Vlera e kohës së lirë në rini

Vëllezër të dashur në Islam!

Falënderojmë All-llahun, i Cili krijoi vdekjen që jeta të ketë kuptim, i Cili krijoi sëmundjen që shëndeti të ketë kuptim, i Cili krijoi natën që dita të ketë kuptim, i Cili krijoi Ahiretin që jeta në dynja të ketë kuptim. I dërgojmë salavate dhe selame të Dërguarit të All-llahut, selam shpirtrave të shehidëve dhe lutemi për udhëzimin e All-llahut për ne të gjallët.
Njeriu shpesh dëshiron të fillojë një faqe të re në jetën e vet, por ai atë fillim të dëshiruar e lidh për të panjohurën, sikur se është rasti i atij që thotë se këtë do ta bëj kur të përmirësohet gjendja ime ose kur ta ndërrojë vendbanimin. Nganjëherë e lidh me ndonjë ngjarje të rëndësishme ose me ndonjë rast të veçantë, siç është për shembull ditëlindja, viti i Ri, etj.
Natyrisht kjo është një lajthitje e kulluar. Forca e vërtetë lëvizëse për jetën e re buron nga brendësia e njeriut.
Një njeri i cili e vendos të ecë në jetë nuk do ta luhatin kushtet e vështira që e rrethojnë, sado që janë të këqija, ai nuk do të bie në ndikimin e tyre. Përkundrazi, do të përfitojë prej tyre duke arritur që t’i ruajë veçantitë e veta para tyre, sikur farat e trëndafilit që i fusin nën dhè, e ato shpërthejnë dhe i hapin rrugë vetes në drejtim të dritës së diellit, duke përhapur aromë të këndshme!! Ato e shndërrojnë baltën e fortë dhe ujin e turbullt në një ngjyrë të mahnitshme dhe aromë të shkëlqyeshme... Po ashtu edhe njeriu, i cili kontrollon veten dhe kohën e vet, ruan lirinë e aksionit në përballje me të gjitha ngjarjet e pakëndshme, ka mundësi të bëjë shumë gjëra, duke mos pritur ndihmë nga faktorët e jashtëm për realizimin e asaj që dëshiron.
Me ndihmën e fuqisë së tij të fshehtë, aftësisë që ka dhe shanseve të kufizuara, që i ofrohen, ai mund të fillojë dhe ta ndërtojë jetën nga e para.
Koha ka vlerë të madhe tek All-llahu dhe ne duhet ta respektojmë dhe të përfitojmë prej saj në atë mënyrë që nuk do ta lëmë të zbrazet, por do ta plotësojmë me vepra të mira dhe nënshtrim të sinqertë ndaj All-llahut të Lartësuar.
Koha është dhurata e All-llahut dhe begatia e Tij, sikurse edhe jeta e njeriut. Secili njeri ka kohën e vet të caktuar, të cilën duhet ta kalojë në këtë botë kalimtare. Në këtë jetë të kufizuar kemi detyra dhe obligime, të cilat duhet t’i kryejmë sipas mundësive dhe aftësive tona. Ato detyra janë shumë të rëndësishme dhe janë theksuar në Kur’an.
Njeriu nuk është pronar-zotërues i jetës së vet dhe ndaj saj nuk do të duhej të ishte i pakujdesshëm dhe i papërgjegjshëm. Nga vdekja askush nuk është i përjashtuar, e koha pamëshirshëm kalon. Ditët e kaluara nuk kthehen më, ato kanë mbetur larg pas nesh.

Rasti i volitshëm është investim jetësor
Rastet e volitshme janë si retë, shpejt kalojnë, zhduken dhe nuk kthehen. Përdorimi i dobishëm i tyre është art në vete, për shkak se rinia është një rast kohëshkurtër që ka një thesar rreth 100,000 orësh kohë në dispozicion si kohë për përdorim.

Shansi është jetëshkurtër
Mirëpo, administrimi dhe kontrollimi i këtij kapitali të çmueshëm kërkon vetëdijesim, ekuilibër dhe shfrytëzim efektiv. Pejgamberi i Zotit (s) shpesh theksonte që rinia është pasuri dhe begati dhe thoshte:
“Shfrytëzoi pesë gjëra, para se të vijnë pesë tjera: shfrytëzo rininë para pleqërisë, shëndetin para sëmundjes, pasurinë para varfërisë, kohën e lirë para se të zihesh me diçka dhe jetën para vdekjes.”
Ajo që ka shkuar dhe që nuk kthehet më është rinia, sepse pleqëria do të vijë, atë e kemi përpara.
Rëndësinë e kësaj mund ta shohim në paralajmërimin e mëposhtëm:
“Kur të paraqitet njeriu në ditën e Gjykimit, do të pyetet për rininë si e ka kaluar!”
Kam qenë i ri kur më thoshte mësuesi i vjetër: rasti (mundësia ) është bekim (begati) të cilin nuk duhet ta lëshojmë.
Në të vërtetë jeta është e shkurtër, rruga e punës e gjatë, e rastet kalimtare dhe të shkurtra. Kapitali ynë i vetëm është koha e cila nuk kthehet. Në bazë të kësaj, arti më i madh i jetës më të mirë është shfrytëzimi dhe përdorimi i rasteve (mundësive) të pakrahasueshme që ikin para syve tonë.
Përveç kësaj, duhet t’i marrim me seriozitet dy thëniet e urta si më poshtë:
“Secilit i ofrohet mundësia, por ai duke pritur rastin ideal, prolongon shansin që i ka ardhur, kështu koha ia vjedh edhe këtë rast të dhënë, sepse detyra e kohës është që t’i merre me vet ato...”
“Përdorni mirë begatitë të cilat u janë dhënë në shfrytëzim, para se t’i marrin, sepse begatitë shpejt dalin prej dore dhe dëshmojnë për pronarin e tyre si i ka shfrytëzuar.”
Koha e rinisë është begati kalimtare dhe rast i shkurtër, ashtu që shkatërrimi i saj nuk lënë asgjë tjetër veç se hidhërim, trishtim dhe pendim për kohët që vijnë më vonë. Transmetohet nga Pejgamberi i mëshirës i cili e ka thënë: “Humbja e rastit është trishtim”
Rinia është mundësi e pakompensueshme, prandaj kujdesi dhe saktësia ndaj saj janë të lavdëruara. Për këtë arsye, indiferenca ndaj orëve dhe ditëve të shkatërruara në rini nuk është e lejuar, duhet bërë përpjekje për të qenë aktiv, gjë që padyshim do të ishte e një rëndësie të madhe.
Rinia, padyshim, është rast i mirë dhe një puhizë e mëshirës së Zotit të cilën duhet ta shfrytëzojmë në mënyrën më të mirë. Kjo mëshirë e Zotit duhet të ruhet me inteligjencë, mendjemprehtësi dhe aftësi. Sikurse ka thënë Pejgamberi i Zotit:
“Gjatë kohës së jetës suaj fryjnë erërat e mëshirës së All-llahut, jini të zgjuar që të përfitoni prej tyre.”
Mistiku i madh me famë botërore, Xhelaludin Rumiu për këtë në Mesnevinë e tij shkruan:
“Për atë që hapen dyert e hajrit, konsiderojë këtë bekim, për shkak se nuk dihet kur i mbyllen përsëri.”
Resulullahu (s) konsideron që shumica e njerëzve janë të pakujdesshëm kur është fjala për përdorimin dhe shfrytëzimin e rasteve (shanseve)! Qasja e drejtë sipas mendimit të Pejgamberit (s) është si vijon:
“O njerëz! Me të vërtetët ju i keni rrugët e qarta dhe të shndritshme. Prandaj shkoni në drejtim të atyre rrugëve të ndriçuara dhe me arsye keni kufijtë dhe kufizimet. Prandaj, shkoni në drejtim të kufijve tuaj. Ta dini se mu’mini (besimtari i sinqertë) punon mes dy rreziqeve, midis fatit që ka kaluar, sepse nuk e di çfarë dëshiron All-llahu me të dhe fatit që e pret, sepse nuk e di se çfarë ka caktuar All-llahu për të. Për këtë arsye besimtari i sinqertë (mu’mini) patjetër duhet t’i sjell përfitim shpirtit të vet, me jetën e vet të kësaj bote për ahiretin (duke shkuar në botën e përjetshme), në rini para pleqërisë dhe në jetë para vdekjes...”
Margaritarin e kohës mos e lësho me vetëdije, sepse ky gur i çmuar ka çmim.
Duhet ta dimë se për begatitë e përmendura më lartë në hadtih do të jepet llogari para All-llahut (xh. sh.). Jeta e njeriut do të dështojë nëse më parë nuk i është vendosur qartë qëllimi. Që të realizohen qëllimet jetësore duhet dhënë kuptim dhe organizuar mirë kohën.
Rreth asaj si duhet kaluar kohën, sidomos të rinjtë, duhet t’i kushtojnë kujdes. Ajo është periudha më produktive e jetës njerëzore. Në atë moshë më shumë mësohet, formohet qëndrimi ndaj jetës dhe botës, formohet familja, sigurohen mjete për ekzistencë. Ajo është koha e hulumtimit dhe verifikimit të të gjitha vlerave të mundshme jetësore. Dhëmbi i kohës gërryen rininë tonë, shëndetin tonë dhe jetën tonë. Koha është sikur shpata, nëse ti nuk e pret atë ajo të pret ty. Çdo ditë që kalon, ta shkurton një pjesë të jetës tënde. Imam Hasan Basriu ka thënë: “Ti, o njeri, je i ndërtuar prej pjesëve, dhe me kalimin e çdo dite, të shkon edhe një pjesë e jotja”.
Kështu të rinjtë, të cilët e respektojnë jetën e dhënë nga All-llahu, duhet ta shfrytëzojnë në mënyrë të vlefshme kohën që e kanë para vetes. Që nga njohuritë e veta të para duhet të mësojnë doktrinën e shfrytëzimit të drejtë të kohës. Çdo fillimi hershëm jep fryt më të madh se ai i vonshmi.


Esenca e shpresës (optimizmi)

Shpresa është çelësi i suksesit dhe i lumturisë për njeriun ri, e të kalosh me shpresë nëpër fatkeqësitë e jetës është më tepër se e mundshme.
Nëse njeriu i merret shpresa, do të bëhet qenia më e palumtur në Tokë, e vigani i depresionit do ta shndërronte në skllav të nervozes, shqetësimit, problemeve financiare dhe profesionale, problemit të punësimit dhe komplikimeve familjare e sociale, gjë që do t’ia bënte botën e tij të mjerë, të ftohtë dhe të pajetë. Ata që kanë shpirt dhe qenie të dëshpëruar dhe të pashpresë fajtorët më të mëdhenj janë vetë ata, sepse e kanë këputur lidhjen me jetën dhe i janë kthyer vetëvrasjes shpirtërore.
Mos ec rrugës i pashpresë, sepse shpresë ka
Mos shko në drejtim të errësirës, sepse diell ka
Pejgamberi i Zotit (a. s.) konsideron që dëshpërimi apo dekurajomi është njëra nga fatkeqësitë më të mëdha të cilën njëkohësisht e konsideron edhe rrënjën e shkatërrimit. Alija (r. a.) ka thënë:
“Për njeriun pa shpresë nuk mbetet asgjë përveç trishtimit, dhembjes, depresionit dhe shkatërrimit. Jeta me zemrën e mbushur me shpresë vërtetë është e mirë.”
Musai i biri Imranit me shpresën se do të gjejë zjarr për familjen e vet shkoi në kërkim, ku i drejtohet All-llahut të Lartësuar dhe ai me mëshirën e Tij do të zgjidhet për pejgamber.
Pejgamberi i Zotit (s) konsideron që shpresa është mëshirë dhe thotë:
“Shpresa dhe synimi janë mëshirë për pjesëtarët e mijë. Po të mos ishte shpresa, asnjë nënë nuk do t’i jepte gji fëmijës së vet, as kopshtari nuk do ta mbillte pemën.”
Libri qiellor i Pejgamberit të All-llahut (s), Kur’ani i Nderuar, përveç këshillimit që asnjëherë të mos humbet shpresa në mëshirën e All-llahut, njerëzit me shpresë i paraqet si besimtarë të sinqertë, të cilët bëjnë vepra të mira dhe të cilët besojnë në botën tjetër të përjetshme: Kush dëshiron (shpreson) që prej Zotit të jetë i pranuar mirë, le të bëjë vepra të mira dhe duke iu lutur Zotit të vet, le të mos e konsiderojë askënd të barabartë me Të! Ata në jetë janë plot gëzim dhe gjenden në rrethin e mëshirës së All-llahut.
Për këtë arsye (bota e njeriut të ri) është e vendosur dhe e shkëlqyeshme kur ekziston shpresa, e suksesi dhe progresi i tij varet nga edukimi i kësaj dhurate hyjnore në zemrën e tij.

Dy pamje të kundërta të rinisë

Duke e hapur kodin e jetës gjej një pjesë që mban titullin “Rinia”. Thonë...jeta tek atëherë fillon.... Jam duke i shikuar pamjet e rinisë. Shikoj pamjen e një rinie të mrekullueshme, entuziaste, vetëmohuese, e gjallë, plot satisfaksione (të vërteta), punë, e katandisur në shkencë, e edukuar në punë. Na pamjen tjetër – në pamjen e rinisë së sotme aktuale, shoh një fytyrë të dëshpëruar, një shikim që bredh dhe kërkon diçka, shoh rininë (të rinjtë) pa rini, vjeshtën në pranverë. Kërkoj pamjet e më hershme të kësaj rinie dhe shoh një pamje “të marr” – të një djaloshi dhe një vajze në njëfarë ritmi shurdhues të kohës (muzikës), në trans të dëfrimit, me trup dhe flok të braktisura, me cigare dhe pije pranë vetes.
Shikoj veprimet e tyre dhe pyes: “Vallë, kjo është rinia”. Ku është elani, vetëmohimi, ku është jeta e kësaj rinie?
Nga kjo plejadë të rinjsh pyes disa prej tyre: “Jeta? Ç’është ajo për ju?” Dhe ja përgjigjet: “Hëm... Diçka kalimtare..., vetmi e përjetshme..., një koktej i hidhur..., koktej ku është përzier çdo gjë që e ekziston... megjithatë .... nuk e di..., diçka shumë monotone..., nuk jam thelluar të mendoj... marrëzi..., dhe unë e pyes veten..., një shfaqje regjisoresh të marrë..., vuajtje... shpresë e marrë...
Ja pra, punojmë, nuk e dimë përse, bëjmë diçka, nuk e dimë përse, - jetojmë, nuk e dimë përse?! Sipas dëshirave dhe opinionit të të rinjve i vetmi qëllim i jetës është dëfrimi. Me rëndësi është sa më shumë të dëfrehem. Që të mos na ikë dita e sotme pa dëfrim, për më tutje, mbase do të ketë edhe nesër...”për nesër nuk është me rëndësi – koha jonë është tani në këtë moment”
E dëfrimet! Çfarë janë ato? Duke u shprehur në mënyrën më të thjeshtë ato janë shumë vulgare. E të mos flasim sa janë të pamoralshme.
Ndërkaq, kur i takojmë në punë, janë të pavullnetshëm. Puna është barrë. Ajo bëhet nën presion. Pritet që të mbarojë sa më parë.
Mësimi! Ja, kjo sot ne na duhet dhe atë për të na mbajtur në jetë. Gjithë kohën luftojmë për një letër – për një diplomë dhe shumë pak për dije.
Dashuria” Ajo e ka humbur anën e saj ideale dhe është shndërruar në vardisje të rrejshme, mashtrim, gënjim dhe në kënaqësi momentale, që për pasojë ka mosbesim të plotë, psherëtimë të dhembshme, vetëvrasje të shumta dhe shumë probleme sociale. Në këtë përfundim mund të vijmë nga çdo gjë që e shohim, nga romani, këngët, filmi, shtypi – çdo gjë që pasqyron jeta.
Dhe pas gjithë momenteve të kaluara në dëfrim, në muzikë shurdhuese, përdredhje të trupit, përplasje tërbuese të këmbëve, trans në dëfrim, pirje cigaresh e gotash alkooli, humbje kohe kot – pas të gjitha këtyre, vjen boshllëku, ngopja, pluhur e hi. Por, kur për një moment e merr koha me vete atë “profesion”, i riu mbetet bosh, pa vullnet, pa dashuri, i thyer...Mbetët... i vetëm. Dhe ja edhe një paradoks i ditëve tona - vetmia – në kohën e komunikimit më të madh ndër njerëz.
Dhe tani kur të rinjtë ndeshën me vështirësitë edhe më të vogla, ata e ndjejnë veten të humbur dhe pa rrugëdalje, ndonëse shpesh nuk rrinë gjatë në dëshpërimet e tyre. Pastaj, jo rrallë shprehen e shkruajnë kështu: “Nuk i besoj më askujt..., jam i dëshpëruar, do të bëj vetëvrasje... e urrej jetën, nuk ka më asgjë të bukur në të...., t’ia shkurtoj jetën vetes...” (kështu shprehen e shkruajnë sidomos adoleshentet).
Vallë a nuk është ky një lloj anakronizmi, kaos, inferioritet i tepruar, a nuk është ky një dallim i madh ndërmjet rinisë së vërtetë dhe kësaj të rrejshmes – rinisë boshe? Çfarë kontraverze? Nuk njihen ligjet e të bukurës, fillon të zotërojë sadizmi, hipokrizia, e mira urrehet, e keqja kërkohet edhe në baltë edhe në qiell. Dëfrimi është çdo gjë, ndërsa puna asgjë! Sharja kënaqësi, nderi nuk kalon: Ja, pra, kjo është sot kompetenca e jetës te pjesa dërmuese, jo vetëm e të rinjve, por e njerëzve në përgjithësi. Kjo është moderne, shumë njerëz këtë e shohin, e shijojnë dhe menjëherë e pranojnë atë gotë, duke mos i kushtuar kujdes a është ajo e hidhur apo jo. Me rëndësi është të ndiqet moda e shumicës, ndërsa truri bëhet vetëm një statujë në organizmin tonë.


(Vazhdon)
• Shënim: Shkrimi i mësipërm është shkëputur nga libri me titullin: “Sfidat e rinisë bashkëkohore në kohën e globalizmit” (Mr. Muhidin Ahmeti).


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi