Adhurimi i përket vetëm Allahut xh.sh.


Vërtet, (ta keni të ditur se) Allahut I përket çdokush (gjithçka) që gjendet në qiej dhe në Tokë (çdo gjë është nën pushtetin e Tij). E çfarë ndjekin ata që adhurojnë në vend të Allahut zota - ortakë? Në të vërtetë, ata nuk ndjekin gjë tjetër, përveç hamendjes dhe vetëm gënjejnë. (Junus, 66)
Krenaria i përket Allahut xh. sh. , Pejgamberit a. s. dhe besimtarëve. Në ajetet paraprake Allahu i Madhërishëm u bënë me dije pabesimtarëve se dënimi ndaj tyre është i pashmangshëm dhe i merituar në botën tjetër, dhe se një gjë të tillë askush nuk mund ta pengojë. Në anën tjetër, ua sqaron shembullin e besimtarëve të mirë dhe të devotshëm, të cilët nuk do të kenë asnjëherë brengosje as frikë, si në këtë botë ashtu edhe në Botën tjetër, ku do të kenë shpërblim dhe rehati. Për këtë këshillohej Muhamedi a. s. që të mos shqetësohej nga thëniet e tyre përgënjështruese dhe mohuese ndaj së vërtetës, ngase e tërë krenaria, fuqia dhe ngadhënjimi I përkasin vetëm Krijuesit - Allahut xh. sh. , i Cili thotë: "Mos u dëshpëro nga thëniet e tyre, e tërë fuqia dhe ngadhënjimi I takon vetëm Allahut. Ai dëgjon dhe di çdo gjë". (Junus, 65) Kështu, Allahu xh. sh. ka siguruar se Ai është ngadhënjyes dhe mbështetës i të devotshmëve dhe të dashurve të Tij. Këtu Ai nuk ka përmendur Pejgamberin a. s. dhe besimtarët, sepse ligji hyjnor dikton natyrshëm që Allahu xh. sh. të jetë ngadhënjyes dhe mbrojtës i Pejgamberit a. s. dhe besimtarëve, kurse njerëzit tjerë të privohen nga kjo dhunti, ngase janë pabesimtarë.
Ky është fakt, sepse, në esencë, tërë fuqia dhe krenaria I përket vetëm Allahut xh. sh. , e më pastaj, natyrisht, u përket edhe Pejgamberit e besimtarëve. Me këtë sikur Krijuesi Fuqiplotë e bën të prehet dhe e qetëson Muhamedin a. s. përballë pabesimtarëve dhe ballafaqimit me ta, të cilët në atë kohë ishin mjaft autoritativë.(1) Krijuesi Absolut përkëdhel dhe inkurajon Muhamedin a. s. dhe i konfirmon fuqishëm premtimin e Tij për ngadhënjim dhe fitore.(2) Se krenaria dhe ngadhënjimi I përket Allahut, Pejgamberit dhe besimtarëve, kjo vërtetohet në shumë ajete të tjera, siç është edhe ky: "E tërë krenaria I takon Allahut, të dërguarit të Tij dhe besimtarëve", (El-Munafikun, 8)


Çdo gjë në gjithësi është nën pushtetin e Allahut xh. Sh.


Derisa Allahu xh. sh. dëshmon për veten se vetëm Atij dhe Islamit i përket krenaria, fuqia dhe ngadhënjimi, atëherë këtë të vërtetë e argumenton me fakte në gjithësi, duke konfirmuar se gjithçka ka në qiej e në Tokë, është e Tij dhe nën pushtetin absolut të Tij, për se thotë: "Vërtet, (ta keni të ditur se) Allahut I përket çdokush (gjithçka) që gjendet në qiej dhe në Tokë (çdo gjë është nën pushtetin e Tij)". - që nënkupton se nuk ka krijesë në gjithësi jashtë mbikëqyrjes dhe pushtetit të Tij Absolut. Zoti xh. sh. vërteton se vetëm Atij i përket pushteti i qiejve dhe Tokës, ndërsa pabesimtarët - idhujtarët adhurojnë të tjerë, që nuk posedojnë asgjë dhe nuk kanë argumente për këtë adhurim, ngase ata pasojnë vetëm hamendjen, gënjeshtrat dhe shpifjet e tyre.(3) Shprehja kuranore në fillim të ajetit "ta keni të ditur", paraqet tërheqjen e vëmendjes për dëgjuesin, duke e bërë me dije se duhet ta përqendrojë vëmendjen mbi përmbajtjen e kësaj fjalie. Ndërsa urtësia e përdorimit në origjinal të "men" "gjithçka - çdokush", që përdoret për krijesat që logjikojnë e jo "ma" që përdoret për krijesat e tjera, qëndron në faktin se kjo vërteton se të fortët janë sikur të dobëtit, dhe që të gjithë nën pushtetin e Allahut janë njësoj.(4) Përdorimi i "men" ka për qëllim engjëjt, njerëzit e xhinët, mirëpo këtu i ka veçuar krijesat që logjikojnë, për të vënë në pah se nuk ka nevojë të përmenden të tjerat krijesa, meqë krijesat që logjikojnë, pavarësisht nga ky privilegj hyjnor, janë të nënshtruara nda Krijuesit, prandaj edhe krijesat e tjera, natyrisht që janë nën pushtetin dhe nënshtrimin e Tij.


Mesihu nuk tërhiqet prej asaj se është rob i Allahut, nuk tërhiqen as engjëjt më të zgjedhur (en-nisa, 172)


Si engjëjt, ashtu edhe njerëzit dhe xhinët, janë nën sundimin absolut të Allahut xh. sh. , me dashje ose pa të, dhe përderisa këto krijesa, megjithëse kanë mundësi të logjikojnë dhe të meditojnë, janë nën pushtetin e Tij, atëherë edhe të gjitha krijesat e tjera të të gjitha llojeve, natyrisht që hyjnë nën këtë pushtet dhe nënshtrim të Allahut, dhe të gjitha janë krijesa të Tij, ngase Ai i ka krijuar, dhe nuk meritojnë të adhurohen nga dikush tjetër. Allahu xh. sh. thotë: "Mesihu nuk tërhiqet prej asaj se është rob i Allahut, nuk tërhiqen as engjëjt më të zgjedhur". (En-Nisa, 172) Dhe këtë e vërteton ajeti tjetër: "S'ka krijesë që gjendet në qiej dhe në Tokë e që të mos vijë si rob para të Gjithëmëshirshmit".(6) Në Kuran vërejmë se si Allahu xh. sh. sjell ajete në mënyra të ndryshme, si: "Atij I përulen (i janë dorëzuar) të gjithë ata që gjenden në qiej dhe në Tokë, me dashje e pa dashje, dhe tek Ai kthehen". (Ali-Imran 83); dhe ajeti që jemi duke e komentuar: "Vërtet, (ta keni të ditur se) Allahut I përket çdokush (gjithçka) që gjendet në qiej dhe në Tokë (çdo gjë është nën pushtetin e Tij)". Krijuesi Allah e ka shprehur këtë fakt në këtë mënyrë, ngase kemi lloje të krijesave që ekzistojnë në qiej e në Tokë, siç janë engjëjt, të cilët zbatojnë Urdhrat e Krijuesit që kanë të bëjnë me krijesat në Tokë. Gjithashtu, kemi engjëj në qiej që nuk gjenden në Tokë, të cilët kanë për detyrë vetëm adhurimin e Krijuesit.(7) kështu, ata hidhërohen për shkak se u janë degraduar idhujt dhe zakonet e tyre, ngase ata që adhurojnë shumë zota mohojnë besimin në Zotin Një dhe mohojnë çdo fjalë që ka të bëjë me ringjalljen dhe llogarinë në Botën tjetër.(8) kur allahu xh. sh. sqaron përnjëherë një gjë dhe të kundërtën e saj, këtë e bën në bazë të kontekstit dhe rrethanave ekzistuese. Sa për ilustrim, të përmendim shembullin kur Faraoni me ushtri ndoqi Musain a. s. , e shokët e Musait a. s. thanë: "Kur dy grupet panë njëri-tjetrin, shokët e Musait thanë: "Me të vërtetë, na zunë!" (Esh-Shua'raë, 61). Këtë e thanë ngase panë para vetes detin, po Allahu xh. sh. deshi t'ua sqaronte se deti është nën pushtetin dhe fuqinë e Tij, ngase çdo gjë në qiej dhe Tokë është e Tij absolutisht, prandaj edhe deti është i Tij dhe për këtë arsye e urdhëroi Musain a. s që t'i binte detit me shkop, dhe deti u nda dhe çdo pjesë u bë si kodër e madhe (Eshu'arafë 63)


Pabesimtarët adhurojnë dikë tjetër përveç Krijuesit


Adhurimi i dikujt nënkupton që të respektohen urdhrat e tij dhe të largohen nga ndalimet e tij e njeriu t'i përmbahet programit që sjell ai që e adhuron. Le të sjellin ata ndonjë shembull se zotat që adhurojnë, u kanë sjellë atyre program jete!? Ata kurrë nuk do të mund të bëjnë një gjë tillë. Allahu xh. sh. thotë: "Thuaj: "Nëse përveç Atij do të kishte edhe zota të tjerë, siç thonë ata, atëherë ata do të kërkonin rrugë për të arritur te Zoti i Fronit (për t'ia marrë pushtetin)". (El- Israë, 42) Nëse supozojmë kinse ka zota të tjerë dhe se ata kanë fuqi e rol si: Dielli me dritën e vet apo Hëna që shndrit, shiu që zbret nga qielli apo engjëjt që kryejnë detyrat, edhe nëse supozojmë kinse ata janë zota, atëherë pse ata vetë do të kërkojnë Zotin Një - Krijuesin e tyre që të marrin forcën nga Ai, forcë që dikush mendon hamendshëm se është e tyre. lidhur me këtë, Allahu xh. sh. thotë: "Përveç Atij s'ka asnjë Zot tjetër, se përndryshe çdo zot do të merrte atë që ka krijuar dhe do të ngriheshin (dominonin) njëri mbi tjetrin. I Lartë, i Pastër është Allahu nga ajo që i shpifin". (El- Mu'minun, 91). Po të ishte e vërtetë ajo që thonë ata, atëherë do të kishte shumë pushtet të zotave. Zoti i gjithësisë - Allahu xh. sh. thotë: "Vetë ata të cilëve u luten idhujtarët, kërkojnë t'i afrohen Zotit të tyre (të vërtetë), madje edhe më të afërtit, duke shpresuar mëshirën e Tij dhe duke iu frikësuar dënimit të Tij. Me të vërtetë, nga dënimi i Zotit tënd duhet të ruhet gjithkush"(El -Isra, 57). Hasim njerëz të cilët bëjnë gjithçka për të trilluar ndonjë kontradiktë në mes fjalëve uranore, për të krijuar dyshim në të, siç thonë edhe për këtë ajet kuranor: kinse mohuaka faktin se idhujtarët i shoqërojnë ortakë Allahut, e sqaruar sipas tyre në pjesën e ajetit: "E çfarë ndjekin ata që adhurojnë në vend të Allahut zota - ortakë?", ndërsa në fund të ajetit e vërteton se ata i shoqërojnë ortakë Allahut: "Në të vërtetë, ata nuk ndjekin gjë tjetër, përveç hamendjes dhe vetëm gënjejnë"??!!. Ky sqarim i tyre është injorancë e plotë dhe s'ka të bëjë fare me realitetin e ajeteve kuranore, ngase Allahu xh. sh. mohon që ata të cilët i adhurojnë pabesimtarët, të jenë ortakë të Tij në pushtet, ngase i tërë pushteti absolut i qiejve dhe Tokës I përket vetëm Allahut, dhe se pabesimtarët ndjekin vetëm trillime dhe gënjeshtra.(9) Pra, nëse pabesimtarët janë nga ata që nuk e kuptojnë të vërtetën, po u besojnë të tjerëve, për të tillët përshtatet pjesa kuranore: "Në të vërtetë, ata nuk ndjekin gjë tjetër, përveç hamendjes", ndërsa, për ata që e dinë dhe e njohin të vërtetën po e devijojnë në gënjeshtër, përshtatet pjesa e ajetit: "dhe vetëm gënjejnë.(10)


________________________
(1) Sejjid Kutub, Fi Dhilalil Kuran, vëll. i III, f. 1804, botimi i 25, 1996, Daru Esh-shuruk, Bejrut.
(2) Muhamed Mahmud Hixhazi, Et-Tefsiru El-Vadih, vëll. i III, f. 77, 1992, Kajro.
(3) Ibni Kethir, Tefsir El-Kuran El-Adhim, vëll. i II, f 433, 1991, Kajro.
(4) Sejjid Kutub, Ibid. f. 1804.
(5) Imam Alusi, Ruhul Meanij Fi-Tefsir El- Kuran El-Adhim Ve essb'ul Methani, Komentimi i xhuzit të 11, f. 153. Ihja et-turathul Arabi, Bejrut. Këtë shpjegim e gjejmë gjithashtu edhe në Tefsirin e Fahru Rraziut, Et -Tefsir El -Kebir (Mefatihul Gajb), komentimi i xhuzit ti 11, f. 137, 1981, Darul fikr el -Arabij, Bejrut.
(6) Muhamed Ebu Zehra, Zehretu et-Tefasir, f. 3608, Darul fikr el -Arabij, 1987, Akademia e shkencave të Az'harit.
(7) Tefsiri i Sharaviut, vëll i X, f. 6051, pa vit botimi, Ahbarul Jevm, Kajro.
(8) Muhamed El-Gazali, Nahve Tefsir Mevdui Lisuver El-Kuran El-kerim, f. 162, viti i bot. 2000, Daru Esh Shuruk, Kajro.
(9) Tefsiri i Sharaviut, vëll. i X. , f. 6048-6049.
(10) Sharaviu f. 6053-6054


 



Dituria Islame 240


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Myftiu i Kosovës viziton Panairin e Librit në Ulqin, mbështet kontributin e “Dituria Islame”