Vakëfet, këto thesare të çmueshme të civilizimit islam

Vakëflënia është shndërrim apo kalim i pronës private tek një titullar tjetër qoftë ai person fizik apo person juridik, por që kjo të bëhet me vullnetin e pronarit të saj.

Nuk mund të flitet për asnjë fushë të zhvillimit, lulëzimit dhe përparimit të shoqërisë islame, madje në cilëndo periudhë historike të saj, e të mos flitet për rolin dhe ndikimin që patën vakëfet në ato zhvillime mbarëshoqërore të myslimanëve. Vakëfet, për sytë e secilit studiues, do mbeten si një tregues i fuqishëm që rrëfen qartazi për humanizmin e rrallë, vizionin mbresëlënës dhe shpirtgjerësinë e myslimanëve gjithandej nëpër viset ku ata jetuan e gravituan. Ato do të rrëfejnë për gjeneratat, gatishmërinë e lartë të brezave të kaluar që me pasuritë më të çmueshme të tyre të ndriçojnë rrugën e atyre gjeneratave që do vijnë më pas. Shikuar në këtë këndvështrim, nuk është e habitshme pastaj edhe hapësira e gjerë që juristët islamë e ndanë në literaturën juridike islame për këtë kapitull, dispozitat e të cilit natyrisht se janë mjaft të detajuara dhe sigurisht interesante.

Determinimi juridik i vakëfit

Në një hulumtim rreth nocionit “vakëf ” në të drejtën islame, gjejmë divergjenca meqenëse jo shumë substanciale, të juristëve islamë rreth definimit të vakëfit si nocion juridik. Ato divergjenca, kryesisht burojnë nga pikëpamjet e ndryshme që ata dijetarë kanë rreth kushteve të ligjshmërisë së vakëflënies dhe formave të realizimit të tij.
Në literaturën klasike hanefite e gjejmë që vakëfi është definuar si: “shpronësimi i një prone të caktuar nga pronari i saj, në mënyrë që ajo të lihet në shfrytëzim për bamirësi.”(1)
Edhe dijetari i mirënjohur bashkëkohor, Muhamed Ebu Zehre, e definoi vakëfin me një definicion më përmbledhës duke thënë: “vakëfi është heqja dorë e pronarit nga prona e tij, në mënyrë që ajo të lihet në shfrytëzim e të përfitohet prej saj për qëllime bamirësie e humane.”(2)
Thënë ndryshe, vakëflënia është shndërrim apo kalim i pronës private tek një titullar tjetër qoftë ai person fizik apo person juridik, por që kjo të bëhet me vullnetin e pronarit të saj. E gjithë kjo duhet bërë duke specifikuar e dedikuar saktësisht pastaj edhe formën e shfrytëzimit e të përfitimit të asaj prone dhe kushtet e realizimit të atij vakëfi.

Ligjshmëria e vakëflënies në Islam dhe historiku i saj

Secili besimtar, për veprën e tij të mirë që dëshiron ta bëjë, e gjen motivin kryesor në fjalët e Allahut të Lartëmadhërishëm e pastaj edhe në porositë e Muhamedit a.s.. Edhe për lënien e vakëfeve, sigurisht se janë një mori ajetesh që motivojnë e nxisin besimtarët për shpenzim të pasurisë në rrugën e Zotit. Ato ajete, në fakt, e ndërlidhin shpenzimin e pasurisë me nivelin e besimit tonë, duke e konsideruar atë shpenzim pastaj edhe si një tregues të fuqishëm të përkushtimit tonë në rrugën e Allahut. Ai në një citat kuranor tha: “Kurrë nuk do të arrini sinqeritetin e plotë me besim derisa të mos e jepni më të dhembshmen (më të dashurën) e pasurisë suaj. Çka do që jepni (për Zotin), Allahu atë e di.” (Ali Imran, 92).
Ky ajet dhe të tjerët ngjashëm me të, nuk përmendin specifikisht shprehjen vakëf, ngase rëndom ajetet nuk bëjnë këso lloj specifikimesh, por gjejmë në të sinjal të fuqishëm për shpenzim të pasurisë për bamirësi, e vakëflënia pa dyshim se është e pjesë e kësaj kategorie.
Ndërsa, porosi specifike për vakëflënie, gjejmë në hadithet e Muhamedit a.s. dhe sugjerimet e tij fisnike.
Transmeton Ibën Umeri r.a. e thotë: “Umeri r.a. e përfitoi një pjesë toke në Hajber(3) e pastaj shkoi tek I Dërguari i Allahut a.s. që ta pyeste e të këshillohej se çfarë të bënte me atë tokë duke i thënë: “O i Dërguar i Allahut, unë kam përfituar tani një tokë në Hajber, që kurrë nuk kam përfituar ndonjë pasuri më të çmueshme se kjo. Çfarë po më urdhëron të bëjë me të? Ai (i Dërguari a.s.) i tha atij: “Nëse do, leje vakëf atë (heq dorë nga pronësia e saj) dhe dhuro për bamirësi-sadaka përfitimet e saja.” Ai (Ibën Umeri që ishte transmetues i këtij hadithi) tha: Umeri pastaj e dhuroi për bamirësi atë tokë, që të mos shitet ajo si patundshmëri, të mos blihet, të mos trashëgohet e të mos dhurohet. E dhuroi atë për të varfrit, të afërmit, për lirim të robërve, në rrugën e Allahut, për udhëtarët (që kanë mbetur në rrugë), për nderim të mysafirëve, dhe (tha që) s’ka mëkat për kujdestarin e atij vakëfi, që të hajë prej tij në formë korrekte, ose ta ushqejë me të ndonjë mik, por jo ta bëjë atë pronë të veten – në një transmetim tjetër thuhet “jo të grumbullojë pasuri prej saj”.(4)
Një praktikë e tillë, natyrisht që është zgjeruar dhe përhapur pastaj te një numër i madh i shokëve të të Dërguarit të Allahut a.s. për t’u bërë më vonë edhe si një fenomen e dukuri që premtonte një lulëzim e prosperitet për mbarë shoqërinë e asaj kohe, dhe jo vetëm.
Megjithatë, duhet vënë theksin se vakëfi i parë i lënë nga ndokush në Islam, e që është evidentuar nga literature islame, është ai i të Dërguarit a.s. e më pas, vjen ai i Umerit r.a.. Transmeton Vakidiu dhe thotë: “Pasuria e parë e dhuruar si vakëf në Islam është toka e Muh’ajriik-ut, e cila, një herë i është dhuruar si testament të Dërguarit a.s., por ai të njëjtën nuk e ndali për vete, ngase e dhuroi dhe e la si vakëf për të tjerët. Ndërsa Sad ibën Muadhi thotë: “Ne pyetëm se cila është vakëflënia e parë në Islam, muhaxhirët na thanë se është pasuria që e dhuroi Umeri”.(5)
Këto dy transmetime sikur duken paksa kundërthënëse lidhur me atë se kush ishte i pari që la vakëf nga pasuria e tij. Megjithatë, mund të konstatojmë që s’ka kundërthënie në mes të këtyre dy transmetimeve, ngase i pari në cilësinë e tij si i Dërguar, ishte Muhamedi a.s. që la pas vetes vakëf, ndërsa nga njerëzit e tjerë të rëndomtë ishte Umeri i pari që e bëri një veprim të tillë.
Vakëflënia nuk u ndalë, e as nuk mbeti si fenomen i ngushtë brenda një grupi të paktë të sahabëve. Ndonëse jo në transmetime të konfirmuara e autentike, rrëfehet nga Xhabiri r.a. se ka thënë: “Unë nuk di dikë që kishte pasuri nga sahabët, qoftë nga muhaxhirët apo ensarët, e që nuk kishte lënë pas vetes një hise si vakëf të përhershëm, që nuk shitet, nuk dhurohet e as nuk trashëgohet.”(6) Vakëfet vazhdonin të zgjeroheshin e të rriteshin. Në periudhën e hershme, ishin gjykatësit ata që merreshin me përcaktimin e kujdestarëve të vakëfeve dhe shkarkimin e tyre nëse ata ishin të pakujdesshëm. Por më vonë, gjatë periudhës emevite, saktësisht në kohën e kalifit Hisham ibën Abdulmelik (684-705 g.) u themelua i ashtuquajturi “Divani i Vakëfeve”(7). Ndonëse jo në të njëjtin kapacitet administrativ, por divanet e vakëfeve që u themeluan në periudhën emevite e abasite, edhe më vonë, mund të konsiderohen si ekuivalente me ministritë e vakëfeve që janë themeluar gjithandej nëpër botën islame gjatë dy shekujve të fundit.
Ekziston një konsensus i të gjithë dijetarëve për ligjshmërinë e vakëflënies, dhe se ajo është prej veprave më dashura tek Allahu i Lartëmadhërishëm.

Roli dhe ndikimi i vakëfeve në zhvillimin e gjithmbarshëm të shoqërisë islame

Shumë prej hulumtuesve dhe studiuesve të ndryshëm, qoftë myslimanë ose edhe të tjerë, mendojnë që sistemi i vakëfeve është njëri prej komponentëve më themelore të ngritjes së shoqërive e shteteve islame, gjatë gjithë historisë, si në aspektin arsimor, kulturor, fetar, ekonomik por edhe atë shoqëroro-politik.
Njëri prej argumenteve më të qarta për fuqinë e solidaritetit, edhe thellësinë e vlerave humane në historinë e ymetit tonë është edhe numri i madh i atyre institucioneve që merren me qëllime humanitare e solidare që shërbejnë për të mirën e individit dhe të njerëzimit mbarë. Këtë e vëren edhe orientalisti i njohur Carl Brockelmann i cili thotë: “Realitet është se i gjithë ai zhvillim-prodhim i gjerë e gjigant që ka ndodhur në kohën e memalikëve, kishte bazën në sistemin e vakëfeve që ishte themeluar që nga koha e abasitëve dhe i cili përfundoi në Egjipt e Siri duke e formuar një pasuri që mund të llogaritet gati e paimagjinueshme. Kjo ngase tregtarët e të pasurit e mëdhenj nga Egjipti, Siria, por edhe ata nga Iraku më herët kishin lënë pasuritë e tyre në të gjitha sferat e bamirësisë edhe ato të përhapjes së diturisë.”(8)
Ajo që rrëfen realiteti i vakëfeve në Islam, është se ato nuk ishin të përkufizuara dhe nuk iu dedikoheshin vetëm xhamive, ndërtimit apo mirëmbajtjes së tyre, mirëpo përfshinin pothuajse çdo sektor të jetës kolektive e publike të shoqërisë islame. Duhet thënë troç një e vërtetë se vakëfet liheshin për ndërtimin e xhamive, shkollave, universiteteve, jetimoreve, spitaleve e shtëpive të shëndetit, rrugëve, urave e të ngjashme.
Është një studim goxha interesant që është prezantuar, në njërin prej seminareve të mbajtur në Kuvajt, e që për temë kishte vakëfet dhe rolin e tyre në zhvillimin njerëzor. Ky hulumtim nëse jo të gjitha, por sigurisht ka përfshirë shumicën vakëflënieve të evidentuara nëpër vendet islame. Ai kishte për synim të rrëfente fushat apo sferat e jetës që janë përfshirë e mbuluar nga vakëfet. Ky hulumtim na ofron këto statistika domethënëse:
• 27% e vakëfeve janë lënë për të ushqyer të uriturit, apo ata që nuk kanë ushqim ditor;
• 11% të vakëfeve janë lënë për xhami (ndërtim e mirëmbajtje të tyre);
• 11% të tyre janë lënë për shkolla (ndërtim e mirëmbajtje të tyre);
• 9% për ndihmë udhëtarëve e të pastrehëve;
• 8% për mësonjëtore të vogla;
• 5% për dy haremet e shenjta (Qabenë e Shenjtë në Mekë dhe Xhaminë e Muhamedit a.s. në Medinë);
• 5% për të varfrit e nevojtarët;
• ndërsa pjesa tjetër për qëllime të tjera.(9)
Ky studim shpërfaqë sheshazi universalitetin e vakëfit dhe përfshirjen e sferave të ndryshme jetësore prej tij. Këtu vërejmë një laramani të mahnitshme të dedikimit të parasë private për të mirën kolektive, dhe duket një humanizëm fascionues i myslimanëve vizionarë, të cilët projektuan një të ardhme të ndritshme pa kursyer asgjë nga pasuria e tyre.
Këto të dhëna hedhin poshtë çdo hipotezë që pretendon se myslimanët dinë të shpenzojnë pasurinë e tyre dhe të dedikojnë atë për xhamitë, apo vendfaljet e tyre.
Madje mund të thuhet lirshëm se zhvillimi dhe progresi i vakëfeve sa herë që ai ndodhte, njëherësh tregonte edhe për zhvillimin dhe avancimin e shoqërive islame gjithandej nëpër botë. Dhe sa herë që shoqëria islame vuante nga dekadenca, e plogështia civilizuese, kjo gjithnjë reflektonte shpërfilljen dhe anashkalimin e rolit të vakëfeve në shoqëri. Pra, rendi dhe rregulli i mirëfilltë i vakëfeve tregonin njëkohësisht edhe për “shëndetin” e mirë të shoqërive islame.
Krejt në fund, është më vlerë të theksohet se vakëfet kanë qenë faktori kyç që përgjatë historisë e kanë ruajtur dhe i kanë garantuar pavarësinë ideore e institucionale ylemavedijetarëve islamë, pastaj edhe të bashkësive fetare islame në të gjitha vendet ku jetuan myslimanët.


_________________________
1. El Mevsilij El Hanefij, El Ih’tijar Li Ta’lil El Muh’tar (3/40). Bot. i tretë. Daru El Kutub El Ilmijje. Bejrut.
2. Muhamed Ebu Zehre, Muhaderat fi El Vakf (fq.39). Bot. i dytë. Dar El Fikr El Arabij. Kajro, 1971.
3. Hajberi është vendbanim që jetonin në të hebreitët, në afërsi të Medinës që u morë nën kontroll nga myslimanët në kohën e Muhamedit a.s. pasi që ata thyen marrëveshjen me të.
4. Muttefak alejhi (Buhariu me numër të hadithit : 2737, dhe Muslimi me numër: 1632) e të tjerë.
5. Ibën Haxher, Fet’h El Barij Sherh Sahih El Buh’arij (5/453). Bot. i parë. Daru El Hadith. Kajro, 1998.
6. Oleh: M. Yamin, El Evkaf El Islamijje ve Etheruha ve devruha fil Muxhtema’ El Muslim.
7. Muhamed El Kubejsi, Ahkam El Vakf Fi Esh Sheria’ El Islamijje (1/39). Bot. i parë. Matbeat el Irshad. Bagdad, 1977.
8. Carl Brockelmann, Tarih’ Esh Shu’ub El Arabijje (fq.371). Bot. i pestë. Dar El Ilm Lil Melajiin. Bejrut. 2001.
9. Këto të dhëna janë marrë nga njëri prej hulumtimeve që janë përgatitur në seminarin e organizuar nga Ministria e Vakëfeve e Kuvajtit me temën: “Drejt një roli zhvillimor të vakëfeve”, mbajtur me 3-1 maj, 1993 në Kuvajt. Shih: Ahmed Rejsuni, El Vakf El Islamij mexhalatuhu ve Eb’aduhu (fq.64). Bot. i parë. Daru El Kelime, Kajro, 2014.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi