Një shtëpi e bukur, nuk është krejt e bukur vetëm nga forma strukturale e saj, por bukuria e vërtetë dhe e pashtershme, duket në sjelljen dhe në bukurinë morale e fetare të banorëve të saj.
Nëse dikush do të na pyeste, nëse, vallë, shtëpitë (lexo: familjet) tona janë vërtet islame, me siguri pjesa dërrmuese nga ne, në mos që të gjithë, do të përgjigjeshim, pa fare dyshimi - po. Babai mysliman, nëna myslimane, fëmijët të lindur në një martesë hallall, janë myslimanë, kanë emra myslimanësh, etj.. Megjithëkëtë, a është i mjaftueshëm ky parametër, për të vlerësuar se sa është islame një shtëpi?Ç’është, në fakt, ajo që një shtëpi e bënë islame? Ja disa pika, përmes të cilave duket apo do të duhej të dukej realiteti i një shtëpie, e cila frymon në mënyrë islame. Le të kemi kujdes gjatë leximit dhe le ta pyesim vetveten dhe familjen nëse, vërtet, shtëpitë tona i plotësojnë kushtet për të qenë shtëpi islame apo jo! Ekziston një numër i konsiderueshëm hadithesh, të cilat vënë në pah rëndësinë e zgjedhjes së një partneri të drejtë dhe të devotshëm. Urtësia që qëndron këtu, është shumë e qartë, individi i devotshëm (besimtar) ka më shumë mundësi që partnerit të tij, t’i sjellë lumturi e kënaqësi, dhe në këtë mënyrë, një çift i këtillë do të arrijë që, së bashku, të ndërtojë një familje të shëndoshë dhe një jetë të bukur familjare. Ky, pra, është themeli i suksesit për çdo familje.
Ndihma ndaj njëri-tjetrit
Kjo shkallë fillon me ndjenjën e secilit nga bashkëshortët, që të orvaten të kryejnë obligimet dhe detyrimet që kanë ndaj njëri-tjetrit, ndaj farefisit dhe ndaj rrethit më të gjerë, dhe kjo të kërkohet të arrihet përmes një ndjenje të ndërsjellë respekti dhe dashurie. Kjo, gjithashtu, përfshin edhe ndihmën reciproke që duhet dhënë në mësimin, shpjegimin dhe nxitjen për praktimin e mësimeve fetare. Lënia pas dore e kësaj, ka bërë që shtëpitë tona, sot, të duken më pak shtëpi islame e më shumë shtëpi nga të cilat del përçarja, mospajtimi, dhuna, amoraliteti, etj.. Përmes ndihmës së ndërsjellë, qoftë në aspekte të kësaj dynjaje, qoftë të fesë, ne do të kemi sukses ta kthejmë shtëpinë tonë në një vend të heresë dhe prehjes, moralit dhe devotshmërisë, diturisë dhe dëgjueshmërisë. Besimi i një familjeje reflekton në rendin shtëpiak të saj.
Një shtëpi ku përmendet vazhdimisht Allahu i Madhërishëm
Të përmendurit e allahut të madhërishëm mund të bëhet përmes shumë formave, siç mund të jetë kujtimi me zemër, përshpëritja me gjuhë, me anë të faljes së namazit, duke lexuar Kuranin famëlartë, duke kryer dhikrin në mëngjes e mbrëmje, po edhe brenda ditës. Përmendja e Allahut mund të bëhet edhe duke diskutuar për çështje dhe tema fetare ose duke lexuar literaturë të mirë dhe të dobishme, qoftë fetare ose tjetër. Kjo do të mund të vërtetonte supozimin se melaqet, në një shtëpi ku përmendet vazhdimisht Allahu, sjellin paqen, mëshirën dhe bekimin e Tij. Madje, kjo përmendje dhe ky kujtim i Zotit, do ta bënte një shtëpi (lexo: familje) të gjallë, dinamike dhe plot atmosferë, përkundrejt asaj që qëndron larg të përmendurit, e që do të krahasohej me një shtëpi të lënë pas dore dhe të vdekur’. Përafërsisht kështu, edhe i dashuri ynë, muhamedi a.s., kishte porositur: “Shembulli i një shtëpie në të cilën përmendet Allahu dhe i shtëpisë në të cilën nuk përmendet Ai, është sikur shembulli i të gjallit dhe të vdekurit”. (Muslimi)
Shtëpitë janë vatra të devotshmërisë dhe ibadetit
Shtëpitë, në të cilat nuk falet namazi në mënyrë të rregullt, e jo më ato në të cilat as që diskutohet për falje të namazit, nuk mund të pretendojnë se janë, me të vërtetë, shtëpi islame. Sepse, ashtu sikur namazi e bën myslimanin, tamam besimtar, ashtu edhe një shtëpi do të ishte tamam islame, nëse në të do të kryhej namazi rregullisht, pse jo edhe me xhemat, kur të ishte mundësia. shtëpitë islame janë vatra të ibadetit dhe devotshmërisë. Herë-herë ato kanë edhe vende të posaçme për faljen e namazeve, kryerjen e dhikrit dhe kalimin e një kohe të caktuar në meditim. Sidomos kjo do të ishte e mirëseardhur për gratë, për të cilat do të ishte më mirë që namazet e tyre t’i kryenin në shtëpi, sikurse rekomandohet edhe për meshkujt që namazet vullnetare (nafile) t’i falin, po ashtu, në shtëpi. i dashuri ynë, muhamedi a.s., në një thënie të tij të bukur, na ka porositur: “Namazi vullnetar, i falur në shtëpi, është shumë më i vlefshëm sesa namazi vullnetar i falur në xhami, ashtu sikur namazi i obligueshëm (farz), i falur në xhami, është shumë më i vlefshëm nga ai namaz i obligueshëm - i falur në shtëpi”. (Sahihu’l-xhami’)
Leximi dhe arsimimi janë aktivitete të vazhdueshme në shtëpi
Kjo duhet të jetë përgjegjësia dhe obligimi kryesor i udhëheqësit të shtëpisë, i cili do të duhej patjetër ta udhëhiqte familjen e tij në rrugën e drejtë, drejt progresit familjar, duke insistuar kështu që sa më shumë të largohen nga gjërat e parëndësishme, gjegjësisht nga veprimet skandaloze e duke krijuar një mjedis të përshtatshëm për kryerjen e veprimeve të mira dhe të dobishme. Nxitja dhe motivimi për dituri duhet të jetë obligim i secilit anëtar të familjes, e njëkohësisht, kjo paraqet edhe bazën e shëndoshë për forcimin dhe afirmimin tonë në besim dhe fe. Sfera e ineteresimit për lexim dhe përgatitje shpirtërore duhet të përfshijë sfera të ndryshme të Islamit, nga i cili të gjithë anëtarët do të kenë dobi. Në këtë rast, në mënyrë shumë të veçantë, duhen nxitur dhe mobilizuar fëmijët që të jenë sa më shumë në kontakt me librin dhe literaturën e dobishme, në mënyrë që nesër, të kenë mundësi vetë, në mënyrën më të mirë, ta organizojnë jetën e tyre.
Një bibliotekë islame në shtëpi
Biblioteka duhet të përbëhet nga libra, audio dhe videokaseta si dhe nga CD të ndryshme. Duhen siguruar materiale të besueshme dhe të dobishme, nga të cilat do të përfitojnë të gjithë anëtarët e familjes. Biblioteka duhet të pasurohet me materiale nga më të ndryshmet, që nesër të ketë mundësi të ofrojë atë që kërkohet nga të gjitha moshat. Librat me tematikë më të veçantë duhet të klasifikohen asodore që mundësia e përdorimit të tyre të jetë më e lehtë. Audio materialet dhe CD-të mund të përmbajnë këndim të Kuranit, ligjërata, tregime për fëmijë me karakter islam, si dhe ilahije. Për shfrytëzimin sa më të efektshëm të këtyre materialeve, anëtarët e familjës duhet të ndihmojnë njëri tjetërin dhe, herë-herë, të mëdhenjtë, në sytë e të vegjëlve, duhet të tregohen të kënaqur dhe të gëzuar pas përfundimit të ndonjë libri apo pas dëgjimit të ndonjë ligjërate, leximi të Kuranit apo dëgjimit të ndonjë ilahije të bukur. Interesimi për pasurimin e bibliotekës nuk duhet të fshihet, porse për të duhet të ushqehet ideja se biblioteka është aq e rëndësishme, sa është edhe konaku dhe sofra e bukës.
Muhamedi a.s. është model i moralit dhe sjelljes së bukur në shtëpi
Profeti ynë i dashur, jo vetëm me fjalët, por edhe me praktikën e tij, ka dëshmuar dhe përfaqësuar një sistem perfekt të moralit të shëndoshë familjar dhe një mënyrë të shëndoshë jetese brenda rendit shtëpiak. Prandaj e kemi model atë, Zoti qoftë i kënaqur me të. Të shumtë janë shembujt e bukur dhe të ngrohtë të Profetit a.s. ndaj familjes së tij. Ishte i butë dhe i përzemërt me gratë e veta. U ndihmonte në punët e tyre të shtëpisë, madje edhe vetë merrte iniciativa për riparimin e gjësendeve shtëpiake, që ishin të prishura. Prandaj, duke ndjekur shembullin e tij , hapë pas hapi, një familje islame do të sigurojë paqen dhe harmoninë familjare, kurse shtëpinë do ta kthejë në një vend prehjeje të vërtetë. Nga mesazhet e tij të bukura, që ndërlidhen me këtë aspekt, mund t’i veçojmë: “Kur Allahu i dëshiron të mirën një familjeje, Ai në mesin e anëtarëve të saj shton dashamirësinë”. (Imam Ahmedi). Gjithashtu ka thënë: “Allahu e do të mirën dhe dashamirësinë dhe për këtë ka shpërblim, sikurse nuk ka shpërblim për vrazhdësinë apo diçka të ngjashme.” (Muslimi). Që një familjeje Allahu t’ia dojë të mirën, e si rrjedhojë t’ia shtojë begatitë dhe dashamirësinë, ajo duhet, pra, të ecë hapave të më të mirit, muhamedit a.s..
Në shtëpi u përmbahemi dispozitave islame
Dispozitat që ndërlidhen me shtëpinë, janë të natyrave të ndryshme. Ndër to bëjnë pjesë ruajtja e sekreteve familjare, të kërkuarit e lejes për të hyrë në shtëpi, të mos shikohet në shtëpitë apo në oborret e të tjerëve, ndalesa e hyrjes në dhomën e prindërve në disa kohë të caktuara, respektimi i rendit shtëpiak, shmangia nga gibeti dhe nga fjalët e kota, etj.. Askush nga shtëpiakët nuk e kalon natën duke qenë i vetëm në shtëpi, sidomos kjo nuk duhet të ndodhë shpesh. Ibn Omeri, Zoti qoftë i kënaqur me të, përcjell nga Muhamedi a.s. të ketë thënë se njeriu nuk duhet të qëndrojë dhe as të udhëtojë i vetëm gjatë natës. (Ahmedi). Duhet të kihet kujdes që gruaja dhe femijët të mos mbesin pa kujdestar ose mbrojtje, nëse përgjegjësi i tyre ka nevojë të largohet nga shtëpia për një periudhë të caktuar. (Shih: Nuh, 28). Njerëzit e mirë dhe të ditur, të pritur në shtëpi, krijojnë atmosferë të bukur dhe me vete sjellin gjëra të mira e shumë të dobishme. Me ta është e mundur të flitet për shumë gjëra e tema interesante dhe private, dhe ata mund të jenë një burim i pazëvendësueshëm i informacioneve dhe diturive, të cilat nuk mund t’i marrim nga ndonjë burim tjetër, ngase, ngadonjëherë, këta njerëz dinë të shpalosin gjëra interesante, motivuese, të patreguara më parë. Gjithmonë duhet pasur kujdes që, kur t’I lutemi Allahut të Madhërishëm, t’i lutemi edhe për mundësinë e gjetjes së shokëve dhe miqve të mirë, të cilët, ndërkohë, do të kenë ndikim pozitiv mbi ne. Përsëri i kthehemi fjalës së më të mirit, muhammedit a.s., ku shohim, po ashtu, një mesazh shumë tërheqës. Aty thuhet: “Shoqërohuni vetëm me besimtarët, dhe hani me njerëzit e mirë”. (Ebu Davudi, Tirmidhiu).
Përfundim
Të nderuar lexues, ne këtu mund të sjellim e të trajtojmë edhe shumë pika të tjera, me anën e të cilave do të mund të shpalosnim realitetin e vërtetë të një shtëpie islame, por, meqë ky shkrim nuk është i natyrës që të zgjerohet edhe më tej, mendojmë se me kaq sa theksuam më lart, kemi arritur të tregojmë, me pak fjalë, esencialen/ thelbësoren për sa i përket pyetjes që vumë si titull të këtij shkrimi. Kjo që thamë, ishte një rrëfim, përmes të cilit udhëzohemi të qëndrojmë në vijë të përmbajtjes së rregullave të caktuara islame në shtëpi. i lumtur është ai, tek shtëpia e të cilit gjenden këto që thamë si synime për një familje islame, ndërsa ai që nuk i ka, le të orvatet të ndryshojë gjendjen e tij dhe të familjarëve të tij. Një shtëpi e bukur, nuk është krejt e bukur vetëm nga forma strukturale e saj, por bukuria e vërtetë dhe e pashtershme, duket në sjelljen dhe në bukurinë morale e fetare të banorëve të saj.
Dituria Islame 250