Si filloi frymëzimi hyjnor - dërgata (2)

 


Paraqitja e melekut dhe presioni për të lexuar 


Shprehja në hadith – derisa papritmas i erdhi e vërteta (frymëzimi hyjnor), e ai ndodhej në shpellën Hira, në një version tjetër të Buhariut dhe Muslimit është transmetuar d.m.th. derisa papritmas, në mënyrë të befasuar, iu shfaq e vërteta. Lidhëza – derisa tregon për diçka të vazhdueshme dhe që përsëritet. Pra, ai vinte vazhdimisht e furnizohej me ushqim dhe shkonte për adhurim. Një kohë qëndronte në familjen e tij dhe një kohë tjetër qëndronte në shpellë, derisa i erdhi shpallja (e vërteta) sa ishte në shpellë. Nocioni – e vërteta, do të thotë urdhri që ishte shpallje e vërtetë nga Allahu xh.sh., jo supozim dhe mashtrim.[10] Në shprehjen – i erdhi meleku (engjëlli), nocioni el-meleku aludon bartësin e shpalljes, Xhibrilin a.s.. Profeti a.s.,. e kishte parë melekun në formën e tij engjëllore, ashtu siç ishte krijuar, vetëm dy herë. Versioni i Ahmedit nga transmetimi i Ibn Mes’udit thotë se herën e parë e kishte parë kur Profeti a.s. kërkoi nga meleku t’i paraqitej në formën që ishte krijuar. E herën e dytë e kishte parë në Natën e Miraxhit. 


Në shprehjen në hadith – Lexo! Ai u përgjigj: 
-Unë nuk di të lexoj! 


Kur shkronja Ba futet në kallëzuesin që fillon me pjesëzën mohuese – ma, atëherë mohimi vetëm sa përforcohet. Nga kjo mund të konstatojmë këtë kuptim: – Unë nuk e njoh artin e leximit, ose – Unë nuk jam prej lexuesve. Kjo përgjigje është përsëritur tri herë radhazi nga Profeti a.s.. Herën e parë ka pasur për qëllim të tregojë pamundësinë e të lexuarit . Herën e dytë tregon për mohimin e tërësishëm të leximit. Herën e tretë vë në pikëpyetje –çështjen e leximit. Kur kemi parasysh edhe ekzistimin e versioneve të tjera- siç është versioni i Ibn Is’hakut: – çfarë të lexoj? dhe versionin e Bejhekiut, në librin “Ed Delailu”, ku qëndron: – si të lexoj?! - kuptimi i hadithit mund të jetë se herën e parë, kur e urdhëroi meleku të lexonte diçka të panjohur, Profeti iu përgjig –çfarë të lexoj? Meleku i tha: -Lexo këtë libër. Ai iu përgjigj:-Unë nuk jam prej lexuesve (d.m.th. askush më herët nuk më ka mësuar të lexoj). E kur e përsëriti urdhrin, Profeti a.s. iu përgjigj: – si të lexoj, kur unë ta tregova arsyen e mosleximit? Atëherë meleku i tha: – “Lexo me emrin e Zotit tënd që ka krijuar”. (El Alek, 1) 


Tek shprehja në hadith - pastaj (meleku Xhibril a.s.) më shtrëngoi fort (gjersa m’u prenë forcat). 


Nëse i bëjmë një vështrim kësaj fjalie, shihet qartë se kemi të bëjmë me një metodë tjetër të të shprehurit. Pra, deri këtu në hadith ligjërimi a fjalët janë të Aishes r.a.. Prej këtu fjalët transferohen tek i Dërguari a.s.,. Ai është folës i drejtpërdrejtë, kështu që i tërë hadithi është i lidhur me Profetin a.s.,. që nga fillimi, edhe pse ndoshta nga ana e substantivit shihet një lloj shkëputjeje nga Aishja r.a.. 
Fjala (el gatu) ka kuptimin e shtrëngimit në fyt me ngulfatje themi: e ka ngulfatur në ujë –  Këtë e konfirmon edhe Ebu Davud Et-Tajalisij: – më ngulfati në fyt. 
Neveviu thotë se kuptimi i saj është – më shtrydhi, më shtrëngoi, të gjitha këto fjalë janë me kuptim të njëjtë: më mbuloi, më shtrëngoi, më ngulfati, më shtrydhi.[11]


Shprehja në hadith – Gjersa m’u prenë forcat (trupi më lëshoi nga mundi) e pastaj më liroi. 


Fjala (el xhuhdu) lexohet në dy dialekte(el xhuhdu) d.m.th. barrë, mund, skajshmëri, kështu kuptimi i saj është gjersa më kaploi mundimi skajshmërisht, forcat m’u prenë, trupi më lëshoi. 
Leximi tjetër është (el xhehdu) d.m.th. vështirësi, kështu kuptimi i saj është gjersa më kaploi skajshmërisht ngulfatja me shtrydhje të tepërt ose gjersa Xhibrili më shtrëngoi pafundësisht. 


Cila është urtësia e këtij mundi të vështirë? 


Kjo barrë e rëndë në vetvete mbart një mesazh për veprimtarinë e Profetit në të ardhmen si dhe sfidat, problemet, telashet me të cilat do të përballej. Ky mund tregoi se pranimi i dërgatës nuk është i lehtë dhe profetësia është detyrë e vështirë, për se njeriu duhet të ushtrohet dhe të skalitet mjaft mirë, në mënyrë që dërgata të kapet dhe të predikohet ashtu siç shpallet nga Zoti i Madhërishëm. Me këtë gjest Xhibrili a.s. ia tërhoqi vërejtjen Profetit a.s. se zemra duhet të përqendrohet në atë që i predikohet. Ai e përsëriti këtë situatë tri herë, në mënyrë që t’i tërhiqte vërejtjen se kishte të bënte me një barrë për të cilën duhej energji, forcë dhe përqendrim. Përsëritja e një situate a çështjeje zgjon kureshtje dhe interesim me një intensitet më të lartë në shpirt. Njëherazi përsëritja shërben që të dhënat të merren me saktësi dhe këmbëngultësi. Është krejt normale që përsëritja e fjalëve tri herë të japë kuptim më të plotë. Profeti a.s. e kishte traditë që fjalën ta përsëriste tri herë, në mënyrë që të kuptohej më mirë dhe fjalët të mbaheshin mend më shpejt. Një gjë të tillë e kishte praktikuar edhe Xhibrili a.s., në bazë të hadithit të sipërpërmendur. 
Fjala (erseleni) ka kuptimin më liroi nga ngulfatja – 


Shprehja në hadith për urdhrin e leximit:


Meleku iu drejtua Profetit a.s. me këtë dërgatë duke i shpallur fjalët hyjnore:“Lexo me emrin e Zotit tënd që ka krijuar. E ka krijuar njeriun prej një cope gjaku të ngjizur! Lexo në emër të Zotit tënd, që është më bujari! Ai e mësoi njeriun të shkruajë me penë. Ia mësoi njeriut atë që nuk e dinte”! (El Alek, 1-5) 
Me këtë urdhër të Dërguarit të Allahut iu dha aktdëshmia e profetësisë dhe kompetenca e udhëzimit dhe e prijësit. 
Ky është argumenti më i mirë se këto pesë ajete janë të parat që kanë zbritur prej Kur’anit famëlartë dhe jo, siç pretendojnë disa dijetarë, se ajetet e para janë të sures El-Mudethir. Ajetet e tjera kanë zbritur pas disa vitesh, më saktësisht pas dy vjetësh e gjysmë. Po ashtu vlen të thuhet se surja që ka zbritur e plotë, është El-Fatiha. 
Urdhri “lexo” i Kur’anit është shumë i rëndësishëm. Por po kaq i rëndësishëm është edhe urdhri për të lexuar në emër të Allahut, që përcakton mënyrën e leximit dhe zbatimin e urdhrit në fjalë. 
Në këto ajete janë përmendur pesë gjëra të vlefshme dhe me kuptim shumëdimensional: 
a) Leximi; 
b) Njohja e Zotit; 
c) Prejardhja e njeriut; 
d) Lapsi si mjet i parë i përmendur; 
e) Pajisja me njohuri fetare dhe jetësore. 


Çdo qenie e gjallë dhe jo e gjallë është një libër. Është kjo arsyeja pse urdhri hyjnor është dhënë në formën “lexo” dhe jo “shih e vëzhgo”, sepse libri vetëm lexohet. Kjo gjithësi vitale e mbushur plot me qenie, secila një libër në vete, si një bibliotekë hyjnore. Në bazë të leximit, njeriu do të kuptojë të mirën dhe të keqen, do të përfitojë bindje dhe besueshmëri, saktësi dhe siguri. Fillet e çdo gjëje nisin nga leximi. Tjetër gjë është të shohësh, tjetër të vëresh, tjetërgjë është të kuptosh, tjetër ta përvetësosh me vetëdije dhe zemër atë që kuptove dhe pas gjithë kësaj është krejt tjetër ta praktikosh, ta vësh në zbatim dhe t’ua dorëzosh të tjerëve me besnikëri, pa devijime, pa shtrembërime dhe pa keqinterpretime. Lexo! Lixo gjithçka! Lexo Librin e Allahut! Lexo ajetet e Allahut! Lexo Librin e gjithësisë! Lexo vazhdimisht! Lexo që njerëzit të largohen prej mbrapshtisë e të hyjnë në rrugë të drejtë! Lexo që feja jote të përjetësohet! Lexo në emër të Allahut! Lexo në emër të Zotit tënd që ka krijuar! Në emër të Zotit tënd të madh, i Cili e krijoi njeriun prej një cope gjaku të mpiksur e që i jep atij mundësitë për të lexuar çdo gjë, për të ndriçuar çdo gjë, për të kuptuar çdo gjë dhe për t’i përjetuar të gjitha ato që kupton. Lexo në emër të Allahut, që, duke i dhuruar njeriut dhuntitë e leximit, i ka bërë atij favorin më të madh! Lexo të mësosh! Lexo çdo rresht të shpallur nga i Lartësuari! Lexo në emër të Allahut, i Cili ia mësoi njeriut atë që nuk e dinte! Lexo dhe falëndero Allahun, Krijuesin tënd! 
(-vijon-)


Artikulli i kaluar
Reflektime kuranore (1)

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi