Është bërë një traditë që, gjatë ramazanit, të ruhen dhe të përgatiten ushqimet më të mira, sa ndoshta madje as gjatë tërë vitit nuk hahen ato lloje ushqimesh. E, sikur është e ditur, qëllimi i agjërimit është braktisja e ushqimit, në mënyrë që të forcohet ana shpirtërore dhe të zvogëlohet ndikimi i shejtanit.

1. Vlera e agjërimit:

Allahu xh.sh. i ka favorizuar robërit e tij kur i largoi prej tyre kurthet e shejtanit dhe kur i bëri ato të dështuara duke e bërë agjërimin fortifikatë dhe mburojë për myslimanët. Pejgamberi a.s. ka thënë: (Agjërimi është gjysma e durimit-sabrit). Ndërsa Allahu xh.sh. në Kur’an thotë: “...ndërsa të durueshmëve u jepet shpërblimi i tyre pa masë” (Ez-Zumer, 10).
Në bazë të këtij ajeti kuranor, shpërblimi i agjërimit ka tejkaluar ligjin e përcaktimit dhe llogaritjes së shpërblimit. Për ta treguar edhe më tej vlerën e agjërimit, po përmendim hadithin e Pejgamberit a.s.: Pasha Atë, në dorën e të Cilit është shpirti im, era e gojës së agjëruesit është më e këndshme te Zoti sesa era e myshkut, Allahu xh.sh. thotë: “Për arsye se ai i braktis epshet dhe ushqimin për hatër Timin, andaj agjërimi është Imi dhe Unë jap shpërblimin për te”.
Agjëruesi gjithashtu ka premtimin për takimin me Zotin, si shpërblim për agjërimin e tij: (Agjëruesi ka dy gëzime: njërin gëzim kur të bëjë iftar, dhe tjetrin kur të takohet me Zotin e tij).
Në komentimin e ajetit kuranor: “Pra, për ata që kanë vepruar nuk di askush për atë kënaqësi (të zemrës e shpirtit) që u është caktuar atyre si shpërblim”. (Es-Sexhde,1 7) thuhet se veprimi i tyre ka qenë agjërimi, sepse Allahu xh.sh. ka thënë: (Shih: Ez-Zumer, 10).
Parimisht, të gjitha veprat shpërblehen nga Zoti dhe të gjitha bëhen për hatër të Tij, mirëpo Allahu xh.sh. e ka veçuar agjërimin, ndër të tjera, për dy arsye:
E para: agjërimi në vete ngërthen përmbajtje e largim dhe gjithashtu është një sekret, sepse nuk vërehet. Ndryshe nga veprat e tjera që shfaqen dhe vërehen nga njerëzit, agjërimin nuk e sheh askush tjetër përveç Zotit xh.sh., sepse ai është një veprim i brendshëm, i cili realizohet thjesht përmes durimit.
E dyta: agjërimi është nënshtrim-gjunjëzim i armikut të Zotit, sepse mjeti a rruga përmes të cilës depërton shejtani, janë epshet, të cilat përforcohen përmes ushqimit dhe pijes. Përmes frenimit dhe shtypjes së armikut të Zotit, njeriu ndihmon (fenë) e Zotit dhe ai person i cili e ndihmon (fenë) e Zotit, ndihma e Zotit nuk mungon asnjëherë ndaj tij. Allahu xh.sh. thotë: (Shih: Muhamed, 7). Nga ky aspekt, agjërimi është bërë mburojë dhe fortifikatë për besimtarin.

2. Kushtet e agjërimit:

Shtylla e agjërimit, sipas mendimit të të gjithë juristëve, është: braktisja e çështjeve që prishin agjërimin nga agimi i vërtetë deri në perëndimin e diellit. Si argument për këtë, juristët përmendin ajetin kuranor, ku Allahu xh.sh. thotë (Shih: El Bekare, 187) dhe këtu nuk ka për qëllim penjtë, po ata i ka përmendur në mënyrë alegorike, përndryshe qëllimi është që prej fillimi të agimit (fillimit të zbardhjes së ditës) deri në perëndim (në fillimin e errësirës së natës).
Ndërkaq, kushtet për pranimin e agjërimit janë:

• Nijeti; me nijetin ibadeti dallon nga zakoni, sepse nijeti është vendim i fortë i zemrës për të agjëruar. Sipas medh’hebit tonë (Ebu Hanifes), nijeti është i obliguar për çdo ditë të ramazanit, ndërsa te Zuferi, nxënësi i Ebu Hanifes, lejohet një nijet për gjithë muajin. Vetë ngrënia e syfyrit në ramazan, është nijet. Koha e nijetit është prej fillimi të natës së ditës që do ta agjërojë besimtari e deri në mesin e ditës, afërsisht një orë pas kohës së namazit të drekës.

• Të mos ekzistojë diçka që është në kundërshtim me agjërimin, si hajdi dhe nifasi. Femrat që janë me hajd (menstruacion) ose me nifas (lehona), gjatë ramazanit nuk duhet të agjërojnë; dhe nëse agjërojnë, agjërimi i tyre nuk pranohet. Ato duhet t’i kompensojnë ditët sa kanë qenë me hajd a nifas pas përfundimit të ramazanit ditë për ditë.

• Të mos ndodhë diçka që e prish agjërimin.

3. Gjërat e preferuara gjatë agjërimit:

• Shtyrja e syfyrit, d.m.th. të shfrytëzohet koha para syfyrit deri në momentin e fundit para agimit.

• Shpejtimi i iftarit, d.m.th. sapo të perëndojë dielli të bëhet iftar. Pejgamberi a.s. thotë: (Ende vazhdon të ketë mirësi në mesin e ummetit tim përderisa ata vonojnë syfyrin dhe e shpejtojnë iftarin).

• Bërja iftar me hurma ose me një gotë ujë.

• Bujaria gjatë muajit të Ramazanit, dhënia e lëmoshës (sadakasë) dhe ndihmesa e të varfërve dhe skamnorëve.

• Leximi i Kur’anit.

• I’tikafi gjatë dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit. I’tikaf në aspektin terminologjik d.m.th.: “Qëndrimi me qëllim ibadeti në xhami, në të cilën kryhen me xhematë të pesë namazet ditore”. Femrat qëndrojnë në i’tikaf në shtëpitë e tyre.

4. Llojet e agjërimit dhe gradat e tij:

Agjërimin mund ta ndajmë në tri lloje: agjërimi i përgjithshëm, agjërimi i veçantë dhe agjërimi shumë i veçantë.

• Agjërimi i përgjithshëm nënkupton mosngrënien, mospirjen dhe braktisjen e marrëdhënieve intime gjatë ditëve të muajit të Ramazanit.

• Agjërimi i veçantë nënkupton: largimin e dëgjimit, shikimit, gjuhës, dorës, këmbës dhe të gjitha gjymtyrëve nga mëkatet dhe gjynahet.

• Agjërimi shumë i veçantë nënkupton: agjërimin e zemrës ndaj brengave dhe mendimeve të kësaj bote dhe përqendrimin e saj vetëm në kujtimin e Krijuesit të saj, Zotit xh.sh..

5. Fshehtësitë e agjërimit dhe kushtet e brendshme të tij:

• Ruajtja e shikimit (syrit) dhe largimi i shikimit të çdo gjëje të ndaluar e të urryer dhe çdo gjëje që e largon njeriun nga kujtimi i Zotit.

• Ruajtja e gjuhës nga thashethemet, gënjeshtra, bartja e fjalëve, fjalët e ndyta, fyerjet, kacafytjet dhe çdo gjëje që bie ndesh me parimet dhe etikën islame.

• Ndalimi i të dëgjuarit të çdo gjëje të ndaluar dhe të urryer, sepse çdo gjë e ndaluar për t’u thënë, është e ndaluar edhe për t’u dëgjuar. Për këtë arsye Allahu xh.sh. i ka bërë të njëjtë ata që dëgjojnë gjëra të ndaluara dhe ata që hanë haramin (ryshfetin), (Shih: El Maide, 42).

• Ndalimi i gjymtyrëve të tjera, siç janë dora e këmba nga mëkatet dhe gjërat e urryera, pastaj pasja kujdes se çfarë ha njeriu në iftar, sepse nuk ka kuptim që të agjërohet ndaj gjërave të lejuara dhe të bëhet iftar me gjëra të ndaluara (haram). Shembulli i personit të tillë është sikur shembulli i një personi i cili ndërton në pallat, po shkatërron një qytet, e Pejgamberi a.s. ka thënë (Sa e sa agjërues janë që nuk përfitojnë asgjë nga agjërimi i tyre përveç urisë dhe etjes).

• Të mos e teprojë me ngrënien e ushqimit hallall gjatë iftarit. Sepse nuk ka enë që mbushet dhe të urrehet nga Zoti sikurse është barku i mbushur me ushqim. Gjithashtu njëri prej qëllimeve të agjërimit është edhe dobësimi i ndikimit të shejtanit. E pra, si mund të dobësohet ky ndikim nëse njeriu gjatë iftarit e rikthen tërë atë çfarë ka humbur gjatë ditës, sa ishte agjërueshëm. Është bërë një traditë e keqe që, gjatë ramazanit, të ruhen dhe të përgatiten ushqimet më të mira, sa ndoshta madje as gjatë tërë vitit nuk hahen ato lloje ushqimesh. E, sikur është e ditur, qëllimi i agjërimit është braktisja e ushqimit, në mënyrë që të forcohet ana shpirtërore dhe të zvogëlohet ndikimi i shejtanit.

• Pas ngrënies së iftarit, zemra e myslimanit duhet të jetë e shqetësuar dhe të jetë në njëgjendje në mes frikës dhe shpresës, sepse ai nuk e di a do t’i pranohet agjërimi apo do t’i refuzohet.


_____________________________
(1) Kur’ani, përkthim me komentimnë gjuhën shqipe. H.Sherif Ahmeti.
(2) Sahihu i Buhariut&Muslimit,kitabus-sevm.
(3) Mevidhatul rumunin min ihjai ulumid-din.
(4) Muhamed xhemalud-din El Kasini, botimi i 8, Bejrut 1994.
(5) Fikhu Hanefi, Abdulhamid Mahmud Tuhmaz, Libri i Parë (Ibadat), Gjilan, 2006.
(6) El Mevsua el fikhije versioni elektronik.


Artikulli i kaluar
Ramazani muaj i duasë

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi