Haxhi është farzi ajn për çdo mysliman mashkull a femër qoftë, një herë në jetë, që është i aftë për t’u ngarkuar me obligime fetare (mukellef), i mençur psikikisht, në moshën madhore dhe që ka mundësi materiale për të shkuar në vizitë në Qabe.


Myslimani në moshën madhore dhe që është i aftë psikikisht, po qe se posedon pasuri të mjaftueshme gjatë muajve të Haxhit për mirëmbajtjen e familjes dhe për të shkuar në Haxh, e ka farz këtë ibadet, pavarësisht nëse ka shkuar atë vit në Haxh apo jo. E nëse ndodh që të fitojë aq pasuri pas kalimit të muajve të Haxhit, saqë mund ta mirëmbajë familjen dhe të shkojë në Haxh, atij nuk i bëhet obligim haxhi, ngase ka kaluar koha e Haxhit. Po qe se të varfrit ia mundëson dikush të shkojë në Haxh, ai ka të drejtë të zgjedhë: nëse do, shkon në Haxh, e nëse nuk do, nuk shkon, sepse ai edhe në këtë rast nuk është i obliguar për një detyrë të
tillë. Nuk lejohet t’i jepet zekati të varfrit që të shkojë në haxh, sepse ai nuk dedikohet për këtë qëllim.


Ihrami


Haxhi dhe Umreja nuk mund të kryhen kurrsesi pa veshjen e ihramit. Ihrami përbëhet prej dy pjesësh: pjesa e sipërme (err-rrida) dhe pjesa e poshtme (el izar). Me veshjen e ihramit nënkuptohet se haxhiu e ka bërë nijet dhe ka vendosur për të kryer Haxhin apo Umren. Për sa i përket nijetit për veshjen e ihramit, vlen të behet vetëm me zemër.


Synet gjatë kohës sa jemi me ihram është:


a. të pastrohemi;
b. ihramat të jenë të rinj dhe, nëse nuk janë të rinj, së paku të jenë të larë;
c. të parfumosim trupin para se t’i veshim ihramet, po ihramet nuk lejohet t’i parfumonim;
ç. të falim dy rekate namaz;
d. të këndojmë telbijen:


Ndalesat pas veshjes së ihramit janë:


a. prerja e thonjve;
b. prerja dhe rruarja e flokëve dhe mustaqeve;
c. përdorimi i parfumeve;
ç. heqja e qimeve nga vendet e turpshme, nën sqetulla
si dhe shkulja e qimeve nga trupi;
d. përdorimi i materieve që përdoren për zbukurimin
e flokëve etj.;
e. gjuetia e shtazëve të tokës, po gjuajtja e shtazëve të detit lejohet;
ë. mbulimi i kokës. Përdorimi i ombrellës e të ngjashme, që nuk puqen me kokën, lejohet të përdoren;
f. marrëdhëniet seksuale;
g. të përleshurit dhe fjalosja;
gj. veshja e rrobave të qepura, grave u ndalohet veshja e dorëzave dhe veshja e nikabit (pelerinës që mbulon fytyrën);
h. thyerja e degëve dhe drunjtë në harem të Mekës.


Çfarë lejohet për haxhiun kur është në ihrame


a. të mbajë unazë;
b. të mbajë orë;
c. të mbajë armë;
ç. të mbajë kuletën e parave;
d. të lidhë me fashë varrën.


Synetet e Haxhit


Synetet e Haxhit, nëse kryhen, kanë shpërblim, por nëse lihen pa u kryer, nuk ka kundërvajtje dhe nuk nevojitet kompensim për to. Synete të tilla janë:
1. Tavaful Kudumi- Këtë tavaf haxhiu e kryen me të arritur në Mekë. Koha e kryerjes së këtij tavafi fillon prej çastit kur hyhet në Mekë dhe zgjat deri para se të qëndrohet në Arefat, por është e rekomanduar që të kryhet menjëherë sa të hyhet në Mekë. Për mekasit ky tavaf nuk duhet të kryhet. Po ashtu ky tavaf nuk kërkohet të zbatohet as nga haxhiu që kryen haxhin “temet’u”.
2. Pastrimi apo marrja e abdestit para veshjes së ihramit;
3. Qëndrimi dhe fjetja në Mine në natën e Arefatit;
4. Qëndrimi dhe fjetja në Mine gjatë ditëve të hedhjes së gurëve;
5. Kalimi i natës në Muzdelife;
6. Falja e dy rekateve pas veshjes së ihrameve;
7. Të ecurit shpejt në tri sjelljet e para të tavaful kudumit;
8. Zbulimi i krahut të djathtë në tri sjelljet e para të tavaful kudumit;
9. Nisja nga Mina për Arefat në ditën e nëntë të dhulhixhes, pas lindjes së diellit;
10. Vrapimi në sa’j në mes shenjave;
11. Thënia shpesh e telbijes;
12. Ihrami të jetë prej dy pjesëve të bardha;
13. Pastrimi para hyrjes në Mekë.


Llojet e Haxhit


Haxhi ndahet në këto lloje:
1. Haxhi Kiran- Me këtë lloj të Haxhit nënkuptohet se haxhiu në mikat do ta bëjë nijet për të kryer së bashku Umren dhe Haxhin. Kur të arrijë në Meke, haxhiu duhet ta përfundojë Umren dhe të qëndrojë në ihrame derisa të përfundojë haxhi. Për këtë lloj Haxhi, haxhiu detyrohet të presë kurban. Nijeti për këtë lloj Haxhi bëhet në këtë mënyrë: “O Zoti im, unë vendosa të bëj Haxhin dhe Umren, prandaj ma lehtëso kryerjen e tyre dhe pranoje këtë nga unë”.
2. Haxhi Temet’tu- Ky lloj i Haxhit është kur haxhiu, pasi të falë dy rekate në mikat, e bën nijet për të kryer Umren. Pasi të arrijë në Mekë, ai kryen obligimet e Umres dhe pastaj e heq ihramin dhe qëndron ashtu i lirë deri në ditën e tetë të muajit dhul-hixhe, kur do t’i veshë ihramet dhe do të vendosë për të kryer Haxhin. Haxhiu që kryen këtë lloj haxhi, e ka për obligim të presë kurban, nëse ka mundësi, e nëse nuk ka mundësi, duhet t’i agjërojë tri ditë në Mekë dhe shtatë ditë kur të kthehet në shtëpi. Nijjeti për këtë lloj haxhi bëhet kështu: “O Zoti im, unë vendosa të bëj Umren, prandaj ma lehtëso kryerjen e saj dhe pranoje këtë nga unë”.
3. Haxhi Ifrad- Me këtë lloj haxhi nënkuptohet se haxhiu do ta bëjë nijjet vetëm për kryerjen e Haxhit. Nijjeti për këtë lloj haxhi bëhet në këtë mënyrë: “O Zoti im, unë vendosa të kryej Haxhin, prandaj ma lehtëso këtë dhe pranoje prej meje”.


Haxhillëku për dikë tjetër


Haxhi është ibadet që kryhet nëse njeriu i ka mundësitë materiale dhe është i aftë fizikisht. Kur ndodh që dikush të mos jetë i aftë fizikisht dhe të mos mund ta kryejë Haxhin personalisht, ai obligohet të autorizojë dikë tjetër (bedel) që t’ia kryejë këtë iradet, po të gjitha harxhimet janë barrë e tij. Transmetohet se një grua kishte ardhur te Pejgamberi a.s. dhe i kishte thënë :”Vërtet Allahu e ka obliguar haxhin për robin e tij, por babai im është në moshë të thyer dhe nuk mund të qëndrojë as hipur në deve, a lejohet që t’ia kryej haxhin unë?” Pejgamberi a.s. i tha: ”PO”. (Buhariu dhe Muslimi)
Haxhillëku për dikë tjetër lejohet, por duhet të plotësohen këto kushte:
1. Personi që e ka obligim ta kryejë Haxhin, të mos jetë i aftë fizikisht dhe kjo paaftësi të jetë e përhershme deri në vdekje, si f.v. i verbër, në moshë të thyer, i sëmurë nga ndonjë sëmundje që nuk ka shpresë për shërim.
2. Bedeli të kryejë Haxhin me lejen apo urdhrin e atij për të cilin kryhet Haxhi.
3. Shpenzimet, që të gjitha ose shumica e tyre, të jenë obligim i atij për të cilin kryhet Haxhi.
4. Bedeli ta ketë kryer Haxhin për vete.
5. Të mos kushtëzohet sasia e pagesës nga asnjëra palë.
6. Bedeli ta kryejë Haxhin ashtu si kërkohet, se përndryshe, nëse nuk plotësohen të gjitha kushtet si duhet, haxhi nuk konsiderohet i kryer.
7. Bedeli ta bëjë nijet atë lloj haxhi për të cilin e ka autorizuar ai për të cilin kryhet Haxhi.


Haxhi bedel për të vdekurin


Nëse dikush e vëren se e ka afër vdekjen pa e kryer Haxhin që e ka pasur obligim, por nuk e ka kryer, e ka për detyrim ta lërë vasijjet që t’i kryhet Haxhi. Haxhi i të vdekurit kryhet prej një të tretës së pasurisë; nëse 1/3 e pasurisë është e mjaftueshme për ta dërguar bedelin prej vendlindjes së të vdekurit duhet dërguar prej aty. Por, nëse 1/3 e pasurisë është e pamjaftueshme për ta dërguar bedelin prej vendlindjes, atëherë duhet shikuar të dërgohet dikush që është më afër Mekës si bedel, ose lejohet të behet bedel ndonjë banor prej Mekës. Kur ndodh që dikush vdes pa e pas lënë vasijjet që t’i kryhej haxhi, atëherë trashëgimtarët nuk e kanë obligim t’ia kryejnë haxhin, po nëse ia kryejnë, ka shpërblim tek Allahu xh.sh. dhe inshallah, Ai ia pranon Haxhin e tillë.


Hedji (kurbani i Haxhit)


Hedj quhet kurbani i cili dërgohet për t’u prerë në harem. Hedj (kurban) mund të jetë deveja, lopa , delja, dashi, dhia ose cjapi. Hedji më i vogël mund të jetë dele, dash, dhi ose cjap. Thënë shkurt, si hedj vlen çdo shtazë e cila vlen për kurban. Hedji për llojin e haxhit temett’u dhe kiran duhet të pritet gjatë ditëve të Kurban-Bajramit. Mishi i hedjit që pritet, mund t’u jepet varfanjakëve që janë në harem dhe atyre që janë jashtë haremit. Hedji nuk lejohet të milet, por nëse ndodh që të milet,qumështi u jepet të tjerëve. Po qe se ndodh që hedji të ngordhë apo t’i shkaktohet ndonjë e metë e madhe, ai duhet të zëvendësohet me një tjetër, kurse me të parin pronari i tij mund të veprojë ç’të dojë, f.v. ta presë për vete, ta shesë etj..


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi