Fikhu islam ka një pozitë të veçantë dhe një rëndësi të madhe në shoqërinë islame. Ai është faktori kryesor në shfaqjen e sjelljes sonë shoqërore në jetën e përditshme, në çdo kohë dhe në çdo etapë. Ai sqaron rrugën e drejtë (më të saktën), rrugën e Pejgamberit (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin për të!), të cilën e pasuan edhe ashabët (Allahu qoftë i kënaqur me ta!), shoqëria e parë islame dhe pasardhësit e tyre nëpër kohë.
Fikhu islam ka këtë tretman dhe këtë pozitë të madhe për shkak të rolit të tij efektiv në orientimin e individëve në sjellje dhe veprimtari, në sistemimin e jetës familjare dhe të shoqërive në baza të shëndosha, që përfshijnë parimet hyjnore të ndërtuara mbi elementet e mirësisë dhe dashurisë.
Fikhu islam është një tërësi unike dhe e pandarë, është e pandashme nga jeta e Umetit islam në rrjedhat e kohës. Është madhështi krenare e këtij Umeti, veçori kryesore, të cilën nuk e ka pasur dhe as e ka ndonjë umet (shoqëri a popull) tjetër.
Po të vepronin drejt, sipas dispozitave të Fikhut të këtij Dini, pra në formën e duhur, ashtu si vepruan paraardhësit e tyre, myslimanët do të ishin në shkallën më të lartë të zhvillimit dhe qytetërimit, do të ishin populli më i përparuar.
Ai që mediton dhe studion Fikhun islam, do të vërë re se ai është një sistem gjithëpërfshirës që i dedikohet gjinisë njerëzore. Në të ka sqarim për raportet e njeriut me Krijuesin, për raportet e njeriut me njeriun, për raportet e ndërsjella në mes shoqërive të ndryshme me njëra-tjetrën, madje sqaron dhe raportet e njeriut me vetveten e tij. Po ashtu sqaron edhe raportet e njeriut me vendin, kohën dhe gjërat përreth tij.
Fikhu islam shpjegon namazin, zekatin, agjërimin, haxhin dhe të gjitha adhurimet (ibadetet) e tjera. Shpjegon rregullat e pastërtisë, si pastrimi i trupit, guslli dhe abdesi, etj.. Në të ka shpjegim për cilësitë e natyrshmërisë (sunen el-fitreti) si syneti, shkurtimi i mustaqeve, misvaku (pastrimi i gojës dhe dhëmbëve), prerja e thonjve, ndukja e nënsqetullave, rruarja e vendeve të turpit.
Në të ka shpjegim për sistemin e ndërsjellë të raporteve dhe marrëdhënieve të ndryshme (muamelat); ai urdhëron për besnikëri, mbajtje të premtimit, kryerje të zotimeve. Sqaron rregullin e shitblerjes, pagesës, lënies peng, huasë, etj.. Ndalon prostitucionin, amoralitetin, pirjen e alkoolit, shpifjen, bartjen e fjalëve, përdhosjen, dëshminë e rrejshme, etj..
Shpjegon marrëdhëniet ndërmjet bashkëshortëve, fejesën dhe mehrin. Po ashtu sqaron edhe formën e ndarjes, shkurorëzimit, prishjes dhe iddetit (koha që duhet të presë gruaja pas ndarjes nga burri, qoftë për shkak të vdekjes dhe qoftë për shkak të shkurorëzimit).
Fikhu Islam përmban edhe rregullat e hyrjes në shtëpi, mospërzierjen e grave me burra të huaj. Sqaron edhe rregullat e ushqimit dhe pirjes, fitimit të pasurisë hallall. Përmban edhe rregullat e veshjes islame, si për femrat ashtu edhe për meshkujt.
Shpjegon dhe normat juridike në ngatërresa e konflikte, qoftë për shkak malli (pasurie), gjaqesh apo nderi.
Thënë ndryshe, Fikhu islam është ligji themelor për sistemimin jetës së njeriut, i ngritur në baza të drejta e të shëndosha. Umeti islam nuk mund të ekzistojë dhe as mund të jetojë pa të. Pra, pa Fikhun dhe sistemin e tij, që Islami e caktoi në aspektin teorik dhe praktik, Umeti nuk ka kurrfarë kuptimi. Andaj dhe i duhet që t’i mishërojë këto ligje në jetën e përditshme, në bindje, sjellje e veprimtari, duke ndjekur shembullin e të Dërguarit (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin për të!) dhe të ashabëve të ndershëm. Jeta dhe vepra e tyre janë model i qartë dhe shembull praktik për efikasitetin dhe suksesin e këtyre rregullave të Fikhut.
Fikhu Islam është rruga që na çon te burimi apo shtegu i rrugës së drejtë. Na tregon rrugën a vendin ku dëshirojmë të shkojmë, respektivisht qëllimin e caktuar që dëshirojmë ta realizojmë. Andaj ky Fikh është një mori normash, rregullash, mësimesh dhe vlerash, të cilat rregullojnë jetën e myslimanëve. Megjithatë, këto norma dhe rregulla janë në kundërshtim me ato që u mveshin shumë jomyslimanë, sa kohë që ato mbulojnë të gjitha aspektet e jetës. Fikhu Islam përfshin adhurimin, etikën, sjelljet dhe qëndrimet individuale, si dhe sferat politike sociale, ekonomike, kriminale dhe civile. Për ketë arsye edhe Sheriati është rrugë që u ka caktuar besimtarëve Allahu xhel-le shanuhu, për të bërë punë të mira në këtë botë dhe për të fituar botën tjetër.
Prandaj Fikhu Islam, me natyrën e tij, mënjanon vështirësitë e njerëzve dhe ofron zgjidhje për problemet e tyre. Kryesisht stimulon individin dhe shoqërinë të jenë të devotshëm dhe të afërt me Allahun.
Bashkësitë, patjetër duhet të jetojnë në siguri dhe harmoni me ndjenjën e unitetit dhe mirëbesimit, duke ndihmuar njerëzit njëri-tjetrin, duke bërë vepra të mira, duke u larguar nga veprat e këqija dhe nga ato që nuk i do Allahu, xhel-le shanuhu.
Fikhu Islam, me parimet e tij, mbron fenë, sepse feja është thelbi dhe shpirti i jetës. Po ashtu, ruan jetën. Askush nuk mund t’i vrasë njerëzit dhe t’u sjellë dëm në çfarëdo mënyre. Gjaku i njerëzve është i shenjtë, dhe një nga mëkatet e mëdha është vrasja e njeriut të pafajshëm. Gjithashtu Fikhu mbron mendjen. Myslimanët duhet të jenë patjetër të kthjellët dhe nuk duhet të përdorin gjëra dehëse, qofshin ato alkoolike apo narkotike. Mjetet dehëse janë shumë të dëmshme për shoqërinë dhe sjellin më shumë dëm sesa dobi, nëse prej tyre mund të ketë farë dobie! Pasuria në Fikhun Islam, gjithashtu, është diçka që mbrohet fuqishëm. E natyrshme është që ndjenja e sigurisë të jetë e njëjtë si dhe ndjenja e mundit të punës së dikujt të jetë e mbrojtur e të mos jetë pre vjedhjesh dhe uzurpimesh. Fikhu Islam gjithashtu është shumë i kujdesshëm për ruajtjen e një farefisnie të pastër dhe të rregullt. Prejardhja është e mbrojtur, dhe me këtë veprim marrëdhëniet intime paramartesore dhe jashtëmartesore janë të ndaluara e të dënueshme. Fikhu Islam jo vetëm që ndalon prostitucionin dhe tradhtinë, por ndalon gjithçka që i sjell ato.
Sipas Islamit, feja e vërtetë duhet të burojë patjetër nga Zoti, si udhëzim për njerëzit në rrugën e drejtë. Në të njëjtën kohë, natyrshmëria njerëzore dhe veprat kryesore të njeriut në bazë janë të njëjta, pa marrë parasysh kohën dhe vendin, racën, moshën dhe dallimet e tjera natyrore. Ky konceptim na çon në përfundimin se ekziston vetëm një fe e vetme dhe e drejtë, e cila vjen nga një Zot i Vetëm për t’i udhëhequr njerëzit nëpër rrethanat e jetës së tyre. Ajo fe është Islami, të cilin nuk e ka predikuar vetëm Muhammedi (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin për të!), po, përkundrazi ka qenë lëndë misionare e të gjithë të dërguarve para Muhammedit (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin për të!), si Ibrahimi, Musai, Isai, (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin për ta!), dhe të tjerë. Ideja e përkuljes ndaj të vetmit Zot, ishte mesazhi i të gjithë të dërguarve.
Koncepti islam na porosit që feja nuk është vetëm nevojë shpirtërore dhe intelektuale, por edhe domosdoshmëri shoqërore dhe universale. Ajo ndihmon në udhëzimin e njerëzve , dhe nuk i huton ata. Ajo nuk i poshtëron, por ngre moralin e tyre. Ajo nuk ua ndalon gjërat e dobishme, nuk i ngarkon dhe as mohon kualitetet e tyre, veçse para tyre hap thesarin e pashtershëm të mendimit të saktë dhe veprimit të drejtë. Feja njerëzve nuk ua ngushton potencialet jetësore, veçse ua hap horizontet e gjera të drejtësisë dhe mirësisë.
Ç’është Fikhu?
Në kuptimin gjuhësor “fikh” do të thotë “njohje” dhe ”kuptim”. Me këtë domethënie është përdorur edhe në ajetin ku Musai alejhi selam i bën lutje Allahut të Lartësuar: “Dhe zgjidhma nyjën nga gjuha (ma largo mangësinë e të shprehurit). Që ata ta kuptojnë fjalën time.” (Ta Ha, 27-28).
Në kuptimin terminologjik, shkenca e fikhut ka disa përkufizime, prej të cilave:
a) “Njohja e dispozitave të Sheriatit, që lidhen me veprat (e njeriut) dhe me argumentet e tyre të hollësishme (të zbërthyera)”.
b) “Shkencë që merret me dispozitat praktike të Sheriatit, të nxjerra nga argumentet e hollësishme”.
Ndarja e Fikhut si shkencë
Fikhu është shkenca që studion ligjet praktike islame, të cilat burojnë nga shpallja që i ka zbritur Muhammedit (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin për të!). Dijetarët, kur shkruajnë rreth kësaj shkence në librat e tyre, dallojnë për nga mënyra si e bëjnë ndarjen e tematikave që shtjellohen aty. Më e përgjithshmja është që ndarja të bëhet në dy pjesë:
1. Ibadat - Ceremonitë fetare (adhurimet),
2. Muamelat - Raportet ndërnjerëzore (kodi i së drejtës qytetare).
Burimet e Fikhut
Burimet e Fikhut janë argumentet në të cilat mbështetet Sheriati dhe nga të cilat nxirren dispozitat islame, e ato janë:
1. Kurani
2. Suneti
3. Ixhmai (Konsensusi dhe pajtimi i muxhtehidëve të një kohe nga populli i Muhammedit (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin për të!)) për një çështje legjitime.
4. Kiasi (Analogjia).
Fikhu Islam në kohën e Pejgamberit (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin për të!)
Fikhu Islam, apo e drejta juridike islame, në kohën e Pejgamberit (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin për të!) ishte i përcaktuar dhe i ngritur në ballafaqim me aktualitetin. Sa herë që myslimanëve u shfaqej ndonjë problematikë, ose kishin nevojë për ndonjë udhëzim, drejtoheshin te Pejgamberi (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin për të!), dhe herë zbriste diçka nga Kurani Fisnik, apo thuhej diçka nga Haditihi i Nderuar, dhe u shpjegoheshin dispozitat rreth çështjeve në fjalë.
Kjo na bën me dije se e drejta juridike në këtë kohë ishte vetëm në duart e të Dërguarit (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin për të!), dhe në këtë nuk i ndërhynte askush, ngase i Dërguari (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin për të!) në këtë kishte për bazë Shpalljen Hyjnore - Kuranin dhe Sunetin.
Fikhu Islam në kohën e Kalifëve të Drejtë (Hulefau Rashidinët)
Në atë kohë Fikhu Islam nisi të merrte rrugën drejt zhvillimit. Kjo u bë si rezultat i ndryshimeve që pësoi jeta dhe si pasojë e zhvillimeve në aspekte e çështje të ndryshme të shoqërisë. Po ashtu edhe si rezultat i zgjerimit të kufijve të shtetit islam dhe përhapjes së pushtetit në rajone të reja e në popuj të shumtë që kishin tradita e zakone të ndryshme, sepse, kur tërë ato hynë nën ombrellën e shtetit islam, shkaktuan probleme në shumë çështje në mes myslimanëve dhe vendeve të çliruara.
Të gjitha këto ndryshime bënë që Fikhu Islam të zhvillohej më tutje për të rregulluar sistemin organizativ dhe ligjor. Nuk ishte e mjaftueshme vetëm me Kuran dhe Sunet, por do të përfshinte edhe dy burime të tjera, që janë bazë në burimet e Sheriatit: Ixhmai (Konsensusi) dhe Kiasi (Analogjia).
Dispozitat obliguese në Fikh (El-ahkam et-teklifije)
Dispozitat apo ligjet që nxirren nga argumentet e Sheriatit, nuk e kanë që të gjitha të njëjtën gradë të obligueshmërisë apo ndalesës, veçse ato dallojnë në varësi prej fuqisë dhe formës së argumentit që ka ardhur rreth çështjes së caktuar. Prandaj dijetarët ato i kanë ndarë në disa lloje:
Vaxhib (obligim)
Vaxhib quhet kërkesa e Ligjdhënësit (Allahut) për veprim në mënyrë të prerë; ai që nuk e kryen, ndëshkohet dhe ai që e kryen, shpërblehet. Me fjalë të tjera, vaxhibi është ajo që është e urdhëruar të kryhet, për përmbushjen e së cilës pason shpërblimi, ndërsa për mospërmbushjen ndëshkimi.
Haram (ndalesë)
Harami është e kundërta e obligimit (vaxhibit). Është kërkesa e Ligjdhënësit për të mos e vepruar në mënyrë të prerë, dhe ai që vepron, ndëshkohet. Pra, haram është ajo që është e ndaluar të veprohet, dhe për se pason ndëshkimi.
Mesnun, mendub (e rekomandueshme)
Kjo është kërkesa e Ligjdhënësit për veprim, por jo në mënyrë të prerë, dhe ai që nuk e kryen, nuk ndëshkohet. Me fjalë të tjera, është ajo për se, ai që e bën, shpërblehet, kurse ai që e lë, nuk ndëshkohet.
Mekruh (e urryer, e neveritur)
Mekruh është e kundërta e rekomandimit. E kjo është kërkesa e Ligjdhënësit për mosveprim, por në mënyrë jo të prerë. Vepruesi i saj nuk ndëshkohet, por qortohet.
Mubah (e lejuar)
Kjo është kur bërja dhe lënia e një vepre është e njëjtë.
Ndarja e dispozitave obliguese në këto pesë kategori, ose lloje, është ndarje nga shumica e dijetarëve, ndërsa dijetarët hanefinj ndarjen e këtyre dispozitave e bëjnë në shtatë lloje. Ata veprën obligative (vaxhibin) e ndajnë në dy lloje: farz dhe vaxhib, dhe e definojnë si vijon:
1. Farz: Është vepra që e ka kërkuar Ligjdhënësi të veprohet në mënyrë të prerë, me argument të vërtetuar, të prerë dhe të veçantë, si: namazi, zekati, haxhi, etj..
2. Vaxhib: Është vepra që Ligjdhënësi e ka kërkuar të veprohet në mënyrë të prerë, por argumenti nuk është i prerë dhe i drejtpërdrejtë. Si p.sh. sadekatul-fitri, leximi i Fatihasë në namaz, etj.. Kurse tek dijetarët e tjerë (xhumhuri) edhe farzi, edhe vaxhibi janë të njëjtë, prandaj ata i përdorin këta dy terma si sinonime.
Dijetarët hanefinj gjithashtu edhe mekruhun e ndajnë në dy lloje:
1. Mekruh tahrimen: Është i njëjtë sikurse harami; ajo që ka kërkuar Ligjdhënësi të mos veprohet në mënyrë të prerë, por me argument jo të prerë. Për këtë mund të sjellim shembullin që disa dijetarë thonë se mekruh tahrimen janë veshja e rrobave të mëndafshit për mashkullin, mbajtja e stolive të arit për meshkuj, etj..
2. Mekruh tenzihen: Është vepra që ka kërkuar Ligjdhënësi të mos veprohet në mënyrë jo të prerë, sikur është agjërimi i ditës së premte (xhuma) pa i bashkuar një ditë para ose një ditë pas.
Sipas hanefinjve, radhitja është kështu:
1. Farzi.
2. Vaxhibi.
3. Mesnuni-mendubi.
4. Mubahu.
5. Mekruhu tenzihen.
6. Mekruhu tahrimen.
7. Harami.
Veprimet që janë obligative, pa marrë parasysh a janë vaxhib apo farz, ndahen në dy kategori:
a) Farz ajn (obligim individual), bërja e të cilit kërkohet nga çdo mukel-lef (i përgjegjshëm moralisht), i rritur dhe mendërisht i shëndoshë. Shumica e këtyre veprimeve sheriatike hyjnë në këtë kategori. Si p.sh. falja e namazit për secilin, agjërimi, haxhi, etj..
b) Farz kifaje (obligim kolektiv), ekzekutimi i të cilit kërkohet nga shoqëria e përgjegjshme islame, dhe jo prej secilit individ veç e veç, siç është falja e namazit të xhenazes, të mësuarit e degëve të ndryshme të diturisë së dobishme, të urdhëruarit për të mirë dhe ndalimi nga e keqja, si dhe çështje të tjera të ngjashme.
Sqarimi i disa termave të Fikhut
- Sheriat: Fjala Sheriat në kuptimin gjuhësor do të thotë rrugë. Ndërsa konceptualisht, fjala Sheriat do të thotë një mori normash, rregullash, mësimesh dhe vlerash, të cilat rregullojnë jetën e myslimanëve.
- Mukel-lef: Quhet personi i cili ngarkohet për të zbatuar dispozitat e Sheriatit. Pra, ai që arrin moshën e pjekurisë dhe është i shëndoshë mendërisht.
- Fekih apo fakih (shumës fukaha): Ekspert në jurisprudencën islame, dijetar në fikh.
- Fetva: Opinioni juridik i një fekihudijetari, apo i një grupi, në lidhje me ndonjë çështje të Sheriatit.
- Medh’heb: Drejtim apo shkollë e mendimit; përmbledhja e përgjithshme e vendimeve juridike të një dijetari të madh (imami), gjithashtu edhe nxënësit e tij dhe të gjithë dijetarët që ndjekin metodën e tij.
- Mesele (shumës mesail): Temë, çështje apo problematikë e fikhut.
- Mufti: Dijetari që jep fetva.
- Ixhtihad: Përpjekja e fekihut-dijetarit me të gjitha mundësitë për të gjetur dispozitën e Allahut rreth një çështjeje të caktuar nga burimet e Sheriatit (Kurani, Suneti, Ixhmai, etj.).
- Muxhtehid: Dijetari i kualifikuar për të nxjerrë vendime me anë të ixhtihadit.
- Ixhmai: Dakordimi dhe konsensusi (pajtimi, unifikimi) i muxhtehidëve të një kohe, nga Umeti i Muhammedit (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin për të!), për një çështje të Sheriatit.
- Mufessir: Komentator i Kuranit, dijetar i shkencës së tefsirit, tefsirolog.
- Tefsir: Komentimi i Kuranit.
- Muhaddith: Dijetar i shkencave të hadithit, haditholog.
- Mukal-lid: Myslimani i rëndomtë, i cili pason ndonjë dijetar ose medh’heb, pa kërkuar argumentin.
- Taklid: Të ndjekurit e ndonjë opinioni, dijetari a medh’hebi pa hulumtuar argumentin në të cilin mbështetet.
- Kias: Krahasimi i një çështjeje, që për dispozitën e saj sheriatike nuk ka argument, me një çështje tjetër, për dispozitën e së cilës ekziston argumenti. Ky krahasim bëhet pasi të dyja çështjet janë të njëjta dhe kanë motiv të përbashkët.
- Ulema (shumësi, njëjësi: alim): Dijetarë.
- Urf: Tradita apo shprehia e një vendi a populli.
- Xhumhuri: Shumica, më shumë se gjysma e dijetarëve.
- Raxhih: Zotërues, më i saktë, më i drejtë.
- Ihtilaf: Divergjencë, dallim në mendime.
- Hukm (shumës: ahkam): Dispozitë.
- Hadithi Ahad: Hadithi i saktë, që transmetohet vetëm me një rrugë të transmetimit.
Dituria Islame 215