Gjatë historisë njerëzore, popuj të ndryshëm ndoqën forma të llojllojshme të besimit dhe adhurimit ndaj Zotit. Disa prej tyre e besuan Atë duke e përngjasuar me gjëra të tjera në gjithësi, si me gurë, drurë, diell dhe krijesa të tjera ekzistuese; disa të tjerë duke ia përshkruan Atij atributet e njeriut; e disa të tjerë shkuan aq larg duke e përshkruar si një gjallesë të jashtëzakonshme. Ndërsa Islami, porositi që të besohet Zoti Një, Krijues i kësaj gjithësie, Zot të cilit i nënshtrohet çdo gjë në gjithësi, cilësitë e të Cilit janë të përhershme, pa fillim dhe pa mbarim, janë të pa zhdukura, kurse cilësitë e njerëzve janë të krijuara sikurse edhe vetë ata. Pra është Ai që nuk i përngjan askujt dhe askush nuk i përngjan Atij. Kjo është forma e duhur dhe e drejtë e besimit ndaj Krijuesit dhe në këtë mënyrë të besimit, kishin thirrur të gjithë pejgamberët, duke filluar nga Ademi a.s., e deri te Muhamedi a.s.. Një ndër kaptinat kuranore, e ndërthurur me shprehje tejet koncize dhe të mrekullueshme, që përshkruan cilësitë e larta të Zotit Një, është edhe kaptina El Ihlas, kaptinë kjo e zbritur në Meke(1) dhe e cila përbëhet vetëm nga katër ajete.
EMËRTIMI DHE SHKAKU I ZBRITJES SË KAPTINËS IHLAS
Kjo kaptinë është emërtuar me disa emra si: “Suretu’l Ihlasi” – kaptina e pastërtisë, e të kulluarit, e sinqeritetit, e thjeshtësisë, ngase kjo kaptinë pastron besimin prej gjërave të kota, kullon bindjet prej kotësive (ose besëtytnive), thjeshtëson besimin e drejtë prej ngatërresave të futura nga injorantët, ndihmon drejt një besimi të sinqertë ndaj Atij që e meriton. Edhe pse ky emërtim është më i njohuri, mufesiri Razi, rendit njëzet emra të tjerë të saj dhe thekson se të gjithë ata për nga kuptimi janë në përpjesëtim me karakterin dhe përmbajtjen e kaptinës. Andaj kjo kaptinë njihet edhe si “Surja e Teuhidit (kaptina e monoteizmit)”, “Surja e Tefridit” (kaptina e njëshmërisë), “Surja e Texhridit” (kaptina e veçimit), “Surja e Nexhatit” (kaptina e shpëtimit), “Surja e Uelajetit” (kaptina e autoritetit), “Surja e Ma’rifetit” (kaptina e njohjes).(2) Po ashtu kjo kaptinë njihet si “Surja Samed” dhe “Surja Muauidh”,(3) “Surja Mani’a” (ndalesë, mburojë), “Surja Nur” (kaptina dritë), kurse së bashku me kaptinën Kafirun, për shkak se të dyja vërtetojnë monoteizmin dhe mohojnë çdo formë të politeizmit janë emërtuar të dyja si “suret Ihlasajn”.(4)
Sa i përket sebebi nuzulit – shkakut të zbritjes së kësaj kaptine, transmetohet se disa idhujtarë e pyetën Pejgamberin a.s., duke i thënë: “O Muhamed, na trego prej çka është ai Zoti yt, a është prej ari, argjendi, diamanti etj.?” Atëherë si përgjigje u shpall kjo kaptinë, ku u përshkruan cilësitë e Zotit të Madhëruar, duke thënë se Allahu është Një, nuk ka të dytë, është i vetmi, nuk ka shok, është Një i Vetmi Sundues. Allahu është caku, synimi, qëllimi i çdo krijese, sepse çdo krijesë ka nevojë për Të, kurse Ai nuk ka nevojë për asgjë. Allahu nuk pati fëmijë, sepse fëmijët do të duhej të kenë cilësi të babait, e Ai është i Përjetshëm, pa fillim dhe pa mbarim. Uzejri nuk ishte djalë i Tij, sikurse thanë jehuditë, e as Isai, siç thanë të krishterët, po as engjëjt nuk janë bija të Zotit, siç menduan disa idhujtarë.(5)
Sipas Muhamed Abduhu, nuk ishte e nevojshme që dikush ta pyeste të Dërguarin a.s., për origjinën dhe përshkrimin e Zotit e që kjo kaptinë të shpallej si përgjigje ndaj tyre, porse gjendja e popullit arab dhe e mbarë njerëzimit, vetvetiu solli deri te misioni i të Dërguarit të Allahut a.s. dhe në shpalljen e një kaptine si kjo për t’i thirrur edhe mushrikët edhe ithtarët e librit (hebrenjtë, krishterët) të besojnë në një Zot, po ashtu edhe t’ua definojë nocionin e Zotit në mënyrë sa më të shkurtër dhe më të qartë.(6)
LIDHMËRIA E KËSAJ KAPTINE ME KAPTINAT E TJERA
Kjo kaptinë për nga përmbajtja ka një lidhmëri të ngushtë me katër kaptinat kuranore, që zënë vend para saj në renditjen kuranore: Mesed, Nasr, Kafirun dhe Keuther. Duke u nisur nga fakti se në kaptinën Keuther qortohen politeistët ngase përçmonin të Dërguarin e Zotit kur i vdisnin djemtë – me urtësinë e Zotit të Madhërishëm – duke thënë se ai ishte farë e sosur, në kaptinën Ihlas ata qortohen për atribuimin e fëmijëve që ia bënë Zotit të Lartësuar.(7) Përveç kësaj, përderisa në kaptinën Kafirun flitet për shkëputjen e çdo lloj lidhjeje mes atyre që adhurojnë idhuj dhe besimtarëve që adhurojnë të vetmin Zot Krijues, në kaptinën Nasr, shprehet shpëtimi i besimtarëve nga kjo gjendje poshtëruese dhe përgëzimin për Pejgamberin a.s., se do ta çlirojë Mekën dhe në kaptinën Mesed, lajmërimi dhe përgëzimi i besimtarëve me vërtetimin se armiku më i ashpër i Islamit, Ebu Lehebi dhe bashkëshortja e tij e cila bartte f jalë, bënte intriga dhe bartte ferra dhe i hidhte në rrugën nga kalonte Pejgamberi a.s., do të jenë banues të zjarrit, në renditjen kuranore zë vend kaptina Ihlas, e cila konsiderohet esenca e teuhidit që shpie në shpëtim,(8) duke plotësuar kështu kuptimin e këtyre kaptinave në mënyrë të mrekullueshme.
ATRIBUTET E ZOTIT TË PËRMENDURA NË KËTË KAPTINË
Kaptina Ihlas i adresohet Pejgamberit a.s., si mesazh për gjithë njerëzimin me frazën: “Thuaj: Ai, Allahu është Një!” duke dëshmuar kështu faktin që Allahu i Lartësuar me emrat, veçoritë dhe atributet e Tij është një, pa shok dhe i pazëvendësueshëm. Prandaj adhurimi i përket vetëm Atij dhe asgjëje tjetër. Pra në çdo formë dhe mënyrë Allahu është Një dhe i Vetëm, Ai është dhe do të jetë, dhe me të nuk ka dhe s’do të ketë asgjë. Mufesiri Razi, gjatë interpretimit të këtij ajeti kuranor, thekson se çdo gjë që ekziston ia detyron ekzistencën Allahut të Madhërishëm, ngase ekzistenca e çdo gjëje varet nga vullneti i Tij. Ai është që krijoi ata dhe përfundimi i tyre është në kompetencën e Tij, pra Ai është burimi i vetëm i vetëmjaftueshëm i të gjitha qenieve. Me fjalë të tjera, gjithçka në univers ndodh brenda kornizës së rregullave të vendosura prej Tij. Prandaj, universi mbijeton falë atributit të Tij të “Kajjumit”.(9)
Sa i përket shprehjes “Ehad” ka kuptimin “Një, i Vetëm” e që është atribut i përhershëm i Zotit xh.sh.. Sado që duket sikur emri Ehad (Një i vetëm) mbart të njëjtin kuptim me emrin Uahid (një), në mes tyre ekziston një nuancë e imtë ndryshimi në kuptim. Fjala “Ehad” është shprehje më e fuqishme elokuente e njëshmërisë. Kurse fjala Uahid mund të mbartë kuptim relativ si dhe konvencional, po ashtu ka një kuptim numerik. Fjala “Ehad”, nuk pranon ndarjen nga të qenët një në asnjë formë, si një i vërtetë që në asnjë mënyrë nuk lë mundësinë e të qenët dy ose një të dyti, pra është gjithherë një.(10) Si rrjedhojë, Ai është Krijuesi, natyrën e plotë të të Cilit gjuha është e mangët që ta përshkruajë dhe mendja e paaftë ta perceptojë.
Ky është një ajet madhështor i Kuranit të ndershëm për shkak të përmbajtjes së tij prej çështjeve madhështore dhe atributeve të larta të Allahut të Madhëruar, si dhe paraqitjes mbi adhurimin dhe reflektimin mbi konceptin e Zotit në besimin islam. Njashtu thekson faktin që Allahu nuk është i të njëjtit lloj me ato që Ai ka krijuar, prandaj Ai qëndron përtej të gjitha përfytyrimeve njerëzore rreth Tij. Prandaj Ai nuk ka shokë, asgjë nuk i ngjason Atij, Ai as nuk lind e as nuk ka lindur prej ndokujt. Asgjë, qoftë lëndë, hapësirë ose kohë, nuk mund ta kufizojë ose ta pengojë Atë. Kjo është arsyeja përse cilësitë e Tij absolute qëndrojnë përtej gjithçkaje që njeriu mund ta perceptojë.
Dhe nga veçimi i Tij i plotë me këto cilësi është edhe ajo se Ai është “Es Samed”, Ai i Cili duhet të jetë caku, synimi, qëllimi i çdo krijese, sepse çdo krijesë ka nevojë për Të, kurse Ai nuk ka nevojë për asgjë: “Allahu është Ai, që çdo krijesë i drejtohet (i mbështetet) për çdo nevojë.” Zoti Absolut dhe Madhështor, që nuk ka mbetur ndonjë cilësi përsosmërie veçse Ai është përshkruar me të, madje me gradën më të lartë të asaj cilësie dhe me kulmin e saj. Krijesat nuk mund të imagjinojnë dot asnjë pjesë të Cilësive të Tij të Larta dhe, nuk mund t’i përshkruajnë dot ato me gjuhët e tyre. Prandaj të gjitha krijesat janë nevojtare për Të, për ardhjen e tyre në ekzistencë, për rregullimin e jetës së tyre dhe për vazhdimësinë e saj dhe i drejtohen për çdo nevojë, kërkesë, gjendje dhe vështirësi: “Atij i drejtohet me lutje kush është në qiej e në tokë, dhe Ai në çdo moment është i angazhuar në çështje të reja.”(11) Ibën Kethir në interpretimin e këtij ajeti kuranor shton se Atij i përgjërohet gjithçka në amshim, tek Ai përfundon Zotërimi i gjithçkaje.(12)
Në këtë kaptinë madhështore vazhdohet me sqarimin se Zoti xh.sh. nuk ka nevojë për asgjë dhe se çdo gjë ka nevojë për Të kur thuhet se: “As s’ka lindur kënd, as nuk është i lindur.” Pra përmes aludimit (kinaje), theksohet se Zoti nuk është origjinë (prind) dhe as anëtar (fëmijë/vajzë-djalë) që rrjedh nga ndonjë origjinë.(13) Ai është i Përjetshëm, pa fillim dhe pa mbarim. Allahu nuk është as baba e nënë që lind dhe as fëmijë i lindur. Sepse krijesat janë të lindura prej njëra-tjetrës, dhe njëra është prind dhe tjetra e lindur, dhe çdo krijesë është krijuar prej një lënde, ndërsa Zoti i Lartmadhëruar është i Pastër nga përngjasimi me ta në këtë aspekt, ashtu siç është i pastër nga përngjasimi me krijesat edhe në çdo cilësi tjetër. Allahu i Lartësuar thotë: Ata thonë: “I Gjithëmëshirshmi ka një bir”. Keni thënë diçka vërtet të tmerrshme! Qiejt gati sa nuk copëtohen prej kësaj; Toka gati sa s’çahet e malet sa s’rrëzohen të thërrmuara, ngaqë ata i veshin një bir të Gjithëmëshirshmit. Kurrë nuk i shkon (madhërisë së) të Gjithëmëshirshmit të ketë një bir. S’ka krijesë që gjendet në qiej dhe në Tokë e që të mos vijë si rob para të Gjithëmëshirshmit. Sigurisht që Ai e njeh mirë gjithsecilin prej tyre dhe i ka numëruar të gjithë saktësisht. Çdonjëri prej tyre, në Ditën e Kiametit, do të dalë fill i vetëm para Tij.”(14)
Njëkohësisht ky ajet hedh poshtë pretendimet e shtrembëruara të hebrenjve: “E jehuditë thanë: Uzejri është djali i Allahut.”,(15) të krishterëve: “E të krishterët thanë: Mesihu është djalë i Allahut.”(16) dhe të politeistëve të Mekës: “Ata i përshkruajnë Allahut vajza.”(17) të cilët i përshkruan Zotit diçka që nuk i përkon. Në këtë kontekst në një hadith kudsij thuhet se Profeti a.s. ka thënë: “Allahu i Lartësuar ka thënë: “Më përgënjeshtroi biri i Ademit dhe nuk i takonte ta bënte këtë. Më ofendoi biri i Ademit dhe nuk i takonte ta bënte këtë. Sa i përket përgënjeshtrimit, është fjala e tij: Zoti nuk do më kthejë (ringjallë) ashtu siç isha më parë dhe se rikthimi (i krijimit) nuk është më i lehtë për Mua se fillimi i tij. Sa i përket ofendimit, qëndron te fjala e tij: Allahu ka fëmijë, ndërkohë që unë jam Allahu, Një dhe i Vetëm! Allahu është Absoluti, të Cilit i përgjërohet gjithçka në amshim. Ai as nuk lind, as nuk është i lindur. Dhe askush nuk është i barabartë (a i krahasueshëm) me Atë!”.(18)
Zoti i Madhërishëm e përkreu këtë pastrim duke mohuar të gjitha llojet e politeizmit dhe mosbesimit me fjalët: “Dhe Atij askush nuk i është i barabartë.” Pra as në emrat e Tij, as në cilësitë e Tij, as në veprat e Tij e as në të gjitha të drejtat e Tij absolute me të cilat Ai është veçuar nuk ka të ngjashëm, as shembull, e as të barabartë siç pretendonin politeistët kurejshë me adhurimin e idhujve.(19) Ky ajet thekson ndryshimin absolut midis Krijuesit dhe krijesave. Në shenjë të përulësisë dhe ndjenjës së varësisë para Krijuesit të tyre, besimtarët duhet të shprehin përkushtimin e tyre ndaj Zotit me besim të thellë në mëshirën dhe fuqinë e Tij absolute. Prandaj një kaptinë si kjo me përmbledhje madhështore dhe koncize padyshim që mund të llogaritet me një të tretën e Kuranit, ngase të gjithë emrat e bukur të Allahut dhe cilësitë e Tij të larta të përmendura nëpër kaptinat e tjera në Kuran janë shtjellim më i gjerë i emrave dhe cilësive të përmendura në këtë kaptinë. Me një sqarim të saktë të konceptit dhe atributeve të Zotit në besimin Islam, kjo kaptinë vërteton pasaktësinë e perceptimit të Zotit në fetë e tjera.
___________________________
1. Ekziston edhe një mendim që kjo kaptinë është e zbritur në Medine.
2. Raziu, Mefatihu’l-Gajb, XXXII/357-358.
3. Nesaiu, Istiadhe 1, Musned III, 417; IV 144, 153.
4. Alusi, Ruhu’l-Meani, XXX/266.
5. Sujuti, Durru’l-Menthur,VIII, 670.
6. Abduhu, Tefsiri i xhuzit Amme, 47.
7. Raziu, Mefatihu’l-Gajb, XXXII/357.
8. El Bikai, Nazmu’d-Durer, XXII/327.
9. Raziu, Mefatihu’l-Gajb, XXXII/359.
10. Maturidi, Te’vilat, XVII/377.
11. Rrahman, 54/29.
12. Ibën Kethiri, Tefsiru’l-Kur’ani’l-Adhim, v. IV/570.
13. Ibën Ashuri, Et Tahrir ve’t-Tenvir, XXX/619.
14. Merjem, 19/88-95.
15. Teube, 9/30.
16. Teube, 9/30.
17. Nahl, 16/57.
18. Buhari, nr. 4974.
19. Raziu, Mefatihu’l-gajb, XXXII/366