“Kur’ani është, pa dyshim, Shpallja e Zotit të të gjitha botëve. E solli i besuari Xhibril. Në zemrën tënde, të bëhesh thirrës, lajmëtar. Në një gjuhë të qartë arabe”.(Esh- Shu’ara: 192 – 195)
Bota Islame, që nga zbritja e Kur’anit, pati këtë libër një, në fenë islame nuk ka tjetër tekst kanonik me prejardhje hyjnore; vetëm Kur’ani e ka këtë privilegj – të mbetet libër ose Frymë Hyjnore që nga fillimi deri në fund. Kur’ani është Fjalë e Zotit, është edhe mrekulli e Tij.
Ka zbritur në këtë botë Natën e Fuqisë (Lejletul Kadër), nga fundi i muajit Ramazan, muaji i nëntë i kalendarit hënor, muaji i cili agjërohet nga myslimanët, kurse kjo natë festohet në mënyrën më specifike. Kjo ishte “zbritje” (tenzil) shpirtërore në zemrën e Pejgamberit a.s., derisa ai gjatë muajit Ramazan përsiaste në një shpellë në malin Hira, jo shumë larg Mekës. Kjo zbritje vertikale e Kur’anit u shfaq në dimensionin e jashtëm në shpalljet fragmentare që dolën prej tij, të nxitura nga kjo apo ajo rrethanë, përgjatë periudhës 23-vjeçare të misionit të tij pejgamberik.(1)
Por, nuk kishte asgjë të re në mesazhin mbi malin Hira. Kjo ishte thjesht Feja e vjetër e Zotit, që kishte zbritur vazhdimisht, por që i ishte besuar të Dërguarit Muhamed për t’ua përcjellë jo vetëm arabëve, po të gjithë njerëzve të botës. Kjo fe tashmë “e re”, nuk kishte filluar në malin Hira, veçse në ditën e Krijimit, sepse edhe vetë Kur’ani nuk deklaron fshirjen e zbritjeve të mëparshme.(2)
Kur’ani është mrekullia e vetme dhe më e madhja që Allahu xh.sh. e përcolli përmes Xhibrilit tek i Dërguari i fundit -Muhamedi a.s., tek një i Dërguar që, siç e ka cilësuar edhe Gëteja Muhamedin në një dorëshkrim që mban datën 27 janar 1816, është “Kreu i qenieve të krijuara”.
Zbritja e Kur’anit nga rrafshi i pakrijuar i realitetit në atë të krijuar, u krye përmes rrezes ndriçuese të dritës së Shpirtit të Shenjtë, i personifikuar në Xhibrilin a.s. - Krye – Engjëllin e Shpalljes dhe tutorin e Pejgamberit a.s.. Mrekullia që përshkon këtë libër dhe që ka dallim të madh karshi një libri të rëndomtë, nuk ka të bëjë me karakteristikat gramatikore, sintaksore, gjë që mund të imitohen, por prania Hyjnore në çdo shkronjë, melankolia e një artikulimi të bukur, bashkërendimi i ngjarjeve, - që të gjitha këto janë të paimitueshme, janë mrekulli e vetëm një koleksionuesi – Allahut xh.sh..
Pejgamberi a.s nuk kishte kurrfarë kontrolli mbi rrjedhën e Shpalljes. Kur’ani i erdhi pavarësisht nga dëshira e tij: ai as nuk mund të shpejtonte ardhjen e vargjeve dhe të kapitujve, dhe as ta shtynte atë për më vonë. Realitetin e Shpalljes ai e përjetonte si subjektivisht, ashtu edhe objektivisht. Xhelaludin Rumiu, në veprimet e tilla që zbulojnë shumëllojshmërinë e interpretimit të Kur’anit, ka vërejtur “të hequrit e mbulesës” nga Kur’ani për se ka thënë se nuk dimë kurrë me siguri nëse ndonjë mbulesë është “ajo e vërteta”. Ai thotë: “Kur’ani është si gruaja e re e martuar. Madje edhe nëse orvateni t’ia
hiqni perçen, ajo nuk do t’ju shfaqet. Nëse debatoni për Kur’anin, nuk do të zbuloni asgjë dhe nuk do të shijoni kurrfarë kënaqësie. Kjo është për shkak se mundoheni ta shkulni mbulesën, po Kur’ani nuk e lejon këtë. Duke
përdorur dinakërinë dhe mashtrimin e duke u bërë të neveritshëm dhe të padëshiruar në sytë tuaj, ai ju thotë: “Unë nuk jam ajo që doni ju”. Dhe në këtë mënyrë ajo mund të shfaqet në çfarëdo forme.” Shpallja Kuranore, të cilën Pejgamberi kishte filluar ta marrte nga momenti i meditimit në malin Hira, shkaktoi pasoja shpirtërore, psikike dhe fizike tek Pejgamaberi a.s..
Ishte një përjetim tronditës, sublim, i një prezence që mbushi të gjithë horizontin dhe prej të cilit “shpëtimi” ishte i pamundur. Ai tashmë ishte hedhur në një fushë që nuk e kishte imagjinuar kurrë, pjesa e sipërme e trupit të tij dridhej nga konvulsionet, vërshimi që përjetonte nga këto momente të kontaktit me Xhibrilin, kishin ndikuar edhe në natyrën fizike të tij. Me një rast, kur po i shpalleshin disa ajete të Kur’anit, trupi i Pejgamberit a.s. u bë aq i rëndë, saqë deveja mbi të cilën ishte ulur, më kot përpiqej ta mbështeste barrën e shtuar, me përshtatjen e këmbëve të veta. Në kohën kur u ndërpre shpallja, barku i devesë ishte ngjitur përtokë, ndërsa këmbët ajo i kishte të shtrira (Hadith).(3)
Njëherë Pejgamberi a.s. pati deklaruar: “Asnjëherë nuk mora një mesazh pa kujtuar se shpirti u shkul prej meje”. Sidoqoftë, krahas të gjitha vështirësive që kishte pasur gjatë këtij misioni në marrjen e Shpalljes nga ana e Pejgamberit a.s., Kur’ani u bë në një shpirt të pastër, pa kurrfarë pengesash që do ta errësonin rrezatimin e Shpalljes: “A nuk ta hapëm kraharorin dhe ta hoqëm barrën”. (El-Inshirah 1-2.)
Allahu është mbrojtës i Kur’anit
S’do mend, duhet të jetë e vështirë të shkruhet për një libër – mrekulli, që nuk është as i ngjashëm, por as nuk krahasohet me ndonjë libër tjetër, veçse, meqë u drejtohet krijesave, duhet bërë përpjekje për ta kuptuar brenda suazave të asaj që kuptohet. Për Kur’anin ka folur vetë Kur’ani, por kanë dhënë përshkrime dhe shumë kuptimësi edhe hadithet e Pejgamberit a.s.. Në pamundësi (për natyrën e shkrimit) për të përmbledhur të tëra ajetet dhe hadithet, një pjesë prej të cilave flasin në këtë drejtim, pra, vetëm disa ajete kur’anore, hadithe dhe emërtimet që i bëhen në tekstet hyjnore Kur’anit, janë të përfaqësuara një numër i madh karakteristikash të Fjalës Hyjnore, të cilat njëkohësisht mundësojnë edhe qasje më të mirë të njerëzve në kontaktin me Kur’anin. Kur’ani për Kur’anin, në disa ajete thotë: “Ne të zbritëm ty librin me plot të vërteta, që të gjykosh në mes njerëzve me atë që të mësoi Allahu...”. (En - Nisa, 4:105); “Ne me madhërinë Tonë e shpallëm Kur’anin dhe Ne gjithsesi jemi mbrojtës të tij”.(El - Hixhr, 15:9).
Kur’ani e përshkruan veten edhe: “Kur’an i nderuar në librin e fshehtë”.(El Vakia, 76-77.); “Kur’an i lavdishëm në tabelën e mbrojtur”(El Buruxh, 22).
Prandaj edhe hadithet e Pejgamberit a.s. flasin për Kur’anin, për shkakun e zbritjes së Kur’anit, për zbatimin e urdhrave të Kur’anit, formën se si duhet të lexohet etj.. Pejgamberi a.s. thotë: “Unë ju lashë dy gjëra. Nëse u përmbaheni atyre, nuk do të devijoni. Librin e Allahut dhe Sunetin tim”. “Ata që dëshirojnë të dinë dijen e të parëve dhe të prapëve, le ta lexojnë Kur’anin”.
Kur’ani në retrospektivë
Jemi në një vit jubilar të përkthimit të Kur’anit në gjuhën shqipe, përkujtim për një libër i cili është bazë themelore e fesë islame, e kulturës dhe e qytetërimit në përgjithësi. Është platformë e vetme që unifikon gjithë besimtarët myslimanë kudo që janë. Kur’ani, si një libër i pakrahasueshëm gjatë gjithë kohëve qysh nga fillimi i zbritjes, kishte nxitur edhe interesimin e njerëzve nga të gjitha anët e botës, pra një libër që nuk i interesonte vetëm Botës Arabe, por mbarë botës në përgjithësi. Të gjithë të interesuarit nuk kishin të njëjtin qëllim, disa e studiuan për ta kuptuar thelbin e Kur’anit dhe për të kënaqur shpirtin nga bukuria që përmban ky libër; të tjerët iu qasën në mënyrë tendencioze për qëllimet e tyre antiislame. Sidoqoftë, sot Kur’anin e kemi një libër të kompletuar, pa asnjë fije dyshimi. Sot nuk ka popull në botë që nuk e ka të përkthyer këtë libër në gjuhën e tij. Edhe shqiptarët, pavarësisht nga rrethanat, izolimet, okupimet e njëpasnjëshme si dhe konfliktet që përjetuan me armiqtë, në veçanti nga vendet fqinje, në këtë drejtim nuk mbetën mbrapa. Përderisa te popujt e tjerë të Evropës Kur’ani ishte përkthyer nga të krishterët, shumica e të cilëve ishin orientalistë, specialistë për gjuhën e kulturën orientale në përgjithësi dhe atë arabe në veçanti, dhe përkthimit të Kur’anit i ishin qasur për çështje misionare me qëllime antiislame, - Ilo Mitko Qafëzezi përkthimit të Kur’anit i hyri që t’u ofronte vëllezërve të tij të gjakut, që i përkisnin fesë tjetër-fesë islame. Në faqen e brendshme të kopertinës është dhënë përkushtimi i përkthyesit: “Bashkatdhetarëve kombëtarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës u dedikohet”.(4)
Kur’ani sot
Duket se ka qenë e vështirë, madje edhe e pamundur që një gjuhë, siç është gjuha e Kur’anit, të përkthehej, prandaj kjo punë u bë problem serioz për shumë përkthyes, sepse e dimë se gjuha kur’anore krijon një botëvështrim (i cili është edhe religjioz), ndërkohë që s’duhet harruar që historia e tërësishme e gjuhës arabe, para se të “sanksionohej” me Kur’anin si gjuhë e shenjtërisë dhe shpirtërores islame, kishte qenë nën ndikime të pareshtura të traditës monoteiste, e cila ishte zhvilluar në indin e gjuhës hebraike, si edhe të gjuhëve të tjera, me të cilat korrespondon “gjenetikisht” dhe gjeografikisht.(5)
Rrjedhimisht, gjuhët janë të ndryshme, dhe “ndryshueshmëria e gjuhëve dhe e ngjyrave të njerëzve është argument i Zotit”(Kur’ani, 30: 22). Sot, meqë e kemi Kur’anin në gjuhën shqipe, do të thotë se ky Kur’an në vete, përveç një përkthimi që hera-herës, është përkthyer vetëm nga kuptimi sintaksor, - duhet parë si një rezultat dhe si një eveniment shumë i rëndësishëm për besimtarët myslimanë shqipfolës. Sidoqoftë, përkthimi i Kur’anit që nga fillimi i historisë së vet, nuk arriti të shterohej asnjëherë nga gjykimet teologjike mbi “pamundësinë” e përkthimit, duke e quajtur madje të gabueshëm ndërmarrjen e një përkthimi të tillë. Por, pavarësisht nga të gjitha këto qëndrime e opinione, Kur’ani është përkthyer në të gjitha gjuhët e botës. Nuk do të hyjmë në çështjen e të dhënave statistikore rreth historikut të përkthimit të Kur’anit në gjuhën shqipe, por me pak fjalë do të shtrojmë se edhe tek ne, fillimisht, kishte pasur rezistencë rreth përkthimit të Kur’anit.
Megjithëkëtë, mund të theksohet se kjo rezistencë ishte jetëshkurtër, sepse çështja u shtrua më tepër jo a të përkthehet Kur’ani, por si të përkthehet ai më mirë dhe çfarë metode e rruge të ndiqet gjatë përkthimit. Por, rezistenca e ulemasë shqiptare rreth mos/përkthimit të Kur’anit ishte e arsyeshme, sepse në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX populli shqiptar ballafaqohej me ndikime politike, ushtarake, ekonomike dhe kulturore të shumta e të fuqishme perëndimore, nën dirigjimin e kishës katolike dhe lindore të dirigjuara nga Kisha ortodokse. Cituar sipas Dr. Ismail Bardhit, disa autorë vonesën e përkthimit të Kur’anit në gjuhën shqipe e shohin si provë të konceptimit të ulemasë së vendit mbi pamundësinë e përkthimit të Kur’anit në gjuhë të tjera.(7)
Pavarësisht nga të gjitha situatat nëpër të cilat ka kaluar Kur’ani, qoftë në ruajtjen e tij në origjinalitetin që ka edhe sot (dhe do ta ketë)(Ismail Bardhi, Hafiz Ibrahim Dalliu dhe ekzegjeza e tij kur’anore..(“Ne me madhërinë Tonë e shpallëm Kur’anin dhe Ne gjithsesi jemi mbrojtës të tij” Hixhr, (15:19), por edhe në përkthimet që i janë bërë, myslimanët e kanë të vetmen pikë referimi për çdo sjelle të jetës njerëzore. Madje, cituar sipas Dr. Metin Izetit: “Qëllimi i Kur’anit para së gjithash është përqendruar në dy momente themelore: 1)
Në lidhshmërinë e njeriut me Zotin e tij dhe 2)
Në lidhshmërinë e njeriut me shoqërinë njerëzore. Sipas aspektit të parë njeriu nëpërmjet Kur’anit formon lidhshmërinë me Zotin e vetëm dhe që e pranon natyra njerëzore, e konfirmon Njëshmërinë e Zotit të vërtetë me bindje për t’i eliminuar të gjitha llojet e zotave të rrejshëm dhe që i dalin në rrugë këtij qëllimi. Sipas aspektit të dytë, njeriu formon lidhshmërinë me shoqërinë për ta kompletuar mënyrën e solucionit të vetëm të problemit të kontrastit dhe për ta realizuar në të njëjtën kohë edhe drejtësinë hyjnore...”(8)
Kur’anin e lexojnë mijëra shqiptarë kudo që ndodhen, e ruajnë si librin më të çmuar, e vendosin më lart karshi çdo libri tjetër, e ruajnë në sirtarët më të bukur. Ky është libër për të gjitha nevojat shpirtërore dhe një bibliotekë e shenjtë që jep libra të përshtatshëm për rrugët e për metodat e të sinqertëve dhe dijetarëve.(9)
Çdo xhami në Kosovë ruan dhe kultivon institucionin e mësimit të leximit të Kur’anit nga gjeneratat e reja; organizata të shumta me qëllime sublime kanë krijuar kurse për mësimin e leximit të Kur’anit, brenda vetë Medresesë funksionojnë edhe garat e leximit të bukur të Kur’anit, që mbahen çdo vit dhe tashmë kanë krijuar një traditë. Të gjitha këto janë vetëm një dëshmi se Kur’ani asnjëherë nuk do të shuhet në këto troje, jo vetëm sepse i Madhi Zot ka garantuar për ruajtjen e këtij libri, por pikërisht edhe për faktin se janë besimtarët ata që e kultivojnë dhe e transmetojnë brezni pas breznie. Një
praktikë të tillë myslimanët e morën nga ashabët e Pejgamberit a.s., ndërsa këtë praktikë ua mësuan edhe të tjerëve, shpeshherë duke bërë leximin e Kur’anit jo si të një libri me fabul ose tregim interesant, por si një mrekulli që nuk ka ngjasim me asnjë libër tjetër. Si përfundim për këto që u thanë, dua të përmend vetëm shembullin e Gëtes. “Shileri, në një letër për Kimbelin,
që mban datën 22.02.1815, tregon se Gëteja u lexonte me zë të lartë anëtarëve të familjes së Dukës së Vajmarit dhe miqve të tyre përkthimin e Kur’anit në gjuhën gjermane nga Jozef fon Hameri dhe se vetë Shileri, bashkë me të shoqen, kishin marrë pjesë në një takim të tillë”.(10)
Për Gëten Kur’ani është, thjesht, libri i librave (Das Buch der Bücher).
___________________________
(1)Ismail Bardhi. Kriza e teologjisë myslimane shqiptare, Shkup, 2009, botoi “Logos – A”, f. 56.
(2) Karen Armstrong, Muhamedi një biografi e Profetit, Tiranë, 2006, f. 110.
(3) Ismail Bardhi. Ibid. f. 59.
(4) Cituar sipas Ramadan Shkodrës, Nisma e përkthimit të Kur’anit në gjuhën shqipe nga Qafëzezi – vepër monumentale e kulturës islamo – shqiptare. Në, www.forumishqiptar.com.
(5) Enes Kariç, Si të komentohet Kur’ani, pa vit botimi, Botoi Fakulteti i Studimeve Islame – Prishtinë. f. 46.
(6) Cituar sipas Nexhat Ibrahimit, Mbi përkthimin e Kur’anit, në www.zeriislam.com.
(7) Ismail Bardhi, Hafiz Ibrahim Dalliu dhe ekzegjeza e tij kur’anore, Shkup, 1998 f. 110, fusnota 195.
(8) Metin Izeti, Ethet e metafizikës, pa vit botimi, Botoi shoqata kulturore “Skofia” f. 138.
(9) Musa Musai, Psikologjia e identitetit fetar, Gostivar, 2005. f. 209.
(10) Edvin Cami, Gëtja mes perëndimit dhe misticizmit oriental, Tiranë, 2009. f. 63.
Dituria Islame 242