“Shtëpia (xhamia) e parë e ndërtuar për njerëz, është ajo në Bekë (Mekë), e dobishme, udhërrëfyese për mbarë njerëzimin.” (Ali Imran, 96).
Një ndër shtyllat themelore të Islamit është edhe haxhi. Me shprehjen “El haxhxhu”, në aspektin gjuhësor nënkuptojmë: “vizitë”, kurse në kuptimin terminologjik të Sheriatit, do të thotë: “Vizita e veçantë në vendin e veçantë (Qabe – Arafat) në kohën e veçantë me veprime e nijet të caktuar.” Nga ky përkufizim, kuptohet se haxhi nuk është vetëm udhëtim i thjeshtë, por ai është udhëtim i veçantë, përmes të cilit i bëhet adhurim Allahut xh.sh.. Gjithashtu, gjatë kryerjes së haxhit, duhet patjetër të kryhen detyrimet e caktuara sipas parimeve islame dhe atë në kohën dhe vendin e caktuar.(1)
Myslimani përmes namazit, pesë herë në ditë, e drejton fytyrën e vetë kah Qabeja e Madhërueshme në Mekë, ashtu që ai, tërë jetën e vetë e lidh me kiblen, e cila është simboli ibadetit, vendlindja e të Dërguarit Muhamed a.s., dhe xhamia e parë në Tokë, të cilën Allahu e ka bërë vend ku duhet t’i bëhet ibadet Atij. Për këtë çështje, vizita e shtëpisë së Zotit, haxhi, prezanton dëshirën e çdo myslimani, dëshirë e cila vazhdimisht rritet e kurrë nuk zvogëlohet deri sa të realizohet, se ai në haxh sheh dëshminë e tubimit rreth një qëllimi, i cili i bashkon myslimanët anekënd botës. Haxhi, është adhurim që Allahu e bëri obligim një herë në jetë për myslimanët, të cilët i plotësojnë kushtet e parapara. Allahu i Madhërishëm në Kuranin famëlartë ka thënë: “...Për hir të Allahut, vizita e shtëpisë (Qabesë) është obligim për atë që ka mundësi udhëtimi tek ajo..” (Ali Imran, 97).
Po ashtu, edhe i Dërguari i Allahut a.s., në hadithin e gjatë në të cilin iu përgjigj melekut Xhibril a.s., në pyetjet e parashtruara, e konfirmoi se haxhi është një nga shtyllat e Islamit. Muhamedi a.s. tha: “Islami është ngritur mbi pesë shtylla (baza): Dëshmia se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi a.s. është i dërguar i Allahut, falja e namazit, dhënia e zekatit, kryerja e haxhit dhe agjërimi i ramazanit.”(2)
Për haxhin mund të flitet nga shumë aspekte dhe për shumë dimensione të tij, gjegjësisht mund të bëhet përshkrim i mënyrës së kryerjes së haxhit, mund të shqyrtohen dispozitat juridike të haxhit, për ndjenjat e haxhilerëve, etj..(3) Por në këtë shkrim, nuk do të ndalemi në asnjërën nga këto që përmendëm, por do të ndalemi në disa urtësi që përmban haxhi.
Haxhi dhe urtësitë e tij
Haxhi është adhurim (ibadet), i cili ngërthen në vete shumë të mira e urtësi, e sa për ilustrim do t’i përmendim vetëm disa nga ato.
a. Haxhi është shkak, i cili bën shlyerjen e gabimeve dhe mëkateve. Nëse vizita e Qabesë bëhet me nijet të sinqertë dhe me pasuri të fituar nga hallalli është shkak dhe shpresë e madhe për shlyerjen e mëkateve. Ibni Abasi transmeton se kishin qenë me të Dërguarin a.s., ndërkohë që erdhi një grup nga Jemeni dhe thanë: “O i Dërguar i Allahut, na trego për vlerat e haxhit?” Pejgamberi a.s. tha: “Çdo njeri që del nga shtëpia e tij për të kryer haxhin ose umren, sa herë që e ngre dhe e ul këmbën i bien gjynahet nga trupi i tij, ashtu siç bien gjethet e pemës. Kur vjen në Medinë dhe më dërgon selam, edhe melaqet do t’ia kthejnë selamin. Kur arrin te vendi Dhulhulejfe dhe merr gusël (pastrohet), Allahu do ta pastrojë prej gjynaheve dhe kur vesh rrobat e reja, Allahu do t’ia ripërtërij të mirat e tij. Kur thotë: “T’u përgjigja o Zot t’u përgjigja”, Allahu i thotë: “Unë po të shikoj dhe po t’i dëgjoj fjalët tua.” Kur hyn në Meke e bënë tavafin dhe vrapimin në Safa dhe Merve, Allahu do t’i vazhdojë mirësitë pandërprerë. Kur të qëndroj në Arafat e të gumëzhijnë zërat duke i kërkuar Allahut që t’i zgjidhë hallet e tyre, Allahu krenohet para melaqeve të shtatë qiejve duke ju thënë: “O melaqet e Mia që jeni banorët e qiejve të Mi, a nuk i shikoni se robërit e Mi kanë ardhur tek Unë duke iu përgjigjur thirrjes Sime prej distancave të largëta të lodhur e të rraskapitur, kanë shpenzuar pasuritë e tyre, kanë lodhur trupat e tyre. Pasha Madhërinë dhe bujarinë Time, Unë do t’i nxjerr të pastër prej gjynaheve porsi dita kur kanë lindur prej nënave të tyre. Kur të hedhin gurët e të rruajnë kokat dhe të vizitojnë Qabenë, do t’i thërras një thirrës nga Arshi i Allahut: “Kthehuni se jeni të falur dhe filloni të punoni.”(4) Gjithashtu Ebu Hurejre r.a., transmeton se i Dërguari a.s. ka thënë: “Shejtani nuk ndjehet asnjë ditë më i pa fuqishëm, më i zemëruar dhe më i poshtëruar se sa në ditën e Arafatit, dhe kjo për arsye se shikon zbritjen e rahmetit dhe faljen e Allahut për gjynahet e njerëzve, dhe nuk është ndjerë kurrë më parë kështu, përveçse në ditën e Bedrit.”(5) Po ashtu, Pejgamberi, Muhamedi a.s. ka thënë: “Haxhi i pranuar (mebrur) nuk ka shpërblim tjetër, pos Xhenetit.”(6)
Ç’është haxhi mebrur? Ekzistojnë shumë mendime lidhur me atë se cili haxh është mebrur:
Haxhi në të cilin nuk ka mëkate;
Haxhi i cili është i përgatitur;
Haxhi në të cilin nuk ka hipokrizi dhe shtirje;
Haxhi pas të cilit më nuk ka mëkate.(7)
Ebu Hurejra r.a., transmeton se kur është pyetur Muhamedi a.s., se cila është puna më e mirë? Ai është përgjigjur: “Besimi në Allahun xh.sh. dhe të Dërguarin e tij.” I thanë, po tjetër? Ai u përgjigj: “Lufta në rrugën e Allahut.” Po tjetër? Iu përgjigj: “Haxhi mebrur” - tha i Dërguari a.s..”(8)
Muslimi në “Sahihun” e tij shënon se, me rastin e dhënies së betimit, i Dërguari i Allahut a.s., i kishte thënë Amr ibën el Asit: “Vallë, nuk e ke ditur që Islami i shlyen atë që ka qenë para tij, sikur hixhreti që shlyen atë që ka ndodhur para saj dhe që haxhi e shlyen atë që ka ngjarë para tij?.”(9)
Gjithashtu në një hadith tjetër që e transmeton Ebu Hurejre r.a., Pejgamberi a.s., ka thënë: “Kush e kryen haxhin dhe me këtë rast nuk i cenon dispozitat e Allahut dhe nuk e shqipton asnjë fjalë të papëlqyeshme, do të kthehet i pastër nga mëkatet sikur atë ditë që e ka lindur nëna e tij.”(10) Pastaj hadithi tjetër ku thotë: “I falen mëkatet haxhiut dhe atij për të cilin lutet haxhiu.” Vlen të përmendet se mëkatet të cilat i fshinë haxhi janë mëkatet e vogla, kurse për mëkatet e mëdha doemos duhet penduar sinqerisht tek Allahu xh.sh.. E mëkatet sipas Sheriatit islam ndahen në dy lloje:
• Mëkatet që drejtpërsëdrejti ndërlidhen me Allahun xh.sh., si p.sh.: mos falja e namazit, mos agjërimi etj., dhe
• Mëkatet që ndërlidhen dhe kanë të bëjnë drejtpërsëdrejti me njerëzit.
Sa u përket mëkateve që kanë të bëjnë në relacionin njeri-Allah, ky lloj mëkati është e mundur të falet, pasi që kryerësi i mëkatit të pendohet dhe plotësisht t’i dorëzohet Allahut xh.sh., ngase ato mëkate janë nën mëshirën e Allahut xh.sh., nëse dëshiron i falë, e nëse jo atëherë i dënon ata që kanë bërë mëkate. Kurse mëkatet që ndërlidhen në relacionin njeri-njeri, ato mbeten borxh derisa Allahu xh.sh. t’i tubojë njerëzit pranë Madhërisë së Tij dhe t’i llogarit, ashtu secilit t’ia japë hakun që e meriton. Ky lloj mëkati mund të falet nëse njeriu kërkon falje prej atij që ia ka bërë të padrejtën dhe ai t’ia falë. Personi, i cili i ka borxh dikujt, doemos duhet të kërkoj falje nga ai dhe t’ia falë, e pastaj mund të shkojë në haxh, sepse haxhi nuk e falë mëkatin, të cilin haxhiu ia ka borxh dikujt.
Nga kjo nënkuptohet se haxhi, për ta shlyer mëkatin që ndërlidhet në relacion njeri-njeri, së pari duhet të kërkohet falje nga ai që i është bërë e padrejtë dhe ai t’ia falë (t’ia bëj hallall), e mandej shpresohet se haxhi do t’ia shlyej mëkatin atij personi.
Në Ditën e Gjykimit, Allahu xh.sh. është e mundur ta falë dikë, por me kusht nëse vëllai i tij t’ia falë mëkatin. Duhet të dihet se një gjë e tillë është nga mirësia dhe butësia e Allahut e jo nga domosdoshmëria për Të.(11)
b. Haxhi forcon besimin, i hap shtigjet që njeriu të pendohet me një pendim të sinqertë.
c. Haxhi ia mëson njeriut principet e durimit, ashtu që e aftëson atë që të jetë më i durueshëm edhe gjatë problemeve të jetës së tij të përditshme. Pastaj e orienton atë dhe i jep kahje se si duhet të jetë ai i ndërgjegjshëm, i përpiktë në zbatimin e obligimeve gjatë jetës së tij.
ç. Haxhi është adhurim nëpërmes të cilit njeriu e falënderon Allahun xh.sh. për begatitë e dhuruara.
d. Haxhi ia mëson njeriut parimet e edukatës si duhet të jetë i sjellshëm, i moralshëm dhe i edukuar. Haxhiu gjatë kohës së haxhit e ka të ndaluar të ofendojë dhe të flas fjalë të pakuptimta, të këpus bimë, gjethe, të shkatërroj gjelbërimin në atë vend, t’i thyej drunjtë etj..
Përveç dobive fetare, prej haxhit ka edhe dobi të tjera, si: historike, shoqërore, morale, kulturore etj.
Dobitë historike të haxhit
Njeriu në haxh viziton vendet e shenjta: Meken, Qabenë e bekuar, Safanë, Merven, Arafatin, Muzdelifen dhe Minanë. Kujton Ibrahimin a.s., babanë e shumë pejgamberëve, i cili erdhi në truallin e Mekës, një vend djerrinë, pa ujë, pa bimë, pa kafshë e njerëz, një vend që mund të quhej i pa jetë. Kur gjendemi në këtë vend, kujtojmë Qabenë e Madhërueshme, banorët e saj, Ibrahimin a.s. dhe të birin Ismailin a.s., dhe nënën e tij, zonjën Haxhere, e cila vraponte nëpër dy kodrinat, Safa dhe Merve, duke kërkuar ujë dhe gjëra të tjera për jetesë.
E në këto rrethana, me urdhrin e Zotit, filloi të shpërthejë uji i famshëm në botë, uji Zemzem.
Kujtojmë këtë vend në të cilin lindi dhe u rrit Muhamedi a.s.. Në këtë vend filloi t’i zbresë Kurani, ku jetoi dhe punoi deri në moshën 53 vjeçare, ku pastaj emigroi prej Mekës në Medinë.
Gjithashtu kujtojmë vendin ku shejtani i mallkuar u mundua ta mashtroi Ibrahimin a.s., që të mos e zbatoi urdhrin e Zotit xh.sh., ta flijoi (kurban) djalin e tij Ismailin a.s.. Dhe në atë çast, Allahu i Madhëruar i dërgoi Ibrahimit a.s., një dash kurban, për ta prerë në vend të djalit të vet të dashur. Në këtë mënyrë, vizita dhe njohja me ato vende madhështore të historisë islame e forcojnë besimin e njeriut.
Dobitë shoqërore
Gjatë këtij udhëtimi të shenjtë, haxhiu i një vendi takohet me një haxhi të vendit tjetër. Në këtë mënyrë njihen dhe lidhin miqësi vëllazërore dukë ngrënë e pirë bashkë, duke ecur e duke bërë adhurime bashkë dhe duke u njohur me kulturën e njëri-tjetrit. Udhëtimi e mëson njeriun të jetojë e të hyjë në marrëdhënie shoqërore me të tjerët, d.m.th. të sillet mirë me njerëzit, të ndihmojë të tjerët e të ndihmohet prej tyre, të përkrahë të mirën e të largojë të keqën. Ja sa bukur na udhëzon Kurani për këtë udhëtim: “… nuk bën të merr nëpër këmbë dispozitat e Sheriatit, as nuk duhet shkaktuar grindje…” (El Bekare, 197).
Pra haxhi e forcon jetën shoqërore e bashkëjetesën vëllazërore mes njerëzve. Kjo vërtetohet edhe me ajetin tjetër të Kuranit që thotë: “S’ka dyshim se besimtarët janë vëllezër…” (El Huxhurat, 10).
Dobitë morale të haxhit
Në haxh çdo vit tubohen miliona njerëz që vijnë nga vende të ndryshme, të largëta e të afërta. Aty takohen njerëz me tipare të ndryshme për nga gjuha që flasin, nga zakonet e shumëllojshme, moshat, temperamenti etj.. Gjatë udhëtimit e qëndrimit në haxh njeriu kënaqet duke zbatuar porositë islame dhe nga mjedisi shoqëror që shquhet nga mirësjellja. Duke vizituar ato vende madhështore, me vlera të mëdha fetare dhe duke u njohur me haxhitë nga vise të ndryshme të botës, njerëzit zhvillohen e përparojnë. Njeriu po ashtu ndien kënaqësi të paparë, meqë gjen mikpritjen bujare të vendasve, prandaj edhe e kryen me kënaqësi të plotë këtë adhurim të madh.
Gjatë qëndrimit në këto vende, njeriu e kupton se në këtë mjedis duhet të sillet në mënyrën më të mirë të mundshme, duke pritur e duruar dhe duke përdorur fjalë të buta dhe të ëmbla me të tjerët.(12)
Nga kjo që e përshkruam me pak rreshta për urtësitë dhe dobitë e haxhit, e shumë të tjera mbetën pa u përmendë, pyesim; me çfarë të drejte disa njerëz refuzojnë plotësisht obligimin e haxhit dhe mbajnë qëndrimin se është shumë më mirë dhe më e dobishme, që mjetet materiale për haxh t’i harxhojnë për qëllime të tjera si: të ndërtojnë objekte për të mirën e të tjerëve, të ndihmohen të varfrit etj.. Një gjë duhet ditur, se haxhi është obligim i caktuar prej Allahut xh.sh., për atë të cilin i plotëson kushtet e parapara, e nuk mund të kompensohet me asgjë tjetër.
Ai që e ka obligim haxhin e nuk e kryen, mund të ndërtojë njëqind spitale, shkolla, jetimore etj., këto do të jenë në dobinë e tij pa dyshim, por kurrsesi nuk e ka kryer obligimin e haxhit, edhe më tutje e ka borxh këtë obligim islam. Për këtë obligim, te disa, ende mendohet gabimisht, se në haxh duhet të shkohet kur të plakemi (edhe pse viteve të fundit ka filluar të ndryshojë ky mentalitet). Faktet na tregojnë se si pritja dhe shtyrja e kryerjes së haxhit shumë vetë i ka mashtruar, sepse disa kanë vdekur, disa janë sëmurë, e disa janë varfëruar. Abdullah ibën Abasi r.a., transmeton se Muhamedi a.s. ka thënë: “Shpejtoni në kryerjen e obligimit të haxhit, sepse askush prej jush nuk e di se çka mund t’ju pengojë (nesër) të mos e kryeni.”(13)
Në fund, e lusim Allahun e Madhërishëm që të na bëjë prej atyre që e kryejnë këtë obligim, kurse ata që nuk kanë mundësi, Allahu ua mundësoftë ta kryejnë këtë ibadet madhështor! Amin!
____________________________
1. Ilmihali i zgjeruar, Tiranë-Prishtinë-Shkup, Dituria Islame, 2018, f. 467.
2. Buhariu, Sahihu el Buhari, nr. VIII, Kajro, Daru el Gadi el Xhedid, 2013.
3. Mr. Bashkim Aliu, “Mozaiku Islam”, Shkup, Furkan, 2014, f. 130.
4. Saimir Bulku, “Edukimi Shpirtëror”, Sira, Prishtinë, 2014, f. 138. (Shënon Ahmedi)
5. Bejhekiu, në “Fedailu el Evkat”, 81.
6. Muslimi, Sahihu Muslim, (Damask-Siri, Muessesetu er Rrisaletu nashirun, 2013). Sahih, nr. 3289 dhe Buhariu, nr, 1773.
7. Abdulhamid Mahmud Tuhmaz, “Fikhu Hanefi” Vëllimi I, ibadat, Prishtinë, 2008, f. 529.
8. Muslimi, Sahihu Muslim, (Damask-Siri, Muessesetu er Rrisaletu nashirun, 2013), Sahih, nr. 248 dhe Buhariu, nr. 26.
9. Muslimi, Kitabu el Iman, nr. 121.
10. Buhariu, Sahihu el Buhari, (Kajro, Daru el Gadi el Xhedid, 2013), nr. 1521.
11. Fahrudin Ebibi, Irfan Abazi, Taxhedin Bislimi, Jusuf Zimberi, “Pesë shtyllat e fesë islame” Shkup, 1998, f. 571.
12. Vehbi Sulejman Gavoçi, Tiranë, 1999, f. 299.
13. Sahih el Xhamiu es sagir ve zijadetu, Muhamed Nasiruddin el Albani v. I. (Fet’hu el Kebir) El Mektebu el Islamij, Botimi i tretë, 1988, Siri, Ibni Maxheh nr. 2957.