Në kohët e sotme, rrjetet sociale janë bërë pjesë e pashmangshme e përditshmërisë sonë. Përpos realitetit të cilin e jetojmë dhe ndaj të cilit jemi dëshmitarë, ekziston edhe një “realitet virtual”, i cili çdoherë e më shumë po bëhet vështirë i ndarë nga ai i vërteti. Në këtë shkrim do të përpiqem të analizojë konceptin e identitetit, imazhit personal dhe rëndësisë së tjetrit në krijimin e këtij imazhi, konformimit ndaj shumicës dhe shndërrimit të individëve në njerëz njëdimensional, të kontrolluar nga forma të reja të kontrollit shoqëror, siç është teknologjia.
Në pyetjen se çka është identiteti, mund të themi se është përgjigja që i jepet pyetjes, “Kush jam unë?”. Identiteti ynë buron nga rolet që ne i luajmë dhe raportet që i krijojmë.1 Etimologjia e termit “identitet” vjen nga emri latin identitas, i cili thekson imazhin mendor të një individi për veten dhe “ngjashmërinë e tij me të tjerët”. Identiteti ka karakter multidimensional, që do të thotë se varësisht në çfarë roli dhe statusi gjendemi, atë identitet e shfaqim. Identiteti kombëtar, etnik, racor, fetar, gjinor, politik, profesional, janë disa prej identiteteve që mund t’i ketë një individ.
Njeriu si qenie është i dalluar me arsye dhe imagjinatë, atij i duhet të krijoi një ide për veten e vet dhe të thotë: “Unë jam Unë”. Për dallim nga kafsha, njeriu ka nevojë për ndjenja identiteti.(2) Ndër të tjerash, ai ka nevojë për të hyrë në marrëdhënie me botën e jashtme në mënyrë që ta shmangë vetminë.(3)
Erich Fromm, përfaqësues i Shkollës së Frankfurtit dhe Teorisë Kritike, në librin e tij “Arratisje nga Liria” (1941), gjatë analizës së konceptit të lirisë, thotë se liria e individit nga lidhjet tradicionale të shoqërisë mesjetare, ndonëse i dha individit ndjenjën e lirisë dhe pavarësisë prej autoritetit të atëhershëm, në të njëjtën kohë, e bëri të ndihej i vetëm dhe i izoluar, me dyshime dhe ankthe të cilat e bën që t’i nënshtrohej një autoriteti të ri anonim dhe irracional.(4) Njeriu modern fitoi lirinë, por krijoi tipa të reja të varësisë. Në përpjekje për t’i shpëtuar vetmisë dhe pafuqisë, Fromm thotë se jemi të prirë të shkatërrojmë dhe sakrifikojmë Unin tonë përmes disa mekanizmave të arratisjes nga liria, siç janë nënshtrimi dhe konformimi. Në kohën moderne, nënshtrimi dhe konformimi, zëvendësojnë format e vjetra të autoritetit(5) dhe luajnë rolin e mekanizmave mbrojtës të individit nga ndjenja e vetmisë dhe ankthit. Si pasojë e konformimit, njeriu “shndërrohet në një automat, identik me miliona automat tjerë”.(6) Procesi i “rahatisë” që sjellë konformimi nuk merr fund këtu, pas humbjes së Unit, fillon paniku që sjellë humbja e identitetit dhe për ta mundur këtë panik, njeriu është i detyruar të krijojë një identitet tjetër, i cili është në miratimin e vazhdueshëm nga ana e të tjerëve.(7)
Koncepti i vetes apo i imazhit personal është ngushtë i lidhur me atë të identitetit, pra me mënyrën se si ne e perceptojmë veten në raport me vetveten dhe të tjerët. Erving Goffman, përfaqësues i teorisë së Ndërveprimit Simbolik, në veprën e tij “Prezantimi i Vetes në Jetën e Përditshme” (1959), flet për ndërtimin social të vetvetes në një botë, të cilën, Goffman, e konsideron të jetë një skenë. Teoria e Goffman-it përqendrohet në kontekstin e sjelljes njerëzore, të bazuar në përshtypjen e tjetrit për veprimin apo sjelljen. Ai studioi rolet që luajnë individët, se si ato role ndryshojnë varësisht situatave dhe llojet e maskave që njerëzit mbajnë. Përmes modelit dramaturgjik, Goffman përshkruan jetën shoqërore si një jetë që luhet nga aktorët në një teatër me disa skena.
Goffman, ndër të tjerash i vë theks tensionit që rezulton nga ndryshmi mes asaj që njerëzit presin që ne të bëjmë dhe asaj që ne duam të bëjmë në mënyrë spontane.(8) Për të pasur një imazh të qëndrueshëm të vetes së tyre, njerëzit interpretojnë për audiencën e tyre sociale. Njerëzit paraqesin imazhe të vetvetes bazuar në mënyrën se si shoqëria mendon se duhet të veprojnë në një situatë të caktuar. Goffman përshkruan shfaqjet teatrale që ndodhin në ndërveprimet ballë për ballë. Ai mendon se kur dikush vjen në kontakt me një person tjetër, ai përpiqet të kontrollojë ose të drejtojë përshtypjen që personi tjetër do të krijojë për të, duke ndryshuar mjedisin, pamjen dhe mënyrën e tij.
Herbert Marcuse, një ndër përfaqësuesit kryesor të Shkollë së Frankfurtit, në librin e tij të njohur “Njeriu Njëdimensional” (1964), zhvillon kritikën e shoqërisë bashkëkohore duke teorizuar format e reja të kontrollit shoqëror. Marcuse, argumenton se “shoqëria e përparuar industriale” krijon nevoja false, të cilat i integrojnë individët në sistemin ekzistues të prodhimit dhe të konsumit. Teknologjia shërben për të krijuar forma të reja, më efektive dhe më të këndshme të kontrollit shoqëror dhe të kohezionit shoqëror.(9)
Marcuse dallon dy lloje të nevojave, nevojat e vërteta dhe nevojat e rreme. Shumica e nevojave mbizotëruese për t’u shtendosur, për të bërë qejf, për t’u sjellë dhe për të konsumuar në përputhje me reklamat, për të dashuruar dhe urryer atë që dashurojnë dhe urrejnë të tjerët, hyjnë në këtë kategori të nevojave të rreme. Nevoja të tilla kanë një përmbajtje dhe një funksion shoqëror, që përcaktohen nga fuqi të jashtme, ndaj të cilave individi nuk ka kontroll. Në të njëjtën kohë, këto nevoja false e zhvendosin individin nga identiteti i vet duke u identifikuar me të tjerët.(10)
Sot njëri nga kontrolluesit më të mëdhenj të sjelljes së njeriut modern rezultojnë të jenë rrjetet sociale, të cilat janë shndërruar në një formë të re të kontrollit shoqëror. Perceptimi i imazhit është kufizuar dhe reduktuar në dukjen apo në “kulturën vizuale”. Platformat e ndryshme mediale si Facebook, Twitter, Instagram, YouTube etj., janë bërë mjedise që mundësojnë prezantimin e vetes në terrenin online. Media sociale është duke u shndërruar në një sferë të re publike, e cila ua mundëson njerëzve të krijojnë dhe shfaqin identitete të ndryshme duke i atribuuar vetes më shumë cilësi dhe vlera nga çka i posedojnë. Paraqitja e vetes ndryshe nga ç’është në të vërtetë diktohet nga ajo se çka kërkohet dhe pranohet si “normale”, “e dëshirueshme” apo “e denjë” për masën për një kohë dhe vend të caktuar. Për Marcuse-n, ideja e “lirisë së brendshme”, tregon hapësirën private ku njeriu mund të bëhet dhe të mbetet “vetvetja”. Por, kjo hapësirë private është pushtuar dhe zvogëluar sot nga realiteti teknologjik. Mungesa e aftësisë për mendim origjinal dhe kritik rezulton në një univers “njëdimensional” të të menduarit dhe të sjellit.
Asnjëri nga teoricienët e cituar lart nuk ishin dëshmitarë të rolit dhe ndikimit të rrjeteve sociale në jetën e njeriut modern, por përmes teorive dhe koncepteve të tyre marrin kuptim shumë sjellje të njeriut modern dhe shoqërisë kapitaliste. Teoria e Goffman-it për veten, ajo e Marcuse-s për në nshtrimin e individëve ndaj nevojave false dukë u shndërruar në njerëz njëdimensional dhe e Fromm-it për lirinë dhe ikjen e individit nga ajo duke u shndërruar në dikë ose në diçka jashtë vetvetes për t’u bërë identik me miliona njerëz të tjerë, vazhdojnë të jenë relevante edhe sot.
__________________
1. James W. Vander Zanden, Social Psychology, New York, McGraw-Hill, Inc., 1987, f. 141.
2. Erich Fromm, Shoqëria e Shëndoshë, Tiranë, Fan Noli, 2012, f. 62.
3. Po aty, f. 24.
4. Erich Fromm, Arratisje nga Liria, Tiranë, Phoenix, 1998, f. 84.
5. Po aty, f. 106.
6. Po aty, f. 141.
7. Po aty, f. 155.
8. George Ritzer dhe Douglas Goodman, Teoria Sociologjike, Tiranë, Ufo Press, 2008, f. 374.
9. Herbert Marcuse, Njeriu Njëdimensional, Tiranë, Plejad, 2006, f. 23.
10. Po aty, f. 28-30.