Fjala Hixhret është një shprehje që të shumtën e rasteve tek njerëzit nënkupton emigrimin prej një vendi në një vend tjetër me qëllim të fitimit të pasurisë ose me qëllim të një jete me një standard më të mirë.
Me shprehjen Hixhret myslimanët e parë të shoqërisë islame nënkuptonin/ shënonin emigrimin duke lëshuar vendin, vetëm e vetëm për ta ngritur lart Fjalën e Allahut të Lartësuar dhe jo për përfitime materiale. Këtë e argumenton vetë rasti, sepse ata që qenë shpërngulur prej Mekës, nuk ishin të varfër dhe as robër, por ishin prej parisë kurejshite dhe ata nuk kishin nevojë për pasuri edhe as për të përmirësuar standardin e jetës.
Dijetaret myslimanë, kur shpjegojnë kuptimin e Hixhretit, theksojnë katër kuptime:
1. emigrimi prej një vendi jomysliman, ku nuk ka siguri, në një vend tjetër jomysliman, ku ka siguri;
2. emigrimi prej një vendi jomysliman në një vend mysliman;
3. emigrimi prej një vendi mysliman në një vend mysliman, që e ka kufirin të siguruar;
4. emigrimi edukues (largimi prej mëkateve).
Për sa i përket Hixhretit-emigrimit prej një vendi jomysliman, ku nuk ka ku ka siguri, është ndodhia e shpërnguljes së një numri të caktuar të myslimanëve për në Habesh (Etiopi).
Qëllimi parësor i asaj shpërnguljeje ishte që myslimanët të shpëtonin prej torturave dhe mundimeve që u shkaktonin politeistët kurejshë. Por, ajo që duhet cekur, është se as në atë hixhret nuk ishte synimi për qëllime materiale, sepse në mesin e emigruesve nuk kishte të varfër e robër, po shumica prej tyre ishin të pasur dhe u përkisnin familjeve kurejshe që ishin pari e popullit. Prandaj prej urtësive të shumta të emigrimit në Habesh (Etiopi), mund të përmendim këto:
a. Transmetimi i thirrjes islame jashtë Mekës. Kjo mund të vërehet në faktin se myslimanët kishin emigruar në Etiopi në mënyrë kolektive. Po të ishte ky emigrim vetëm si shpëtim prej torturave, atëherë pa dyshim
që i Dërguari a.s. do t’i urdhëronte myslimanët të shpërndaheshin nëpër fise të ndryshme.
b. Emigrimi jashtë Gadishullit Arabik është bërë, sepse thirrja islame është globale dhe nuk është rajonale, d.m.th. është fe për njerëzimin mbarë dhe jo për një popull të veçantë.
c. Të ndikohet në arrogancën e arabëve që ndoshta ata të ndaleshin nga torturimi i besimtarëve, sepse shoqëria injorante arabe ishte gjithmonë e ngarkuar me fanatizmin klanor, prandaj në këtë emigrim kishte shumë nga të afërmit e arabëve.
Emigrimi në Etiopi ishte hapi i parë me të cilin synohej ruajtja e mesazhit islam, ndërsa hapi i dytë ishte kërkimi i ndonjë vendi që do ta përkrahte dhe ndihmonte përhapjen e thirrjes islame.
Pra, i Dërguari i Allahut a.s., kur e pa se në Mekë nuk kishte kurrfarë mundësish për ta vazhduar përhapjen e mesazhit islam, atëherë mendoi të gjente ndonjë vend ku do të ishte i sigurt dhe i mbrojtur për ta përhapur thirrjen islame. Në këto rrethana, ai ishte i mendimit që të bëhej emigrimi prej Mekës në Medinë, dhe këtë dijetarët myslimanë e kanë konceptuar si emigrimi prej një vendi jomysliman në një vend mysliman.
Meqë emigrimi në Etiopi ishte një emigrim përgatitor, edukues, informues dhe shpalues i thirrjes islame jashtë Gadishullit Arabik, ndërsa emigrimi në Medinë, përveç këtyre urtësive që përfshin, kishte edhe një qellim shumë madhështor, që ishte konsolidimi i shtetit islam.
Allahu i Lartësuar ka dashur që në Medinë të realizohej synimi parësor i myslimanëve, konsolidimi i shtetit islam, ngase në këtë mënyrë do të mundësohej përhapja dhe shpjegimi në mënyrë të lirshme i mesazhit islam.
Prandaj mund ta themi në mënyrë shumë të qartë se zgjedhja e Medinës si vend ku do të konsolidohej për herë të parë shteti islam, ishte zgjedhje hyjnore prej Krijuesit të Madhërishëm.
I Dërguari a.s. kishte marrë disa hapa të duhur para se të vendosej që të bëhej Hixhreti në Medinë dhe që ky vend të ishte qendra e shtetit islam. Si hapa të tillë kanë qenë:
1. Përgatitja e Medinës në aspektin informativ, që ta pranonte fenë islame.
I Dërguari a.s. kishte kërkuar nga një delegacion i Medinës i përbërë prej gjashtë apo tetë vetash të fisit Hazrexh, që të pranonin fenë islame dhe ata e kishin pranuar fenë islame. Më pastaj ata kishin përhapur fenë islame në Medinë, madje nuk kishte mbetur asnjë shtëpi e Ensarëve ku të mos përmendej i Dërguari i Allahut a.s..
2. Beslidhja e parë e Akabes. Në këtë besëlidhje kishin ardhur afro dymbëdhjetë veta si përfaqësues të fiseve Hazrexh dhe Evs, për t’i dhënë besën se ata do të mbronin dhe përkrahnin mesazhin dhe misionin e të Dërguarit a.s. Ata i Dërguari a.s. i pati urdhëruar të ktheheshin në Medinë dhe të përgatiteshin për t’i pritur emigrantët myslimanë që do të shpërnguleshin prej Mekës.
3. I Dërguari a.s. e kishte dërguar Mus’ab bin Umejrin r.a. si shpjegues dhe mësues të mësimeve islame në Medinë menjëherë pas besëlidhjes së parë në Akabe. Ajo që shtyri të Dërguarin a.s. që ta zgjidhte Mus’abin r.a. për ta kryer këtë detyrë, ishte fakti që ai kishte përgatitje dhe afësi të duhur për ta kryer këtë detyrë.
4. Besëlidhja e dytë në Akabe. Kjo besëlidhje pothuajse ishte parapërgatitja e fundit për t’u marrë vendimi që myslimanët të emigronin në Medinë.
5. Zgjedhja e disa personave që të angazhoheshin për të përgatitur popullin e tyre në momentet kur të fillonte emigrimi i myslimanëve të Mekës tek ata. Ky veprim ishte pa dyshim njëri prej veprimeve shumë strategjik nga ana e të Dërguarit a.s, para se të fillonte emigrimi-Hixhreti.
6. Dhënia e lejes për t’u bërë emigrimi-Hixhreti. Kur u dha leja për t’u shpërngulur në Medinë, besimtarët filluan të shpërnguleshin në mënyrë të fshehtë, qoftë në grupe kolektive dhe qofë në mënyrë individuale.
Qëndrimi i kurejshëve ndaj hixhretit
Kurejshët nuk mund të qëndronin indiferentë ndaj veprimit të myslimanëve që emigronin prej Mekës, prandaj filluan që t’i dënonin e t’i mundonin myslimanët që kishin mbetur ende në Mekë. Por kjo nuk u mjaftoi, prandaj ata u tubuan në Daru Nedve dhe filluan të diskutonin se çfarë të vepronin me të Dërguarin a.s., dhe si përfundim ishte marrëveshja që të eliminohej Muhamedi dhe në atë komplot të merrnin pjesë të gjitha fiset. Po ashtu ajo që duhet theksuar këtu, është se paria kurejshe nuk lejonin kurrsesi që masa e gjerë e popullit të dëgjonte shpjegimet e Muhamedit, vetëm nga frika se mos Muhamedi do t’u merrte pushtetin dhe fuqinë sunduese që kishin, dhe nuk e kishin brengë fare besimin e tyre.
Hixhreti i të Dërguarit a.s. ishte i planifikuar shumë mirë
I Dërguari i Allahut a.s., kur vendosi të shpërngulej, i kishte marrë të gjitha masat e duhura dhe kishte krijuar kushtet e mundshme, në mënyrë që shpërngulja e tij personale të ishte e suksesshme. Në përgatitje e sipër, kishte mbajtur parasysh disa faktorë: njeriun, kohën, vendin dhe lëvizjen e fshehtë. Pa dyshim që i Dërguari i Allahut a.s. për këto çështje kishte diskutuar me Ebu Bekrin r.a. e me Aliun r.a. dhe i ishte përmbajtur renditjes së këtyre faktorëve pa shpërfillur asnjë nga këta faktorë.
Faktori njeri: I Dërguari a.s.. i kishte dhënë secilit detyrën e caktuar, d.m.th. Aliut r.a. i kishte caktuar të qëndronte në shtratin e të Dërguarit a.s. me qëllim që në këtë mënyrë të vonohej veprimi dhe lëvizja e politeistëve kurejshë; Ebu Bekrit r.a. i kishte caktuar detyrën që të përgatiste gjërat e nevojshme për udhëtim, sepse ai do t’i bashkohej atij gjatë rrugës për në Medinë; bijes së Ebu Bekrit, Esmas, i kishte caktuar detyrën që t’u sillte ushqimin atyre përderisa të qëndronin në shpellën Theur etj..
Faktori kohë: I Dërguari a.s. kishte planifikuar edhe kohën kur duhej të dilte prej shtëpisë. Kishte dalë në mes të ditës për të shkuar në shtëpinë e Ebu Bekrit, pikërisht ku në atë kohë kishte shumë pak lëvizje njerëzish, dhe më pastaj të dilnin gjatë natës, nga një dalje e fshehtë prej shtëpisë së Ebu Bekrit, me të vetmin qëllim që të mos hetohej dalja e tyre.
Faktori vend: I Dërguari a.s. kishte caktuar daljen nga ana e prapme e shtëpisë së Ebu Bekrit dhe strehimin në shpellën Theur, e cila gjendej në anën jugore të Mekës, ndonëse drejtimi i rrugës për Medinë ishte në anën veriore të Mekës. Më pastaj kishte shkuar nëpër një rrugë nga nuk kishte kaluar askush në atë drejtim për të shkuar në Medinë, dhe i ishte shmangur rrugës që ishte e njohur nga të gjithë se shpinte në Medinë.
Faktori lëvizje e fshehtë: I Dërguari a.s. lëvizjen e tij për t’u shpërngulur
e kishte bërë në mënyrë të fshehtë, duke dalë mu në mes të ditës kur nuk kishte lëvizje njerëzish, për të shkuar në shtëpinë e Ebu Bekrit r.a. dhe prej andej kishin dalë natën nga ana e prapme e shtëpisë, vetëm e vetëm që të mos hetohej lëvizja e tyre.
Pa dyshim, çdokush që i mendon dhe studion këto veprime dhe respektimin e renditjes së këtyre faktorëve, do t’i kuptojë veprimet e përpikta që kishte bërë i Dërguari a.s.. me rastin e Hixhretit të tij.
Porositë dhe urtësitë që na jep hixhreti:
Porositë dhe urtësitë e Hixhretit janë shumë, por ne do të veçojmë disa prej tyre:
1. Muhamedi a.s. i kishte bërë të gjitha përpjekjet që të mos binte në duar të politeistëve kurjeshë, edhe pse e dinte se veprimi që ishte duke bërë, ishte në pajtueshmëri me Urdhrin e Allahut të Lartësuar.
2. Planet e përpikta gjatë shpërnguljes së tij, na bëjnë me d?e se duhet të kihen programe të veçanta në veprimet tona dhe kurrsesi të mos bazohemi vetëm në faktin se e kemi qëllimin të mirë, dhe të veprojmë pa kurrfarë plani e programi.
3. Nga çdo mysliman kërkohet të japë mundin e tij për të vepruar diçka, pa harruar mbështetjen dhe kërkimin e ndihmës prej Allahut të Lartësuar.
4. Emigrimi në Etiopi ishte një hap me rëndësi, si në planin e brendshëm po ashtu edhe në të jashtmin. Në planin e brendshëm myslimanëve u ofrohej mundësia t’u shmangeshin torturave barbare të idhujtarëve mekas, si dhe shqetësimit të shpirtit idhujtar mekas me rastin e depërtimit të myslimanëve në vise të tjera, kurse në planin e jashtëm paraqiste shtrirjen e Islamit edhe në viset jashtë Gadishullit Arabik.
5. Ata që janë të pafe, do tëangazhohen gjithmonë për t’i shtypur dhe torturuar myslimanët në mënyra dhe me metoda të ndryshme.
6. Çdo sakrificë që duhet të bëjë myslimani, duhet ta bëjë vetëm e vetëm që të arrijë kënaqësinë e Allahut dhe të mos ndikohet nga bukuritë e kësaj bote.
7. Myslimani duhet të jetë i vendosur dhe i bindur se duhet të angazhohet dhe të përballet me të gjitha sfidat që i dalin në jetë, kurse arritja e suksesit është që vjen prej Allahut të Lartësuar.
8. Suksesi i një pune nuk varet vetëm prej faktit se njeriu e ka nijetin të mirë, por duhet të merren parasysh doemos të gjitha shkaqet për zbatimin e ndonjë veprimi.