Obligimet fetare si obligime të caktuara nga Allahu i Lartësuar, kanë refleksione shumëdimensionale. Ndikimet e tyre në jetën individuale dhe shoqërore janë të pranishme gjithmonë në forma të ndryshme manifestimi. Obligimet islame edukojnë e formojnë individin dhe shoqërinë e përgatisin dhe e aftësojnë për të bartur dhe për të qenë përfaqësues të denjë të Allahut në tokë. Haxhi, si një nga adhurimet e veçanta në fenë islame dhe si shtyllë e fesë islame, është nga adhurimet që ka ndikime të veçanta në aspektin shpirtëror dhe social të njeriut.
Ndikimi i Haxhit në aspektin shpirtëror tek njeriu
Duke qenë plotësisht të vetëdijshëm se obligimet islame për qëllim primar kanë edukimin shpirtëror, për shkak se ai është shtylla e personalitetit të individit, edhe Haxhi ka efekte dhe ndikime të mëdha në aspektin shpirtëror. Nga ndikimet e Haxhit në aspektin shpirtëror në formë të drejtpërdrejtë ose tërthorazi, mund t’i përmendim këto:
1. Obligimi për Haxhin motivon individin që, me gjithë vështirësitë e mëdha, ta kryejë këtë obligim, me qëllim që të arrijë shpërblimin tek Allahu. Kjo arrihet përmes të kuptuarit se Haxhi është nga obligimet më të rëndësishme fetare. Ebu Hurejre rrëfen se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Mëkatet e vogla të bëra në mes dy umreve janë të falura. Kurse për Haxhin e pranuar, nuk ka shpërblim tjetër përveç Xhenetit (Mutefekun Alejhi).(1)
Dëshira dhe vullneti i besimtarit për të kryer Haxhin buron prej kësaj baze, gjegjësisht prej dëshirës së tij për të kryer një ndër obligimet e Allahut xh.sh.. kësodore ai dëshiron që shpirtin e tij ta mësojë të bëhet i disiplinuar në kryerjen e Urdhrave të Allahut dhe i nënshtruar ndaj Allahut. Ky motiv e bën shpirtin e besimtarit të gatshëm për sakrificë dhe të durueshëm në vështirësi.
2. Obligimi për Haxhin e nxit njeriun që të ruhet edhe nga mëkatet më të vogla, me qëllim që të arrijë shpërblimin e Allahut xh.sh.. muhamedi a.s. thotë: “kush e kryen Haxhin pa bërë marrëdhënie intime dhe pa shkelur dispozitat e tij, ai kthehet (i pastër nga mëkatet) sikur atë ditë kur e ka lindur e ëma”. (Buhariu dhe Muslimi) Ruajtja nga mëkatet ka tri dimensione: i pari është se besimtari, para se të marrë rrugën për Haxh, pendohet për mëkatet e tij sinqerisht, me qëllim që para Allahut të jetë i penduar. Dimensioni i dytë: ruajtja nga mëkatet gjatë periudhës së Haxhit, me qëllim të pranimit të Haxhit dhe faljes së mëkateve nga Allahu xh.sh.. Si dhe dimensioni i tretë: ruajtja nga mëkatet pas kthimit nga Haxhi, me qëllim që të jetojë një jetë të pastër nga mëkatet. Kur ( haxhiu) e lë vendin e tij, le të kujtojë daljen e tij nga kjo botë me vdekjen, drejt Ditës së kiametit
3. Udhëtimi i njeriut për Haxhin, me qëllim që t’i përgjigjet thirrjes së Allahut e inspiron atë të mendon rreth udhëtimit të fundit nga kjo botë dhe takimit final me Allahun xh.sh.. Kjo formë e meditimit e shtyn njeriun që të pendohet sinqerisht, të pajiset me më të mirën dhe më të pastrën e pasurisë dhe të bëjë sa më shumë vepra të mira. Këtë meditim e bën më madhështor edhe veshja e Ihramit. Përzgjedhja e pasurisë, përshëndetja me familjen dhe të afërmit, takimi me të panjohur, veshja e Ihramit, pendimi për mëkate, të qarët e të penduarve…, të gjitha këto lënë gjurmë të pashlyeshme në shpirtin e besimtarit dhe, me siguri, për shpirtin e çdonjërit do të jetë ky ilaçi më i mirë i pastrimit shpirtëror. Ibni Kudame thotë: “Kur ( haxhiu) e lë vendin e tij, le të kujtojë daljen e tij nga kjo botë me vdekjen, drejt Ditës së Kiametit dhe ngjarjeve të vështira që janë në mes tyre. Po ashtu kur ai ta veshë Ihramin, le ta kujtojë veshjen e qefinit të tij dhe daljen para Allahut me një veshje tjetër nga veshja e banorëve të dynjasë”.(2)
4. Në shpirtin dhe mendjen e njeriut në momentet e para kur i takon ato Vende të Shenjta, ai formon imazh të veçantë për ato vende. Në mendjen e tij bashkohet e kaluara historike, e lexuara në Kur'an dhe e ardhmja e përjetësisë. Shpirti i besimtarit që formohet në këto tri dimensione, i kalon dimensionet e materiales dhe futet në botën e imazheve e të sekreteve të Allahut, të zbuluara për të sinqertët dhe të drejtët. Shpirti i tillë edhe vdekjen e sheh jetë, sepse jeta për të ka tjetër dimension dhe një kuptim më të gjerë. Ibni Kudame thotë: “(haxhiu) Kur të shohë Qabenë, le të sjellë në zemrën e tij madhështinë e saj dhe le të falënderojë Allahun për këtë mundësi që i ka dhuruar…, ndërsa, kur të shfaqet para tij Medina, le të kujtojë se ai është vendi që zgjodhi Allahu për emigrimin e të Dërguarit të Tij, aty është shtëpia e tij dhe varri i tij. Kur të ndodhet para varrit, le ta përgatisë zemrën për madhështimin dhe respektimin e tij. Përfytyro atë fytyrë të tij fisnike, dhe dërgoji selam e dije se Pejgamberi a.s. e ndien praninë dhe selamin tënd”.[vi]
Përveç këtij aspekti, Haxhi ka ndikimin e tij shumë evident edhe në aspektin shoqëror. Nga ndikimet e haxhit në aspektin social, mund të përmendim këto: 1. Pasuria hallall për në haxh. Besimtari që duhet ta kryejë Haxhin, e ka obligim ta ketë pasurinë hallall, të fituar në rrugë të lejuar dhe të ruajtur në formë të lejuar. Sulejman Vehbi Gavoçi thotë: “(haxhiu) Duhet të zgjedhë mallin e tij më të pastër për ta shpenzuar në një rrugë të madhërueshme”.(3) Fitimi i pasurisë mbi këto parime, nënkupton që besimtari i tillë veprimtarinë shoqërore duhet ta ketë të pastër dhe larg nga të gjitha rrugët e kriminalitetit, fajdes, kamatës, mashtrimit, vjedhjes, ryshfetit…, e formave të tjera të fitimit të pasurisë në rrugë të jashtëligjshme, duke qenë i vetëdijshëm për faktin se Allahu pranon vetëm të lejuarën dhe të mirën. Kjo formë fitimi dhe jetese ndikon që shoqëria islame të jetë e pastër nga dukuritë shkatërruese.
2. Pajtimi dhe rregullimi i marrëdhënieve në mes myslimanëve para nisjes për Haxh. Myslimani është i obliguar që, para se të niset për Haxh, të pajtohet dhe të kërkojë hallallin vëllait të tij mysliman për shqetësimin dhe padrejtësinë që mund t’i ketë shkaktuar. Po ashtu besimtari është i obliguar që t’ua kthej borxhin atyre që ua ka. Pajtimin mes tij dhe të tjerëve, si dhe kthimi i borxhit do të ndikojnë në shtimin e sigurisë së vendit dhe rrethit ku jeton besimtari. Siguria, stabiliteti, mirëqenia dhe besimi reciprok karakterizojnë shoqërinë islame, e Haxhi jep një kontribut shumë të madh dhe ka një ndikim të veçantë në ngritjen e kësaj karakteristike të shoqërisë islame.
3. Barazia e njerëzve. Haxhi me obligimet që i ka caktuar Allahu xh.sh. dhe Pejgamberi a.s., dëshmon për barazinë e njerëzve në Islam. I ziu, i bardhi, i verdhi, pa marrë parasysh ngjyrën, shefat e shteteve, komandantët, intelektualët, barinjtë, të pasurit e të varfrit , pa marrë parasysh pozitën dhe statusin shoqëror, - që të gjithë në Haxh janë të barabartë. Ata janë të veshur në Ihramin e bardhë që të gjithë, janë të rreshtuar në një saf dhe të mbështetur krah për krahu me njëri-tjetrin. Në mes tyre lind dashuria për shkak të besimit e jo për shkak të interesit. Pavarësisht nga vështirësitë, Haxhi nuk është obligim vetëm për meshkujt; është obligim edhe për femrat. Ato janë pjesëtare të këtij adhurimi madhështor dhe anëtarë të një kongresi të madh islam.
4. Kongresi i madh. Haxhi shfaqet edhe si kongresi i madh i myslimanëve. Aty marrin pjesë myslimanët nga të katër anët e botës, me problemet, hallet dhe preokupimet e tyre. Aty njihen fiset, shoqëritë dhe kombet në mes tyre. Formohet afërsia nga myslimanët e gjithë botës dhe ata fillojnë ta ndiejnë veten si pjesë e vërtetë e një trupi. Barazia në gjuhë, ngjyrë, pozitë a prejardhje, - e shndërron Haxhin në një kongres klasik dhe modern shumë madhështor. në aspektin klasik nënkuptojmë se, kur Haxhi ishte obligim për robin skllavin dhe për zotëriun e tij, bota tjetër ndodhej ende në ndarjet e klasave shoqërore. E po ashtu, kur Haxhi ishte obligim për femra, bota tjetër kishte probleme për ta konceptuar femrën si njeri. Ndërsa në aspektin modern, nënkuptojmë se Haxhi si adhurim, është i veçantë për karakteristikat e tij nga të gjitha organizimet e kongreseve dhe organizmave të tjerë ndërkombëtarë.
5. Bashkimi dhe vëllazërimi në mes myslimanëve. haxhi, në kohën e caktuar dhe në vendin e caktuar i bashkon myslimanët nga e gjithë bota, pa marrë parasysh konceptet ndarëse të tyre rreth çështjeve fetare. Aty të gjithë janë pjesë e një safi, të gjithë kanë një Kible, të gjithë I drejtohen një Allahu, të gjithë duan dhe respektojnë një Pejgamber dhe të gjithë dëshirojnë të njëjtën gjë, - Xhenetin dhe faljen e mëkateve nga Allahu. Sulejman Vehbi Gavoçi thotë: “Haxhillëku forcon jetën shoqërore dhe bashkëjetesën vëllazërore në mes njerëzve”.(4) Të gjitha këto i njësojnë dhe unifikojnë myslimanët, prandaj duhet të lënë gjurmë të pashlyeshme tek të gjithë myslimanët. Ai unifikim dhe ai bashkim që shfaqet gjatë kësaj periudhe të Haxhit, duhet të vazhdojë edhe pas Haxhit.
___________________
1. Imam Neveviu, Rijadus-Salahin, Përkthimi shqip Logos A, fq 356
2. Ibni Kudame, Muhtesar Minhaxhul-Kasidin, Kajro 2004, si dhe përkthimi i tij shqip “Rruga e lumturisë së përjetshme” faqe 35.
3. Po aty.
4. Vehbi Sulejman Gavoçi, Shtyllat e Islamit, AIITc 1999, Tiranë, fq 321
Dituria islame 231