Allahu, mesazhin e fundit, të drejtuar te Pejgamberi Muhamed a.s., përmes së cilit iu drejtua njerëzimit, e zgjodhi të jetë i plotë, pa asnjë mangësi, ngase ishte dhe mbeti i plotfuqishëm për të gjitha kohët dhe për të gjitha hapësirat gjeografike.
E s’ka si të mos jetë i tillë, kur Allahu e dinte fare mirë se me çfarë do të ballafaqohej njerëzimi, andaj edhe solli fenë, në të cilën njerëzit do të gjejnë përgjigjet për të gjitha dilemat, por në të do të gjejnë edhe mënyrën më ideale të jetesës, ku balanca është etike për ta realizuar rrugëtimin e saktë e të sigurt. Njëra nga balancat më të nevojshme, që feja e mbolli te njeriu dhe e bëri të domosdoshme zbatimin e saj, është edhe kujdesi i rregullimit të së brendshmes së njeriut dhe të dukshmes së saj. Këtë, pothuajse nuk e gjen askund të detajuar deri në finesat më të vogla, përveçse në fenë islame, dhe praktika na tregon se kur ky balancë humbet, atëherë shkaktohet kaos.
Në aspektin islam, nuk imagjinohet të jetë një njeri besimtar, i cili ka pamje mahnitëse nga jashtë e i prishur në brendësinë e tij. Por, as anasjelltas, nuk mund të imagjinohet dikush që ka zemër të pastër, nëse e jashtmja e tij është e shëmtuar. Për këtë, i Dërguari i Zotit, mësuesi i njerëzimit, na udhëzoi në rrugën e kësaj balance, e ajo buron nga brendësia për të reflektuar në të jashtmen e tij: “Me të vërtetë në trupin e njeriut është një copë mishi, nëse ajo rregullohet, atëherë i gjithë trupi është i rregullt, e ajo është zemra.”(1)
Ta vështrojmë me një sy studimi ajetin kuranor, ku Allahu xh.sh. e përshkruan lutjen e Ibrahimit a.s. drejtuar Atij, që njerëzimit t’ia dërgonte një pejgamber dhe mësues, e ku përmes tij do t’ua mësonte rrugën e formimit: “Zoti ynë, dërgo ndër ta, nga gjiri i tyre të dërguar, që t’ua lexojë atyre ajetet Tua, t’ua mësojë atyre Librin dhe urtësinë e t’i pastrojë ata. S’ka dyshim se Ti je ngadhënjyesi, i Dijshmi.” (El Bekare, 129). Nëse e meditojmë thellë këtë ajet, do ta shohim se shprehja “tezkije” – “pastërti apo çiltërsi e brendshme” në lutjen e Ibrahimit a.s. na vije pas mësimit të Librit dhe urtësisë, e Allahu i Madhëruar, duke treguar se ia ka plotësuar këtë lutje Ibrahimit a.s. dhe këtë begati, në ajetin 151 të sures El Bekare, na tregon një tjetër renditje: “(Sikur plotësova mirësinë Time ndaj jush) Ashtu siç dërguam nga gjiri juaj të dërguar, që t’ua lexojë ajetet Tona, t’ju pastrojë e t’ua mësojë Librin dhe traditën, e edhe t’ju mësojë atë që nuk e dinit.” (El Bekare, 151).
Në këtë ajet, shihet qartë se menjëherë pas rikujtimit se Pejgamberi a.s. ka ardhur që t’ua mësojë njerëzve Librin e Allahut, vije detyra e tezkijes apo pastërtisë së brendshme, të cilën Allahu xh.sh. e sjell të parën në renditje, para detyrave të tjera. Me këtë del qartë në sipërfaqe rëndësia e pa kontestuar e pastërtisë së brendshme, qoftë të besimit, mendimit apo edhe të largimit të çdo gjëje që e prish brendësinë dhe që do të ketë pasoja në veprimet e jashtme.
Për ta argumentuar rëndësinë e çiltërsisë së brendshme dhe për të dëshmuar se nga aty buron e jashtmja e njeriut, mjafton ta meditojmë pastërtinë e zemrës së Pejgamberit a.s.. Ai, nuk ka dyshim se e kishte zemrën më të pastër njerëzore. Kjo ngase Allahu xh.sh. e kishte zgjedhur zemrën më të pastër për ta bartur misionin më të rëndësishëm dhe përmbyllës të të gjithë pejgamberëve. Megjithatë, prapëseprapë Pejgamberit a.s. iu pastrua zemra dy herë (siç rrëfehet në transmetime të sakta), një herë në moshën e re te fisi Beni Sad dhe një herë para Israsë dhe Miraxhit, kjo për të qenë argument për secilin, se pastrimi i brendësisë së zemrës dhe çiltërsia e saj janë të pa kompromis për ata që kanë synim të qenët shembull dhe që e jashtmja të jetë për t’u lakmuar dhe për t’u admiruar.
Në qëllimet madhore të fesë, e që është formimi i duhur i njeriut, kjo metodologji kuranore dhe profetike, nuk ka si të mos jetë e suksesshme në rregullimin e jashtëm të njeriut besimtar, e që nënkupton se ai është i pastër dhe i çiltër në brendësinë e tij. Reflektimi i saj do të jetë në të jashtmen e tij, nga pamja e bukur e nga veprat e tij. Rrjedhimisht, rregullimi i jashtëm pa atë të brendshëm nuk është rruga e duhur, dhe se balanca ndërmjet tyre është e domosdoshme. Këtë nuk e rregullon askush, përveç metodologjisë kuranore dhe praktikës reale nga jeta e të Dërguarit a.s., për të cilin Zoti i Gjithësisë thotë se: “Ju e kishit shembullin më të lartë në të Dërguarin e Allahut.” (El Ahzab, 21). Ajo që jemi të bindur dhe që nuk kemi asnjë dilemë është se Muhamedi a.s. ishte njeriu që ka arritur ta bëjë balancën më mahnitëse ndërmjet çiltërisë së brendshme dhe të jashtmes së tij, e mu për këtë edhe jemi urdhëruar ta marrim si model dhe si shembull.
Në humbjen e këtyre balancave shohim se sot njerëzit kanë rrëshqitur në të dyja skajet e keqkuptimit. Njëri grup, fokusin dhe investimin e vetëm të tyre e kanë të jashtmen, madje edhe këtu duke bërë një seleksionim nga vetja e tyre duke i kushtuar kujdes vetëm dukjes, janë të gatshëm të shpenzojnë pa llogari në përmirësimin e imazhit të jashtëm dhe kjo në vetvete nuk përmban ndonjë problem, ngase vetë feja e ka nxitë një gjë të tillë. “Allahu është më i bukuri dhe e do të bukurën.”(2)
E në një ajet kuranor, Zoti i Madhëruar thotë: “O ju bijtë e Ademit, Ne krijuam për ju petk që ju mbulon vendet e turpshme dhe petk zbukurues. Por, petku i devot shmërisë është ai më i miri. Këto janë nga argumentet e Allahut ashtu që ata t’i kujtojnë.” (El Araf, 26).
Pra, zbukurimi është i pëlqyer dhe i preferuar, por nëse teprohet dhe bëhet në llogari të shkujdesjes ndaj të brendshmes, atëherë është i qortuar dhe nuk kryen punë, ngase Pejgamberi a.s. na ka mësuar se kriteri i vlerësimit tek Allahu është e brendshmja. Në Sahihun e Muslimit, është transmetuar se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Allahu nuk shikon në paraqitjen tuaj të jashtme, as në pasurinë tuaj, por Ai shikon në zemrat dhe veprat tuaja.”
Sot, në kohën e materiales, jo rrallëherë shohim përmbysje të kritereve, ku njerëzit vlerësojnë veten dhe të tjerët vetëm nga pamja e nga luksi, e kjo shpesh merr kahje të shëmtuar, sidomos kur kalon edhe në operacione plastike, vetëm e vetëm për t’u dukur bukur. Çështja bëhet edhe më tragjike atëherë kur paturpësitë, morali i ulët, gënjeshtra, mos mbajtja e fjalës etj., të cilat duhet të jenë zbukurimi real i jashtëm, mbesin nën hije dhe tentohet humbja e peshës së tyre, duke u fokusuar me tërë qenien në aspektin e jashtëm e atë dekorativ.
Por edhe grupi i dytë, të cilët kanë shkuar në skajin tjetër, ku pretendojnë se vetëm brendësia apo ajo që bartin në brendësinë e tyre është me rëndësi, duke mos i kushtuar rëndësi pamjes së jashtme, duke dalë kështu te njerëzit me rroba që nuk janë të zakonshme e duke dalë para tyre në formë të shkujdesur, apo edhe me aroma të neveritshme, e të gjitha këto me arsyetimin se mjafton se unë e kam këtë zemrën e pastër, sigurisht se edhe këto karaktere njerëzish janë larg nga balancat e vendosura nga feja. E Allahu xh.sh. në Kuranin fisnik, për mospërputhjen e mendimeve dhe veprimeve, në formë të qortuar thotë: “O ju që keni besuar, përse e flitni atë të cilën nuk e veproni. Tek Allahu është e urryer ta thoni atë që nuk e punoni.” (Es Saff, 2-3).
Padyshim se mesatarja e balancuar, e nxjerrë nga këto dhe shumë argumente të tjera fetare, e formësuar në formën më të mirë nga i Dërguari i Zotit, a.s., mbetet pamja më brilante e njeriut që i ofrohet shoqërisë. Ai i cili me mbikëqyrjen hyj nore e ka rregulluar të brendshmen e tij, e cila pastaj pashmangshëm reflekton në pamjen e bukur të jashtme, dhe e cila do ta bëjë atë të mahnitshëm me moralin dhe edukatën e tij.
Çdoherë që e shohim se ka ngecje në plotësimin e këtij imazhi, duhet të jemi të bindur se ka një keqkuptim në formim, e i cili më pastaj shtyn në një disbalancë, e kjo pastaj na e paraqet para të tjerëve një pamje dhe perceptim të shpërfytyruar të njeriut besimtar.
Shpeshherë pasojat janë të menjëhershme tek individi, por edhe te shoqëria, e shtrembërimi i fesë është pasoja më e madhe. Ne jemi përgjegjës për t’i ndryshuar për së miri përshtypjet e njerëzve për këtë fe. Vetëm duke e paraqitur e duke e jetësuar atë ashtu siç është, ne e kemi përmbushur misionin e të jetuarit si besimtar dhe e kemi përmbushur “thirrjen e heshtur” apo të praktikuarit, e që mbetet një nga format më të suksesshme të thirrjes në fe.
___________________
1. Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.
2. Sahihu i Muslimit, 131