Regjimi pasuror martesor në legjislacionin e Kosovës dhe në të drejtën islame

 


Abstrakt


Ky punim studion regjimin pasuror mes bashkëshortëve, qoftë ligjor apo me kontratë, duke ditur se regjimi ligjor i parashikuar nga Ligji për Familjen i Kosovës është pronësia e përbashkët e të ardhurave në martesë, që janë krijuar si rezultat i jetës bashkëshortore dhe i kontributit të përbashkët. Si rrjedhojë, marrëdhëniet pasurore martesore janë rregulluar me dispozita të veçanta nga Ligji për familjen, ndryshe nga e drejta sendore, për shkak të specifikave që ka marrëdhënia bashkëshortore. Për këtë arsye, në këtë punim shqyrtohen parimet esenciale në rregullimin e marrëdhënieve pasurore në martesë dhe regjimet e pasurisë së bashkëshortëve, veçoritë dhe dispozitat e secilit prej tyre, gjithnjë sipas legjislacionit kosovar dhe të drejtës islame.


Fjalët çelës: Regjim pasuror martesor, pronësi bashkëshortore, marrëdhëniet pasurore martesore, pronësi e përbashkët, pasuri e veçantë.


1. Hyrje


Ndryshimet në shoqërinë kosovare pas luftës kanë prekur të gjitha sferat e jetës, duke përfshirë edhe martesën. Ato janë shoqëruar edhe me paraqitjen e marrëdhënieve të reja pasurore mes bashkëshortëve, gjë që ka rritur nevojën për t’i rregulluar ato me norma ligjore. Më parë marrëdhëniet pasurore martesore rregulloheshin me Ligjin për Martesën dhe Marrëdhëniet Familjare (LMMF)(1), kurse sot rregullohen me Ligjin për Familjen të Kosovës (LFK)(2).
Ligji i tanishëm, i publikuar në vitin 2006, ka sjellë disa risi në rregullimin e marrëdhënieve pronësore juridike të bashkëshortëve, si rrjedhojë e demokratizimit të shoqërisë kosovare. Ai është një përpjekje shtetërore për të krijuar një bazë të re ligjore që respekton parimet bazë të standardeve ndërkombëtare në rregullimin e marrëdhënieve familjare, dhe që mundëson zbatimin e tyre. Ligji trajton të drejtat dhe detyrimet financiare ndërmjet bashkëshortëve, në përputhje me zhvillimet bashkëkohore në të drejtën familjare. Ligji merr parasysh faktin se marrëdhëniet personale mes bashkëshortëve mund të jenë të qëndrueshme vetëm duke pasur marrëdhënie të shëndosha pasurore midis tyre. Sepse, ekonomia familjare ka një ndikim të drejtpërdrejtë në mirëqenien e familjes dhe të vetë bashkëshortëve(3), po por edhe në marrëdhëniet pasurore mes tyre dhe palëve të treta.
Studimi i marrëdhënieve pasurore të bashkëshortëve është i një rëndësie të veçantë për një jetë të harmonishme martesore. E, meqë me LFK- në njihet mundësia e lidhjes së martesës edhe në formë fetare, atëherë lind nevoja e shqyrtimit të tyre sipas të drejtës pozitive në Kosovë dhe të së drejtës fetare. Në këtë rast krahasimi bëhet me të drejtën islame, për arsye se: a) shumica e banorëve i takojnë këtij besimi, dhe; b) për shkak se për një kohë të gjatë ka gjetur zbatim në trevat tona, si dhe vazhdon të ketë influencë te besimtarët myslimanë. Ky punim studion tërësinë e parimeve dhe normave juridike të cilat rregullojnë marrëdhëniet pasurore që krijohen ndërmjet bashkëshortëve në martesë, dhe ka për synim të jap një vështrim krahasues, mbështetur në legjislacionin e Kosovës dhe në të drejtën islame.


2. Kuptimi i regjimit pasuror në martesë


Marrëdhëniet midis bashkëshortëve në martesë janë të karakterit personal, mirëpo edhe të karakterit pasuror. Ato janë rregulluar me një sërë dispozitash ligjore, kryesisht me LFK-në, Kapitulli IV, nenet 45-57(4). Normat juridike në këto nene nuk mjaftojnë për t’i rregulluar të gjitha çështjet pasurore midis bashkëshortëve, por udhëzojnë kah ligji përkatës që rregullon të drejtat dhe detyrimet e pronësisë, dispozitat e të cilit zbatohen për çështjet që nuk parashihen ndryshe me LFK, siç vërehet në nenin 48 kur shqyrtohet pasuria e përbashkët martesore(5).
Tërësia e normave ligjore me të cilat rregullohen të drejtat dhe detyrimet pasurore mes bashkëshortëve dhe mes tyre e të tjerëve quhen regjim pasuror martesor(6).


3. Parimet e regjimit pasuror martesor


Parimet janë pikënisja në organizimin e një fushe të caktuar legjislative. Ato janë kriteriumi gjatë nxjerrjes së dispozitave dhe interpretimit të neneve, si dhe plotësojnë vakumin ligjor, sepse mbështeten në kushtetuta dhe standarde ndërkombëtare.
Themeli i rregullimit të marrëdhënieve pasurore midis bashkëshortëve për emërimin e të drejtave dhe detyrimeve mes tyre është parimi i barazisë morale dhe ligjore. Nuk duhet harruar rolin e parimit të autonomisë së vullnetit të bashkëshortëve në administrim e disponim të pasurisë dhe as rolin e parimit të përparësisë që ka regjimi i marrëdhënieve personale të bashkëshortëve mbi regjimin pasuror martesor. Këto parime vlejnë si në legjislacionin kosovar ashtu edhe në të drejtën islame, mirëpo dallohet e drejta islame në zgjerimin e dy hapësirave: të autonomisë së bashkëshortëve në rregullimin e marrëdhënieve të tyre pasurore; dhe në rregullimin e marrëdhënieve personale të natyrës pasurore, në kuadër të barazisë proporcionale në bazë të rrethanave dhe prirjeve të bashkëshortëve.


a. Parimi i autonomisë së vullnetit


Ky parim është një nga shtyllat themelore në rregullimin e marrëdhënieve pasurore ndërmjet bashkëshortëve në kuadër të limiteve ligjore(7). Instrumenti juridik nëpërmjet të cilit mund të shprehet autonomia e bashkëshortëve është marrëveshja me kontratë. Përgjithësisht, kufizimet e lirisë së kontraktimit ndahen në: kufizime të përgjithshme për çdo kontratë, që është respektimi i rendit dhe etikës publike; dhe kufizime të veçanta për marrëdhëniet pasurore mes bashkëshortëve, që është respektimi i normave të karakterit imperativ(8). Sipas LFK-së fusha e veprimit të autonomisë së vullnetit në marrëdhëniet pasurore kufizohet në pasurinë e veçantë dhe në administrimin, disponimin dhe pjesëtimin e pasurisë së përbashkët. Për vet faktin se shumica e të drejtave dhe detyrimeve personale dhe pasurore janë të rregulluara me norma imperative. Prandaj, bashkëshortët nuk kanë mundësi të shmangin krejtësisht regjimin pasuror ligjor që parasheh LFK-ja, por ata mund të vendosin kurdoherë për ndarjen e pasurisë së përbashkët dhe që nga ai moment hiset e pjesëtuara konsiderohen pasuri e veçantë. Gjithashtu, nuk mund të bëjnë marrëveshje lidhur me të drejtat dhe detyrat personale të natyrës pasurore që janë të rregulluara me norma imperative, siç është ndihma reciproke ndërmjet bashkëshortëve, solidariteti në mbajtjen e familjes dhe mbajtja e ish bashkëshortit ekonomikisht të rrezikuar nga bashkëshorti me mundësi materiale, në qoftë se i nevojshmi për mbajtje është i papunë, pa qenë fajtor për këtë e as për ndërprerjen e martesës(9).
Në të drejtën islame lidhja e martesës nuk shkakton efekte pronësore, prandaj secili prej bashkëshortëve vazhdon të mbetet titullar i vetëm në pasurinë e tij, pra edhe pas lidhjes së martesës. Çdonjëri prej bashkëshortëve ka autonomi të pavarur nga tjetri në tërë pasurinë e vet(10). Kurani thotë: “Burrave u takon hise nga ajo që fituan ata, dhe grave gjithashtu u takon hise nga ajo që fituan ato.”(11) Ky verset, ndër shumë të tjerë, ka lënë të kuptohet se bashkëshortja është po sikur bashkëshorti dhe secili prej tyre gëzon autoritet të plotë në pasurinë e vet brenda kufijve ligjorë. Në lidhje me këtë “Akademia ndërkombëtare e të drejtës islame” ka miratuar një vendim, ku thuhet: “Gruaja është plotësisht e kualifikuar në aspektin pasuror dhe ka autoritet të plotë financiar (sikurse burri). Ajo ka të drejtën absolute sipas dispozitave të Sheriatit në gjithçka e fiton me punën e saj. Ka pasurinë e vet të veçantë, të drejtën e pronësisë dhe të drejtën për të disponuar me pronë. Burri nuk ka autoritet mbi pasurinë e gruas dhe ajo nuk ka nevojë për lejen e burrit për të pasur pronë apo për të disponuar me atë”(12). Mirëpo, sipas të të njëjtës Akademi, bashkëshortët mund të bien dakord në lidhje me pasuritë e tyre të fituara gjatë martesës; në vendimin e saj thuhet: “Secili prej bashkëshortëve ka pavarësinë e vet pasurore, dhe bazuar në këtë fakt secilit i takon e drejta e disponimit me pasurinë dhe të drejtat e veta, me kompensim apo pa të. …Nëse bashkëshortët me pëlqimin e tyre vendosin të bashkojnë pasuritë, nuk ka kurrfarë pengese fetare për këtë, por nuk lejohet t’iu imponohet me përcaktim të detyrueshëm.”(13)


b. Parimi i prioritetit të marrëdhënieve personale të bashkëshortëve


Ky parim(14), nënkupton se ligjvënësi kosovar me gjithë vëmendjen që i ka kushtuar parimit të autonomisë së vullnetit në krijimin e marrëdhënieve pasurore të bashkëshortëve, në të njëjtën kohë ka treguar kujdes të veçantë në ruajtjen e solidaritetit midis anëtarëve të familjes. Për këtë qëllim ka vendosur norma që kufizojnë autonominë e bashkëshortëve për të vënë në harmoni interesat e tyre si individ me interesat e tyre si anëtarë në familje. Funksioni i këtij parimi është rregullimi i të drejtave dhe detyrimeve personale të bashkëshortëve, në mënyrë që të ruhet uniteti dhe qëndrueshmëria e familjes, duke siguruar mbështetje reciproke midis bashkëshortëve, mbrojtje për bashkëshortin e rrezikuar dhe fëmijët gjatë martesës dhe pas ndarjes. Prandaj, brenda regjimit personal të bashkëshortëve, LFK-ja ka vënë të drejta dhe detyrime të tilla siç janë mbështetja materiale e ndërsjellë mes çiftit (neni 42, paragrafi 3) dhe kontributi material për nevojat e familjes në proporcion me mundësitë dhe prirjet e secilit bashkëshort (neni 44). Mirëpo, në anën tjetër, ka përfshirë dispozita në të cilat ruhet ndikimi i autonomisë së vullnetit të bashkëshortëve, siç është liria për të rënë dakord mbi administrimin e ekonomisë familjare mbi kriterin e mundësisë dhe prirjeve të secilit bashkëshort (neni 44, paragrafi 2)(15). Pra, edhe pse çifti nuk mund të pajtohet për të shmangur kontributin ekonomik në nevojat e familjes, ka të drejtë të rregullojë modalitetet e dhënies së këtij kontributi. Dhe, fakti që lidhja martesore vendosë marrëdhënie juridike personale të natyrës urdhëruese ndërmjet bashkëshortëve, që të mos ndryshohen sipas vullnetit të tyre, tregon se këto të drejta dhe detyrime paraqesin një kufizim tjetër të rëndësishëm në autonominë e vullnetit në lidhje me rregullimin e marrëdhënieve pasurore të çiftit. Kufizim ky që shërben për dy qëllime: ruajtjen e interesit të familjes dhe mbrojtjen e bashkëshortit ekonomikisht të rrezikuar nga papërgjegjshmëria e bashkëshortit tjetër.
Në të drejtën islame lidhja e martesës ka efekte personale, ndër të cilat disa janë të drejta dhe detyrime të natyrës personale pasurore, siç është dhënia e mehrit gruas si dhuratë martese e obligueshme, si dhe mbajtja e bashkëshortes materialisht. Në lidhje me detyrën e burrit për të mbajtur gruan “Akademia ndërkombëtare e të drejtës islame” ka miratuar një vendim, ku thuhet: “Gruaja gëzon të drejtën për mbajtje të plotë (vendbanim, ushqim, veshmbathje, etj.) dhe të dinjitetshme, sipas mundësive të bashkëshortit, në përputhje me zakonet e mira dhe traditat shoqërore të pranuara sipas Sheriatit”(16). Vlen të theksohet se ekzistojnë dy lloje kufizimesh mbi parimin e autonomisë së vullnetit të bashkëshortëve edhe në të drejtën islame: a) kufizimet e përgjithshme për të gjitha kontratat, që është respektimi i rendit dhe etikës publike të Sheriatit, por edhe dispozitat urdhëruese të disponimit me pronën(17); b) kufizimet e veçanta për marrëdhëniet pasurore mes bashkëshortëve, që është respektimi i dispozitave të karakterit urdhërues që rregullojnë marrëdhëniet personale të bashkëshortëve duke përfshirë edhe ato të natyrës pasurore(18). Kufizime të veçanta mbi autonominë e bashkëshortëve, mund të konsiderohen efekte sheriatike të aktit martesor në lidhje me personin bashkëshort.


c. Parimi i barazisë së bashkëshortëve


Ky parim trajtohet në LFK, paragrafi 1 i nenit 3, dhe siguron mbrojtjen e dinjitetit të secilit nga diskriminimi në martesë. Çfarëdo marrëveshje mes çiftit në të cilën njëri bashkëshort pranon pabarazinë është krejtësisht e pavlershme ligjërisht. Paragrafi 1 i nenit 42 në LFK përkufizon barabarësinë e bashkëshortëve në marrëdhëniet personale dhe pasurore dhe i rregullon ato mbi këtë parim(19). Në grupin e të drejtave për të cilat bashkëshortët nuk mund të merren vesh ndryshe nga si parashihen me ligj - për shkak se janë rregulluar me norma të karakterit imperativ - është edhe barabarësia e bashkëshortëve në marrëdhëniet martesore. Në rast të mungesës së barabarësisë mes çiftit, si sanksion, tërheq të drejtën e shkurorëzimit(20). Barazia në martesë ndërmjet burrit dhe gruas gjen mbështetje në Kushtetutë dhe në aktet ndërkombëtare(21). Megjithatë, kërkesë kryesore e këtij parimi është edhe zbatimi praktik, që në shumë raste është i vështirë për shkak të zakoneve ende në zbatim, sidomos në zonat rurale.(22)
Në të drejtën islame, barazia është kauza e drejtësisë për të shmangur diskriminimin ndërmjet njërit dhe tjetrit dhe është në rangun e domosdoshmërive fetare nga të cilat individi nuk ka drejtë të heq dorë, siç mund të bëjë me disa prej të drejtave personale(23). Madje, Ibën Ashuri thotë “barazia dhe liria janë ndër qëllimet madhore të ligjit islam”(24). Mirëpo, nëse në rrethana të caktuara barazia nuk e realizon drejtësinë kjo tregon se parimi zbatohet jashtë fushës së tij. Në lidhje me këtë kuptim Ibën Ashuri shpjegon e thotë: "Barazia të cilën e kërkon ligji islam është barabarësi e kufizuar nga kushtet në të cilat zbatohet barazia, e jo absolute në të gjitha rrethanat, sepse vetë krejatura e njerëzve është e ndryshme në prirje"(25). Pra, barazia e drejtpeshuar nuk është domosdo e njëtrajtshme në aspektin e aplikimit, ajo mund të jetë absolute ose e drejtpeshuar. Barazia e drejtpeshuar respekton dallimet mes bashkëshortëve në prirje dhe rrethana në përcaktimin e të drejtave dhe detyrave. Kurse, barazia absolute në të drejta dhe detyrime, në kushte dhe prirje të pabarabarta, është diskriminim që e vë barazinë në kontradiktë me vetveten. Prandaj, në bazë të këtij parimi ligji mund të dallojë në mënyrë pozitive grupet e privuara në baza gjinore me disa të drejta që nuk i kanë të tjerët, derisa qytetarët të nivelizohen barabartë. Kështu që në perspektivën islame, të drejtat dhe detyrimet e bashkëshortëve bazohen në parimin e barazisë së drejtpeshuar ndërmjet përgjegjësisë së burrit dhe kujdestarisë së gruas për mbarëvajtjen e jetesës martesore.


4. Regjimi i pasurisë martesore sipas LFK-së


Llojet e regjimit të pasurive të bashkëshortëve në të drejtën familjare klasifikohen sipas disa kritereve. Në bazë të kriterit të burimit, regjimet ndahen në:
a. Regjim ligjor, që do të thotë se dispozitat të cilat rregullojnë marrëdhëniet pasurore të bashkëshortëve parashihen nga ligji dhe zbatohet nga data e lidhjes së martesës pavarësisht nga vullneti i bashkëshortëve. Ky lloj regjimi, për nga natyra e dispozitave urdhëruese apo lejuese të tij, ndahet në(26): regjim ligjor obligativ, nëse ligji e parasheh si regjim të vetëm që rregullon marrëdhëniet martesore siç është në të drejtën tonë pozitive; regjim ligjor fakultativ, nëse ligji ua mundëson bashkëshortëve të zgjedhin me marrëveshje regjimin pasuror dhe e zbaton regjimin ligjor pas lidhjes së martesës vetëm nëse bashkëshortët nuk kanë caktuar me kontratë një tjetër regjim pasuror.
b. Regjim kontraktor, që nënkupton se dispozitat të cilat rregullojnë pasurinë e fituar gjatë martesës përcaktohen me kontratë, nëpërmjet të cilës bashkëshortët e zgjedhin sipas vullnetit regjimin martesor të cilit do t’i nënshtrohet pasuria e tyre e fituar gjatë martesës.(27) Ky lloj regjimi lejohet në Francë, Gjermani, Belgjikë, Zvicër, si dhe në vende të tjera perëndimore, ndërsa nuk parashihet në LFK. Mirëpo, sipas rregullave të së drejtës tonë të detyrimeve, bashkëshortët mund të lidhin kontratë lidhur me pasurinë e tyre të veçantë. Sipas LFK-së bashkëshortët mund të bëjnë kontratë edhe në pasurinë e përbashkët, por vetëm lidhur me administrimin, disponimin dhe pjesëtimin e saj(28).
Kurse, sipas kriterit të strukturës regjimet ndahen në(29): a) Regjimi i pasurive të veçanta, sipas të cilit secili bashkëshort ruan të drejtën mbi pasurinë që fiton pas lidhjes së martesës. b) Regjimi i pasurive të përbashkëta, i cili ndahet në: regjim i përgjithshëm, që përfshin thuajse të gjitha sendet e të drejtat e fituara gjatë martesës nga cilido bashkëshort dhe; regjim i pjesshëm, i cili përfshin vetëm disa kategori të sendeve të fituara gjatë martesës. c) Regjimi i pasurive të përziera (ose i pjesëmarrjes në fitime), i cili kombinon mes regjimit të pasurive të ndara gjatë martesës dhe regjimit të pasurisë së përbashkët që shfaqet në momentin e zgjidhjes së martesës. Për herë të parë është parashikuar nga e drejta gjermane.
Vlen të theksohet se përkundër veçorive të ndryshme, regjimet kanë edhe tipare të përbashkëta, sepse secili rregullon tre çështje me rëndësi të jetës bashkëshortore: Identifikimin e pasurive; ndarjen e të drejtave; përcaktimin e detyrimeve.(30)
Sipas LFK-së, neni 45, në regjimin pasuror bashkëshortor parashihet “pronësia e përbashkët e pronës së fituar më vonë (pra pas lidhjes së martesës)”(31). Pra, regjimi i pronësisë së përbashkët është institucioni ligjor obligativ që rregullon trajtat e detyrueshme të pasurisë së bashkëshortëve dhe përbën “tërësinë e normave juridike të cilat rregullojnë marrëdhëniet ndërmjet bashkëshortëve në lidhje me pasurinë që fiton secili prej tyre apo të dy së bashku gjatë martesës, si edhe marrëdhëniet që vendosen ndërmjet tyre dhe personave të tretë si pasojë e marrjes përsipër të detyrimeve që kanë lidhje me pasurinë e vënë gjatë martesës”(32).


5. Pasuritë sipas regjimit pasuror në LFK


Në bazë të regjimit pasuror ligjor pasuria e bashkëshortëve mund të jetë pasuri e veçantë ose e përbashkët(33). Nisur nga ky konstatim në vijim do të shqyrtohen këto dy lloje të pasurisë.


a. Pasuria e veçantë:


Pasuri e veçantë ose vetjake është pasuria të cilën bashkëshorti e ka pasur në momentin e lidhjes së martesës, ajo që fitohet më vonë nga pasuria e veçantë, dhe ajo që është rezultat i ndonjë titulli juridik që nuk ka të bëjë me martesën e tyre, për shembull në bazë testamentit, trashëgimisë, legut, dhuratës ose ndonjë formë tjetër juridike(34).
Ligji aktual për Familjen, në kuadër të pasurisë së veçantë, ka përfshirë edhe:
? Hisen që i takon bashkëshortit pas pjesëtimit të pasurisë së përbashkët;
? Veprën intelektuale dhe artistike të bashkëshortit që e ka krijuar.(35)
? Gjërat për përdorim personal siç janë veshmbathjet, ora e dorës, unaza, vathët, mjetet higjienike, e të tjera.
? Pasurinë e fituar si kompensim i dëmit të shkaktuar ndaj njërit bashkëshort, për shkak të përjetimit të dhimbjeve fizike ose shpirtërore. Këtu hyn edhe kompensimi për sendin e dëmtuar apo të shkatërruar nga pasuria e veçantë.
? Pasurinë e fituar nga prona e veçantë, siç janë frytet bujqësore, bagëtia, qiraja nga sendet e luajtshme e të paluajtshme dhe kamatat e kursimeve.
? Pasurinë e fituar me lojëra të fatit ose nga shpërblimi i blerjeve në markete, nëse në këto lojëra është deponuar prej pasurisë së veçantë.(36)
? Fitimet që dalin nga pronësia intelektuale apo artistike nuk janë cekur qartë në LFK se kujt i takojnë, por mund të thuhet se janë pasuri e veçantë me që janë produkt i saj. Mirëpo komentari parasheh se ato duhet të konsiderohen pasuri e përbashkët e bashkëshortëve derisa ata jetojnë bashkërisht(37), sepse me ligj nuk është kushtëzuar kontributi direkt në fitimet e përbashkëta bashkëshortore, andaj puna e bashkëshortit në ofrimin e kushteve të rehatshme për bashkëshortin krijimtar konsiderohet kontribut indirekt në arritjen e fitimeve nga vepra. Pra, si pronë është e veçantë për atë që e ka krijuar, mirëpo fitimet materiale nga të drejtat e autorësisë janë të përbashkëta.
Nga sa u tha, del në pah se pasuria e veçantë dallohet nga e përbashkëta përmes dy kritereve: i pari: koha e krijimit të pronës, para martesës apo pas; i dyti: mënyra e krijimit të pronës, me kontribut apo pa të. Kriteri i parë ka efekt para martese, kurse i dyti ka rëndësi pas martese(38).
Gjithashtu, u bë e qartë se pasuria e veçantë: a) ruan pavarësinë pasurore për secilin bashkëshort; b) lehtëson administrimin me pasurinë sepse pronari vepron sipas vullnetit të tij. Mirëpo, përkundër avantazheve, ajo përballet me vërejtjen e rëndësishme se gratë punojnë sipas zakonit në shtëpinë martesore dhe nuk është lehtë të provohet si kontribut material, kështu që ato nuk përfitojnë materialisht nga kursimet që shkakton puna e tyre në shtëpi.
Sa i përket administrimit dhe disponimit, pasuria e veçantë mund të drejtohet në dy mënyra: prej pronarit për vetveten, si dhe prej bashkëshortit tjetër, si i autorizuar.
E para: Administrimi i pronarit: në esencë pronari është ai që administron me pasurinë në mënyrë të pavarur. Ai nuk është i detyruar të kërkojë pëlqimin e bashkëshortit tjetër për të poseduar ose disponuar me pasurinë e vet të veçantë, përderisa veprimet e tij nuk janë në kundërshtim me ligjin dhe të drejtat pronësore të bashkëshortit tjetër(39). Paragrafi 5 i nenit 46 në LFK përcakton pushtetin faktik për secilin bashkëshort mbi pasurinë e vet të veçantë dhe i garanton atij pavarësinë e plotë në administrim, posedim dhe disponim përgjatë martesës(40). Përveç rastet kur nga kjo pasuri përmbushen detyrimet për të plotësuar nevojat e familjes(41). Pra, secili bashkëshort disponon lirshëm me pasurinë e veçantë dhe mund t’i përjashtojë të tjerët nga çfarëdo ndikimi, nëse nuk kundërshtohet nga ligji ose nga të drejtat e një të treti(42).
E dyta: administrimi i autorizuar: Ligji e lejon bashkëshortin me pronësi të veçantë t’ia lejojë bashkëshortit tjetër administrimin e pronës, mirëpo për këtë nevojitet të arrihet një marrëveshje zyrtare mes bashkëshortëve, e dokumentuar nga noteria. Këtë gjë shprehimisht e parasheh Ligji për pronësinë dhe të drejtat tjera sendore (LPTDS), kur thotë: “Secili bashkëshort pavarësisht administron dhe disponon me pasurinë e veçantë, në qoftë se bashkëshortët në formën me shkrim nuk janë marrë vesh ndryshe”(43). Kjo dispozitë tregon se norma që jep neni 46 i LFK-së, paragrafi 5, - kur parasheh se “secili bashkëshort në mënyrë të pavarur e administron dhe e disponon pasurinë e vet të veçantë gjatë gjithë kohës” - nuk mund të jetë e karakterit imperativ(44) në pjesën e saj të fundit, sepse lë të nënkuptohet se autorizimi në këtë pasuri nuk lejohet. Madje, për të shmangur këtë paqartësi është mirë të përmirësohet ky nen në përputhje me atë të LPDTS-së. Përndryshe, edhe kështu si është, autorizimi i tjetrit për të administruar me pronësinë e veçantë të bashkëshortit pronar hyn në të drejtën e disponimit të lirshëm që ka pronari. Mirëpo, kërkohet nga i autorizuari që fitimet nga pasuria e veçantë të evidentohen ndaras nga pasuria e përbashkët, që të mos përzihen.


b. Pasuria e përbashkët


Pasuri e përbashkët e bashkëshortëve është “pasuria e fituar me kontribut të përbashkët gjatë vazhdimit të martesës, si dhe të hyrat që rrjedhin nga pasuria e tillë”45. Ajo rregullohet me norma të natyrës urdhëruese(46) dhe krijohet me punë gjatë kohëzgjatjes së martesës.
Objekti i pasurisë së përbashkët përbëhet nga të drejtat sendore siç janë e drejta e pronësisë mbi sendet e luajtshme dhe të paluajtshme si dhe frytet që jep sendi, e drejta e pengut, e drejta e servitutit, e drejta nga barra sendore dhe e drejta e ndërtimit) dhe nga të drejtat e detyrimeve me karakter pasuror siç është dëmshpërblimi për pasurinë e përbashkët, duke përfshirë po ashtu të hyrat nga pasuria e veçantë që janë fituar me punën e përbashkët(47).
Regjistrimi i pasurisë së përbashkët duhet të evidentohet në regjistrat publik të pasurisë së paluajtshme në emrin e të dy bashkëshortëve, si pasuri e përbashkët në pjesë të papërcaktuara sipas nenit 50, paragrafi 1, i LFK-së, përndryshe nëse caktohen hiset konsiderohet e pjesëtuar, kurse paragrafi 2 parasheh se konsiderohet e të dyve edhe nëse është regjistruar vetëm në emrin e njërit bashkëshort(48).
Nisur nga përkufizimi i pasurisë së përbashkët, që të krijohet ajo nevojiten dy kushte(49): Kushti i parë: Jetesa e përbashkët bashkëshortore: Këtu përfshihet edhe rasti kur në bazë të marrëveshjes bashkëshortët jetojnë të ndarë për shkak të punës, studimit ose specializimit, për aq kohë sa në mes tyre gjendet lidhja emocionale martesore. Në këtë rast, kontributi i bashkëshortit në ruajtjen e familjes merr konsideratë në krijimin e pasurisë së përbashkët që fiton bashkëshorti tjetër. Disa studiues mendojnë se edhe në mungesë të një marrëdhënieje emocionale midis bashkëshortëve, derisa ekziston martesa dhe kontributi si çift në fitimin e pasurisë, ajo duhet të konsiderohet pronë e përbashkët(50). Kushti i dytë: Kontributi i përbashkët bashkëshortor: Këtu përfshihen të ardhurat personale dhe të hyrat e tjera të secilit bashkëshort; pasuria e fituar bashkërisht përmes lojërave të fatit; ndihma e bashkëshortit e afruar bashkëshortit tjetër, siç është kujdesi për fëmijët, udhëheqja e punëve të shtëpisë, mirëmbajtja e pasurisë, si dhe çfarëdo forme tjetër e punës dhe e bashkëpunimit lidhur me administrimin, mirëmbajtjen dhe shtimin e pasurisë së përbashkët(51), si dhe të ardhurat e dala nga pasuria e përbashkët siç janë prodhimi bujqësor dhe i bagëtive(52). Pra, kontributi në fitimin e pasurisë së përbashkët mund të jetë direkt, si fitimi nga marrëdhënia e punës, ose indirekt, siç është kujdesi ndaj fëmijëve dhe shtëpisë.
Pasuria e përbashkët sipas LFK-së është një institucion që karakterizohet me dy specifika: a) titullarët e pasurisë së përbashkët janë dy bashkëshortët; b) vlera e hiseve të secilit bashkëshort është e papërcaktuar dhe, si rrjedhojë e kësaj, e drejta e secilit titullar shtrihet mbi tërë pasur në e përbashkët derisa të pjesëtohet. Gjë që e dallon nga llojet tjera të pasurisë, veçanërisht nga bashkëpronësia në të cilën dihet qartë vlera e hises së secilit titullar(53).
Sa i përket administrimit dhe disponimit, fakti se hiset e bashkëshortëve nuk janë të njohura në pasurinë e përbashkët, e bën të pamundur administrimin dhe disponimin e pavarur për çdo bashkëshort, për këtë arsye bashkëshortët gjatë martesës e administrojnë dhe disponojnë bashkërisht ose sipas marrëveshjes(54). Ata mund të bien dakord që prona e përbashkët të administrohet dhe disponohet tërësisht ose pjesërisht nga njëri prej tyre.
Administrimi përfshin të gjitha aktet e ndërmarra me qëllim të mirëmbajtjes së pasurisë, si mbjellja e tokës, mirëmbajtja e shtëpisë, si dhe plotësimi i nevojave të rregullta të bashkësisë familjare. Ndërkaq, disponimi jep të drejtën për të ndërmarrë veprime juridike të cilat tjetërsojnë pronësinë e sendeve, nëpërmjet shitjes, dhurimit, ndërrimit, ngarkimit ose lënies hipotekë, e deri te shkatërrimi i sendit për të ndërtuar objekt të ri(55).
Kur njëri bashkëshort disponon me pronën e përbashkët, pasi është evidentuar vetëm në emrin e tij, Komentari i LFK-së parasheh se personat e tretë që nuk kanë qenë në dijeni se objekti i kontratës është pronësi e përbashkët do të bëhen pronar mbi atë send edhe pa pëlqimin e bashkëshortit tjetër, ndërsa bashkëshortit i mbetet e drejta e kompensimit (dëmshpërblimit) nga ana e bashkëshortit tjetër për vlerën dhe dëmin e pësuar(56).
Pjesëtimi i pasurisë së përbashkët bëhet në mënyrë të barabartë, sikurse që është kontributi i bashkëshortëve i barasvlershëm (neni 47, paragrafi 3 dhe 4), përveç nëse bashkëshortet janë marrë vesh ndryshe ose njëri prej tyre arrin të provojë se ka dhënë kontribut shtesë(57).
Pjesëtimi mund të bëhet me kërkesë gjatë martesës ose pas mbarimit të saj. Sipas nenit 53, paragrafi (1), bashkëshortët mund të bien dakord për ndarjen e pronës së përbashkët në çdo kohë. Ndarjen e saj mund ta kërkojnë edhe trashëgimtarët e bashkëshortit të vdekur (apo që është shpallë vdekja e tij), sikurse ka të drejtë edhe kreditori i njërit prej bashkëshortëve, nëse borxhi nuk mund të mbulohet nga pasuria e veçantë e bashkëshortit borxhmarrës (neni 56 paragrafi 2)(58). Si rregull, për pjesëtimin e pasurisë gjykata vendosë në procedurë civile, ndërsa kur hiset në pasuri nuk janë kontestuese vendosë në procedurë jashtë kontestimore(59).
Nëse nuk arrihet asnjë marrëveshje për përcaktimin e vlerës së hises për pjesën e secilit bashkëshort, në këtë rast gjykata fillimisht cakton masën e pasurisë së përbashkët në bazë të kontributit të secilit bashkëshort, duke marrë parasysh jo vetëm të ardhurat personale dhe të hyrat tjera të çdo bashkëshorti, por edhe ndihmën reciproke ndaj njëri-tjetrit, kujdesin për fëmijët, mirëmbajtjen e shtëpisë dhe çdo formë tjetër të punës që ka të bëjë me administrimin, ruajtjen dhe zhvillimin e pronës së përbashkët (paragrafi 1, neni 54 i LFK-së). Pjesa e çdo bashkëshorti në pronën martesore përcaktohet duke përdorur të njëjtat kritere në të gjithë pasurinë dhe të drejtat që rrjedhin prej saj. Merret për bazë gjendja reale e pronësisë në kohën e ndarjes dhe kontributi i përgjithshëm gjatë martesës, (neni 55 i LFK-së)(60). Nëse njëri bashkëshort aplikon kërkesën për më shumë se gjysmën e pronësisë së përbashkët, të arritur gjatë martesës, duke argumentuar se kontributi i tij në përbërjen e kësaj pasurie është më i madh se kontributi i bashkëshortit tjetër, për faktin se paga e tij është më e madhe apo ndonjë arsye tjetër, ai obligohet të dëshmojë pretendimin e tillë që të meritojë atë që pretendon(61).
Përpara fillimit të pjesëtimit të pronësisë së përbashkët, gjykata së pari përcakton masën e pasurisë që duhet të ndahet, duke llogaritur edhe detyrimet ndaj personave të tretë, pastaj fillon matjen e hiseve të secilit bashkëshort(62). Kur pjesëtimi fillohet me kërkesën e njërit bashkëshort, atij do t’i dorëzohen ato sende të pasurisë së përbashkët që i shërbejnë ekskluzivisht përdorimit të tij personal, të tilla si veshja, unazat dhe të ngjashmet. Sendet të cilët i shërbejnë zanatit apo profesionit të ndonjërit bashkëshort, nëse vlera e tyre është jo proporcionalisht e madhe në krahasim me vlerën e përgjithshme të pasurisë së përbashkët, i ndahen bashkëshortit përkatës nëse i kompensohet vlera e tyre tjetrit. Mirëpo, kompensimi kërkohet të miratohet nga të dy bashkëshortët (neni 90)(63).


6. Regjimi i pasurive martesore sipas të drejtës islame


E drejta islame nuk parasheh regjim të caktuar pasuror mes bashkëshortëve, por vetëm efekte juridike si rrjedhojë e lidhjes së martesës. Dhe, meqenëse sot dallohen dy lloje efektesh të aktit martesor: personale dhe pasurore, mund të thuhet se akti i vlefshëm martesor sipas sheriatit shkakton vetëm efekte personale ndërmjet bashkëshortëve. Ato efekte rregullojnë të drejta dhe detyrime që lidhen me statusin bashkëshort të çiftit, siç janë bashkëjetesa, besnikëria, mirëtrajtimi, e të tjera. Mirëpo, ka disa efekte personale të natyrës pasurore siç është dhënia e mehrit (dhuratë martese) gruas dhe mbajtja e familjes.
Si rrjedhojë, bëhet e qartë se e drejta islame nuk i ka rregulluar pasuritë e personave të martuar ndryshe nga të pamartuarit, qofshin ato pasuri e luajtshme apo të paluajtshme, si në aspektin e pronësisë ashtu edhe në administrim e disponim. Kështu që, secili bashkëshort mund të lidhë me kë të dojë të gjitha llojet e ligjshme të kontratave në pasurinë e vet, përfshirë edhe me bashkëshortin tjetër. Prandaj, regjimi i obligueshëm i pasurisë së përbashkët është një çështje e huaj për të drejtën islame, pasi kushtëzimet në martesë duhet të jenë në përputhje me natyrën juridike të aktit martesor siç parashihet me Kuran dhe Sunet(64).
Mirëpo, nuk përjashtohet mundësia që të parashihen me ligj regjime fakultative, joobligative, pasi autonomia e kontraktimit në pasuri është mjaft e gjerë. Sidomos se metafora kuranore i përshkruan bashkëshortët se janë petk për njëri tjetrin(65), në kuptimin se ka një lloj uniteti jeta e përbashkët martesore, sikur njëra jetë e veshë jetën tjetër në udhëtimin bashkëshortor. Në lidhje me këtë “Akademia ndërkombëtare e të drejtës islame” ka miratuar vendimin ku thuhet: “Nëse bashkëshortët me pëlqimin e tyre vendosin të bashkojnë pasuritë, nuk ka kurrfarë pengese fetare për këtë, por nuk lejohet t’ju imponohet me përcaktim të detyrueshëm”(66). Pra, si rregull, e drejta islame parasheh regjimin e pasurive të ndara, në bazë të të cilit secili bashkëshort ruan të drejtën mbi pasurinë e vet, por bashkëshortëve u lejohet të bëjnë marrëveshje me kontratë lidhur me rregullat dhe detyrimet pasurore të cilave do t’u nënshtrohen pasuritë e tyre brenda limiteve ligjore. Nisur nga parimi: “Burrave u takon hise nga ajo që fituan ata dhe grave u takon hise nga ajo që fituan ato”(67), e nëse kontraktojnë (falin ose këmbejnë) me vullnet të lirë një gjë e tillë është legjitimuar(68), madje në raste të caktuara edhe mund të jetë e rekomanduar.


7. Përfundimi


Gjetjet kryesore të këtij punimi janë si në vijim:
a. Marrëdhëniet pasurore të bashkëshortëve në të drejtën kosovare dhe atë islame bazohen në tri parime: autonomia e vullnetit, përparësia e marrëdhënieve personale ndaj atyre pasurore; barazia morale dhe ligjore e bashkëshortëve. Kjo ndërthurje në mes këtyre parimeve është bërë për ta ruajtur natyrën juridike të lidhjes martesore, duke vënë në harmoni interesat e bashkëshortëve si individ me interesat e tyre si anëtarë në familje.
? Mirëpo, parimi i barazisë është më themelor në LFK-në, ndërkaq parimi i autonomisë është më themelor në të drejtën islame, dhe merr kuptimin e barazisë së drejtpeshuar në bazë të prirjeve dhe rrethanave, e nuk është barazi e njëtrajtshme.
? Fakti që lidhja martesore, në LFK dhe në të drejtën islame vendos marrëdhënie juridike personale të natyrës urdhëruese ndërmjet bashkëshortëve, e që nuk pranojnë të ndryshohen sipas vullnetit, tregon se të drejtat dhe detyrimet personale paraqesin një kufizim tjetër të rëndësishëm në autonominë e vullnetit të bashkëshortëve në lidhje me rregullimin e marrëdhënieve të tyre pasurore. Ky kufizim shërben për ruajtjen e interesit të familjes dhe mbrojtjen e bashkëshortit ekonomikisht të rrezikuar.
? Gjithashtu, sipas LFK-së, lidhja e martesës ka efekte juridike në pasurinë e bashkëshortëve, pasi të fituarat me punë nga secili bashkëshort gjatë jetës martesore janë pronësi e përbashkët e të dyve, ndërsa në të drejtën islame secili prej bashkëshortëve vazhdon të mbetet titullar i vetëm në pasurinë e tij, edhe në pjesën që e fiton vetë pas martesës, përveç nëse janë marrë vesh ndryshe.
b. Marrëdhëniet pasurore të bashkëshortëve sipas LFK-së rregullohen nëpërmjet regjimit ligjor të obliguar, institucion i të cilit është pasuria e përbashkët e fituar gjatë periudhës së jetës martesore dhe me kontribut të bashkëshortëve. Kjo do të thotë se dispozitat të cilat i rregullojnë marrëdhëniet pasurore të bashkëshortëve parashihen nga ligji, dhe do të zbatohen nga data e lidhjes së martesës, pavarësisht nga vullneti i bashkëshortëve. Hapësira e autonomisë së bashkëshortëve brenda këtij regjimi është e kufizuar në pasurinë e tyre të veçantë, si dhe në administrimin, posedimin dhe pjesëtimin e pasurisë së përbashkët. Ndërkaq, në të drejtën islame nuk parashihet ndonjë regjim i obliguar, dhe regjimi pasuror edhe pas martesës vazhdon të mbetet pasuria e veçantë, mirëpo nuk përjashtohet mundësia që ligji të ofrojë një regjim fakultativ, mirëpo joobligativ, ashtu që bashkëshortëve t’ua lërë mundësinë të zgjedhin nëpërmjet marrëveshjes me kontratë për rregullat të cilave do t’iu nënshtrohen me pasuritë e tyre.



_________________________
1. LMMF, Gazeta zyrtare e KSAK, nr. 10/84, datë 28 mars 1984.
2. Ligji nr. 2004/32 për Familjen i Kosovës është miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, më 20 janar 2006, ka hyrë në fuqi me datën 16 shkurt 2006, Gazeta zyrtare e RK, nr. 4/2006, 01.09.2006.
3. Gashi, Haxhi dhe Aliu, Abdulla dhe Vokshi, Adem, Komentar Ligji Nr. 2004/32 për familjen i Kosovës, Prishtinë: GIZ, 2012, f. 119. URL: http://jus.igjk.rks-gov.net/605/.
4. Ligji nr. 2004/32 Ligji për Familjen i Kosovës: https://gzk.rks-gov.net/ActDetail. aspx?ActID=2410.
5. Gashi, Haxhi dhe Aliu, Abdulla dhe Vokshi, Adem, Komentar Ligji Nr. 2004/32 për familjen i Kosovës, Prishtinë: GIZ, 2012, f. 119 dhe 120. URL: http://jus.igjk.rks-gov.net/605/.
6. Oruçi, Gani, E drejta familjare (Ligjërata të autorizuara), Prishtinë: Fakulteti Juridik i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, 1994, f. 66; Podvorica, Dr. Hamdi, E drejta Familjare, bot. IV, Prishtinë: Fakulteti Juridik i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, 2011, f. 243; Gashi, Haxhi dhe Aliu, Abdulla dhe Vokshi, Adem, Komentar Ligji Nr. 2004/32 për familjen i Kosovës, Prishtinë: GIZ, 2012, f. 119;Bahtiri, Bedri, Aspektet nacionale dhe ndërkombëtare të regjimit pasuror martesor të bashkëshortëve, Prishtinë: Fakulteti Juridik i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, 2018, f. 266.
7. Dauti, Nerxhivane dhe Berisha, Ruzhdi dhe Vokshi, Adem dhe Aliu, Abdulla, Komentar Ligji mbi marrëdhëniet e detyrimeve, Libri 1, Prishtinë: UNDP dhe Ministria e Drejtësisë, 2013, f. 5.
8. Bahtiri, Aspektet nacionale dhe ndërkombëtare të regjimit pasuror martesor të bashkëshortëve, f. 261 dhe 263.
9. Bahtiri, Aspektet nacionale dhe ndërkombëtare të regjimit pasuror martesor të bashkëshortëve, f. 170-171; Oruçi, E drejta familjare, f. 64.
10. El Abbadi, Abdusselam, El mulkijjetu fish sheriatil islamijje: tabiatuha, uedhifetuha, ue kujuduha, dirasetun mukarenetun bil kavanini uen nudhumil vad’ijje (Pronësia në Sheriat: natyra, funksioni dhe kufizimet e saj, studim krahasimtar me të drejtën dhe ligjet pozitive), bot. 1, Beirut: Muesseturr rrisale ue dhe Darul-Beshirë, 2000, 2/184; El Kurredagi, Ali, Mebdeurr-rrida fil-ukud: dirasetun mukarene (Parimi i autonomisë në kontrata: studim krahasimtar), Beirut: Darul beshairil islamijje, 1/12.
Vetëm sipas shkollës juridike malikinjtë autonomia e gruas në bamirësi është e kufizuar të jetë deri në një të treten e vlerës së përgjithshme të pasurisë së saj, e mbi këtë vlerë ka drejtë burri ta ndalojë. Mirëpo, kjo ka të bëjë vetëm me kufizimin e disponimit me pasurinë e saj në bamirësi, e jo në tregti. Shih, Ibën Abdulberr, Jusuf, El Kafi fi fikhi ehlil medine (I mjaftueshmi në të drejtën e banorëve të Medines), Muhamed El Muritani (rec. ), bot. 2, Rijad: Mektebeturr Rrijadul hadithe, 1980, 2/731.
11. Kurani, Nisa: 32.
12. Akademia ndërkombëtare e të drejtës islame, Vendime dhe Rekomandime të Akademisë ndërkombëtare të së drejtës islame, vendimi nr. 144 (2/16) lidhur me mospajtimet e bashkëshortit dhe bashkëshortes punonjës, seanca e gjashtëmbëdhjetë, Dubai, periudha prej 9-14 prill 2005.
URL: www.iifa-aifi.org/2174. html.
13. Akademia ndërkombëtare e të drejtës islame, Vendime dhe Rekomandime të Akademisë ndërkombëtare të së drejtës islame, vendimi nr. 227 (11/23) lidhur me ndikimin e aktit martesor mbi pronën e bashkëshortëve, seanca e njëzet e tretë, Medine, periudha prej 28 tetor deri 1 nëntor 2018.
URL: http://www.iifa-aifi.org/4899. html.
14. Marrëdhënie personale janë ato të drejta dhe detyrime që lidhen drejtpërdrejt me cilësinë bashkëshortore të personit, ndërsa marrëdhëniet pronësore apo pasurore janë të drejta dhe detyrime që lindin si produkt i jetës bashkëshortore. Shih, Gashi, Aliu dhe Vokshi, Komentar i Ligjit për Familjen i Kosovës, f. 106 dhe 107.
15. Ligji nr. 2004/32 për Familjen i Kosovës. https://gzk.rks-gov.net/ActDetail.
aspx?ActID=2410; Gashi, Aliu dhe Vokshi, Komentar i Ligjit për Familjen i Kosovës, f. 117-118.
16. Akademia ndërkombëtare e të drejtes Islame, Vendime dhe Rekomandime të Akademisë ndërkombëtare të së drejtes Islame, vendimi nr. 144 (2/16) lidhur me mospajtimet e bashkëshortit dhe bashkëshortes punonjës, seanca e gjashtëmbëdhjetë, Dubai, periudha prej 9-14 prill 2005.
URL: http://www.iifa-aifi.org/2174. html.
17. Profesor Abbadi, në disertacionin e tij, ka përmendur katër kufizime të përgjithshme mbi autonominë e pronarit në disponimin me pronën, ato janë: 1. Disponimi i duhur me pronën; 2. Investimi i pasurisë dhe mosqëndrimi kot i saj; 3. Respektimi i rregullave dhe dispozitave të Sheriatit; 4. Mosdëmtimi nëpërmjet disponimit me pronën. Ab-badi, El mulkijjetu fish-sheriatil-islamijje: tabiatuha, uedhifetuha, ue kujuduha, dira-setun mukarenetun bil-kavanini uen-nudhumil-vad’ijje (Pronësia në Sheriat: natyra, funksioni dhe kufizimet e saj, studim krahasimtar me të drejtën dhe ligjet pozitive), 2/196.
18. Shih, Ebu Zehre, Muhamed, Tendhimul-islami lil muxhtem’ (Rregullimi i Islamit ndaj shoqërisë), pa të dhëna botimi, f. 77-86.
19. Ligji nr. 2004/32 për Familjen i Kosovës. https://gzk.rks-gov.net/ActDetail.
aspx?ActID=2410; Gashi, Aliu dhe Vokshi, Komentar i Ligjit për Familjen i Kosovës, f. 117-118.
20. Gashi, Aliu dhe Vokshi, Komentar i Ligjit për Familjen i Kosovës, f. 106 dhe 107.
21. Për shembull, neni 14 paragrafi 2 në LFK, përmban dispozitën ligjore sipas të cilës mashkulli dhe femra janë të barabartë gjatë lidhjes së martesës, vazhdimit të martesës dhe zgjidhjes së saj. Gjë të cilën shprehimisht e thotë edhe Deklaratën e Përgjithshme për të Drejtat e Njeriut, neni 16, pika 1. Ngjashëm është thënë edhe nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës, neni 37, pika 2
Faqja zyrtare e Deklaratës:
https://www.ohchr.org/EN/UDHR/Documents/UDHR_Translations/aln. pdf; Kushtetuta në faqen e Gazetes zyrtare: https://gzk.rks-gov.net/ActDetail.
aspx?ActID=3702.
22. Gashi, Aliu dhe Vokshi, Komentar i Ligjit për Familjen i Kosovës, f. 28.
23. Uthman, Dr. Muhamed, Hukukul insan bejnesh sheriatil islamijjeti uel fikril kanunil garbi (Të drejtat e njeriut ndërmjet të sheriatit islam dhe të drejtes perëndimore), bot. 1, Kairo: Darush shurukë, 1982, f. 20-21; Imare, Dr. Muhamed, Hukukul insani daruratun la hukuk (Të drejtat e njeriut janë domosdoshmëri e jo thjesht të drejta), Kuvajt: Alemul-ma’rife, 1985, f. 14-17.
24. Ibën Ashurë, Muhamedtâhir, Mekasidush sheriatil islamijje (Qëllimet e ligjit islam), Muhamedulhabib bin Havxhe (recensent), Doha: Ministria e vakëfeve dhe çështjeve fetare, 3/371.
25. Ibën Âshurë, Mekasidush sheriatil islamijje (Qëllimet e ligjit islam), 3/371.
26. Omari, Sonila, E drejta familjare, Tiranë: Fakulteti Juridik i Universitetit të Tiranës, 2010, f. 84.
27. Podvorica, E drejta Familjare, p. 254.
28. Podvorica, E drejta familjare, f. 254 dhe 255.
29. Omari, E drejta familjare, f. 84-85; Oruçi, E drejta familjare, f. 66; Podvorica, E drejta Familjare, f. 243.
30. Xhafaj, Pranvera, Evoluimi regjimeve Pasurore Martesore në të drejtën Shqiptare: Rezultate dhe objektiva, Tiranë: punim jo i publikuar, 2010, f. 47. https://doi. org/10. 13140/rg. 2. 2. 25039. 28322.
31. Ligji nr. 2004/32 Ligji për Familjen i Kosovës: https://gzk.rks-gov.net/ActDetail. aspx?ActID=2410.
Sipas LMMFK-së parashihej regjimi pasuror i përzier, i cili kombinonte mes pasurive të përbashkëta dhe pasurive të ndara. Oruçi, E drejta familjare, f. 66.
32. Omari, E drejta familjare, f. 84;Gashi, Aliu, dhe Vokshi, Komentar Ligji Nr. 2004/32 për familjen i Kosovës, f. 120.
33. Ligji nr. 2004/32 për Familjen i Kosovës, neni 45.
URL: https://gzk.rks-gov.net/ActDetail. aspx?ActID=2410.
34. Ligji nr. 2004/32 për Familjen i Kosovës, neni 46, paragrafi 1 dhe 2; Gashi, Aliu, dhe Vokshi, Komentar Ligji Nr. 2004/32 për familjen i Kosovës, f. 121.
35. Shih për këto dy pika, Ligji nr. 2004/32 për Familjen i Kosovës, neni 46, paragrafi 3 dhe 4.
URL: https://gzk.rks-gov.net/ActDetail. aspx?ActID=2410.
36. Bahtiri, Aspektet nacionale dhe ndërkombëtare të regjimit pasuror martesor të bashkëshortëve, f. 184-185.
37. Gashi, Aliu, dhe Vokshi, Komentar Ligji Nr. 2004/32 për familjen i Kosovës, f. 125; Agushi, Arben, Marrëdhëniet juridike pronësore të bashkëshortëve, të bashkëshortëve jashtë martesorë dhe të anëtarëve të bashkësisë familjare, E drejta: revistë për çështje juridike dhe shoqërore, viti XXXV – nr. 1, 2012, f. 182.
38. Oruçi, E drejta familjare, f. 73; Agushi, Marrëdhëniet juridike pronësore të bashkëshortëve, të bashkëshortëve jashtë martesorë dhe të anëtarëve të bashkësisë familjare, E drejta: revistë për çështje juridike dhe shoqërore, f. 180.
39. Agushi, Marrëdhëniet juridike pronësore të bashkëshortëve, të bashkëshortëve jashtë martesorë dhe të anëtarëve të bashkësisë familjare, E drejta: revistë për çështje juridike dhe shoqërore, f. 182.
40. Ligji nr. 2004/32 për Familjen i Kosovës, neni 46, paragrafi 5. URL: https://gzk.rks-gov.net/ActDetail. aspx?ActID=2410.
41. Oruçi, E drejta familjare, f. 73.
42. Ligji nr. 03/L-154 për pronësinë dhe të drejtat tjera sendore, (neni 18 paragrafi 1), Gazeta zyrtare, 57/2009, data e pub. 04.08.2009. URL: https://gzk.rks-gov.net/ActDetail. aspx?ActID=2643.
43. Ligji nr. 03/L-154 për pronësinë dhe të drejtat tjera sendore, neni 68, paragrafi 3. URL: https://gzk.rks-gov.net/ActDetail. aspx?ActID=2643.
44. Gashi, Aliu, dhe Vokshi, Komentar Ligji Nr. 2004/32 për familjen i Kosovës, f. 122.
45. Ligji nr. 06/l-077 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 2004/32 për Familjen i Kosovës, neni 1. Gazeta Zyrtare, nr. 3/2019, data e publikimit 17.01.2019. URL: https://gzk.rks-gov.net/ActDetail. aspx?ActID=18420.
46. Podvorica, E Drejta Familjare, f. 248.
47. Gashi, Aliu and Vokshi, Komentar i Ligjit për Familjen i Kosovës, f. 127, 128, 129; Podvorica, E Drejta Familjare, f. 247; Agushi, Marrëdhëniet juridike pronësore të bashkëshortëve, të bashkëshortëve jashtë martesorë dhe të anëtarëve të bashkësisë familjare, E drejta – Law: revistë për çështje juridike dhe shoqërore, f. 185.
48. Bahtiri, Aspektet nacionale dhe ndërkombëtare të regjimit pasuror martesor të bashkëshortëve, f. ??6.
49. Gashi, Aliu and Vokshi, Komentar i Ligjit për Familjen i Kosovës, f. 127; Podvorica, E Drejta Familjare, f. 246.
50. Agushi, Marrëdhëniet juridike pronësore të bashkëshortëve, të bashkëshortëve jashtëmartesorë dhe të anëtarëve të bashkësisë familjare, E drejta – Law: revistë për çështje juridike dhe shoqërore, f. 184.
51. Ligji nr. 06/l-077 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 2004/32 për Familjen i Kosovës, neni 1. Gazeta Zyrtare, nr. 3/2019, data e publikimit 17.01.2019.
URL: https://gzk.rks-gov.net/ActDetail. aspx?ActID=18420.
52. Podvorica, E Drejta Familjare, f. 247.
53. Podvorica, E Drejta Familjare, f. 248.
54. Ligji nr. 2004/32 për Familjen i Kosovës, neni 49.
URL: https://gzk.rks-gov.net/ActDetail. aspx?ActID=2410.
55. Gashi, Aliu and Vokshi, Komentar i Ligjit për Familjen i Kosovës, f. 132; Podvorica, E Drejta Familjare, f. 249; Bahtiri, Aspektet nacionale dhe ndërkombëtare të regjimit pasuror martesor të bashkëshortëve, f. 193-194.
56. Gashi, Aliu and Vokshi, Komentar i Ligjit për Familjen i Kosovës, f. 134-135.
57. Ligji nr. 06/l-077 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 2004/32 për Familjen i Kosovës, neni 1. Gazeta Zyrtare, nr. 3/2019, data e publikimit 17.01.2019.
URL: https://gzk.rks-gov.net/ActDetail. aspx?ActID=18420.
58. Ligji nr. 2004/32 për Familjen i Kosovës. Url: https://gzk.rks-gov.net/ActDetail. aspx?ActID=2410.
59. Podvorica, E Drejta Familjare, f. 250.
60. Ligji nr. 2004/32 për Familjen i Kosovës. Url: https://gzk.rks-gov.net/ActDetail. aspx?ActID=2410.
61. Gashi, Aliu dhe Vokshi, Komentar i Ligjit për Familjen i Kosovës, f. 124.
62. Podvorica, E Drejta Familjare, f. 250.
63. Ligji nr. 2004/32 për Familjen i Kosovës. https://gzk.rks-gov.net/ActDetail. aspx?ActID=2410.
64. Ebu Zehre, Muhamed, El Ahvalush Shahsijje (E drejta familjare), bot. 1, Kairo: Darul fikril arabi, 1950, f. 156.
65. Ahmeti, Sherif, Kurani: përkthim me komentim në gjuhën shqipe, Medine: Kompleksi i mbretit Fehd për shtypjen e Kuranit të ndershëm, 1415 hixhrij, f. 58 (Suretu El Be- kare: ajeti 187).
66. Akademia ndërkombëtare e të drejtës islame, Vendime dhe Rekomandime të Akademisë ndërkombëtare të së drejtës islame, vendimi nr. 227 (11/23) lidhur me ndikimin e aktit martesor mbi pronën e bashkëshortëve, seanca e njëzet e tretë, Medine, periudha prej 28 tetor deri 1 nëntor 2018.
URL: http://www.iifa-aifi.org/4899. html.
67. Ahmeti, Kurani: përkthim me komentim në gjuhën shqipe, f. 115 (En Nisa: ajeti 32).
68. Ahmeti, Kurani: përkthim me komentim në gjuhën shqipe, f. 109, (En Nisa: ajeti 4 dhe 24).


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi