Të zëvendësuarit në haxh, apo i ashtuquajturi haxhi bedel, kohëve të fundit, është shtuar bukur shumë, andaj kjo dhe shtron nevojën e trajtimit të kësaj çështjeje si dhe të shikohet legjitimimi i kësaj çështjeje.
A thua a lejohet përgjithësisht kryerja e haxhillëkut për tjetrin, qoftë i gjallë apo i vdekur? Apo lejohet vetëm për të vdekurin? E nëse lejohet për të gjallin, atëherë a lejohet vetëm për atë që s’ka mundësi fizikisht ta kryejë vetë haxhillëkun (për personin me paaftësi fizike)?, apo lejimi përfshinë edhe atë me mundësi fizike? A kushtëzohet që bedeli të jetë nga i njëjti vend, apo jo?, e shumë çështje të tjera të ndërlidhura me këtë.
Lidhur me këtë, kanë ardhur disa hadithe që flasin për kryerjen e haxhillëkut për tjetrin. Disa ndërlidhen me personin e gjallë, por që është i paaftë fizikisht për ta kryer vetë haxhillëkun, e disa ndërlidhen me personin e vdekur, e disa janë të përgjithshme (pa kushtëzime).
Hadithi që flet për personin e gjallë, por me pamundësi fizike për ta kryer vetë haxhillëkun, përcillet nga Ibën Abbasi r.a., i cili thotë: “Në vitin e Haxhit të Lamtumirës, erdhi një grua e fisit Hath’am dhe pyeti: “O i Dërguari i Allahut! Haxhi, të cilin Allahu ua ka bërë obligim robërve të Tij, babanë tim e ka gjetur të thyer në moshë, saqë nuk mund të qëndrojë as mbi shalë (mbi kafshë). A i llogaritet atij nëse unë e bëj haxhillëkun për të?” “Po”, - i tha Pejgamberi a.s..” (Buhariu, 1854).
Hadithi që flet për të vdekurin përcillet po ashtu nga Ibën Abbasi r.a., ku tregon se një grua nga fisi Xhuhejne erdhi te Pejgamberi a.s. dhe i tha: “Nëna ime qe betuar për ta bërë haxhillëkun, por ajo vdiq përpara se ta bënte atë. A mund ta bëj unë haxhillëkun për të?” Pejgamberi a.s. iu përgjigj: “Po, bëje haxhillëkun për të. Sikur nëna jote të kishte borxh, a do ta shlyeje ti atë (borxh) për të? Kështu pra, shlyeje borxhin e Allahut, pasi Ai ka më tepër të drejtë për t’u paguar.” (Buhariu, 1852).
Hadithi që është i përgjithshëm, e nuk e specifikon për të gjallë apo për të vdekur, përcillet po ashtu nga Ibën Abbasi r.a., ku tregon se i Dërguari i Allahut a.s. e kishte dëgjuar një person duke thënë: “Lebbejke an Shubrume”. I Dërguari i Allahut a.s. e pyeti:“Kush është Shubrume?” Ai iu përgjigj: “Një i afërm i imi.” Pejgamberi a.s. i tha:“A e ke bërë haxhillëkun ndonjëherë më parë (për vete)?” Tha: “Jo.” Atëherë i tha: “Bëje këtë haxhillëk për vete, e pastaj (herën tjetër) e bën haxhillëkun për Shubrumen!” (Ibën Maxhe, 2903).
Në dritën e këtyre haditheve dhe argumenteve të tjera që nuk u cekën, dijetarët kanë përmendur një sërë çështjesh të ndërlidhura me haxhin bedel. Andaj mund t’i përmbledhim si vijon:
1. Janë pesë kushte për obligueshmërinë e haxhillëkut: Islami, mendja, mosha madhore, liria dhe mundësia. Mundësia përfshinë: furnizimin, transportin, sigurinë e rrugës, shëndetin, mundësinë e lëvizjes që nënkupton kohën e mjaftueshme për arritjen dhe kryerjen e ceremonive të haxhillëkut ashtu si e kanë definuar dijetarët e fikhut.
Sa i përket shëndetit, në të kushtëzohet fuqia me të cilën e përballon transportin (udhëtimin) pa ndonjë mundim të rëndë. E tërë kjo ka të bëjë me mundësinë që lidhet personalisht me vetë njeriun që dëshiron ta kryejë haxhillëkun. Pra ekziston edhe një mundësi e një natyre tjetër që arrihet përmes dikujt tjetër. Kjo ka të bëjë me atë person që nuk mund ta kryejë haxhillëkun vetë personalisht për shkak të ndonjë pengese, si sëmundja e pashërueshme, pleqëria e thellë, por ka pasuri dhe ka kush e bën haxhillëkun në vend të tij. Kjo me një fjalë tjetër quhet bedel. Të këtij mendimi janë Ebu Hanifeja, Shafiu dhe Ahmedi. Ndërsa Maliku (e bashkë me të edhe Lejthi) mendon, e që është edhe mendimi i mbështetur në medhhebin maliki, që haxhillëku nuk pranon zëvendësim për të gjallin, qoftë me arsye apo pa arsye, edhe pse në disa raste e lejojnë haxhillëkun për të vdekurin që ka vdekur duke e pasur obligim haxhin farz, por për të gjallin assesi.
Hanefitë lidhur me shëndetin dhe gjendjen e mirë fizike thonë se haxhillëku nuk obligohet për të sëmurin, për atë që ka sëmundje të pashërueshme (kronike), për invalidin (të gjymtin), për të verbëtin (ky është mendimi më i njohur i Ebu Hanifes në këtë, por dijetarët e medhhebit hanefi kanë edhe mendime të tjera lidhur me këtë), për plakun e thyer në moshë që nuk ka mundësi udhëtimi, për të burgosurin, për atë që pengohet nga një apo tjetër arsye për ta bërë haxhillëkun, si pengimi nga pushteti zullumqar etj..
2. Bedeli për haxhillëk nuk mund të porositet (autorizohet) nga personi që nuk e ka obligim haxhin. Përndryshe ai është i pavlefshëm.
3. Nga këto hadithe dhe transmetime të tjera, vërtetohet se haxhillëku për tjetrin është i lejuar dhe shpërblimi për të i arrin atij. Pra bedeli bëhet në këto raste:
- Nëse personi e ka pasur obligim haxhillëkun, por nuk ka arritur që ta kryejë atë dhe ka vdekur.
- Nëse personi e ka obligim haxhillëkun, por është i sëmurë me sëmundje të pashërueshme dhe nuk ka mundësi që ta përballojë udhëtimin.
- Nëse personi është i moshuar dhe është i dobët, nuk mundet që të udhëtojë dhe t`i kryejë ritet të cilat kërkohen gjatë qëndrimit atje. E pamundësia (pengesa e paevitueshme) është paaftësia për ta kryer haxhin vetë personalisht për shkak të pleqërisë së thellë, moshës së thyer dhe sëmundjes së pashërueshme.
4. Haxhillëku nuk kryhet me bedel për personin e gjallë e të shëndoshë. Pra, personi që ka mundësi materiale dhe shëndetësore për të shkuar vetë në haxhin obligativ, nuk i lejohet që të dërgojë dikë tjetër bedel për ta kryer haxhin për të, por obligohet që ta bëjë vetë këtë. Ibën Mundhiri, në librin e tij “El-Ixhma’u”, fq. 59, tregon se për këtë ka ixhma (konsensus) te dijetarët. Ibën Haxheri cek më tej fjalën e Ibën Mundhirit, se ky ixhma është për haxhin farz, ndërsa për haxhin nafile vullnetar, Ebu Hanife e lejon një gjë të tillë, për dallim nga Shafiu që nuk e lejon fare, ndërsa nga Ahmedi vijnë dy transmetime (mendime), njëra mohuese e tjetra pohuese, por në medhheb anohet kah mendimi mohues.
Kjo ngërthen në vete një çështje problematike te bedeli në haxhin vullnetar, ku shumë pasanikë, të cilët e kanë kryer vetë personalisht haxhin obligativ, mirëpo viteve të tjera mund të angazhojnë bedela për haxhin nafile në emër të tyre, ngase ata vetë janë të zënë me bizneset dhe aktivitetet e tyre. E kjo e zbeh rëndësinë e haxhit dhe mallëngjimin e tyre për vizitën në vendet e shenjta. Prandaj shumica e dijetarëve janë kundër një veprimi të tillë.
Ed Dehlevij nga hanefitë thotë: “Ibadetet janë disa llojesh:
1. Janë të natyrës pasurore-financiare, sikur zekati, kefareti, kurbani, që mund të kryhen edhe nga personi tjetër; 2. Janë të natyrës fizike, sikur namazi dhe agjërimi, që nuk mund të kryhen për një person tjetër; 3. Janë të natyrës fizike e pasurore, sikur që është haxhi, dhe mund të kryhen nga një person tjetër, vetëm atëherë kur personi i obliguar me to nuk është në gjendje që t’i kryejë vetë ato.”
5. Nijeti i haxhillëkut nga bedeli duhet të bëhet në emër të atij që e ka porositur (autorizuar).
6. Personi i cili dërgohet si bedel për ta kryer haxhillëkun duhet që fillimisht ai vetë ta ketë të kryer haxhin, e pastaj ta bëjë këtë për tjetrin, ndryshe nuk rekomandohet sipas hanefive, të cilët mendojnë se bedeli (zëvendësuesi) i plotëson kushtet e haxhit, pra është mysliman dhe i shëndoshë mendërisht, lejohet që ta bëjë haxhillëkun për tjetrin edhe pse vetë nuk e ka kryer haxhin më parë. Kjo dhe quhet haxhi sarure (të bësh haxhin bedel për tjetrin pa e bërë fillimisht haxhin për vete). Sipas hanefive, kjo është mekruh tenzihen sa i përket porositësit (personi i obliguar me haxh), ndërsa është mekruh tahrimen, sa i përket kryesit-bedelit. Këtë qëndrim e arsyetojnë me hadithin e gruas nga fisi Hath’am, të cilës i tha Pejgamberi a.s.: “Bëje haxhillëkun për babanë tënd!”, pa e pyetur atë se a e ka bërë ajo haxhillëkun për vete më parë. Megjithatë edhe hanefitë nuk e preferojnë një veprim të tillë, vetëm se e lejuan këtë veprim, duke e dënuar rëndë dhe afruar shumë afër ndalesës. Ndërsa sipas shafive dhe hanbelive, një gjë e tillë nuk lejohet, përderisa Maliku, veprimin e tillë, në rast se dikush e bën haxhin për tjetrin para se ta bëjë për vete, e sheh si të papëlqyer, për dallim prej Shafiut dhe Ahmedin, të cilët mendojnë se nëse ndodh një gjë e tillë, haxhi bedel i llogaritet atij që e ka kryer e jo atij për të cilin është nisur!
7. Personi që e ka mundësinë materiale për haxhin obligativ, por që nuk e ka mundësinë e arsyeshme fizike për ta kryer vetë haxhillëkun, shumica e dijetarëve (Ebu Hanife, Shafiu, Ahmedi dhe të tjerët) thonë se ai obligohet që ta angazhojë një bedel për kryerjen e haxhillëkut. Për personin që e kishte mundësinë për ta kryer haxhin vetë, mirëpo e zuri vdekja pa e kryer atë, në rast se nuk ka lënë testament, sipas Ebu Hanifes familja nuk obligohet me kryerjen e haxhit për të, por nëse e bëjnë është punë e mirë, përderisa Shafiu dhe Ahmedi, mendojnë se pasardhësit e tij obligohen ta kryejnë haxhin për të nga pasuria e tij e lënë trashëgim.
8. Bedeli a vlen vetëm nëse niset nga vendi i njëjtë i porositësit, apo vlen nga kudo që niset, me kusht që nijeti të bëhet para mikatit të vlefshëm? Disa kushtëzojnë që bedeli të niset nga vendi i porositësit. Hanefitë thonë që nëse porositësi ka caktuar vendin prej nga të bëhet nisja, duhet të respektohet ai vendim, e nëse jo, atëherë nisja bëhet nga vendi i porositësit. Kështu mendojnë edhe hanbelitë. E disa të tjerë, sikur shafitë, nuk e kushtëzojnë këtë, por vlen nga mikati i caktuar për haxh, madje-madje vlen edhe nga banorët e Mekës, të cilët janë brenda mikatit, por që e bëjnë nijetin nga shtëpitë e tyre.
9. Nëse bedeli, e bën ndonjë shkelje të ihramit që pasohet me ndëshkim, si prerja e thonjve, shkulja e qimeve etj., shpagimi për këtë i obligohet atij nga pasuria e tij personale. Po edhe nëse bën ndonjë veprim që e prish haxhin në tërësi, atëherë barra e përgjegjësisë bie mbi të (bedelin), i cili duhet t’ia kompensojë shpenzimet porositësit në mënyrë që t’i mundësohet atij përsëritja e haxhillëkut.
10. Shpërblimi i haxhit bedel (sevapi), a i takon personit që e ka porositur, apo zëvendësuesit? Ibën Hazmi thotë: “Transmetohet nga Ebu Davudi, i cili thotë: “I thashë Seid ibën el Musejjib: “O Ebu Muhamed, kujt i takon shpërblimi, atij që bën haxhin me porosi-bedelit, apo porositësit?” Ai u përgjigj: “Allahu i Lartësuar është i gjerë që t’i përfshijë që të dytë (me shpërblim).” Ibën Hazmi thotë: “Saktë ka folur Seid ibën el Musejjib.”
Mirëpo mund të themi, sikur që e përmend edhe Uthejmini e shumë dijetarë të tjerë, se shpërblimi për veprat që kanë të bëjnë me haxhin i shkon porositësit për të cilin bëhet haxhi. Ndërsa veprat e tjera jashtë haxhit, si namazi në Harem, leximi i Kuranit, tavafet shtesë etj., i takojnë zëvendësuesit.
11. A ka efekt gjinia e bedelit? Pra, a lejohet që femra të shkojë bedel për mashkullin, dhe anasjelltas? Dijetarët thonë që kjo s’ka aspak pengesë dhe lejohet, sikur që vërehet edhe në argumentet e mësipërme dhe në të tjera. Preferohet që bedel të shkojnë të afërmit, sikur fëmija për prindin etj., por edhe nëse e angazhon ndonjë më të largët, s’ka dert.
12. Nuk lejohet gjatë kohës së haxhit që të bëhet haxh bedel, përveçse vetëm për një person, e jo më shumë.
13. Disa pyesin se a vlen shpërblimi për bedelin, sikurse për atë që e kryen haxhillëkun vetë, e ku thuhet në hadith për haxhin e pranuar se haxhiu kthehet i pastër sikur atë ditë që e ka lindur nëna e tij? Kjo çështje kthehet tek vullneti i Allahut, dhe nuk ka ndonjë argument që tregon për shpërblim të tillë për bedelin.
14. A lejohet që bedeli ta angazhojë një bedel tjetër në vend të vetes? Dijetarët thonë se nuk lejohet një gjë e tillë, përveçse me lejen e porositësit, qoftë me një shumë më të vogël apo më të madhe. E nëse e bën pa lejen e tij, atëherë haxhi është i pavlefshëm dhe duhet që t’ia kthejë paratë e haxhit porositësit.
15. Duhet të kërkohet që zëvendësuesi (bedeli) të jetë njeri i mirë, i devotshëm, i sinqertë dhe që i njeh mirë rregullat e fesë e edhe të haxhit, si dhe t’ia dijë vlerën ibadetit dhe vendeve të shenjta. Po ashtu duhet të jetë i besueshëm për kryerjen e duhur të riteve të haxhillëkut.
16. Shpenzimet që i bën bedeli për kryerjen e haxhillëkut bëhen nga pasuria e porositësit. Madje disa dijetarë thonë që edhe nëse i mbetet diçka nga të hollat, duhet kthyer te porositësi. Kjo ngase qëllimi i bedelit është që ky veprim të jetë i sinqertë për Allahun dhe t’ia ndihmojë vëllait të tij të paaftë fizikisht që ta kryejë haxhillëkun, si dhe të synojë afrimin tek Allahu me ibadet, dua e dhikër në vendet e shenjta. Bedelit duhet dhënë paratë që do t’i shpenzojë për furnizimin e tij gjatë kohës së kryerjes së haxhillëkut dhe gjatë rrugës. Marrja me pagë për shkak të kryerjes së haxhillëkut nuk është e lejuar, sepse zënia me pagë për kryerjen e ibadetit nuk është e lejuar pos në domosdoshmëri, ndërsa në haxh nuk ka asnjë domosdoshmëri, sepse bedelit mund t’i japë pasurinë në mënyrë të thjeshtë, pa kurrfarë zënieje me gojë.
Por kjo nuk e pengon që të marrë një shpërblim apo dhuratë nga ana e porositësit në mënyrë të vullnetshme e me qejf. Mirëpo vërejmë se shumë njerëz e kanë bërë biznes këtë punë dhe nuk e kanë për synim ibadetin, por përfitimin material, andaj kjo sipas disa dijetarëve është e papëlqyeshme, ngase ibadetin po e shfrytëzojnë për përfitim material, andaj edhe nuk ka shpërblim për ata njerëz në ahiret për këtë veprim të tyre.
____________________________
1. Alauddin Ebu Bekr bin Mesud el Kasani, Bedaiu es Sanai’i fi Tertib esh Sherai’i, (Bejrut-Liban: Dar el Kutub el Ilmijjeti, 1418 h - 1997) 3/37-58.
2. Dhafer Ahmed et Tehanevij, I’lau es-Sunen, (Karaçi-Pakistan: Idaretu el-Kuran ve el-Ulum el-Islamijjeti, 1415 h) 10/462-466.
3. Ebu Zekerijja Muhjiddin bin Sheref en Nevevij, Kitab el-Mexhmu’i Sherh el-Muhedhdheb li esh-Shirazi, (Bejrut-Liban: Dar Ihjai et-Turath el Arebij, 1422 h - 2001) 7/34-68 dhe 7/69-83.
4. Ebu el Velid Muhamed bin Ahmed bin Muhamed bin Ahmed ibën Rushd el Kurtubij, Bidajetu el-Muxhtehid ve Nihajetu el-Muktesid, (Bejrut Liban: Dar el-Kutub el-Ilmijjeti, 1416 h - 1996) 3/246-259.
5. Ebu Muhamed Abdullah bin Ahmed bin Muhamed bin Kudamete, El Mugni, (Rijad-Arabia Saudite: Mektebetu err-Rrijad el-Hadithetu, 1401 h - 1981) 3/217-247.
6. Dr. Vehbete ez Zuhajli, El-Fikh el-Islamijj ve Edil-letuhu, (Damask-Siri: Dar el-Fikr, 1428 h - 2007) 3/2082-2120.
7. Seid bin Abdulkadir Bashenfer, El-Mugni fi Fikh el-Haxhxh ve el-Umreti, (Bejrut-Liban: Dar Ibn Hazm, 1421 h - 2001) fq. 14-19, dhe fq. 36-55.
8. Ahmed ibën Alij ibën Haxher el-Askalanij, Fet’h el-Bari bi Sherh Sahih el-Buhari, (Kajro-Egjipt: Dar err-Rrejan li et-Turath, 1407 h - 1986) 4/77-84.
9. Es-Sejjid Sabik, Fikh es-Sunneti, (Kansas City-USA: Sheriketu Menar ed-Duvelijjeti, dhe Kajro: El-Fet’h li el-I’lam el-Arebijj, 1416 h - 1995) 1/636-648.
10. Abdulhamid Mahmud Tuhmaz, Fikhu hanefi, (Cyrih-Zvicër: Fondacioni i Rinisë Islame, prill 2011) 1/607-611.
11. Bahri Curri, Gjurmë pene, shkrime dhe përkthime 1992-2003, Prishtinë-Kosovë, dhjetor, 2014, fq. 309-316.
12. Es-Serxhanij, Dr. Ragib. “Haxhxh el-bedel, davabit ve ahkam” (parë për herë të fundit më 25.04.2023) https://islamstory.com/ar/artical/3408409/ البدل-حج?fbclid=IwAR09oYvizNQg8LXeUJ0s4nMj200PPeN8DN13rkdB V3XYl4xBHiwpy_jYj7g
13. Mahmud, Abaj Muahmmed. “Haxhxh el-bedel ev el-inabetu fi el-haxhxh” (parë për herë të fundit më 25.04.2023) https://islamonline.net/-حج البدل/?amp&fbclid=IëAR1-IvEzDZA05ZeZ2mDF17AËqË5SyFkOmx3H Keq-XMRoIRH3v6aVIXjud04
14. “Davabit ve ahkam haxhxh el-bedel”. (parë për herë të fundit më 25.04.2023) https://islamqa.info.