Si filloi frymëzimi hyjnor - dërgata (3)


Frikësimi i profetit a.s. dhe përkrahja e Hatixhesë 


Shprehja në hadith – dhe kështu i Dërguari i Allahut u kthye me të, e zemra e tij ishte e trembur. 


Shprehja - u kthye me të, d.m.th. ai u kthye me gjithë tregimin dhe ngjarjen që i kishte ndodhur, apo u kthye në shtëpinë e tij me pesë ajetet që i kishin zbritur. 
Shprehja – zemra e tij ishte e trembur konsiston me vetë situatën në të cilën ndodhej. Një trishtim ishte i pritshëm, ngase nga vetë natyra e njeriut, kur i ndodh diçka e befasishme, është që zemra t’i dridhet, sidomos kur njeriut i ndodh diçka që i lë gjurmë drejtpërsëdrejti në trupin e tij. Profeti a.s. ndodhinë e Shpalljes e përjetoi drejtpërdrejt, madje u ngulfat nga shtrëngimi i skajshëm i Xhibrilit a.s.. Në versionin e Muslimit thuhet – i dridhej mishi (muskujt), pjesa që ndodhet mes supeve dhe sqetullave. Kjo ndodh atëherë kur njeriu përjeton trishtim të skajshëm dhe trembje të madhe. 


Shprehja në hadith – atëherë tha: -Mbulomëni, mbulomëni! 


D.m.th. më mbështillni dhe më mbuloni me rroba. 
Vini re se si Profeti a.s.,. kërkoi në shumës dhe jo në njëjës. 
Ai iu drejtua të gjithë të pranishmëve, gruas, farefisit, shërbëtorit dhe të tjerëve. Këtë thënie e përsëriti disa herë, gjë që tregon për nevojën e domosdoshme për ta mbuluar me rroba. Në ato momente, Profeti a.s. ndiente trishtim dhe të ftohtë të madh në trupin e tij. Ai qëndroi i mbuluar derisa iu larguan trembja dhe të ftohtët që kishte nga ethet e frikësimit. 


Shprehja në hadith – vërtet kam qenë shumë i frikësuar për veten time. 


Këto fjalë Profeti a.s., ia tha Hatixhesë pasi i rrëfeu ngjarjen që i kishte ndodhur në shpellën Hira. 
Në versionin e Muslimit thuhet: – “Pastaj i tha: “Oj Hatixhe, ç’ndodh me mua?” Ç’u bë me mua? Ç’më ndodhi mua? Çfarë kuptimi ka shprehja në hadith: “Vërtet kam qenë shumë i frikësuar për veten time” dhe nga kush është frikësuar? 
Ibn Haxheri12 thotë: “Për këtë shprehje të hadithit dijetarët kanë shfaqur dymbëdhjetë mendime. Se ai është frikësuar: 1. Nga çmenduria; 2. Nga gjurmët e stresit; 3. Nga vdekja prej tmerrit të madh; 4. Nga sëmundja; 5. Nga sëmundja e pashërueshme; 6. Nga pamundësia për të bartur barrën profetike; 7. Nga pamundësia për ta shikuar melekun nga frika që kishte marrë; 8. Nga mosdurimi i kurtheve të popullit të tij; 9. Nga mbytja; 10. Nga ndarja prej vendlindjes; 11. Nga përgënjeshtrimi i njerëzve; 12. Nga ofendimet. 
Përparësi u jepet mendimit të tretë dhe dy të tjerave pas tij, e mendimet e tjera janë të refuzuara. Them se mendimi i tretë, “frika nga vdekja prej tmerrit që përjetoi”, ka përparësi për shkak të dobësisë së forcës njerëzore përballë forcës engjëllore, e kjo e fundit, pasi e kishte shtrënguar fort Profetin, la gjurmë të pashlyeshme. 
Vetë shprehja e formuluar në kohën e shkuar “kam qenë i frikësuar”, dhe jo në të tashmen, tregon se frika ishte ndërprerë dhe kishte mbetur si diçka e kaluar.


Shprehja në hadith – kurrsesi jo, betohem, për Zotin, se Ai kurrë s’ka për të të lënë ty të turpërohesh. 


Me këto fjalë Hatixheja e ngushëlloi Profetin a.s.. Pasi pushoi një copë herë dhe e mblodhi veten, ai ia rrëfeu këtë ndodhi Hatixhesë dhe e pyeti me frikë: “E kush ka për të më besuar mua, Hatixhe”?! 
Duke u bërë personi i parë në historinë e Islamit që i besoi Profetit a.s., Hatixheja i tha këto fjalë: “O i Dërguari i Allahut! Unë të pranoj dhe ta dëshmoj ty. Në fillim më thirr mua në rrugën e Allahut.” 
Me shprehjen e lartshënuar Hatixheja bënte një vlerësim të së shkuarës, d.m.th. jetës dhe figurës së Profetit a.s. gjer në atë çast, theksonte faktin se e kaluara e tij e pastër dhe e shkëlqyer ishte paralajmëruesja dhe mbështetja e së ardhmes së tij të qartë, dhe se e mira nuk mund të shpërblehej përveçse me të mirë. 
Pjesëza ( kel-la) kurrsesi jo! Kategorikisht jo, tregon: 
a) mohimin e diçkaje me një formë a formulim të prerë, domethënë “O i Dërguar i Allahut, nga ajo ngjarje që të ka ndodhur, detyrimisht nuk ka vend për frikë për ty”; 
b) ndalimin e diçkaje me një metodë kërcënuese, domethënë: “O i Dërguar i Allahut, mos u frikëso, po na përgëzo”. Këtë e konfirmon edhe versioni i Muslimit “– Kurrsesi jo! Përgëzo (na sill lajme të mira)”. 
Fjala (juhzijke) ka prejardhje nga paskajorja(el hizju), që nënkupton poshtërim, përbuzje, nënshtrim nga dobësia. Në një version tjetër është se do të thotë nuk do të jesh i pikëlluar. Neveviu thotë se të dy versionet janë autentike dhe tregojnë çastin kur Hatixheja mohon çdo poshtërim dhe pikëllim që ndoshta mund t’i ndodhte Profetit a.s.. Ajo bazohej në të kaluarën e tij, e cila ishte plot cilësi të shkëlqyera, moral të lartë, ndershmëri të pakrahasueshme. Ai ishte përkrahës i së vërtetës, ndihmonte të afërmit dhe të largëtit, fizikisht dhe materialisht.


 Shprehja në hadith – vërtet ti i viziton të afërmit. 


Prej cilësive që njeriu duhet t’i kultivojë në individualitetin e tij shpirtëror, është mbajtja dhe ruajtja e lidhjeve farefisnore. Me lidhje farefisnore nënkuptohen lidhjet prej gjaku dhe nga miqësia. Ky obligim mund të manifestohet në forma të ndryshme të bamirësisë. Nganjëherë reflektohet me shërbim, nganjëherë me ndihmë materiale, nganjëherë me vizitë dhe përshëndetje etj.. Profeti a.s. prej cilësive më të pëlqyeshme kishte vizitën e të afërmve. Në një moment ai u shpreh kështu:“Farefisi është lidhje prej Zotit (sikurse janë damarët të lidhur në mes tyre). Allahu thotë: “Kush e mban lidhjen me ty, Unë e mbaj lidhjen me të, dhe kush i ndërpret lidhjet me ty, edhe Unë i ndërpres lidhjet me të.”(13) 


Shprehja në hadith – ti bart barrën e të dobëtve. 


Do të thotë se ti merr mbi vete barrën e atyre që s’janë të zotët për ta mbajtur veten, si i dobëti, jetimi, i varfri. Rrjedh nga fjala – person i varfër ose në trashëgimi – njeri pa baba e pa djalë, njeri i shkretë. Kjo fjalë është cekur edhe në Kur’anin famëlartë: – “E ai është edhe barrë për kujdestarin e tij” (En-Nahl, 76). Bartja e barrës së të tjerëve është një cilësi tjetër që karakterizon moralin e Profetit s.a.v.s. dhe që mbetet model për moralin tonë. 


Shprehja në hadith – ti i jep të varfrit. 


Ti ia jep atë që nuk e posedon apo që nuk ia jep tjetri. Profeti a.s.,., me bujarinë e tij, ka tejkaluar çdo përmasë njerëzore. Së pari ai posedonte vlera morale, me të cilat përfitonte zemrat e të tjerëve. Ai shpërndante nga pasuria aq sa të tjerët nuk mund t’i afroheshin dot. (El Madum) është personi që nuk ka aftësi për të fituar, personi që është i varfër. Pra, Profeti a.s. në çdo aspekt, në atë shpirtëror edhe në atë material, ishte i dobishëm për të tjerët. 


Shprehja në hadith – ti e respekton mikun. 


Do të thotë se ti i ofron mysafirit atë që meriton për gosti. Edhe kjo është cilësi e domosdoshme për besimtarin, ngase Profeti a.s., humanitetin e kishte kultivuar që herët në karakterin e tij. Themi – e kam respektuar mysafirin. 


Shprehja në hadith – ti e ndihmon popullin duke gjykuar me drejtësi. 


Fjala (nevaibu) ka njëjësin (naibetun)d.m.th. ngjarje, ndodhi . Këtu Hatixheja sikur e përgëzon Profetin a.s. për misionin me vlera të mëdha, që është në shërbim të njerëzimit, për ta nxjerrë atë nga errësira në dritën e vërtetë. 
Vini re! Ndihmesa e Profetit a.s. ndaj popullit është e kushtëzuar me përkrahjen e së vërtetës, ngase ndodhitë mund të jenë me fat dhe pa fat, të mira dhe jo të mira. Në Islam të ndihmosh tiranët është cilësi e injorancës, kurse traditë e Profetit a.s. ka qenë ndihma për të dobëtit dhe viktimat.
Neveviu thotë: “Kuptimi i fjalëve të Hatixhesë është se vërtet ty Muhamed, nuk të godet ndonjë e keqe, sepse Allahu të ka dhuruar cilësi të moralit të lartë dhe virtyte të shkëlqyera. Nga kjo kuptohet se: 
- cilësitë e moralit të lartë janë shkak për mbrojtje nga ndodhitë e këqija; 
- lavdërimi i njeriut para syve të tij, është i lejuar në disa raste të interesit të veçantë; 
- lejohet shoqërimi i atij që ka frikë nga ndonjë çështje dhe përgëzimi duke i theksuar shkaqet e mbrojtjes dhe shpëtimit; 
- fjalët e saj janë një fakt për personalitetin e plotë të saj, për mençurinë dhe intelektin, për stabilitetin e zemrës së saj dhe për të kuptuarit e thellë të saj;
- atij që i ndodh ndonjë befasi në ndonjë çështje, duhet t’i afrohet një person i besueshëm që e këshillon dhe e orienton”.(14) 
Mund të themi se qëndrimi i Hatixhesë tregon për rëndësinë e qëndrimit të gruas së mirë. Islami inkurajon që të martohemi me besimtare të devotshme, të ndershme, trimëresha dhe besnike. 
Pas asaj që i ndodhi Profetit a.s., Hatixheja r.a. e mori me vete dhe shkoi në shtëpinë e Vereka bin Nevfelit, djalit të xhaxhait të saj. Hatixheja ishte e bija e Huvejlidit, ndërsa Huvejlidi dhe Nevfeli ishin vëllezër ose djemtë e Esedit.
Shtrohet pyetja: Pse Hatixheja r.a. zgjodhi Verekën për t’u konsultuar? Sepse:
a) ishte djali i xhaxhait të saj, prandaj kishte besim më të madh për t’u këshilluar dhe udhëzuar; 
b) ishte i krishterë në kohën e injorancës dhe konsiderohej ndër personalitetet e rralla e të zgjedhura, të cilët nuk adhuronin idhuj. Ai ishte besimtar i krishterë në kohën kur shumica e njerëzve ishin zhytur në injorancë dhe humbje. Nga ai merrej përvoja dhe mendimi i shëndoshë që lidhej me fenë. Ai njihte librat qiellorë dhe kishte njohuri të thella në fe; 
c) njihte shkrimin ibranisht, me të cilin e shkruante edhe Ungjillin dhe sillte citime prej tij. Në versionin e Muslimit qëndron: Ai e njihte shkrimin arab dhe e shkruante Ungjillin në arabisht. 
Pra, ai njihte gjuhën dhe shkrimin ibranisht si dhe gjuhën dhe shkrimin arab. Është e njohur se Ungjilli ka zbritur në gjuhën sirianishte, kurse Tevrati në gjuhën ibranishte (hebraishtja e vjetër). Në kohën e tij Ungjilli ishte shkruar vetëm në gjuhën sirianishte. As Tevrati e as Ungjilli nuk ishin shkruar në gjuhën arabe. 
Ibn Haxheri thotë: “Ai cilësohej si lexues i shkrimit të Ungjillit dhe jo si memorizues i tij dhe i Tevratit, ngase memorizimi i tyre nuk ishte i lehtë si memorizimi i Kur’anit. Ky është edhe një atribut i këtij Ymeti, që karakterizohet nga nxënia përmendsh. Për këtë Ymet thuhet: Ungjijtë e Ymetit janë në gjokset (mendjet) e tyre”.(15) 
d) Në atë kohë Vereka ishte plakur aq shumë, saqë i kishte ikur drita e syve – . Kjo tregon për përvojën e tij të gjatë dhe se ai u takonte radhëve të atyre prej të cilëve mund të merreshin këshilla për shumë çështje. 


__________________
13. “Sahihul Buharij”, nr. 5989. 
14. “Sahihu Muslim, bi sherh En-Nevevij”, vëll. 2, f.202. 
15. “Fet’hul Bari”, vëll.1, f. 34.


 


Artikulli i kaluar
Reflektime kuranore (2)

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi