Rrethanat historike të Hixhretit
Hixhreti apo imigrimi i Muhammedit s.a.v.s nga Meka në Medinë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të jetës së Muhammedit s.a.s, shoqërisë islame dhe në përgjithësi të ardhmes së Islamit. Ishte momenti kur bëri kthesa të mëdha në jetën individuale të myslimanëve, në jetën shoqërore dhe kishte refleksione të mëdha në arenën ndërkombëtare të cilat do ti jep vetëm pak kohë më vonë.
Jeta e Muhammedit s.a.s, besimtarëve mysliman dhe organizimi i vazhdueshëm i thirrjes islame brenda Mekës u vështirësua në masë të madhe, madje organizimi i sistemit të plotë islam brenda Mekës siç dukej ishte i pamundur. Po ashtu takimet e Muhammedit s.a.s me fiset e Medinës, Besa e parë dhe sidomos Besa e madhe e Akabesë për pranimin e Muhammedit s.a.s në Medinë bëri që mekasit të humbin logjikën e veprimit racional. Madje logjika e mbrapsht kundër Muhammedit s.a.s dhe frika e zgjimit të madh islam i shtyn mekasit të marrin vendim edhe për vrasjen e tij. Të enjten, më 26 seffer të vitit 14 të pejgamberisë, ose më 12 shtator të vitit 622 miladi mekasit mbajnë një mbledhje në përfaqësim të të gjitha fiseve mekase me qëllim të shkatërrimit përfundimtar të thirrjes Islame. Ky takim me karakter vendimmarrës i mekasve përfundoj me pajtim unanim ndaj mendimit të Ebu Xhehlit i cili tha: “Mendoj se duhet të zgjedhim nga një të ri të fuqishëm prej çdo fisi që të na përfaqësojë, të cilëve do t’u japim nga një shpatë vdekjeprurëse, të shkojnë e ta mbysin të gjithë së bashku. Vetëm atë-herë do të shpëtojmë nga ai. Nëse veprojmë kështu, gjaku do t’i shpërndahet në të gjitha fiset, e Benu Abdi Menafët nuk do të mund t’u hakmerren të gjithëve. Kështu që do të detyrohen të pranojnë shpagimin e gjakut (dij’jen).”
Pas krijimit të këtyre rrethanave, Muhammedi s.a.s me urdhrin e Allahut, obligohet të bëj Hixhret në Medinë. Në shoqërim të pejgamberit s.a.s ishte Ebu Bekri r.a. të cilën nga Mekka dolën në natën e 27-të të muajit seffer të vitit katërmbëdhjetë të pejgamberisë (12/13.09.622), ndërsa në Medinë arritën të premten më 12. rebiul-evvel të vitit të parë të hixhretit, apo më 27. 09. 622. Kjo ngjarje e madhe historike dhe meditimi mbi të ka një ndikim shumë të madh jetën individuale-kolektive dhe shtetërore të së kaluarës dhe së ardhmes islame.
Ndikimi i Hixhretit në jetën indivudale-kolektive të besimtarëve
Kalimi prej vendit të tyre ku kishin lindur, kishin formuar familje, kishin grumbulluar pasuri, prej vendit me të cilin ishin mishëruar me të dhe jetonin e luftonin për të, në vendin e huaj ku ishte plotësisht një rreth tjetër, një sistem më ndryshe jetësor, me pasurin e humbur ishte sigurisht një rrethanë shumë e vështir jetësore për sahabet-shokët e Muhammedit s.a.s nga Meka. Por ky ndryshim sigurisht se kishte refleksione edhe tek medinasit, tash e tutje ata ishin nikoqirët, kishin japë besën se do ta mbronin Pejgamberin s.a.s. dhe ata që ishin me të, ndjenin obligim ndihmën financiar të tyre e madje edhe e ndanin pasurinë me ta. Të gjitha këto ishin sfidat e tyre e mbi të gjitha të Muhammedit s.a.s. se si ti sistemoj, strukturoj dhe organizoj jetën kolektive të pasuesve të tij. Udhëzimi Hyjnor dhe Vigjilenca profetike bënë që Muhammedi s.a.s veprimet e tij ti bëj aq bukur dhe aq mençur saç të gjithë edhe muhaxhirët e edhe ensarët të trupëzohen në një trup të lidhur fort mes vete dhe të gatshëm për sfida e mëdha të ngritjes së Perandorisë së re.
Sfidat e mëdha të pas hixhretit kërkonin një njeri të fortë, këmbëngulës, të qëndrueshëm, të përkushtuar, të vetëdijshëm e vizionar, kërkonin një njëri zemra e të cilit ishte çelikosur në Islam për shumë vite, ndërsa tash ishte i obliguar që atë Islam ta pasqyroj në jetën e tij individuale me refleksione të fuqishme në jetën kolektive. Për një kohë të gjatë, gjegjësisht për një periudhë 13 vjeçare, myslimanët u mësuan si ta besojnë Allahun dhe ta kenë përkushtimin ndaj Tij dhe ndaj Pejgmaberit s.a.s, si të duhen dhe të jenë të vëllazëruar mes vete, të mendojnë e meditojnë për krijesat e Allahut e me këtë të pastrohet dhe të kristalizohet mendimi i tyre për Absulitetin e Allahut.
Besimtarët mysliman gjatë kësaj periudhe kohore ishin ata që u mësuan për një parim shume të rëndësishëm në jetë, u mësuan për durimin aktiv, u mësuan se duhet të jenë të durueshëm por jo ankues e spektator, duhet të jenë të durueshëm, punëtor, vizionar dhe aktivë në ndërrimin e gjendjes dhe krijimit të ambientit të sigurt për tërë gjininë njerëzore. Vetëm kuadrot e tilla janë të gatshëm të ambientohen me rrethanat e reja dhe të jenë aktiv në ndryshimin e gjendjeve të disfavorshme të krijuar.
Ndikimi i Hixhretit në krijimin e shtetit Islam
Roli dhe rëndësia fundamentale e Hixhretit është krijimi i shtetit Islam. Shteti si organizimi më i komplikuar shoqëror është e arritura më e madhe e njerëzimit dhe reflektimi i inteligjencës së lartë të tij. Pejgamberi s.a.s sikur të kishte vepruar edhe shumë vit në Meke, formimi i shoqërisë së mirëfilltë islame në strukturë shtetërore ishte i pamundur. Ndërsa një e arritur e tillë ishte e obliguar sepse Islami është sistemi gjithëpërfshirës dhe si i tillë nuk guxon të lë diçka mangu duke mos na i jap neve pasuesve të tij edhe horizontet e reja të shtet ndërtimit.
Muhammedi s.a.s sa ishte në Meke, kishte një numër të konsiderueshëm të pasuesve por jo të strukturuar në forma më të avancuara shoqërore. Ishte në vendin e tij por nuk e kishte territorin e vet në të cilin mund të udhëheq dhe ë cilin mund ta kontrolloj. Këto tri kritere janë kriteret fundamentale të shtetit sot, gjegjësisht: popullsia, territori dhe kontrolli i vendosur mbi atë territor. Këto tri kritere duheshin plotësuar e me këtë të ngrihej madhështia e shtetit Islam, tri kritere që brenda Mekës ishin të pamundura të realizohen. Hixhreti në Medinë, bëri që Muhammedit s.a.s të ketë popullsinë e formësuar për vite të tëra dhe e ngritur në shkallë të lartë të vetëdijes fetare dhe shtetërore, të struktura mirë dhe të organizuar. Po ashtu me këtë lëvizje të Muhammedit s.a.s u sigurua edhe territori, në të cilën do të udhëheqë dhe kontrolloj duke plotësuar të tre kriteret e ngritjes së një shteti. Ndërsa më vonë plotëson edhe kriterin e katërt, i cili është aftësia e shtetit për të hyrë në marrëdhënie ndërkombëtare, sidomos pas Traktatit të Hudejbijes.
Shteti Islam i pasemigrimit u ngrit mbi ndërtimin e xhamisë me tërë mekanizmat e saj përcjellës e jo vetëm si faltore, ajo shërbente dhe luante rolin e fuqishëm edhe të universitetit dhe kuvendit. U bë vëllazërimi mes myslimanëve dhe marrëveshja me fiset e tjera të Medinës, gjegjësisht u nxor dokumenti kushtetues dhe rregullativ i vendit. Po ashtu u ndërtua edhe tregu gjegjësisht sistemi ekonomik islam. E tërë kjo na mëson një fondament të suksesit të një shteti i cili ngrihet mbi kuadro të formësuara fetare e intelektuale, mbi një sistem të drejtësisë udhëheqëse, një sistemi të fuqishëm arsimor dhe edukativ dhe të një ekonomie të pastër dhe të organizuar mirë.
-------------------------------------------------------
1. Mustafa Sibai, Profeti Muhammed s.a.s Vlera dhe Urtësi, Tiranë 2006
2. SafijuRrhaman Mubarekfuri, Nektari i Vulosur I Xhenetit, Prishtinë 2002
3. Ismaili, H. burime të zgjedhura juridike historike, Prishtinë 2001
4. Amr Halid, Gjurmëve të të dashurit tonë, Shkup 2006
5. Zejnullah Gruda, E Drejta ndërkombëtare publike, Prishtinë 2002
6. Siretu-n-Nebeuie, Li Ibni Hisham, Jemen-San’a 2005
7. Luan Omari, Shteti i së Drejtës, Tiranë, 2002