Vlerat edukative të Ramazanit

 


Hyrje 


Agjërimi i Ramazanit është padyshim një përvojë me ndikim të madh në të gjitha aspektet e personalitetit të individit, sjelljes, qëndrimeve, përgatitjeve, ndjenjave, vlerave, idealeve, pikëpamjeve për jetën, madje edhe në shëndetin e tij fizik. Agjërimi është padyshim një shkollë gjithëpërfshirëse për të edukuar individin për shumë vlera, virtyte, cilësi të mira dhe për shumë zakone të mira të sjelljes dhe prirjeve pozitive. 
Ndjenja e bindjes krijon një ndjenjë kënaqësie dhe lumturie te besimtari. Ai duhet të vetëpërmbahet dhe të ruhet maksimalisht nga të gjitha të këqijat. Agjërimi ka një rëndësi të madhe që e mëson një person me disiplinën dhe respektimin e kohës së agjërimit dhe ia mëson oraret e gjumit, ushqimit, adhurimit, vizitave dhe gjërave të tjera. 


Arritja e devotshmërisë 


Kur flitet në Kuran për obligueshmërinë e agjërimit, përfundohet me fjalët: “...që të bëheni të devotshëm.” (El Bekare, 183), e ky është synimi primar edukativ që njeriu e fiton përmes agjërimit, ngase kjo është esenca. Devotshmëria është një fryt i natyrshëm i një procesi jo aq të lehtë, ku myslimani investon në besimin e tij me agjërimin që bën në ringjalljen e frymës së besimit dhe kuptimeve të tij, duke përfshirë ndjesinë e sinqeritetit dhe mbikëqyrjes hyjnore. Vetëm Zoti është ai që shikon myslimanin, dhe çdo individ mund të jetë vetëm me veten e tij dhe ta “tradhtojë” agjërimin e tij duke ngrënë, pirë ose duke bërë gjëra të tjera që e prishin agjërimin, dhe asgjë nuk e pengon atë për ta bërë këtë veçse frika nga mbikëqyrja hyjnore dhe besatimi dhënë Krijuesit. Pra, është një ndjesi shumë e fuqishme, e cila buron nga brenda, por që reflekton jashtë, që pa marrë parasysh mundimet dhe tundimet e jashtme, i qëndron besnik mesazhit hyjnor. Thjesht nuk tundohet nga ofertat joshëse, por hapëron lart në shtigjet e imanit duke u shoqëruar me vepra të dobishme. Me fjalë të tjera, agjërimi synon që ta ngrit myslimanin në një stad më të lartë dhe më të mirë. Ai synon që myslimanin ta bëjë më të mirë se që ishte para Ramazanit dhe se grada e devotshmërisë nuk arrihet duke ndenjur e shpresuar, por me një angazhim të madh që reflekton thellë në vetë qenien e myslimanit. 


Kontrollimi i vetes dhe ruajtja e moralit 


Islami, në të gjitha format thërret myslimanin për durim, maturi e vetëpërmbajtje, ndërsa fokusi është më tepër gjatë periudhës së Ramazanit, ngase vetëm distancimi nga uria dhe etja nuk janë të mjaftueshme në procesin e agjërimit, mirëpo duhet mishëruar me elemente të tjera, ngase shpërblimi i agjëruesit duhet të kalojë domosdo përmes integritetit moral të agjëruesit, në përputhje të plotë me fjalët e të Dërguarit: “Dhe nëse është dita e agjërimit të njërit prej jush, ai të mos bëjë vepra të pahijshme e as të mos bërtasë, nëse dikush e fyen ose e lufton, ai le të thotë: “Unë jam agjërues.”(1) 
Ndoshta gjendja fiziologjike e trupit gjatë procesit të agjërimit, mund ta bëjë atë më të ndjeshëm ndaj emocioneve dhe se ngritja shpirtërore që realisht duhet të ndodh tek agjëruesi, duhet ta bëjë atë rezistent ndaj provokimeve të jashtme dhe përmbajtjes maksimale ndaj vetes. Gjëja më e mirë është tejkalimi i një zemërimi përmes adaptimit të moralit të mirë dhe heshtjes, pa ofenduar askënd gjatë agjërimit të tij. E, në rast të hidhërimit, le ta kujtojë ai se është agjërueshëm dhe se është nën mbikëqyrjen hyjnore, që nëse nuk mund të përmbahet, më e pakta që mund të pësojë është shkuarja e një pjesë të shpërblimit. 
Toleranca, butësia dhe morali duhet të jenë prej kohësh të integruara mirë në vetë karakterin e myslimanit që ta zmbrapsin të keqen me të mirë dhe mos t’i lënë vend veprimeve të pamatura që mund të krijojnë reaksione të çastit, të cilat mund të sjellin edhe pasoja të pa lakmueshme. 
Tekstet fetare konfirmuan se qëllimi i agjërimit nuk është vetëm distancimi nga uria e etja. Nuk është qëllimi të testosh aftësitë tua fizike e trupore për të duruar ndaj urisë e etjes, porse qëllimi është ta mbash vetën nën kontroll dhe ta ruash dinjitetin e moralin tënd. Kjo e fundit është pikërisht bazamenti kryesor i agjërimit, që ndoshta edhe nuk i kushtohet vëmendje sa duhet, apo ndoshta nuk i kushtohet vëmendje sikur kujdesit ndaj bukës e ujit. Si konfirmim i kësaj, i Dërguari i Allahut, qartë tha në njërën prej thënieve të tij: “Ai i cili nuk i lë fjalët e këqija (rrenën, mashtrimin) dhe punët e këqija, Allahu nuk ka nevojë për të që ai ta lë ushqimin dhe pijet e tij (për të agjëruar).”(2)
Agjërimi i tij në rastet kur ai nuk e ruan gjuhën nga mashtrimi, rrena dhe nuk e ruan moralin e tij, është i pavlerë, ndërsa largimi i tij ndaj urisë e etjes është vetëm një vështirësi që e përjeton, e cila në fund edhe nuk ka shpërblim. Andaj në një thënie tjetër ai tha: “Ndoshta dikush prej agjëruesve nuk f iton asgjë prej agjërimit të tij përpos urisë.”(3) 
Për agjëruesin që është në gjendje të përmbahet nga ushqimi dhe pijet dhe të frenojë epshin e tij, ky agjërim i tij do t’i sjellë atij një shpërblim të madh dhe efekte të mëdha që kontribuojnë në përmirësimin e anës së tij shpirtërore, korrigjimin e vetes dhe forcimin e shëndetit të tij. 


Shtimi i veprave të mira 


Ndërgjegjësimi i besimit të myslimanit kërkon pjesëmarrjen në adhurim, agjërim, lutje, leximin e Kuranit, dhe të gjitha këto kërkohen që të shijohen dhe të përjetohen, përndryshe ka frikë që mbesin rite sa për t’u kryer formalisht. Mirëpo formaliteti nuk ka vlerë në Islam! 
Rruga e besimit dhe e përkushtimit duhet të pasqyrohet në rrugën e ndërveprimit etik. Rruga etike-edukative është e lidhur ngushtë me shkollën edukative të Ramazanit. Forcimi i lidhjeve shoqërore dhe i lidhjeve familjare është direkt produkt i këtij muaji madhështor që ofron zemrat, largon urrejtjen dhe shkrin pengesat mes tyre. 
Agjërimi është shkollë e dëlirësisë dhe e virtytit, shkollë e largimit nga fjalët e kota, e tolerancës, e faljes, e lënies së grindjeve dhe e mosmarrëveshjeve, dhe se pikërisht në muajin Ramazan ka një atmosferë të jashtëzakonshme për mësimin e shprehive pozitive morale dhe heqjes dorë nga veset e këqija. Kur kjo të arrihet, atëherë ana tjetër e medaljes është e gatshme për shtimin e mirësive dhe bujarive. Realisht shtimi i veprave pasqyron vlerat tona dhe gatishmërinë tonë për ndryshimin pozitiv që duhet të ndodh. E pikërisht ditët e këtij muaji janë një mundësi e artë për shtimin e veprave, sepse vlera e tyre në këtë muaj është e pakrahasueshme me muajt e tjerë. Sa për ilustrim, mjafton ta përmendim një thënie të të Dërguarit të Allahut që e dëshmon atë që po e elaborojmë: “Kush e falë namazin e teravisë me imam, (dhe qëndron) derisa imami ta përfundojë tërë namazin, i shkruhet atij sikur të jetë falur tërë natën.”(4) 
Hadithi është sinjalizues i qartë se ai që fal namazin e teravisë derisa imami ta përfundojë atë, atij i shkruhet sikur të jetë falur tërë natën dhe se kjo vlerë e shtuar ka të bëjë veçanërisht me muajin Ramazan. Ky është suneti, ndërsa ata që falën vetëm një pjesë, e pastaj dalin prej xhamisë, gjersa imami vazhdon të falet me një pjesë tjetër, e kanë gabuar sunetin dhe realisht i kanë keqkuptuar edhe tekstet fetare! Andaj, shtimi i veprave të mira është vlerë që duhet marrë dhe se kjo vlerë nuk mund të kufizohet brenda një apo vetëm disa veprave, por ajo është e gjerë dhe e larmishme dhe se prej të mirës sado që e vogël të jetë nuk duhet përbuzur asgjë.
Mjafton që myslimani të orvatet në shtimin e veprave dhe këtë duhet ta bëjë sipas prioriteteve duke thyer rutinën dhe ndryshuar përditshmërinë e tij, në mënyrë që t’i shfrytëzojë mundësitë në përfitimin dhe shtimin e vlerave. 


Përkushtimi maksimal ndaj kohës 


Meqë Ramazani është një muaj dhe ditë të caktuara, kërkohet nga myslimani që të jetë i përgatitur maksimalisht dhe paraprakisht të hartojë ndonjë plan për gjërat që do t’i bëjë gjatë atij muaji, në mënyrë që të mos zihet në “befasi” dhe në fund t’i kalojnë ditët pa plan e pa organizim. Mjaftojnë të vështrohen ajetet e agjërimit dhe të shihet përmbajtja, shpërndarja e ajeteve dhe mesazheve që ato bartin, ku fillohet me obligueshmërinë e agjërimit, më pas zë vend vlera dhe virtytet e muajit Ramazan, pastaj normat dhe kriteret që ndërlidhen ngushtë me agjërimin, e në fund lutjet dhe pjesa intime mes bashkëshortëve. Kjo ndarje nuk është e rastësishme, por e qëllimshme dhe sipas prioriteteve, ku secilës i jepet hapësirë dhe kohë. Madje vetë agjërimi si adhurim ka bërë një hartë për kohën e myslimanit, e cila përfshin kufijtë e agjërimit, fillimin dhe mbarimin e tij, dhe se këto orare duhen respektuar, përndryshe agjërimi është i pavlerë. Krahas kësaj, brenda kësaj harte janë edhe kohët e namazit dhe veprat që duhet bërë. 
Krejt çfarë kërkohet prej nesh është t’i ndajmë prioritetet dhe t’i shënojmë punët fisnike që meritojnë të kryhen gjatë këtij muaji, si namazi, leximi i Kuranit, shtimi i veprave, bamirësia, solidariteti, vizitat në familje e miqësi, etj. 
E që koha të shfrytëzohet maksimalisht, duhet të inkorporohen katër elemente dhe t’u jepet hapësirë secilës prej tyre: Koha e gjumit, koha e punës, përgjegjësia ndaj familjes dhe koha e adhurimit. Kur këto katër elemente të jenë rregulluar mirë, çdo gjë mbi to do të jetë në rregull dhe që të gjitha mund të arrihen pa ndonjë problem. E, nëse e para nuk është në rregull, atëherë ajo domosdo do të reflekton te të tjerat dhe realisht mund të humben të gjitha.
Nuk është e rastësishme se pse i Dërguari i Allahut pas namazit të jacisë preferonte gjumin, para bisedave. Po ashtu nuk është e rastësishme se përse i Dërguari i Allahut kishte traditë të ulej para iftarit me anëtarët e tjerë dhe të lutej. Realisht para iftarit është koha kur myslimani është më i lodhur, më i etur, më i uritur dhe në vend të gjumit apo ndonjë ankese të mundshme të atyre çasteve, myslimani i shfrytëzon maksimalisht edhe ato çaste në kultivimin e vlerave të muajit Ramazan si një muaj madhështor.


Qëndrueshmëria ndaj urisë 


Një nga qëllimet e agjërimit është të rrënjosë vlerën e durimit dhe qëndrueshmërisë ndaj urisë, etjes dhe privimit nga ushqimi dhe pijet. Qëndrueshmëria, vullneti dhe vendosmëria shprehen në mënyrë që vullneti i njeriut të mund të drejtojë dhe kontrollojë sjelljen e tij. Përndryshe nëse njeriu s’mund t’i kontrollojë sjelljet e tij, ai humb vlerat e larta që posedon si krijesa më e veçantë. 
Në këtë muaj të shenjtë arrihen dimensionet sociale të agjërimit, duke bashkndjerë me të varfrit dhe skamnorët, të cilët janë të privuar prej shumë gjërave. Myslimani kujton njerëzit që nuk kanë për të ngrënë e për të pirë, andaj përjeton dhe ndien të njëjtat gjëra që ata i përjetojnë. Me këtë sikur ai kujton fjalët e të Dërguarit të Allahut i cili tha: “Besimtari për besimtarin është sikurse një ndërtesë që njëra pjesë mbështet pjesën tjetër.”(5) 
Në anën tjetër, kjo është një shenjë për të medituar e falënderuar Krijuesin për dhuntitë, prej të cilave një pjesë e njerëzve janë të privuar prej tyre. 


Tubimi në një sofër 


Në këtë dinamikë të re të jetës, njerëzit janë larguar nga njëri-tjetri dhe angazhimi i tyre ka krijuar situata që edhe nëpër familje ata të mos gjejnë kohë të mjaftueshme për të biseduar apo për t’u takuar. Muaji i bekuar Ramazan, përmes tryezës së iftarit, rrit dashurinë, krijon afërsi mes tyre, rikthen komunikimin familjar, afron ata me të dashurit dhe të afërmit e tyre dhe si rrjedhojë lidhjet e tyre bëhen më të fuqishme dhe më solide. Është sofra e iftarit që krijon atmosferë të veçantë familjare, që rikthen harmoninë dhe dashurinë në familje mes të moshuarit e të riut dhe mes gjithë anëtarëve të familjes. Në këtë tryezë takohet babai me fëmijët, pse jo edhe me nipërit e mbesat që është mundësi ideale për të forcuar lidhjet me të gjitha brezat brenda një familjeje. Shkurt e thjesht, është koha e familjes që të gjithë bashkohen pranë sofrës së iftarit, duke trashëguar një traditë të shkëlqyer për shekuj me radhë dhe kjo gjithsesi mbetet një mundësi e artë për ta rikthyer edhe një herë harmoninë dhe dashurinë mes anëtarëve të familjes. 
Këtë mundësi brilante ku gjithë anëtarët mblidhen pranë një sofre nuk mund ta zëvendësojë asgjë tjetër, madje as restorantet më të shtrenjta dhe harmoninë e dashurinë e familjes pranë asaj sofre nuk mund të arrihet as në vendet më të shtrenjta e luksoze. 


Shpërblimi më i madh gjatë Ramazanit 


Gratë në përgjithësi përveç lodhjes nga agjërimi i tyre, bëjnë një përpjekje madhështore në përgatitjen e syfyrit e iftarit. Ato kujdesen për punët e shtëpisë, për gatimin, për fëmijët, kujdesin dhe edukimin e tyre. Nuk është lehtë të zgjohesh në mesin e natës e të përgatitësh ushqim për gjithë anëtarët e familjes, ashtu siç nuk është e lehtë që gjatë ditës kur ndoshta ajo ndien lodhje e vapë, të përgatit ushqim për kohën e iftarit. Prandaj me të drejtë, ato kanë një shpërblim të madh, sepse përveç agjërimit që bëjnë, ato përgatisin syfyr e iftar për gjithë agjëruesit. Me të drejtë ato kanë shpërblimin e agjërimit që agjërojnë, shpërblimin e punës dhe shpërblimin e përgatitjes së iftarit e syfyrit. 
Sa bukur tha i Dërguari i Allahut: “Kush ushqen një agjërues, do ta ketë shpërblimin e tij, pa i munguar asgjë nga shpërblimi i agjërimit të tij (saj).”(6) 


Solidariteti në vepër 


Myslimani kujdeset ta ndjek shembullin e të Dërguarit të Allahut, i cili gjatë tërë jetës së tij ishte bujar dhe njihej për bujari, por në muajin Ramazan e shtonte edhe më tepër bujarinë e tij. 
Ai mishëroi modelin më të lartë të dhembshurisë dhe dhënies. Ai ndjente keqardhje, por nuk ndalej me të, mirëpo i ndihmonte nevojtarët përmes lëmoshës, zekatit e formave të tjera. Ai këtë e bënte gjithnjë, por solidariteti gjatë muajit Ramazan shtohej edhe më tepër. 
Muaji Ramazan forcon konceptin e solidaritetit dhe bashkëpunimit mes komunitetit mysliman. Solidariteti dhe bashkëpunimi ndërmjet myslimanëve tregohet përmes ndihmës dhe kontributit që anëtarët e komunitetit mysliman u japin vëllezërve të tyre myslimanë në nevojë. Veprime të tilla gjithnjë shfaqen qartë gjatë muajit të bekuar Ramazan. Islami kërkon t’i rrënjos thellë në zemrat e myslimanëve manifestimet e dashurisë dhe mëshirës midis miqve dhe familjeve myslimane, të cilat përfshijnë shumë kuptime të thella dhe ndjenja fisnike. Kur ekziston një bashkëpunim i tillë, atëherë edhe rezultati do të jap fryte, ngase Allahu na bëri ftesë për një bashkëpunim të tillë në punë të mira: “... Ndihmohuni mes vete me të mira dhe në të mbara, e assesi në mëkate e armiqësi…” (El Maide, 2). 
Ky solidaritet e bashkëpunim shprehet pikërisht në muajin e bekuar, përmes ndihmave të ndryshme, që realizohen në ditët e bekuara të muajit Ramazan, gjë e cila nuk ndodh gjatë muajve të tjerë ashtu siç ndodh gjatë Ramazanit. Ramazani është muaj ku kujtohen më tepër skamnorët, jetimët e njerëzit që kanë nevojë për përkujdesje e ndihmë. Me të drejtë, gjatë këtij muaji rrezaton një altruizëm dhe shtohet një kujdes i veçantë ndaj të tjerëve, e sidomos ndaj nevojtarëve.


 __________________________ 
1. Buhariu në Sahih, nr.1904. 
2. Tirmidhiu në Sunen, nr.707. 
3. Nesaiu në Sunen el-Kubra, nr.3249; Ibën Maxheh në Sunen, nr.1690. 
4. Ebu Davudi në Sunen dhe Tirmidhiu në Sunen.
5. Buhariu në Sahih, nr. 2341. 
6. Tirmidhiu në Sunen, nr. 807.