)

Qiraja për mallra, në të cilën bëjnë pjesë: qiraja për shtëpi, veturë, tokë, dhe mjete të ndryshme etj..., duhet të plotësojë kushte të veçanta me qëllim që qiraja të jetë legale. Pra, këto kushte janë:

a. Që malli i dhënë me qira të dihet se cili është, si p.sh. nëse dikush posedon disa llojet të veturave, duhet të përcaktohet qartë se cila është ajo veturë që është dhënë me qira.
b. Që çmimi i qirasë të jetë i përcaktuar edhe po që se nuk është e përcaktuar koha e përfundimit të përdorimit.

Rreth këtij llojit të qirasë ka rregulla të shumta(16), e ne do t'i përmendim disa prej tyre:

1. Qiradhënësi duhet t'ia dorëzoj pronën qiramarrësit pas bërjes së kontratës. Pra, duhet dorëzuar mallin qiramarrësit nëse mundet të merret me dorë t'i jepet në dorë apo t'i mundësohet që ai mall të jetë në përdorim nga ana e qiramarrësit. E kur ndodh që malli nuk është i atillë që mund të lëvizet si p.sh. shtëpia, atëherë duhet me i dhënë çelësin e saj, apo nëse ka dhënë tokën me qesim (qira), atëherë pas kontratës duhet t’i jepet leja qiramarrësit që ta filloj punën në të. E kur i dorëzohet malli qiramarrësit, atëherë ai e ka për obligim dhënien e qirasë për të cilën janë në dakord dhe se tash nuk ka rëndësi se a e shfrytëzon mallin qiramarrësi apo jo.

2. Në momentin e dorëzimit, malli nuk duhet të ketë asnjë të metë që e pakëson apo e pengon mundësinë e shfrytëzimit në aspektin e dobisë. E, po që se ndodh që në të të ketë të metë që e pakëson mundësinë e shfrytëzimit dhe se qiradhënësi refuzon të përmirësoj atë mangësi, atëherë qiramarrësi ka të drejtë zgjedhje: nëse do e prish kontratën ose nëse do e vazhdon kontratën edhe me atë mangësi.
3. Kur ndodh që malli t'i merret me dhunë qiramarrësit, atëherë nuk jepet qiraja derisa malli është i uzurpuar, ngase uzurpimi dhe dhuna janë shkak që pengojnë shfrytëzimin e mallit, e që në këtë rast nuk jepet edhe qiraja,
4. Kur dikush merr ndonjë mall me qira, ai atë mall do ta shfrytëzojë vetëm ashtu si është kontraktuar, d.m.th. duhet të përcaktohet se për çfarë qëllimi do të shfrytëzohet malli apo mjeti i marrë me qira. P.sh. kamioni si mjet transporti mund të bartë orendi, pambuk, miell, grurë etj. Gjithashtu mund të transportoj edhe gurë, hekur, dhe, etj.
5. Nëse një person e merr me qira ndonjë mall dhe se qiradhënësi nuk i kushtëzon atij që të mos ia jep tjetrit atë mall me qira, atëherë këtij i lejohet që atë mall t'ia jep tjetrit qoftë me qira apo qoftë si hua.(17)
6. Po që se ndodhë që qiramarrësi e dëmton, keqtrajton-shkatërron mallin dhe vepron në kundërshtim me kushtet e përcaktuara nga qiradhënësi dhe më pastaj i shkakton dëmtime apo shkatërrim mallit, atëherë qiramarrësi është i obliguar me kompensim.
7. Kur përfundon periudha e qirasë e ka për obligim qiramarrësi që të kujdeset për mallin dhe se duhet ta rikthej mallin ashtu si duhet dhe si e ka marrë nga qiradhënësi. Pra, duhet t'i kthehet malli pronarit në dorë ose në vendin ku e ka caktuar vetë ai.
8. Po që se ndodh që qiramarrësi kërkon nga prodhuesi që ta punojë vetë personalisht atë që i kërkohet, atëherë ai është i detyruar t'i përmbahet marrëveshjes dhe assesi t'ia dorëzojë kryerjen e punës diku tjetër.

Shënim: Nëse në mallin e dhënë me qira paraqitet një e metë e madhe gjatë periudhës së dhënies me qira, atëherë lind pyetja se kush duhet të marrë përgjegjësinë e përmirësimit, pronari apo qiramarrësi? Të metat e mëdha të mallit mund të përmblidhen në dy lloje:

a. Një lloj ku e meta paraqitet te malli natyrshëm jo për shkak të njeriut. Si p.sh. kur ndodh që të bije fasada e murit, apo të dëmtohet kulmi për shkak të reshjeve, apo tërmetit etj.. Atëherë në këtë rast pronari e ka për obligim përmirësimin dhe rregullimin e mallit të dëmtuar. E po që se ndodh që qiramarrësi e rregullon me vullnetin e vetë pa i marrë leje pronarit, atëherë ky veprim konsiderohet si kontribut vullnetar dhe se nuk ka të drejtë të kërkoj nga pronari shpërblimin për këtë kontribut vullnetar nëse pronari nuk ia paguan këtë kontribut.
b. Ndërsa lloji tjetër është kur paraqitet dëmtimi për shkak të përdorimit nga qiramarrësi si p.sh. prishja e rubineteve të ujit në shtëpi dhe mbushja e shtëpisë me ujë e të ngjashme. Në këtë rast qiramarrësi është i obliguar të sanojë dëmet e tilla ngase kanë ndodhur për shkak të veprimeve të tij.
c. Kur ndodh që rrobaqepësi ka marrë nxënës për t'ua mësuar ndonjë profesion dhe gjatë mësimit ndodh që të dëmtohet materiali, atëherë rrobaqepësi e ka për obligim me e kompensuar dëmin, si p.sh. po që se nxënësi e dëmton pëlhurën gjatë qepjes, atëherë kompensimin e kësaj pëlhurë e ka për obligim rrobaqepësi.(18)

Arsyet për prishjen e kontratës së qirasë

Qiraja është kontratë që duhet të zbatohet derisa të plotësohet koha e saj, pos nëse janë të pajtimit të dy palët ta prishin atë.
Mund të prishet kontrata e qirasë me kërkesën e njërës palë kur ekzistojnë shkaqet e forta për prishjen e saj.
Shkaqet të cilat lejojnë apo edhe kërkojnë prishjen e kontratës se qirasë janë tri lloje:

1. Arsyet nga ana e qiramarrësit: kur ndodh që ai të falimentojë, apo e braktis profesionin e që për atë e ka marrë ndonjë mjet me qira apo transferohet në ndonjë vend tjetër. Po ashtu mund të prishjet marrëveshja e qirasë kur ndodh që kjo marrëveshje do të sjell dëm te qiramarrësi apo te pasuria e tij. Si p.sh. nëse dikush e ka marrë me pagese dikë që ta prish një mur, por që në këtë rast kuptohet qartë se nëse prishet muri rrezikohet ndërtesa, pra në këtë rast lejohet të prishet kontrata e qirasë.
2. Arsyet nga ana e qiradhënësit: kur ndodh që qiradhënësi është në borxh dhe ka nevojë për shitjen e mallit të dhënë me qira që ta paguaj borxhin, apo nëse ndodh që qiradhënës i duhet doemos të udhëtoj dhe atë që e ka me pagesë të punoj duhet t'i ndërpres punën e të ngjashme.
3. Arsyet që vijnë nga vetë malli i dhënë me qira: si p.sh. kur dikush e merr me qira një dyqan në ndonjë fshat ndërsa banoret e atij fshati largohen prej fshatit; ose po qe se ndodh që dikush e merr me qira ndonjë vend punishte për të prodhuar një mall të caktuar, por që shteti e ndalon prodhimin e atij malli, apo shteti e ndalon atë veprimtari në atë rajon.(19)

Dhënia e pagës

Me dhënien e pagës kuptohet pagesa e punëkryesit për punën e kontraktuar, si p.sh. nëse e merr dikë me qira për t'i bartur orenditë e shtëpisë me pagesë(20). Dhënia e pagës për punën e kryer ndahet në dy grupe:

1. Pagesa që e realizon punëkryesi nga shumë veta si - sh. rrobaqepësi e realizon pagesën nga klientët. Kjo mënyrë e pagesës në të drejtën islame quhet (

Punëtorit të kësaj kategorie i bëhet pagesa kur ta kryej punën, ngasë kështu është marrëveshja. Mirëpo kur ndodh që punëtori ta realizojë punën duhet menjëherë t'i bëhet pagesa dhe assesi të shtyhet më vonë, përveç nëse kanë marrëveshje për këtë mes vete.

Po që se ndodh që në punën që e realizon punëtori ku ka dhënie të mundit si p.sh. qepja e pëlhurës (rroba), në këtë rast i lejohet punëtorit të mos ia dorëzojë mallin përderisa të paguaj punën punëtorit. E nëse ndodh që për ndonjë mall nuk ka dhënë mund punëtori dhe atë mall nuk ia rikthen pronarit dhe ndodh që ai mall të dëmtohet, atëherë punëtori në rast të dëmtimit është i detyruar ta kompensoj atë. Si p.sh. nëse dikush e ka dorëzuar pëlhurën për ta qepur të rrobaqepësi dhe se rrobaqepësi nuk ka qepur asgjë, por refuzon t'ia kthej pëlhurën klientit, e nëse ndodh që ajo të dëmtohet, atëherë rrobaqepësi është detyruar ta kompensoj.

Shënim: po që se ndodh që i kërkohet punëtorit që ta ngjyros rrobën apo pëlhurën dhe se ngjyrosja dështon për fajin e punëtorit, apo të vidhet jo për shkak neglizhencës së tij, në këtë rast nuk i bëhet pagesa për angazhimin që e ka bërë punëtori. Kur ndodh që gjatë punës punëtori e dëmton materialin që ka për ta punuar, sipas Ebu Hanifes, nuk duhet ta kompensoj vetëm nëse qëllimisht e ka dëmtuar apo nuk është kujdesur për ruajtën e tij. Ndërsa dy nxënësit e Ebu Hanifes janë të mendimit se në këtë rast duhet të bëjë kompensimin e dëmit punëtori, pavarësisht se a e ka shkaktuar këtë nga pakujdesia apo mos kujdesi i duhur. E nëse ndodh që të dëmtohet materiali për shkak të fatkeqësive natyrore, atëherë punëtori-mjeshtri nuk e ka për obligimi kompensimin e dëmit.

2. Pagesa që e realizon punëkryesi nga punëdhënësi.

Kjo mënyrë e pagesës në të drejtën islame quhet (). Në Këtë formë të pagesës bëjnë pjesë të gjithë të punësuarit që punojnë me kontratë në ndonjë institucion, qoftë privat apo shtetëror.

Shënim:
Nëpunësit shtetëror pavarësisht kategorive dhe aftësive marrin pagën e kontraktuar dhe se këta bëjnë pjesë në grupin e pagesës (). Nëpunësit janë të angazhuar me orar të caktuar varësisht prej natyrshmërisë së angazhimit, paguhen edhe për pushimin e festave që janë zyrtare, kanë të drejtë për pushim vjetor dhe mjekësor duke marrë pagë edhe për këto raste. Të gjitha këto veprime realizohen në bazë të marrëveshjes në mes të dy palëve dhe se në aspektin juridiko islam konsiderohen të drejta legale.

Sindikatat e punëtorëve:

Në kohën tonë bashkëkohore, ekzistojnë organizata të cilat njihen si sindikatat e punëtorëve. Si zakonisht, këto lloje të organizatave kujdesen dhe i ruajnë të drejtat dhe interesat e punëtorëve.(21) Veprimet e sindikatës konsiderohen legale, ngase është e themeluar me anë të zgjedhjeve nga vetë punëtorët. Detyra kryesore e sindikatës është ruajtja e interesave të punëtorëve dhe assesi nuk lejohet që prej buxhetit të punëtorëve sindikata të jep lëmoshë apo ndihma humanitare.



___________________________________
1. lbën Abidin, Redul Muhtar Ala Durril Muhtar, (Bejrut: boton Darul Fikr, 1412h/1992), v. VI fq.3.
2. EL Kasani, Bedaiu Sanaiu ... (Bejrut: Darul Kutub el-Ilmijjeti, pa vend botimi, 1424h/2003), v. IV, fq.174 .
3. Et Talak, 6.
4. EL Kasas, 26.
5. Transmetojnë Ibën Maxheh dhe El Bejhekiu.
6. Transmeton El Bejhekiu.
7. Muhamed Maxhid lter, el Mufessal fil Fikhil Hanefij el Emvalu vel Muamelat el Malijjeti, (Haleb: Mektebetu Daril Muslakbel, pa vit botimi), fq.305.
8. Po aty
9. El Kasani, Bedaiu Sanaiu, v. IV, fq.179 .
10 Ibnul Humam el Hanefij, Fet'hul Kadir, (Bejrut: Darul Kutub el-Ilmijjeti, 1424h/2003), v. VII, fq.150.
11. El Kasani, Bedaiu Sanaiu, vëll V, fq.193, Ibnul Humarn, Fet'hul Kadir, v.
VII, fq.152.
12. Ibnul Humame el Hanefij, Fet'hul Kadir, v. VII, fq.152.
13. Muhamed Maxhid lter, el Mufessal fil Fikhil Hanefij el Emvalu vel Muamelat el Malijjeti, fq.305.
14. Ez Zuhajli, El Fikhul Islamiju ve Ediletuhu, (Bejrut: Darul Fikr, Damask, pa vit botimi), v. IV fq. 752.
15. Muhamed Maxhid lter, el Mufessal fil Fikhil Hanefij el Emvalu vel Muamelat el Malijjeti, fq.305.
16. Ibën Abidin, Redul Muhtar Ala Durril Muhtar, (Bejrut: Darul Fikr, 1412h/l992), v. VI fq.11.
17. Të këtij mendimi janë hanefitët. Por, në ditët e sotme, një veprim i tillë assesi nuk lejohet, ku zakon mbizotërues në kohët tona është se nuk i lejohet qiramarrësit që mallin e tillë t'ia jep me qira tjetrit apo si hua. Pra nëse në kontratë qiradhënësi i jep leje për një veprim të tillë, atëherë qiramarrësi mund të veproj i lirë.
18. Muhamed Maxhid Iter, el Mufessal fil Fikhil Hanefij el Emvalu vel Muamelat el Malijjeti, fq.316.
19. Po aty.
20. Po aty.
21. Muhamed Maxhid Iter, el Mufessal fil Fikhil Hanefij el Emvalu vel Muamelat el Malijjeti, fq.321.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi