Në përkujtim të ditëlindjes së Pejgamberit (a.s.)

Muhammedi (a. s.) krenaria e gjithësisë

Tokën e kishte shndritur drita e Zotit me ardhjen e njeriut të parë Ademit dhe gruas së tij Havvas, me detyrën që të jenë bartësit e porosisë dhe ligjit të Tij të lartësuar. Ajo dritë u përcoll larg e më larg, nëpër shekuj dhe epoka. Nganjëherë ajo dritë pakësohej, herë -herë binte nën hije e nganjëherë ndriçonte fuqishëm.

Kështu vazhdoi mijëra vite derisa erdhi Pejgamberi i fundit, Muhammed (a. s), kur drita e Zotit vjen në Tokë me tërë fuqinë dhe bukurinë e saj.

Të gjitha melaqet përgjonin urdhëresën e All-llahut, që të shihnin kush është ajo krijesë dhe çfarë do të bëhet?

Para 1431 vitesh, me 12 Rebiul -evvel - 20 Prill 571, një dritë e fuqishme e shndriti planetin tonë Tokën, dritë (nur) prej së cilës u shkatërruan 14 kullat e mbretit të Persisë Kisraut, dritë nga e cila u fik zjarri që e adhuronin zjarrputistët më mijëra vite në Indi dhe Persi, dritë e cila shndriti tërë shtëpinë e Abdullahut në Mekke dhe nga atje u shpërnda duke ndriçuar pallatet e Shamit - Sirisë së atëhershme.. Çdo gjë paralajmëronte se në këtë botë po vjen krijesa më e zgjedhur e All-llahut, robi më i mirë dhe më fisnik i Zotit, krenaria e gjithësisë, i cili për mision do të ketë që njerëzimin ta nxjerr nga terri në dritë.. Me vetë lindjen e tij, Pejgamberi paralajmëroj misionin e tij. U shkatërrua çdo gjë që madhërohej dhe adhurohej përveç All-llahu (xh. sh.)

Kur lindi ky fëmijë babai i tij tashmë kishte vdekur. Nëna Emine e lindi vetëm dhe sikur secila nënë kujdesej dhe brengosej se çfarë do të ndodh me të. E Ajo as që ishte e vetëdijshme se ka lindur njeriun, i cili do të trondit tërë botën, i cili do ta ndërrojë rrjedhën e historisë, i cili do ta rilindë gjininë njerëzore, i cili në mënyrë konstante do ta lëvizë botën parapara, do t'i japë fund idhujtarisë dhe adhurimit të idoleve, i cili do ta shpjerë njeriun në një rrugë të re, do t'i ofrojë botës një vizion dhe kuptim të qartë, të arsyeshëm dhe të qëndrueshëm për njeriun dhe gjithësinë deri në fund të saj; lindje kjo që nga njerëzit e paarsyeshëm, obskurrantë dhe fanatikë të luftës do të bëjë njerëz fisnikë, të cilët do të jenë të gatshëm të sakrifikojnë jetët e tyre për të aplikuar në jetë drejtësinë, humanitetin dhe të mirën e përgjithshme. Ky njeri do të jetë ai i cili do t'u sjell njerëzve fjalët e All-llahut, i cili do të ndajë të vërtetën nga e pavërteta, të mirën nga e keqja, drejtësinë nga padrejtësia, emri i të cilit do të përmendet edhe pas vdekjes së tij, pjesëtarët e të cilit do të jenë aq shumë si shkuma e detit, të cilët do të jetojnë dhe vdesin me emrin e tij në gojë deri në ditën e Kiametit.

Pejgamberi rritet duke mos e parandie se me çfarë barre do të jetë i ngarkuar, se çfarë misioni do të ketë, se me çfarë do ta obligojë All-llahu (xh. sh.). Tërhiqet në vetmi dhe mendon e mediton...a jemi vetmuar ne ndonjëherë që të mendojmë për All-llahun, për veten dhe gjendjen tonë.. Në ato momente të meditimit e ndërpret meleku Xhebrail. Ia sjell fjalët, jo nga kushdo, jo prej ndonjë sunduesi të vogël tokësor, përkundrazi, ia sjell fjalët e sunduesit të shtatë qiejve dhe Tokës, sunduesit të Ditës së, gjykimit, Zotit të gjithë njerëzve, xhinëve, melaqeve, shejtanit, bimëve, kafshëve, sunduesit të çdo gjëje që e shohim dhe nuk e shohim. Ia sjell fjalët prej të cilave copëtohen e thërrmohen malet e kodrat nga frikë-respekti ndaj Tij, fjalë, të cilat as Toka as qiejt nuk e guxuan t'i pranojnë, por i mori për sipër Resulullahu (s) që t'ua komunikojë gjinisë njerëzore dhe xhinëve dhe të transmetojë këtë porosi të shkurtër për të rëndësishme: La ilahe ilall-llah Muhammedun resulullah.

Kjo qe një lindje, e cila në mënyrë konstante do ta lëvizë botën, do të rrënojë themelet e xhahilijjetit, do të nxjerrë njeriun në një rrugë të re, do t'i japë botës një alternativë të re për shpëtimin e njerëzimit. Lindje e cila do ta rilind botën duke i dhuruar asaj atë strukturë shpirtërore, që do ta përcjelle njeriun deri në fund të botës e edhe pas saj. Lindje që do të instalojë norma të reja të rregullimit të marrëdhënieve brenda shoqërisë së re dhe do të vendos rendin e ri botëror, i cili për bazë do të ketë monoteizmin e paprekshëm që do të vazhdojë deri në ditën e Kiametit.

Muhammedi (a. s.), pra, është ai të cilin All-llahu e dërgoi më udhëzim të qartë. Dhe nuk është për t'u habitur që disa ngritën krye, sepse ishin të vetëdijshëm se po vjen koha e vendosjes së kritereve tjera të vlerave njerëzore, vlera të cilat themeloheshin dhe bazoheshin mbi parimet e besimit, i cili quhej, quhet dhe do të quhet deri në fund të kësaj bote dini Islam - feja e paqes globale dhe mëshirës universale. Për shkak të shkëlqimit të madh të dritës në terrin e madh, në të cilin njerëzit tashmë ishin mësuar të jetojnë, patjetër që kjo ishte befasi jo e këndshme. Nëse njerëzit nuk e kanë një gjë me të cilën janë mësuar të jetojnë, vërehet një lloj konfuzioni tek ata. Shkaktohet konfuzion i fuqishëm, p.sh. tek alkoolisti nëse nuk ka alkool, te varësi i drogës nëse nuk ka drogë, te kumarxhiu nëse nuk ka më kë të luajë kumar, apo nëse nuk ka veprime të tjera të këqija në dispozicion të njerëzve. Në opozitë me gjendjen e këtillë të njerëzve, ishin ata për të cilët është bërë zakon të thuhet të dobëtit, të varfrit dhe të pafuqishmit, për ta rendi i ri ishte realizimi i shpëtimit të pritur nga fatkeqësitë dhe padrejtësitë që u bëheshin në vazhdimësi.

Kur po u afrohej të dyzetave Muhammedi (s) filloi të jetonte në vetmi, në shpellën e kodrinës Hira, afër Mekkes.

Muhammedin (a. s) e mundonte e keqja që zotëronte në Mekke dhe në tërë Arabinë. E brengoste shpirtligësia dhe korrupsioni që mbretëronin gjithkund. Ai, në kodrinën Hira, në qetësinë e shpellës, në vetminë e plotë, gjente prehjen e vet. Me orë të tëra sodiste horizontet e gjëra, kaltërinën e qiellit gjatë ditës dhe shkëlqimin e yjeve në errësirën e natës. Thellohej në shpirtin e natyrës nëpërmjet barit e luleve, nëpërmjet ecjes së thneglave, duke e soditur merimangën që endte pëlhurën e rrjetës së saj, duke e soditur zogun në fluturim. Muhammedi (a. s.) filloi gradualisht t'i afrohej së vërtetës, të cilën ende nuk e njihte dhe të cilën ende nuk mund ta kuptonte. Shpirti i tij i madh dhe fisnik përgatitej që të pranonte Njohuri të Gjëra, Dije të sigurt, Zbulimin e perdes nga Fshehtësia e Madhe. Kjo ishte dëshira e All-llahut (xh. sh.).

Dhe një natë, në vigjilje të ditës së njëzet e shtatë të muajit Ramazan, para Muhammedit (a. s.) që meditonte i thelluar në mendime të thella, përnjëherë vetoi drita, u shndrit shpella.... Muhammedi (a. s.) u dridh, çoi duart që t'i mbyllte sytë. Drita u shndërrua në figurë.

Muhammedi (s) i dëgjoi qartë zërin që dilte nga thellësia e shpellës: "O Muhammed, i biri Abdullahut! Unë jam meleku Xhibril, po të sjell nga All-llahu, Zoti i Gjithësisë, Lajmin e Gëzueshëm se je zgjedhur Pejgamber i All-llahut".

Pastaj, më i miri i melaqeve Xhibrili (a. s) ia shpalli fjalët e para që i erdhën nga qielli, nga Zoti dhe Krijuesi i Gjithësisë:

"Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirbërsit!"
"Lexo dhe mëso..."
"Lexo, me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi çdo gjë".

Ky ishte zbulimi i All-llahut që ia frymëzoi shpirtin e tij të etur sikurse shiu që bie pas një thatësie të gjatë dhe e ngjallë tokën e vdekur.

Arriti të njoh të Vërtetën Absolute dhe nga ajo befasi mahnitëse, nga ai përjetim i jashtëzakonshëm, nga ajo tronditje iu deshën tre vjet që të stabilizohet për të vazhduar misionin e tij. Cili është hapi i parë që duhet bërë pasi të njohësh të vërtetën. Komunikimi, kumtimi dhe publikimi. Atëherë erdhi lajmi tjetër:
"O ti i mbuluar qohu dhe tërhiqja atyre vërejtjen." (Al Muzemmil 1-4)

Tani detyra e tij ishte që ta transmetojë dhe shpjegojë teorikisht dhe praktikisht. Tani fillon koha e realizimit dhe aplikimit në jetë e Fjalës së All-llahut (xh. sh.). Koha e realizimit të Fjalës së Zotit (xh. sh.) në histori, në fjalë të gjallë dhe libër të gjallë. Koha e vendosjes përfundimtare të islamit në histori.

Në këtë periudhë fillojnë sfidat dhe bashkë me to edhe kalitja dhe formimi i karakterit në personalitetin e të dërguarit Muhammed Mustafasë. Kjo kulmon me sfidën dhe joshjen me provokuese për shpirtin e njeriut të zakonshëm, por jo edhe për shpirtin e pejgamberit, i cili në ofertën e mushrikëve për pasuri, pushtet, autoritet dhe për privilegjet më të mëdha të kësaj bote, si zëvendësim që ai të braktis misionin e tij të ngarkuar nga Zoti, ai përgjigjet:

"Betohem në All-llahun se sikur të vendosnin diellin në krahun tim të djathtë dhe hënën në krahun tim të majtë, që të braktis këtë mision timin, nuk do ta bëja dot, derisa All-llahu ta qet në shesh atë apo unë të flijohem për të."

Sepse privilegjet që ia dha Krijuesi i gjithësisë ishin ato që po e përgatiteshin për misionin e madh të drejtimit të botës.

Shikojeni inkurajimin, fuqizimin gradual dhe kalitjen e jashtëzakonshme që ia bën All-llahu (xh. sh:) të dërguarit të Tij:

"Dhe Ne, ta ngritëm lart famën tënd." (El Inshirah: 4)
1. Zoti ia hapi dhe ia pastroi gjoksin: "A nuk ta hapëm Ne gjoksin tënd?" (El Inshirah: 1)
2. Zoti ia hoqi barrën: "Dhe Ne hoqëm prej teje barrën tënde, e cila shtypte shpinën tënde." (El Inshirah: 2,3).
3. Zoti nuk e braktisi dhe as nuk e përbuzi: "Zoti yt as nuk të ka lënë, as nuk të ka përbuzur." (Ed Duha:3). "Botën e amshueshme ia bëri shumë më të mirë se kjo botë:"
4. Zoti i dha dhe e bëri të kënaqur: "E Zoti yt do të japë ty, e ti do të kënaqesh." (Ed Duha:5).
5. Zoti e strehoi dhe e mbrojti: "A nuk të gjeti ty jetim, e Ai të dha strehë." (Ed Duha:6).
6. Zoti e udhëzoi atë: "Dhe të gjeti të paudhëzuar e Ai të udhëzoi." (Ed Duha:7).
7. Zoti e pasuroi dhe begatoi: "Dhe të gjeti të varfër e të pasuroi." (Ed Duha:8).
8. Zoti ia dha kevtherin: "Ne, vërtet të dhamë ty shumë të mira (Kevtherin)." (El Kevther: 1).
9. Zoti ia pastroi gjuhën: "Ai nuk flet nga hamendja." (en Nexhm, 3).
10. Zoti ai pastroi zemrën: "Zemra nuk e përgënjeshtroi atë që pa." (en Nexhm, 11).
11. Zoti ia pastroi memorien dhe mbamendjen: "Ne do ta lexojmë ty e nuk do ta harrosh (Kur'anin)." (El Ala: 6).

Pejgamberi rritet në një shoqëri e cila ishte bërë sinonim për çdo shoqëri të keqe, amorale dhe primitive që i gjejmë në të gjitha kohët dhe hapësirat , siç kemi sot shoqërinë e xhahilijetit modern.

Të folurit e Pejgamberit ishin fjalime jo të zakonshme dhe ato hasnin në kundërshtime të mëdha, sepse për synim kishin ndërrimin e njeriut dhe transformimin e shoqërisë. E çdo fjalim që pretendon ta ndërrojë njeriun dhe shoqërinë, patjetër që do të hasë në pengesa dhe vështirësi, do të hasë në persona të tillë, të cilët me veprimet e tyre bëhen pjesë e problemit e jo pjesë e zgjidhjes. Vështirësitë, pengesat dhe sfidat në rastet e këtilla janë të natyrshme, sepse një ide që është në kokën e një njeriu duhet materializuar dhe transformuar në praktikë të gjallë jetësore. E për të realizuar këtë më parë duhet ndërruar sistemi i të menduarit dhe për të bërë këtë duhet t'i drejtohemi, jo vetëm arsyes logjike të njeriut, por edhe zemrës së tij. Vetëm nëpërmjet trajtimit të saktë të mendjes dhe zemrës, mund të ndodhin ndryshime në qëndrimet e njerëzve.

Karakteristika e Kur'anit është pikërisht kjo, që i drejtohet njëkohësisht edhe zemrës edhe mendjes.

Dëshmitarë i të mirave dhe kumtues i lajmit të gëzuar

Ai është Lajmëtari i fesë, i cili është dërguar që të jetë si kumtues i lajmit të gëzuar, por edhe të paralajmërojë njeriun që të mos bëjë të liga pas të cilave vijnë lajme të këqija. Kjo është ashtu për arsye se All-llahu ia mundësoi Pejgamberit Muhammedit (a.s.) që të jetë pishtar që bën dritë. Prandaj edhe i është thënë: "Përgëzoi besimtarët dhe thuaju që All-llahu i lartësuar i do ata, prandaj edhe i përfshin me mëshirën e Vet. E ata të cilët këtë nuk e shohin dhe mos u vë veshin atyre, të cilët janë jo mirënjohës. Mbështetu te All-llahu, Atë e ke mbrojtës të mjaftueshëm." ?????

Dashurinë e All-llahut si mëshirë ne e ndiejmë çdo moment, sepse pa të as syrin, as gishtin, as dorën, as këmbën nuk do të mund ta lëviznim. Dhe çdo moment ne dëgjojmë lajmin e gëzuar, sepse pa të as sytë nuk do të mund t'i mbyllnim prej halleve, as shpirtin ta çlironim nga shtrëngimet e dynjasë, as mendjen ta lironim nga dyshimi në jetën që na ofrohet si dhurata e Zotit, si shkëlqim i pishtarit të Pejgamberit që na ndriçon në këtë muaj të bukur të lindjes së tij, të mevludit të tij, të cilin ne këtu e përjetojmë në mënyrë të veçantë si shprehje e falënderimit ndaj Zotit që na e ka bërë të dashur Pejgamberin e Tij Muhammedin (a.s.) dhe të mundur që në mevludet tona ta përmendim me besimin dhe shpresën që ai, Pejgamberi ynë, selamet dhe slavatet qofshin gjithmonë për të, do të na njohë në ditën e gjykimit dhe do të na ndihmojë atje me shefaatin e tij, që të kalojmë përmbi atë lum, mbi të cilin është ajo urë që është më e hollë se qimja e flokut, e më e mprehtë së tehu i shpatës.

E që Pejgamberi ynë të na njehë atje, ne duhet atë ta njohim këtu, sepse shkathtësinë për ta kaluar lumin përmbi urën, e cila është më e hollë se qimja e më e mprehtë se shpata, duhet ta mësojmë këtu, në Këtë botë. Prandaj, ai që e dëgjon dhe e ndjek mësuesin, i cili mëson si duhet ecur që të mos rrëzohet dhe si duhet jetuar që të mos zhytët në llumin e kësaj bote, mund të pres që edhe atje do të dijë me sukses të kalojë nëpër havdi kevther deri të hyrja e xhennetit.

E mësuesi ynë është Muhammedi (a. s.) në dorën e të cilit është pishtari (kandili ndriçues) që na ndriçon rrugën (siraxhen munira). Prandaj lindja e tij është e rëndësishme e prandaj edhe është e rëndësishme të përkujtojmë disa gjëra pikërisht në ditën e mevludit të tij, sepse po të mos ishte lindja e tij, në nuk do të dinim kush është Krijuesi ynë, e as kush është Furnizuesi ynë, nuk do të dinim prej nga është fillimi, as prej kujt vjen fundi, nuk do të dinim kush është babai ynë, as kush është nëna jonë, nuk do të dinim prej nga kemi ardhur dhe ku do të shkojmë, nuk do të dinim përse jemi këtu, dhe ç'na pret atje, nuk do të dinim prej nga është as kënga e zogut, nuk do të dinim ç'është e mirë, as ç'është e bukur, nuk do të dinim të përqafonim nënën, as të donim babain.

Po të mos kishte lindur ai, Pejgamberi ynë, ne nuk do të dinim dallimin midis besimit dhe jo-besimit, nuk do të dinim dallimin midis të mirës dhe së keqes, nuk do të dinim dallimin midis dashurisë dhe urrejtjes, nuk do të dinim dallimin midis shpresës dhe frikës, nuk do të dinim dallimin midis mikut dhe armikut, nuk do të dinim dallimin midis bashkimit dhe përçarjes, nuk do të dinim kush jemi dhe çka jemi.

Ai, i Dashuri i All-llahut dhe shefatxhiu ynë në ditën e Gjykimit, na ka mësuar që të besojmë në Një Zot të Vetëm, prindërit t'i duam dhe t'u bëjmë mirë atyre, të mbështetemi në vetvete, të bëjmë hajr-dua për njëri tjetrin, të ndihmojmë njëri tjetrin në vështirësi, që fqinji ynë të mos jetë i uritur e ne të ngopur, të vendosim lidhje bashkëshortore, të krijojmë familje, të ngremë xhamia, të lexojmë e të mësojmë, të jemi të dobishëm për njerëzit, të përshëndetemi me buzëqeshje në mes vete, të mos ia zbulojmë njëri tjetrit të metat, të përkrahim njëri-tjetrin në të mirë, të mos i hakmerremi njëri tjetrit, të jemi të butë ndaj njëri -tjetrit, të mos jemi të vrazhdë me njëri tjetrin, sepse atëherë njerëzit do të largohen prej nesh, prandaj dhe duhet t'ia falim njëri tjetrit dhe duhet të kërkojmë falje te Zoti për njëri tjetrin dhe duhet të këshillohemi me njëri tjetrin, e kur të vendosim të bëjmë diç bashkë, atëherë duhet të jemi të vendosur dhe të mbështetemi te All-llahu i Lartësuar, sepse All-llahu i do ata, të cilët mbështeten tek Ai.

Në vend të përmbylljes

Profeti bën përpjekje që të gjithë ata të cilët vijnë në kontakt me islamin ta ndjejnë që islami është mëshirë, e jo mallkim për njerëzit. Pejgamberi (a. s.) në radhë të parë i shpëton arabët, e pastaj edhe të tjerët nga adhurimi i idoleve prej gurit e drurit dhe i udhëzon në adhurimin e atij që është përjetësisht i Gjallë dhe që nuk vdes kurrë. Çliron robërit nga zgjedha dhe shtypja tiranike, e lartëson jetën njerëzore në vlerën e saj të vërtetë, vendos norma morale dhe të drejta njerëzore, të cilat e rilindin secilin njeri që i merr ato dhe i zbaton në praktikë. Për ta ndjerë cila është ajo mëshirë që na vjen nga Pejgamberi ynë duhet ta aplikojmë mësimin e tij në jetët tona. Kështu Pejgamberi i All-llahut thotë: "Mos e çoni zili njëri tjetrin, mos e mashtroni njëri -tjetrin, mos e urreni njëri tjetrin, mos ia ktheni shpinën njëri tjetrit duke e ngritur zërin lartë; mos bëni konkurrencë në shitje me njëri tjetrin dhe bëhuni vëllezër të vërtetë o robër të All-llahut. Muslimani për myslimanin është vëlla. Nuk do ti bëjë dhunë, nuk do ta braktisë, nuk do ta gënjejë, nuk do ta poshtërojë. Devotshmëria është këtu. (në gjokse - këtë e përsëriti tre herë). Është e mjaftueshme për një njeri e keqja e poshtërimit të vëllait të vet mysliman. Për një mysliman janë haram të gjitha gjërat e myslimanit tjetër, jeta e tij, pasuria e tij dhe nderi i tij" (Muslimi). As'habet të cilët jetuan me Pejgamberin e ndien atë mëshirë dhe punuan e luftuan që ajo të vazhdojë edhe më tej deri në ditët e sotme. Edhe ne sot pas gjithë atyre shekujve e përjetojmë atë mëshirë universale të Pejgamberit të Zotit. Pejgamberi (s) ka vdekur, por fjalët e tij kanë mbetur të gjalla dhe jetojnë e do të mbetën deri në fund. Kanë mbetur pas tij njerëz, të cilët e dinë që kjo botë mund të jetë më e mirë se është tani, njerëz të cilët e dinë që mëshira e All-llahut lëshohet vetëm mbi ata ët cilët e duan All-llahun dhe Pejgamberin e Tij dhe të cilët janë të gatshëm të vdesin për atë misionin e qartë dhe të thjeshtë, të cilin e promovoi dhe të cilit i priu Pejgamberi ynë, e ai është: LA ILAHE IL'LALL-LLAH, MUHAMMEDIÚN RESULULLAH - NUK KA ZOT TJETËR PËRVEÇ ALL-LLAHUT DHE MUAHMMEDI ËSHTË ROBI I ZOTIT DHE PEJGAMBERI I ZOTIT. I lutemi All-llahut që këto fjalë të jenë njëherazi edhe fjalët tona të fundit me të cilat do ta lëshojmë këtë botë dhe që të takohemi në botën e ardhshme me Resulullahun tonë në xhenet. Amin


_____________________
Referencat:
1. Hadithe të zgjedhura të Pejgamberit alejhisselam, Tetovë, 2003
2. Dr. Abdurrahman Rafet El Basha, Fragmente nga jeta e sahabeve (3), Prishtinë, 1996.
3. Dr. Fuad Sedic, Posebnosti Muhammeda (s) i njegovog ummeta, Bihaç, 2005.
4. H. Ismet Spahic, Hutbe, Sarajevë, 2000.
5. Zahid Mujkanovic, Od Masrika do Magriba - Hutbe, Sarajevo, 1998.
6. Shehibrahimoviq, Ismet U.: "Fuqia e besimit-përsosmëri shpirtërore", Shkup,1983.
7. El-Harun selimovic, Psihologija islama, Istanbul, 1995
8. www. preporod.com/kolumna.asp?id=1
9. www.znaci.com _ Sarajevo-BiH _ 2001_2005 >
10. www.znaci.com _ Sarajevo-BiH _ 2001_2005 >
11. http://www.mm.co.ba
12. http://www.icc-selam.org/


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi