Disa nga pozicionet e të Dërguarit a.s. gjatë haxhit të tij

 


“Edhe ata që thonë: “Zoti ynë, na bëj të jemi të gëzuar me (punën) e grave tona dhe pasardhësve tanë, e ne na bëj shembull për të devotshmit”.(75). Për shkak se duruan, të tillët shpërblehen me një shkallë të lartë (Xhennet) dhe aty priten me përshëndetje të selamit. (76). Aty janë përgjithmonë, e sa vendqëndrim dhe vendbanim i mirë është ai.” (El-Furkan, 74-76)
Allahu i Lartësuar i ka urdhëruar robërit e Tij që të ndjekin të Dërguarin a.s., në më shumë se një ajet: “Çka t’ju japë Pejgamberi, atë merreni, e çka t’jua ndalojë, përmbajuni dhe kini frikë Allahun”. (El-Hashr,7). Gjenerata e parë pas të Dërguarit a.s., janë shembulli më i mirë për ndjekjen e të Dërguarit a.s.. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Thuaj: “Nëse E doni Allahun, atëherë ejani pas meje, që Allahu t’ju dojë, t’ju falë mëkatet tuaja, se Allahu është që fal shumë, mëshiron shumë”.(Ali Imran, 31). Prandaj Haxhi është një prej adhurimeve më të qarta, në të cilat reflektohet marrja model-yrnek e të Dërguarit a.s.. Mu për këtë është obligim për secilin haxhi që ndjek rrugën e të Dërguarit a.s., nëse dëshiron që Haxhi i tij të jetë i vlefshëm. Ndjekja dhe marrja model e të Dërguarit a.s., nuk nënkupton se kjo duhet të bëhet vetëm për dispozitat e Haxhit, veçse ai duhet të jetë model për marrëdhëniet me Allahun dhe krijesat e Tij. Ne do të pozicionohemi në disa veprime të të Dërguarit a.s., që reflektohen nga Haxhi i tij, vetëm e vetëm që haxhiu të shkojë hapave të tij dhe të ndjekë mënyrën se si ka vepruar i Dërguari a.s., gjatë kryerjes së Haxhit, e me këtë synohet tërheqja e vërejtjes për veprimet e bëra që duhet të jenë në përputhje me Synetin e të Dërguarit a.s.. 


Kujdesi i Muhamedit a.s, ndaj Haxhit 


Gjatë Haxhit të të Dërguarit a.s., është vënë re se ai gjatë Haxhit ka qenë shumë i preokupuar për të urdhëruar besimin në një Zot dhe për të qenët i sinqertë në zbatimin e veprave, që edhe Allahu i Lartësuar kishte kërkuar prej tij, që të largohej prej veprimeve sa për sy e faqe. I Dërguari a.s. ka thënë: “O Zoti im, bëje këtë haxh që në të të mos ketë veprime sa për sy e faqe”. (Ibn Maxheh). I Dërguari a.s.. me këtë kishte dashur të shpjegonte besimin vetëm tek një Zot dhe reflektimin e këtij besimi në të gjitha ritualet e Haxhit duke filluar që nga telbija, për të vazhduar me faljen e dy rekateve të tavafit, vrapimin në kodrat Safa e Merva, qëndrimin në Arafat etj.. 
I Dërguari a.s. ka qenë shumë i kujdesshëm në Haxhin e tij, ka shprehur nënshtrueshmërinë e tërësishme si me zemër ashtu dhe me vepra ndaj Krijuesit, me të vetmen dëshirë që të ishte i qetë dhe i nënshtrueshëm. Tregon Xhabiri r.a. duke thënë kështu: “E ka lëshuar i Dërguari a.s. Arafatin krejtësisht në qetësi”, në ditën e Arafatit i Dërguari a.s.,. kishte dëgjuar një britmë të deveve, sepse i godisnin njerëzit, me qëllim që të nguteshin për t’u larguar prej Arafatit për në Mina, e me atë rast i Dërguari a.s. kishte thënë: “O ju njerëz, duhet të jeni të qetë, ngase nuk është bamirësi që të nxitoni”. (Buhariu). 
Po ashtu në Haxhin e të Dërguarit a.s. reflektohet shumë qartë preokupimi i tij për Botën tjetër dhe për asketizmin e tij ndaj jetës së kësaj bote. Ai kishte bërë Haxhin duke qëndruar hipur mbi deve, mbi të cilën kishte një lloj kadifeje, e cila nuk kishte vlerë as katër dërhemë. Ky veprim gjendet në transmetimin e Ibn Maxhes. Po ashtu i Dërguari a.s., kur po qëndronte në Arafat, kishte thënë: “Si urdhëro, o Zoti ynë, si urdhëro! Vërtet më e mira është ajo e mira e botës tjetër”. (El Hakimi dhe el-Bejhekiu). Ibnul Kajjimi r.a. ka thënë: “I Dërguari a.s., kur e ka kryer Haxhin, ka qëndruar mbi deve, mbi të cilën nuk kishte asgjë prej mjeteve të udhëtimit”. Ai kishte pasur një deve, në të cilën kishte ngarkuar furnizimin për udhëtim dhe nuk kishte një deve të veçantë për të. Pra, i Dërguari a.s. gjatë kryerjes se Haxhit nuk ishte dalluar për asgjë prej njerëzve, saqë, kur kishin sjellë ujë për të pirë njerëzit, atij i kishin thënë ‘po të sjellim ujë prej shtëpisë’, e ai ishte përgjigjur: “Nuk ka nevojë të më sillni ujë të veçantë, më jepni të pi prej ujit që po pinë njerëzit”. (Transmeton Ahmedi). 


Interesimi ndaj haxhinjve tjerë 


Gjatë Haxhit i Dërguari a.s. ishte angazhuar që t’u mësonte njerëzve çështjet e fesë dhe nuk e kishte lëshuar asnjë rast pa shfrytëzuar vetëm e vetëm për t’u dhënë mësime njerëzve. Atyre u kishte shpjeguar dispozitat e Haxhit, themelet e Islamit, i kishte penguar prej politeizmit, u kishte shpjeguar rendësinë e ruajtjes së disa gjërave vitale të jetës, siç ishin: derdhja e gjakut, pasuria e nderi. Këto i kishte shpjeguar në disa raste gjatë Haxhit. 
I Dërguari a.s., gjatë Haxhit të tij, kishte qenë shumë modest me njerëzit. Usame bin Zejdi r.a., i cili ishte shërbëtor i tij, e kishte ndjekur të Dërguarin a.s.. Po ashtu Pejgamberi a.s. ishte ndalur për ta dëgjuar një grua prej mesit të njerëzve dhe i ishte përgjigjur pyetjes së saj. Në Haxhin e të Dërguarit a.s. ishte reflektuar mëshira dhe butësia e tij ndaj njerëzve me veprimet, si: bashkimi i namazit të drekës dhe të iqindisë në Arafat dhe të akshamit e të jacisë në Muzdelife, vetëm e vetëm që të mos ketë stërngarkesë për besimtarët; të dhënët leje për ata që janë me shëndet të dobët, që të largoheshin prej Muzdelifes para njerëzve, vetëm e vetëm që të mos kishin telashe prej grumbullimit të njerëzve; lejimi i kryerjes së disa punëve të Haxhit ose më herët ose më vonë gjatë ditëve të Bajramit etj.. Të gjitha këto reflektojnë mëshirën e tij dhe heqjen e stërngarkesës prej Ymetit të tij. 
Gjatë Haxhit i Dërguari a.s. ka qenë shumë bujar ndaj njerëzve, kishte ofruar 100 deve për t’i prerë si kurbanë dhe e kishte urdhëruar Aliun r.a. që mishin e tyre t’ua shpërndante të varfërve dhe të gjorëve. 
Po ashtu gjatë Haxhit të tij reflektohej madhështia që u kishte bërë riteve të caktuara prej Allahut për kryerjen e Haxhit: Durimi i tij që ishte shprehur ndaj njerëzve pavarësisht nga kategoria e tyre, vendi i prejardhjes dhe gjuha e tyre. Ka shumë e shumë reflektime të mira që janë manifestuar gjatë Haxhit të të Dërguarit a.s., por këtu nuk është mundësia që të përmenden të gjitha. Pra, këto janë disa nga pozicionet e ndritshme të të Dërguarit a.s. gjatë Haxhit të tij, prandaj që të gjithë duhet të ndjekin udhëzimin e tij, duke u munduar të ecin hapave të tij dhe duke u larguar nga çdo sjellje që bie në kundërshtim me veprimet e tij.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi