Një ditë e zakonshme e një njeriu të jashtëzakonshëm


Është shumë e vështirë të shkruash për njerëzit e veçantë, e akoma më vështirë bëhet kur thuren fjalë për njeriun më të veçantë që shkeli mbi sipërfaqen e tokës. Vetëm atëherë e kuptojmë se sa të vegjël jemi ne, e sa vështirë e kemi ta bëjmë përshkrimin e një dite nga jeta e tij. Imagjinojeni ta jetojmë ne një ditë të tillë, e më pas sikur çdo ditë nga jeta jonë të jetë e tillë!
Megjithatë, ne përpiqemi ta bëjmë një përmbledhje e të kënaqemi edhe vetëm duke e përshkruar atë, duke qenë thellë të bindur se, modeli ynë i vetëm i suksesit në të gjitha sferat e jetës është pikërisht ai, paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të, e kjo madje edhe me udhëzimin më të lartë hyjnor: “Ju e kishit shembullin më të lartë në të Dërguarin e Allahut, kuptohet, ai që shpreson në shpërblimin e Allahut në botën tjetër, ai që atë shpresë e shoqëron duke e përmendur shpesh Allahun.” (El Ahzab, 21).
Në këtë ajet, Zoti qartë na thotë se për të gjithë ata që dëshirojnë shembullin e përkryer dhe modelin e veçantë, e keni tek i Dërguari i Zotit.
Ejani pra së bashku t’ia hedhim një shikim një dite të zakonshme, të mbledhim pak nektar nga çdo moment që kalonte i Dërguari i Zotit, në mënyrë që në fund ta nxjerrim “mjaltin” me të cilin do t’i rregullojmë jetët tona dhe ta vërtetojmë se jeta që ne e kalojmë, shpeshherë e zbrazur dhe pa angazhime, është shkak i çorientimeve të mëdha, madje deri në dëshpërim dhe ankth.
Nuk ka dyshim se i Dërguari i Zotit e fillonte ditën në mëngjesin e hershëm, duke e falur namazin e sabahut. Këtë e bënte në xhami, madje në shumë hadithe ka nxitur për këtë.
Transmetohet se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Ata të cilët shkojnë në xhami nëpër errësirë, i përgëzoj me një ndriçim të plotë në Ditën e Gjykimit.”(1)Errësira është namazi i sabahut dhe i jacisë.
Sigurisht se kjo nuk është për t’u çuditur e për t’u habitur për një njeri, i cili një pjesë të madhe të natës e kalonte në namaz, e kur pyetej se përse rrinte kaq gjatë në namaz, ai thoshte a mos të jem rob falënderues.(2) Kjo pa dyshim na tregon dritaren nga e cila nxjerrim pamjen se misionet e mëdha nuk plotësohen ndryshe përveçse duke qenë lidhja tepër e fuqishme me Zotin e gjithësisë, dhe se sigurisht se këtë mësim e kishte marrë edhe vetë Muhamedi a.s. nga Zoti në fillimin e shpalljes: “O ti i mbuluar! Ngrihu dhe falu, përveç një pjese të vogël të natës!” (El Muzemil, 1-2).
Pas namazit dhe dhikrit të gjatë, ai ulej, e afër tij uleshin edhe shokët e tij, me të cilët ndante biseda të ndryshme të fesë e të dynjasë, e ndonjëherë ndante edhe momente nga e kaluara, ku nuk mungonin as ngritja e problematikave të ndryshme dhe ofrimi i zgjidhjeve për to. Më pas falte namazin e duhasë, për të cilin thoshte se është namazi i vigjilentëve. Ai a.s., në hadithin, të cilin e transmeton Ebu Dherri r.a. ka thënë: “Për çdo mëngjes, çdonjëra nyje e trupit tuaj ka të drejtë për lëmoshë. Çdo tesbih (të thënët Subhanallah – i pa të meta është Allahu) është lëmoshë, çdo tehmid (të thënët Elhamdulilah – falënderimi dhe lavdërimi i takon Allahut) është lëmoshë, çdo tehlil (të thënët Allahu Ekber – Allahu është më i Madhi) është lëmoshë, të urdhëruarit për të mirë është lëmoshë, ndalimi nga e keqja është lëmoshë, dhe si kompensim për të gjitha këto, mjaftojnë dy rekate të duhasë (paradites).”(3)
Dita vazhdonte me kthimin te familja, ku për dallim nga personalitetet e tjera në histori për të cilat dihet shumë pak nga jeta e tyre, Pejgamberi a.s. kishte ngarkuar përcjellës të veçantë që ta bartnin çdo imtësi nga jeta e tij në familje, për të na mësuar se sa madhështore është feja e Zotit. Pejgamberi a.s. ishte modeli i pa krahasuar i njeriut familjar, i thjeshtë e i butë, ai i cili rregullonte nallanet e tij, i qepte rrobat e tij, i afërt e i ngrohtë me familjen e tij, e i dashur sa më s’ka. Ai na mësoi duke na thënë: “Më i miri prej jush është ai që është më i miri për familjen e vet. E unë jam më i miri, sepse jam më i miri për familjen time.”(4)
Ai ishte shembull i jashtëzakonshëm edhe me shërbëtorët e tij. Enes ibën Maliku r.a., i ka shërbyer Pejgamberit a.s. dhjetë vjet. E për këto vite, ai thotë: “E kam shërbyer Pejgamberin a.s. dhjetë vjet, e asnjëherë nuk më ka thënë “uf”, e as të më thotë diçka që e kam bërë: “Pse e ke bërë?” apo diçka që nuk e kam bërë: “Pse nuk e ke bërë?” Pejgamberi a.s. ishte me moral të mirë.”5
Përditshmëria familjare ishte pjesë shumë e rëndësishme. Ai kur nuk kishte për të ngrënë, agjëronte, për të nxjerrë në pah madhështinë e njeriut asket dhe për të na treguar se ankesa nuk ishte pjesë në familjen e tij.
Obligimi që Allahu ia kishte ngarkuar mbi supet e tij për ta përcjellë shpalljen te njerëzit, ishte padyshim boshti i jetës së tij. “O ti i Dërguar! Komunikoje atë që t’u zbrit prej Zotit tënd, e nëse nuk e bën (kumtimin në tërësi), atëherë nuk e ke kryer detyrën (revelatën – risalen)” (El Maide, 67). Ai me të zgjohej e me të ngrysej.
Nuk linte momente e mundësi përveçse t’ua përcillte njerëzve mësimet e fesë, Kuranin që i transmetohej, zbritjet e reja, përgjigjet në pyetjet që ia parashtronin delegacionet e shumta që vinin ta takonin, gjykimin për çështjet e drejtësisë, mbajtjen e korrespondencave me shtetet aleate, përgatitjen e ushtrisë për betejat e reja mbrojtëse apo çliruese. Këto ishin vetëm disa nga angazhimet e tij ditore, pa harruar asnjëherë xhaminë, imamllëkun e deri tek ato që mund të llogariten detaje për ne, siç është rasti i fëmijës, i cili e pyeti për zogun e tij, apo edhe rasti i ndihmesës që ia ofroi plakës për bartjen e gjësendeve të saj.
Mbyllja e ditës bëhej ashtu siç edhe e fillonte, duke madhëruar Zotin, duke marrë pushim për trupin e tij në pjesën e parë të natës, e duke i lënë hapësirë pjesës së tretë për vetmimin me Zotin, si një mbushje me energji për ditën e re.
Ky ishte një përshkrim shumë i përgjithshëm për ta kuptuar se sa barte ai në veten e tij obligime dhe detyra, e mund ta shohim se sot, punën që ai e bënte vet, sot, një ymet i tërë me afër dy miliardë njerëz, nuk e përmbushin as për së afërmi siç e përmbushi ai.
Paqja qoftë mbi të, mbi shëmbëlltyrën e njerëzimit, mbi modelin e papërsëritshëm!


________________________
1. Transmeton Ebu Davudi, 561.
2. Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.
3. Shënon Muslimi.
4. Suneni i Tirmidhiut dhe Suneni i Ibën Maxhes.
5. Transmeton Tirmidhiu.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi